Shërbesa e leximeve
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e Katërt e kreshmëve – e premte
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Etërit tanë na treguan mrekullitë e Zotit.
Psalmi 78 /77/ (1-39) Pabesia e popullit dhe besnikëria e Zotit
Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata (1 Kor 10, 6).
I (1-16)
Dëgjoje me kujdes, populli im, mësimin tim, *
vëru vesh fjalëve të gojës sime.
Po e hap gojën time për të mësuar me shëmbëlltyra, *
do t’ju tregoj fshehtësi të kohëve të shkuara.
Ato që dëgjuam e mësuam, †
çka na treguan etërit tanë, *
nuk do t’i fshehim para fëmijëve të tyre,
do t’i kalojmë gojë më gojë në breznitë e ardhshme †
lavditë e Zotit e mrekullitë e tija, *
veprat e bindshme që ai bëri.
Ai e ngriti Dëshminë në Jakobin, *
dhe e vuri Ligjin në Izrael,
që ç’u urdhëroi etërve tanë
ato t’ua shpallin fëmijëve të vet, *
që breznia e ardhshme t’i ketë të njohura,
që fëmijët që të lindin,
t’ua tregojnë fëmijëve të vet: *
që ta mbështetin shpresën e vet në Hyjin,
të mos i harrojnë veprat e Hyjit *
e t’i mbajnë urdhërimet e tija.
E të mos bëhen si etërit e tyre *
- brezni kryengritëse dhe e padëgjueshme,
brezni e paqëndrueshme në zemër *
e me shpirt të pabesë ndaj Hyjit.
Bijtë e Efraimit, luftëtarë me hark, *
ditën e përleshjes kthyen shpinën e ikën.
Nuk e mbrojtën Besëlidhjen e Hyjit, *
e nuk deshën të ecin udhëve të tija.
I harruan veprat e tija, *
mrekullitë e tija që ua dëftoi.
Në sy të etërve të tyre bëri mrekulli, *
në tokën e Egjiptit, në fushën Taneos.
E ndau detin dhe ata i kaloi, *
i ndali ujërat si të ishin në rrëshiq.
Ditën u printe me re, *
e gjithë natën me zjarr ndriçues.
Në shkretëtirë qetën e plasi *
dhe u dha të pinë si nga humnera e pafund:
nga shkëmbi nxori përrenj, *
bëri të rrjedhë ujët si lumë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Etërit tanë na treguan mrekullitë e Zotit.
Ant. 2 Hëngrën bukë nga qielli, pinë ujë nga shkëmbi, shenjë e Shpirtit të premtuar.
II (17-31)
Por ata gjithnjë vazhduan të mëkatojnë kundër tij, *
i kundërshtuan të Tejetlartit në shkretëtirë,
Hyjin e tunduan në zemrat e veta *
duke kërkuar ushqim për grykësinë e vet.
Nynykatën kundër Hyjit e thanë: *
»A është i zoti Hyji të shtrojë tryezë në shkretëtirë?«
»Ja, shkëmbit i ra e rrodhi ujë, *
gurgulluan përrenjtë!
A mund të japë edhe bukë e mish *
për popullin e vet?«
Dëgjoi Zoti dhe u zemërua, †
zjarr u ndez kundër Jakobit, *
flakë u ndez hidhërimi kundër Izraelit,
sepse nuk besonin në Hyjin, *
nuk shpresonin në shpëtimin e tij.
Kështu u urdhëroi reve prej së larti, *
i hapi pendët e qiellit,
porsi shi e lëshoi manën për ushqim, *
u dha bukë nga qielli:
njeriu hëngri bukë engjëjsh, *
u dha ushqim me mbushulli.
Mandej në qiell e zgjoi erën e lindjes, *
me pushtet të vet bëri të fryjë shiroku,
bëri të bjerë mbi ta mish thuajse pluhur, *
shpend me pupla porsi rëra e detit:
ranë midis tëbanishtës së tyre, *
përreth çadrave të tyre.
Hëngrën dhe u ngopën, *
ua plotësoi dëshirën.
Ende plotësisht nuk ishin ngirë, *
ende ushqimin e kishin në gojë,
kur qe, zemërimi i Hyjit u ndez kundër tyre, †
i kositi me vdekje më të fortët e tyre, *
i vrau të zgjedhurit e Izraelit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hëngrën bukë nga qielli, pinë ujë nga shkëmbi, shenjë e Shpirtit të premtuar.
Ant. 3 U ra në mend se Hyji është strehimi dhe shëlbuesi i tyre.
III (32-39)
Megjithatë - vazhduan të mëkatojnë *
dhe nuk besuan në veprat e mrekullueshme të tijat.
Ditët e tyre i zhduku si avullin, *
vitet e tyre kaluan me ngutësi.
Kur i vriste, atëherë e kërkonin *
e përsëri ktheheshin tek Hyji;
u binte në mend se Hyji është strehimi i tyre, *
Hyji i tejetlartë Shëlbuesi i tyre.
Porse prapë e gënjenin me gojën e tyre, *
e rrenin me gjuhën e vet:
zemra e tyre nuk ishte me të, *
besë nuk kishin në Besëlidhjen e tij.
E Ai, i mëshirshëm, e falte fajin, *
në vend që të shkatërronte,
shpeshherë e ndalte zemërimin e vet *
e nuk ndizej në furinë e vet.
I binte në mend se janë njerëz të ligshtë *
- avull që shkon e nuk kthehet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 U ra në mend se Hyji është strehimi dhe shëlbuesi i tyre.
D Kthehuni te Zoti, Hyji i juaj:
C sepse Ai është i mirë dhe fal çdo mëkat.
Leximi i parë
Prej librit të Numrave 14, 1-25
Protesta e popullit dhe lutja e Moisiut
Populli e ngriti zërin me britma të mëdha e krejt natën e kaloi në vajtim dhe të gjithë bijtë e Izraelit nynykatën kundër Moisiut e Aronit e thoshin: »Oh, po të kishim vdekur në Egjipt ose në këtë shkretëtirë të gjerë! Po pse na pruri Zoti në këtë vend që të vdesim prej shpatës, kurse gratë e fëmijët tanë të merren skllevër? Po a nuk është më mirë të kthehemi në Egjipt?« Dhe i thoshin njëri‑tjetrit: »Le ta caktojmë një tjetër prijës e të kthehemi në Egjipt!«
Kur e dëgjuan këtë, Moisiu e Aroni ranë përmbys me fytyrë për dhe para mbarë bashkësisë së izraelitëve, kurse Jozuehi, biri i Nunit dhe Kalebi, biri i Jefoneut, që edhe këta e kishin përshkuar në vrojtim vendin, i shqyen petkat e veta dhe iu drejtuan me këto fjalë mbarë bashkësisë së izraelitëve: »Vendi që e përshkuam është shumë i mirë. Nëse Zoti do të na përkrahë, ai do të na shtjerë në të dhe do të na dhurojë një tokë që rrjedh qumësht e mjaltë. Mos u bëni kryengritës kundër Zotit as mos e kini frikë popullin e këtij vendi, sepse janë kafshatë e vogël për ne! S'ka më kush u del zot, kurse me ne është Zoti! Mos kini frikë!«
Ndërsa mbarë bashkësia mendonte t'i vrasë me gurë, kur qe, Lavdia e Zotit iu dëftua të gjithë bijve të Izraelit përmbi Tendën e takimit, dhe Zoti i tha Moisiut: »Deri kur do të më përbuzë ky popull? E deri kur nuk do të më besojë megjithëse i bëra ndër sy të tij të gjitha ato mrekulli? Murtajën do t'ia çoj e do ta zhbij! Kurse prej teje do të bëjë një popull më të madh e më të fortë se ky.«
Atëherë Moisiu i tha Zotit: »Do të dëgjojnë egjiptianët, prej mesit të të cilëve e nxore me fuqinë tënde këtë popull e do t'u thonë banorëve të këtij vendi, të cilët e kanë marrë vesh, se ti, o Zot, je në këtë popull dhe se u dëftohesh faqe‑faqas dhe se Reja jote i mbron dhe se ti u prin ditën në shtyllën e Resë e natën në shtyllën e zjarrit, por e vrave këtë popull si të ishte një njeri i vetëm! Atëherë do të thonë patjetër popujt që dëgjuan çfarë flitet për ty: »Zoti nuk pati fuqi ta shtjerë popullin në tokën që me përbetim u betua, e prandaj i zhbiu në shkretëtirë! Le të madhërohet pra, fuqia e Zotit sikurse u përbetove kur the: 'Jam Zot i durueshëm dhe mëshirëmadh; e duroj paudhësinë e fajin, sepse i ndëshkoj mëkatet e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez, por askënd nuk lë pa ndëshkuar.' Falja, po të lutem, mëkatin këtij populli në saje të mëshirës sate të pakufi, sikurse e përkrahe këtë popull prej Egjiptit deri këtu.«
Zoti i tha Moisiut: »Po ia fal në fjalën tënde. Por, pasha jetën time, siç është e vërtetë se Lavdia e Zotit do ta mbushë mbarë botën, asnjë njeri që i pa veprat e mia të madhërueshme dhe shenjat që i bëra në Egjipt e në shkretëtirë dhe më vuri në provë tani dhjetë herë dhe nuk i vuri vesh zërit tim, nuk do ta shohë vendin, të cilin ua premtova etërve me përbetim dhe asnjë prej atyre që më përbuzën s'do ta shohë. Por, shërbëtorin tim Kalebin që me një frymë krejt tjetër më dëgjoi, do ta shtjer në tokën që e përshkoi dhe fara e tij do ta zotërojë. Pasi amalekasit dhe kananejtë banojnë në vërri, nesër ju bëni çojën e kthehuni në shkretëtirë në drejtim të Detit të Kuq.«
Përgjigjja Krh. Ps 103 /102/, 8. 9. 13. 14
C Zoti është i mirë e i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. Nuk zemërohet gjithherë as s’e mban hidhërimin për jetë të jetës. * Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
D Mirë e di se si jemi të përbërë, s’e harron se ne jemi pluhur.
