Shërbesa e leximeve

Java e pestë e kreshmëve – e diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e pestë e kreshmëve – e Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Sipas dokes mistike

   të mësuar të agjërojmë,

   dhe agjërimin e dhjetë ditëve

   katër herë ta shumëfishojmë.

 

   Ligji e profetët të parët

   parapëlqyen këtë numër,

   pastaj e shenjtëroi vetë Krishti,

   mbreti e krijuesi i gjithë kohëve.

 

   Me masë ta përdorim

   ndër fjalë, ushqime e pije,

   në gjumë e lojëra më shtrëngueshëm

   të qëndrojmë për ta ruajtur.

 

   Të dëbojmë më të ligat,

   që shembin mendje të brishta,

   aspak vend më mos t’i japim

   tiranisë së armikut djall.

 

   Na ndihmo, Trini e lume,

   Na lejo, Njëni e vetme,

   për të tutë të jenë të frytshme

   këto dhunti të përmbajtjes. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

   Psalmi 1 (1-6) Dy udhët e njeriut

 

   Lum ata që, duke shpresuar në kryq, zbritën në ujin e pagëzimit (nga një autor i shekullit II).

 

Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, †

   që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *

   e nuk rri së bashku me përqeshës,

 

por kënaqet në Ligjin e Zotit *

   dhe e kujton atë ditë e natë.

 

Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *

   e cila frytin e vet e jep në stinë

dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *

   i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.

 

Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *

   por ata janë porsi byku që shpërndan era.

Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *

   as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!

Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *

   kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Pema e jetës u shfaq në kryqin e Zotit.

 

Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

   Psalmi 2 (1-12) Mesia, Mbreti fitimtar

 

   Udhëheqësit e këtij qyteti do të mblidhen së bashku, kundër Jezusit, të cilin ti e shugurove Mesi (Vap 4, 27).

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

 

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

»Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

 

»Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!«

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: »Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«

 

E tash pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Fjala e Zotit Krishtit të tij: Unë të shugurova mbret mbi të gjithë popujt.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   Psalmi 3 (2-9) Zoti më ruan

 

   Krishtin e zuri gjumi në vdekje dhe u zgjua në ringjallje, sepse Hyji ishte mbështetja e tij (Shën Ireneu).

 

Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *

   Sa shumë asi që po më çohen kundër!

Shumë janë asi që thonë për mua: *

   »As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«

 

Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *

   nderi im që lart ma mban kryet!

Zërin tim e lartësoj te Zoti *

   dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.

Unë bie në shtrojë e fle *

   e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.

 

Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †

   që përqark më rrethojnë porsi armiq. *

   Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!

 

Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *

   dhëmbët ua thyen mëkatarëve!

Shpëtimi vjen prej Zotit: *

   bekimi yt mbi popullin tënd!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti je mbrojtja ime, o Zot, ti je lavdia ime.

 

   D Kush jeton sipas fjalës sime,

   C s’do ta shohë vdekjen për amshim.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 1, 1 - 2, 4

 

   Biri trashëgimtarë i gjithësisë, i ngritur përmbi engjëj

 

   Mbasi Hyji herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve, së fundi, në këto ditë, na foli edhe neve me anë të Birit, të cilin e bëri trashëgimtarin e të gjitha sendeve, nëpër të cilin edhe e krijoi gjithësinë. Biri, që është bredhja e Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit, që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, ndenj në të djathtën e Madhërisë në qiell; u bë aq më i pushtetshëm se engjëjt sa më të madhërueshëm se ata e trashëgoi Emrin!

   Dhe vërtet, cilit prej engjëjve Hyji i tha ndonjë herë:

   »Ti je im Bir, unë sot të linda?«

   Dhe prapë:

   »Unë do t'i jem Atë dhe ai do të më jetë Bir?«

   Dhe prapë, kur përsëri e shtie Njëlindurin Birin e vet në botë, thotë:

   »Le ta adhurojnë të gjithë engjëjt e Hyjit!«

   Kurse për engjëjt Ai thotë kështu:

   »Ai i bën engjëjt e vet erëra, shërbëtorët e vet flakë zjarri.«

   Ndërsa për Birin thotë:

   »Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve, dhe skeptër drejtësie ‑ skeptri i Mbretërisë sate.

   E ke dashur drejtësinë dhe e ke urryer padrejtësinë: prandaj, o Hyj, Hyji yt të shuguroi me bagmin e gëzimit si asnjë ndër shokët e tu.«

   Edhe:

   »Ti, o Zot, në fillim e krijove tokën edhe qiejt janë vepër e duarve të tua.

   Ata do të zhduken kurse ti qëndron, të gjithë do të vjetrohen si petku:

   porsi petk do t'i mbështjellësh ‑ porsi mantel ‑ dhe do të ndërrohen. Ti vetëm i vetmi mbetesh i njëjtë ‑ vitet e tua nuk kanë mbarim.«

   Po e për cilin ndër engjëj tha ndonjë herë:

   »Më rri në të djathtën time deri t'i vë armiqtë e tu shtrojë të këmbëve të tua?!«

   A nuk janë, thua, të gjithë engjëjt shpirtra të ngarkuar me ndonjë shërbim, të dërguar për të shërbyer ata që do ta trashëgojnë shëlbimin?

