Shërbesa e leximeve
Java e Katërt e kreshmëve – e shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e Katërt e kreshmëve – e shtunë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.
Psalmi 78 /77/ (40-72) Pabesia e popullit dhe besnikëria e Zotit
Të gjitha këto ndodhën si shembull për ne, që ne të mos i lakmojmë të së keqes, sikurse i lakmuan ata (1 Kor 10, 6).
IV (40-51)
Sa herë e hidhëruan në shkretëtirë, *
sa herë e zemëruan në vise të pabanuara!
Prapë e prapë e ngucnin Hyjin, *
e trishtonin Shenjtin e Izraelit
duke mos e kujtuar dorën e tij të pushtetshme, *
ditën kur i shpëtoi nga armiku,
as mrekullitë që i bëri në Egjipt, *
as veprat e mrekullueshme që i bëri në fushën Taneos.
Kur lumenjtë i shndërroi në gjak *
dhe përrenjtë e tyre që të mos mund të piheshin.
Dërgoi mbi ta gretha që t’i thernin *
dhe bretkosa që t’i pranin.
Të korrat e tyre ua dha karkalecave, *
vemjeve mundin e tyre.
Me breshër ua rrënoi vreshtat, *
e me brymë manat e tyre.
Me breshër ua shfarosi bagëtinë, *
me rrufe ua vrau grigjat.
Lëshoi mbi ta felgrimin e zemërimit të vet, †
hidhërimin, urrejtjen dhe vuajtjet, *
dërgesë engjëjsh që u sollën të keqen.
I rrafshoi udhën felgrimit të vet, †
nuk ua kurseu jetën prej vdekjes, *
jetën e tyre në dorë ia lëshoi kolerës.
I vrau të gjithë të parëlindurit e Egjiptit, *
frytin e parë të fuqisë së tyre në çadrat e Kamit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti na liroi nga dora e shtypësit.
Ant. 2 Hyji na priu tek mali ku shfaqet shenjtëria e tij.
V (52-64)
Porsi dhen prej andej e nxori popullin e vet, *
i priu porsi grigjës nëpër shkretëtirë.
U printe me kujdes pa farë frike, *
kurse armiqtë e tyre deti i kapërdiu.
I çoi në Tokën e vet të shenjtë, *
në bjeshkën që pushtoi e djathta e tij.
Para tyre i dëboi paganët, †
tokën e tyre me konop ua ndau për pronë, *
në çadrat e tyre i vendosi fiset e Izraelit.
E ata prapë e ngucën dhe e hidhëruan Hyjin e tejetlartë, *
nuk ia mbajtën urdhërimet e tija.
u shmangën, nuk i mbajtën besën si etërit e tyre, *
u kthyen prapazi porsi harku i prishur.
E hidhëruan me lartësirat e tyre, *
dhe e ngucën me gdhendjen e idhujve.
Dëgjoi Hyji dhe u ndez në hidhërim, *
për së tepërmi iu ndy Izraeli.
E lëshoi banesën Silo, *
tendën ku banonte në mes të njerëzve.
Fuqinë e vet e la të bjerë në robëri, *
nderin e vet në duar të armiqve.
Popullin e vet ia dorëzoi shpatës, *
kundër pronës së vet u ndez tërë hidhërim.
Djelmoshat e tyre i përpiu zjarri, *
vajzat e tyre s’patën me kë të martoheshin.
Ranë prej shpatës priftërinjtë e tyre, *
e vejushat e tyre nuk i vajtuan!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji na priu tek mali ku shfaqet shenjtëria e tij.
Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës dhe Davidin, shërbëtorin e vet, për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.
Psalmi 78 /77/
VI (65-72)
E u ngrit, si kush zgjohet nga gjumi, Zoti, *
si luftëtari kur kllapia e verës e lëshon,
e t’u ra pas shpine armiqve, *
i mposhti një herë e përgjithmonë.
E përjashtoi tendën e Jozefit, *
nuk e zgjodhi fisin e Efraimit.
por zgjodhi fisin e Judës, *
malin e Sionit që e ka për zemër.
Të lartë si qiellin e ndërtoi Shenjtëroren, *
porsi tokën e themeloi për amshim.
Zgjodhi Davidin, shërbëtorin e vet, *
e hoqi nga grigjat e dhenve,
prej pas delesh nëna atë e mori †
të kullotë Jakobin, popullin e vet, *
Izraelin, trashëgimin e vet!
Ky i udhëhoqi me zemër të përsosur *
dhe u priu me dorën e vet të vyer.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 E zgjodhi fisin e Judës dhe Davidin, shërbëtorin e vet, për t’i prirë Izraelit, popullit të vet.
D Kush e bën të vërteten, është në dritë:
C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.