C Sikurse baba ka dhembje për fëmijët e vet, ashtu Zoti ka dhembje për ata që e druajnë.
Leximi i dytë
Nga “Letrat Pashkore” të shën Atanazit, ipeshkëv
(Let. 5, 1-2; PG 26, 1379-1380)
Misteri i Pashkëve i bashkon në fe ata që janë larg nga ana e trupit
Vëllezër të mi, është gjë e bukur të kalojmë prej një feste në tjetrën, të kalojmë prej një urate në tjetrën, prej një kremtimi në tjetrin. Tani është afër ajo kohë që na sjell dhe na njofton një fillim të ri, ditën e Pashkëve të shenjta, në të cilat u flijua Zoti. Ne ushqehemi prej bukës së tij e gjithmonë e kënaqim shpirtin tonë me gjakun e tij të çmueshëm, pothuajse nxjerrim nga ndonjë burim. E prapëseprapë, gjithmonë kemi etje e gjithmonë digjemi prej dëshirës. Por Shëlbuesi ynë është afër atij që e ndien veten të tharë, e me dashamirësinë e vet, në ditën e festës i grish te vetja ata që zemrën e kanë të etshme, sipas fjalës së tij: “Kush ka etje le të vijë tek unë e le të pijë” (Krh. Gjn 7, 37). Por për ta shuar rreshkimin e përbrendshme nuk është e domosdoshme t’ia afrojmë gojën burimit, mjafton t’i bëjmë kërkesë për ujë vetë burimit. Hiri i të kremtes nuk është i kufizuar veç brenda një momenti, as s’fiket rrezja e saj e shkëlqyeshme kur perëndon dielli, por mbet gjithmonë e gatshme për atë shpirt që e dëshiron. Vazhdimisht ndikon me fuqi mbi ata që mendjen e kanë të shndritur dhe e përsiasin Shkrimin Shenjt ditë e natë. Këta janë porsi ai njeri që quhet i lum, siç shkruhet në psalm: “Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, që nuk qëndron në rrugën e mëkatarëve e nuk rri së bashku me përqeshës, por kënaqet me Ligjin e Zotit dhe e kujton atë ditë e natë” (Ps 1, 1-2).
Pra, fort të dashur, Hyji që për ne e themeloi këtë festë, edhe na jep që ta kremtojmë për çdo vit. Ai që, për shëlbimin tonë, ia dorëzoi vdekjes Birin e vet, për të njëjtin qëllim na dhuron edhe këtë të kremte, e cila shquhet qartë ndër të tjerat gjatë vitit. Kremtimi liturgjik na mbështet mes vështirësive që na takojnë në këtë botë. Nëpër të, Hyji na dhuron atë gëzim shëlbimi, i cili e rrit vëllazërinë. Nëpërmjet veprimit sakramental të festës, na mbledh në një bashkësi të vetme, të gjithë na bashkon shpirtërisht dhe bën që të gjenden afër edhe të largëtit. Kremtimi i Kishës na jep mundësi që të lutemi së bashku dhe t’ia lartësojmë Hyjit falënderimin tonë të përbashkët. Madje, kjo është gjë veçanërisht e domosdoshme në çdo të kremte liturgjike. Është një mrekulli e mirësisë së Hyjit ajo që na bën të ndihen të lidhur në festim dhe të bashkuar në njësinë e fesë së largët e të afërt, të pranishëm e të papranishëm.
Përgjigjja Krh. Sof 3, 8-9; Gjn 12, 32)
C Më prit ku je - është fjala e Zotit - ditën kur të ngritem paditës; atëherë popujve do t’ua bëj buzët e pastra: * do ta thërrasin emrin e Zotit dhe do t’i shërbejnë.
D E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit;
C Do ta thërrasin emrin e Zotit dhe do t’i shërbejnë.
Lutja
O Hyj, ti që ligështisë sonë i përgatite ndihma të përshtatshme bëj, po të lutemi, t’i pranojmë me gëzim frytet e shëlbimit dhe t’i dëshmojmë me një jetë të shenjtë. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.