   Për këtë arsye na duhet t'ia vëmë shumë më mirë mendjen sendeve që kemi dëgjuar, që të mos e humbim qëllimin. E njëmend, në qoftë se fjala e shpallur nëpër engjëj qe e palëkundshme dhe çdo shkelje apo padëgjesë mori ndëshkimin e drejtë, si do të mund të shpëtojmë në qoftë se e lëmë mbas dore një shëlbim kaq të madh? Këtë shëlbim filloi ta shpallë Zoti, qe përforcuar në mesin tonë me anë të atyre që e kishin dëgjuar, po edhe Hyji njëkohësisht e dëshmoi me shenja, me vepra të bindshme, me mrekulli të larmishme dhe me dhurata të Shpirtit Shenjt, të ndara sipas vullnetit të tij.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 1, 3; 12, 2

 

   C Krishti Jezus, që është bredhja e Lavdisë dhe vula e qenies së Hyjit që me të fuqishmen fjalën e vet mban gjithësinë, pasi e kreu pastrimin e mëkateve, * ndenj në të djathtën e Madhërisë në qiell.

   D Autori dhe Përkryesi i fesë, Jezusi, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin;

   C ndenj në të djathtën e Madhërisë në qiell.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letrat Pashkore” të shën Atanazit, ipeshkëv

   (Let. 14, 1-2; PG 26, 1419-1420)

 

   Ta kremtojmë festën e afërt të Zotit në çiltërsinë e fesë

 

   Afër nesh është Fjala, Zoti ynë Jezu Krishti, që na e dhuroi krejt vetveten dhe mbeti i pranishëm ndër ne. Ai premton se gjithmonë do të qëndrojë me ne. Edhe na thotë: “Ja, unë jam me ju gjithmonë deri në të sosur të botës” (Mt 28, 20).

   Ai është bari, kryeprift, udhë e derë, dhe i tillë bëhet i pranishëm në festimin e së kremtes. Vjen ndër ne ai që pritej, ai për të cilin shën Pali thotë: “Krishti, Qengji ynë i Pashkëve, u flijua” (1 Kor 5, 7). Ndodh edhe çka thotë psalmisti: Ti je hareja ime, më liro prej atyre që më rrethojnë (krh. Ps 32 /31/, 7). Hare e vërtetë dhe e kremte e vërtetë është ajo që na liron prej të këqijave. Për ta arritur këtë të mirë çdonjëri le të sillet shenjtërisht dhe në brendësinë e vet le të meditojë në paqe e në frikën e Zotit.

   Kështu bënin edhe shenjtërit. Ndërsa ishin në jetë ndiheshin në gëzim porsi në një festë të vazhdueshme. Njëri prej tyre, i lumi David, çohej natën, jo veç një herë, por shtatë herë, e me uratë e bënte për vete Hyjin. Një tjetër, Moisiu i madh, brohoriste me himne, këndonte lavde për të fituar kundër faraonit dhe kundër atyre që i shtypnin hebrenjtë. Edhe të tjerë me gëzim të pandërprerë e ushtronin shërbesën e shenjtë, si Samueli dhe Elia profet.

   Me këtë stil jete të tyre e arritën lirinë e tani gëzohen në qiell. Me gëzim e kujtojnë shtegtimin e tyre tokësor, tani që janë në gjendje për ta dalluar çka ishte figurë dhe çka, më në fund, u bë realitet.

   Çka na duhet të bëjmë që të përgatitemi siç i ka hije të kremtes së madhe? Kë duhet të ndjekim si prijës? Me siguri, të dashurit e mi, askënd tjetër përveç atij të cilin ju vetë e quani, sikurse unë, “Zoti ynë Jezu Krishti”.

   Pikërisht ai thotë: “Unë jam udha” (Gjn 14, 6). Është ai që, sipas fjalës së shën Gjonit, “i shlyen mëkatet e botës” (Gjn 1, 29). Ai i pastron shpirtrat tanë, sikurse thotë profeti Jeremi: “Qëndroni në udhë e shikoni, pyetni për shtigjet e vjetra, cila udhë është e mirë, asaj ecni e paqe do të gjeni për shpirtrat tuaj” (Jer 6, 16).

   Moti, gjaku i cjepëve dhe hini i ndonjë viçi i stërpiktë të papastrit. Por kishte dobi vetëm për pastrimin e trupit. Kurse tani, për hir të Fjalës së Hyjit, çdonjëri pastrohet krejtësisht në shpirt.

   Në qoftë së do ta ndjekim Krishtin, do të mund të ndihemi, që tani, në oborret e Jerusalemit qiellor, dhe ta hijeshojmë e ta parashijojmë edhe festën e amshuar. Kështu bënë apostujt, të caktuar mësues të hirit për bashkëkohësit e tyre, sikurse edhe për ne. Ata s’bënë gjë tjetër, veç se e ndoqën Shëlbuesin: “Ja, ne lamë çdo gjë dhe erdhëm pas teje” (Mt 19, 27).

   Të shkojmë edhe ne pas Zotit, d.m.th. ta imitojmë, kështu që të mund ta kremtojmë festën jo vetëm nga ana e jashtme, por në mënyrë më konkrete: jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 6, 20; Gjn 1, 29

 

   C Qengji i panjollë depërtoi në qiell për ne si pararendës; * i bërë kryeprift i amshuar në mënyrën e Melkisedekut, mbeti prift për amshim.

   D Ja, qengji i Hyjit, ja, ai që shlyen mëkatet e botës,

   C i bërë kryeprift i amshuar në mënyrën e Melkisedekut, mbeti prift për amshim.

 

   Lutja

 

   Po të lutemi, o Zot, Hyji ynë, na eja në ndihmë të mund të jetojmë e të veprojmë gjithmonë me atë dashuri që e shtyri Birin tënd ta japë jetën për ne. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.