Leximi i parë
Prej librit të Numrave 20, 1-13; 21, 4-9
Uji i Meribës. Gjarpri prej bronzi
Në ato ditë: Izraelitët dhe mbarë bashkësia, arritën në shkretëtirën Sin. Ishte muaji i parë. Populli nguli në Kades. Këtu vdiq Maria dhe qe varrosur në të njëjtin vend.
Pasi nuk kishte ujë për popull, u bashkuan kundër Moisiut e Aronit e nisën të grinden me Moisiun e Aronin. Thanë: »Oh, sikur të kishim mbaruar ndërmjet vëllezërve tanë në praninë e Zotit! Përse e nxorët bashkësinë e Zotit e prutë në shkretëtirë që të vdesim ne dhe bagëtitë tona? Përse na bëtë ta lamë Egjiptin e na sollët në këtë vend të keq që nuk mund të mbillet, ku nuk ka as fiq, as vreshta as shega, ku madje nuk ka as ujë për të pirë?«
Moisiu e Aroni e lanë bashkësinë e shkuan në hyrje të Tendës së takimit, ranë me fytyrë për dhe e përmbi ta u dëftua Lavdia e Zotit. Atëherë Zoti i tha Moisiut: »Merre shkopin ti e Aroni, vëllai yt dhe bashkoni popullin, flini qetës ndër sy të tij dhe ajo do t'u japë ujë. Kur ta kesh nxjerrë ujin prej shkëmbit, atëherë le të pijë bashkësia dhe bagëtitë e saja.«
Atëherë Moisiu e mori shkopin që ishte në praninë e Zotit ashtu si i urdhëroi Ai. Moisiu e Aroni e bashkuan popullin para qetës, e Moisiu tha: »Dëgjoni, o kryekëcyer! A thua prej qetës do t'ju nxjerrim ujë?«
Moisiu e çoi dorën, dy herë i ra me shkop qetës, doli ujë me shumicë dhe piu bashkësia e bagëtitë e saja.
Por, Zoti i tha Moisiut e Aronit: »Pasi nuk më besuat mua që ta bëni të ndriçojë shenjtëria ime ndër sy të bijve të Izraelit, qe, pra, ju nuk do ta shtini këtë popull në tokën që do t'jua dhuroj.«
Këto janë ujërat e Meribës, ku izralitët u grindën me Zotin, dhe ku Ai u dëftua i shenjtë.
Izraelitët u nisën prej malit Hor për t'iu shmangur tokës së Edomit udhës që shpie te Deti i Kuq. Por populli udhës filloi ta humbasë durimin, zuri të ankohej kundër Zotit e Moisiut. Thanë: »Pse na nxore nga Egjipti a për të vdekur në këtë shkretëtirë? S'ka bukë, s'ka ujë; kurse kjo e zezëhaje na e mërziti shpirtin!«
Për këtë arsye Zoti çoi në popull gjarpërinj të hidhur, të cilët e hanin popullin dhe vdiqën shumë njerëz prej Izraelit. Atëherë erdhën te Moisiu e i thanë: »Bëmë mëkat kur folëm kundër Zotit e kundër teje; lutu ti që të na i largojë gjarpërinjtë!« Moisiu u lut për popull, e Zoti tha: »Punoje gjarprin helmues e vëre në shtyllë si shenjë: kushdo që, pasi ta ketë ngrënë gjarpri, ta shikojë, do të shpëtojë.«
Moisiu e punoi një gjarpër prej bronzit dhe e vuri për shenjë; këdo që hante gjarpri, si e shikonte atë, shërohej.
Përgjigjja Krh. Gjn 3, 14. 15. 17
C Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut: * që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
D Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të:
C që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur.
Leximi i dytë
Nga Kushtetuta Dogmatike “Gaudium et spes” e Koncilit ekumenik Vatikanas II (Nr. 37-38)
T’i pastrojmë veprimet njerëzore në misterin e Pashkëve
Shkrimi shenjt si dhe përvoja shekullore mëson familjen njerëzore se përparimi i njeriut edhe pse shumë i dobishëm, është edhe një tundim i madh. Kur përzihet rendi i vlerave, pasi që përzihet e keqja me të mirën, disa njerëz dhe grupe të ndryshme shohin vetëm interesat vetjake, e jo edhe të tjerëve. Kështu s’ka më vëllazërim dhe fuqia e rritur e njeriut kërcënon ekzistencën e njerëzimit.
Mbarë historia kaloi një luftë të rreptë kundër pushtetit të territ. Kjo luftë, e cila u nis qysh prej fillimit sipas fjalëve të Zotit (krh. Jak 2, 15. 16), do të zgjasë deri në ditën e fundit. Në këtë luftë gjendet edhe njeriu i cili gjithmonë do të luftojë për ta përkrahur të mirën dhe vetëm me mundime të mëdha dhe me ndihmën e hirit të Zotit mund të ruajë unitetin e brendshëm.
Për këtë arsye Kisha e Krishtit plotësisht shpreson në planin e Krijuesit dhe pranon se përparimi njerëzor mund t’i shërbejë lumturisë së vërtetë të njerëzve. Megjithatë ajo medoemos do të përhapë vërejtjen e Apostullit: “Mos ju përshtatni këtij shekulli” (Rom 12, 2) d.m.th. asaj fryme të kotësisë dhe të smirës e cila veprat e njeriut i sjell në mjet mëkati në vend që t’i shërbejë Hyjit dhe njeriut, për çka edhe është e caktuar.
Në pyetje se si mund të zotërohet kjo gjendje e mjerë, të krishterët dëshmojnë se të gjitha veprat njerëzore, të rrezikuara dita-ditës, nga krenaria dhe egoizmi, do të spastrohen dhe të drejtohen kah përsosmëria e kryqit dhe ringjalljes së Krishtit. Njeriu, të cilin Krishti e shpërbleu dhe e bëri krijesë të re në Shpirtin Shenjt, mund dhe duhet t’i duajë krijesat e Hyjit. Prej Hyjit i pranon, në to shikon dhe i nderon sikur të dilnin mu prej dorës së Hyjit. Për ta falënderon Mirëbërësin Hyjnor, ato i përdor dhe i gëzon në varfëri dhe liri të Shpirtit dhe kështu bëhet njëmend pronar i botës, si ai që s’ka asgjë e ka gjithçka (krh. Lk 16, 19-31). “Gjithçka është e juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit!” (1 Kor 3, 22-23).
Nëpër Fjalën e Hyjit të gjitha janë krijuar dhe ajo u mishërua dhe qëndroi në tokën e njerëzve, ka hyrë si njeri i përsosur në historinë e botës duke përmbledhur atë në vete (krh. Lk 6, 37-38; Mt 7, 1-2; Rom 2, 1-11; 14, 10-12). Ai na zbulon se “Hyji është dashuri” (1 Gjn 4, 8) dhe njëkohësisht na mëson se urdhri i ri i dashurisë është themeli i përsosmërisë njerëzore, prandaj edhe të ripërtëritjes së botës. Kështu atyre që besojnë në dashurinë hyjnore u jep siguri se i është e hapur rruga e dashurisë të gjithëve dhe se nuk është i kotë mundimi për ta zbatuar vëllazërimin e përgjithshëm. Njëkohësisht na tregon se kjo dashuri do të kryhet jo vetëm në raste të rëndësishme, por së pari në rrethanat e përditshme të jetës.
Duke vdekur për të gjithë ne mëkatarët (krh. Gjn 3, 6; Rom 5, 8-10), na dha shembull që edhe ne duhet ta mbajmë kryqin që ngarkojnë trupi dhe bota, ata që shkojnë pas paqes dhe drejtësisë. Krishti, i cili me ringjalljen e vet u bë Zotëri dhe i cili ka pushtetin e plotë në qiell dhe në tokë (krh. Vap 2, 36; Mt 26, 18), me fuqi të Shpirtit vepron në zemrat e njerëzve. Ai nuk i nxit dëshirat vetëm kah shekulli i ardhshëm, por edhe frymëzon, gjë që pastron dhe forcon përpjekjet shpirtmëdha të familjes njerëzore e cila mundohet që të përmirësojë kushtet jetësore dhe që këtij qëllimi ta nënshtrojë tokën. Ndërsa dhuratat e Shpirtit janë të ndryshme: disa i thërret që të dëshmojnë haptazi dëshirën e vet për jetën qiellore duke ruajtur këtë dëshmi të gjallë në familjen njerëzore, të tjerët i thërret që t’i kushtohen shërbimit tokësor të njerëzve duke grumbulluar kështu arsyet për mbretërinë qiellore. Ai gjithnjë i çliron të gjithë, pasi që mohuan egoizmin dhe jetojnë si njerëz deri sa nuk arrijnë atë të ardhmen, kur njerëzimi do të bëhet kushtesa erëkëndshme e Hyjit (krh. Rom 15, 16).
Zoti iu ka lënë të vetëve si peng shpresën dhe ushqimin për atë rrugë: sakramentin e fesë, në të cilën frytet e natyrës, që i kultivoi njeriu, shndërrohen në Trupin e Gjakun e lavdishëm të Tij. Kjo është darka e bashkimit vëllazëror, e gostisë qiellore.
Përgjigjja Krh. 2 Kor 5, 15; Rom 4, 25)
C Krishti vdiq për të gjithë, * në mënyrë që ata që jetojnë të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
D Ai u flijua për fajet tona dhe u ngjall për shfajësimin tonë,
C Në mënyrë që ata që jetojnë të mos jetojnë më për vete, por për atë që vdiq dhe u ngjall për ta.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm e Atë i mëshirshëm, drejtoji ti vetë zemrat tona, sepse pa ty ne nuk mund të pëlqejmë ty. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.