Shërbesa e leximeve
Java e pestë e kreshmëve – e martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e pestë e kreshmëve – e martë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Tash koha e duhur
shkëlqen dhuruar nga Hyji,
të shërojë botën e mekur
me shërimin e kursimit.
Me dritë të hijshme të Krishtit
ndriçon dita e shpëtimit,
ndërsa zemrat plasur fajesh
përtërihen agjërimit.
Ne këtë me trup e mendje
ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,
që me kalim fatbardhë
Pashkës së amshuar t’i afrohemi.
Ty gjithësia e sendeve
Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.
Të përtërirë me anë të faljes,
të këndojmë një këngë të re. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën të varfërve.
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti i sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët! –
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Gulçimin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti i sheh, o Zot.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh keqbërësit, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Ja, kjo është koha e mëshirës,
C këto janë ditët e shëlbimit.
Leximi i parë
Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 3, 1-19
Jezusi, apostull dhe kryeprift i dëshmisë së fesë sonë
Këndej, o vëllezër të shenjtë, pjesëtarë të thirrjes qiellore, vëreni mirë të Dërguarin dhe Kryepriftin e fesë sonë ‑ Jezusin. Ai është i besuari i Atij që e bëri Kryeprift sikurse ishte edhe Moisiu në tërë shtëpinë e Hyjit. Por në krahasim me Moisiun, Jezusi është patjetër për një lavdi më të madhe aq sa nderi i ndërtuesit e tejkalon nderin e vet shtëpisë. Dhe njëmend, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt; ndërsa ai që ka ndërtuar gjithçka është Hyji. Tashti edhe Moisiu qe i besuar në tërë shtëpinë e Hyjit, por vetëm si shërbëtor, për të qenë dëshmitar i të gjitha atyre që duheshin thënë prej Hyjit, kurse Krishti është si Bir mbi mbarë shtëpinë e Hyjit: shtëpia e tij jemi ne, në qoftë se e ruajmë sigurinë e plotë dhe mburrjen e shpresës.
Prandaj, sikurse thotë Shpirti Shenjt:
»Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,
mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes, si në ditën e vënies në provë në shkretëtirë,
ku më ngucën etërit tuaj dhe më vunë në provë edhe pse i panë veprat e mia gjatë dyzet vjetëve. Prandaj m'u ndy ajo brezni dhe thashë: 'Gjithmonë gënjehet zemra e tyre, e nuk i marrin vesh udhët e mia.'
Kështu u përbetova në zemërimin tim: »Kurrë s'do të hyjnë në pushimin tim!«
Kini kujdes, o vëllezër, që ndonjëri prej jush të mos e ketë zemrën e keqe, të pafe që të shkëputet nga Hyji i gjallë, por nxitni njëri‑tjetrin dita‑ditës deri sa të zgjasë kjo: »Sot«, që të mos »ngurohet« ndokush prej jush i ngashnyjer prej mëkatit. Sepse jemi bërë pjesëtarë të Krishtit ‑ merret vesh ‑ në qoftë se qëndrojmë të palëkundshëm në shpresë deri në fund ashtu si filluam. Kur thuhet:
»Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgurë si në ditën e Kryengritjes.«
kush janë, pra, ata që, mbasi e dëgjuan, u çuan në kryengritje? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut? Po kush thua, qenë ata që ