Shërbesa e leximeve

Java e pestë e kreshmëve – e hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e pestë e kreshmëve – e hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Më shpëto, o Zot, në saje të mirësisë sate.

 

   Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.

 

   Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).

 

O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *

   as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!

Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *

   më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.

 

Shpirti im është tejet i shqetësuar, *

   e ti, o Zot - e deri kur...?

Kthehu, o Zot, më shëro, *

   më shpëto në saje të mirësisë sate!

 

Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *

   në Nëntokë kush të këndon lavde?

 

Plasa duke gjëmuar, †

   natë për natë e laj shtratin tim, *

   me lotët e mi e laj shtrojën time.

 

Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *

   u plaka midis armiqve të mi.

 

Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *

   sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!

 

Zoti e dëgjon lutjen time, *

   Zoti e pranon uratën time!

U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *

   e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Më shpëto, o Zot, në saje të mirësisë sate.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushtë!

 

   Psalmi 9 I (2-11) Falënderim për fitore.

 

   Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.

 

Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *

   i shpall të gjitha mrekullitë e tua.

Gëzohem dhe galdoj në ty, *

   i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!

 

Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *

   ranë përdhe e sharruan ndër sytë e ty,

sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *

   ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!

 

Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *

   emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!

Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *

   gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.

 

Zoti sundon në jetë të jetës, *

   e vendosi fronin e vet të gjykojë;

Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *

   ua jep popujve dënimin e drejtë.

 

Zoti është strehimi i të salvuarit, *

   vend i sigurt për ditë të vështira.

Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *

   sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushtë!

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.

 

   II (12-21)

 

Këndoni Zotit që banon në Sion, *

   kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!

Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *

   e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, †

   shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *

   më shpëto prej derës së vdekjes

 

për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †

   para dyerve të qytetit Sion *

   i gëzuar për shëlbimin tënd.

 

U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *

   këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,

Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *

   mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!

 

Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *

   të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!

Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *

   shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.

 

Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *

   para teje le të gjykohen paganët!

Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *

   le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve

 

   D Kthehuni e besoni Ungjillit:

   C Mbretëria e Zotit është afër.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 2, 5-18

 

   Jezusi, Shpëtimtar, u bë në gjithçka i ngjashëm me vëllezërit e tij.

 

   Hyji nuk e ka vënë nën pushtet të engjëjve botën e ardhshme për të cilën po flasim. Madje dikush diku e bëri këtë dëshmi:

   »Çka është njeriu që të bie ndër mend për të, biri i njeriut që të kujdesesh për të?

   E bëre pak më të vogël se engjëjt, e kurorëzove me lavdi e nder,

   çdo gjë vure nën këmbët e tija.«

   Dhe duke [i] vënë çdo gjë nën këmbë, ai s'la asgjë që të mos i nënshtrohet. Vërtet, tani nuk shohim ende se gjithçka është nën pushtetin e tij, por Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve.

   Dhe vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t'i çonte në lumturi shumë bij ‑ ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu edhe të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj nuk turpërohet t'i quajë vëllezër, kur thotë:

   »Vëllezërve të mi do t'ua shpall Emrin tënd; do të lavdëroj në mes të mbledhjes.«

   Edhe më:

   »Në Të do ta vë shpresën.«

   Dhe përsëri:

   »Ja, unë dhe fëmijët që m'i dha Hyji.«

   Kështu, mbasi fëmijët kanë të përbashkët gjakun e mishin, kështu edhe Ai u bë pjesëtar në këtë gjë, në mënyrë që me anë të vdekjes ta shfuqizonte atë, që kishte në dorë pushtetin e vdekjes ‑ d.m.th. djallin, për t'i çliruar ata që i ishin nënshtruar skllavërisë për tërë jetën prej frikës së vdekjes. Sepse Ai nuk u vjen në ndihmë engjëjve, por u vjen në ndihmë pasardhësve të Abrahamit. Këndej u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezër për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik në ato gjëra që i përkasin Hyjit, në mënyrë që t'i shpërblente mëkatet e popullit. Dhe vërtet, ai e sprovoi personalisht vuajtjen, është në gjendje t'u ndihmojë atyre që janë në sprovë.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 2, 11. 17; Bar 3, 38

 

   C Si Shenjtëruesi ashtu edhe shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Krishti u desh që në gjithçka të bëhej i ngjashëm me vëllezërit, * për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik.

   D Hyji u pa mbi tokë edhe mes njerëzve banoi

   C për të qenë Kryeprift i mëshirshëm dhe njëkohësisht besnik.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Komentimi mbi Psalmet” i shën Gjon Fisherit, ipeshkëv e martir

   (Ps 130 /129/; Opera Omnia, bot. 1579; fq. 1610)

 

   Nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin tek Ati

 

   Jezu Krishti është kryeprifti ynë, Trupi i tij i çmueshëm është flija jonë, që ai e përkushtoi mbi lterin e kryqit për shëlbimin e të gjithë njerëzve.

   Gjaku i tij, i derdhur për shpërblimin tonë, nuk është gjak viçash as cjepsh, sikur në Ligjin e vjetër, por gjaku i Qengjit krejt të pafajshëm, Jezu Krishtit, Shëlbuesit tonë.

   Tempulli, në të cilin kryeprifti ynë e kushton flinë, nuk u ndërtua prej duarve njerëzore, por vetëm prej fuqisë së Hyjit. Ai e derdhi gjakun e vet para syve të botës, në tempull që është me të vërtetë tempulli i ngritur vetëm prej dorës së Hyjit.

   Por ky tempull përbëhet nga dy pjesë: njëra është toka, në të cilën ne banojmë; pjesa tjetër është ende e panjohur për ne të vdekshmit.

   Ai e kushtoi flinë më parë këtu mbi tokë, atëherë kur pësoi një vdekje aq të hidhur, e pastaj kur, i veshur me petkun e ri të pavdekësisë, hyri me gjakun e vet në shenjtërore, d.m.th. në qiell. Këtu e qiti para fronit të Atit qiellor atë gjak aq të çmueshëm që kishte derdhur pa kursim për të gjithë njerëzit, skllevër të mëkatit.

   Kjo fli është aq e pëlqyeshme, aq e mirëpritur te Hyji, sa që ai - sa ta shikojë atë - nuk mund të rrijë pa na falur e pa ua dhuruar mëshirën e vet të gjithë atyre që pendohen përnjëmend.

   Dhe kjo është një fli e amshuar. Ajo kushtohet jo veç një herë në vit, si ndodhte për judenjtë, por për çdo ditë, për ngushëllimin tonë, madje në çdo orë dhe moment, që të kemi prej saj një ndihmë shumë të fuqishme. Për këtë arsye, apostulli thotë: “Fitoi shpërblimin e amshuar” (krh. Heb 9, 12).

   Në këtë fli të shenjtë dhe të amshuar marrin pjesë të gjithë ata që janë me të vërtetë të penduar dhe bëjnë pendesë për mëkate të bëra, dhe ngultas kanë vendosur të mos bien më në veset e tyre, por të ecin me qëndresë në kërkesë të virtytit. Kaq na mëson shën Gjoni apostull me këto fjalë: “Fëmijëzit e mi, po ju shkruaj këto që të mos mëkatoni. Por, edhe nëse ndokush mëkaton, e kemi Mbrojtësin tek Ati: Jezu Krishtin, të Drejtin. Ai është flija pajtuese për mëkatet tona; dhe jo vetëm për mëkatet tona, por edhe të mbarë botës.” (1 Gjn 2, 1).

 

   Përgjigjja Krh. Rom 5, 10. 8

 

   C Kur ende ishim armiqtë e tij, u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij; * aq më tepër njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij.

   D Hyji dëftoi dashurinë e vet kundrejt nesh kështu: ndërsa ne ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

   C Aq më tepër njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që me hirin tënd na pasuron me çdo bekim, bëj, po të lutemi, të shndërrohemi rrënjësisht në krijesa të reja që të bëhemi gati për lumturinë e mbretërisë qiellore. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.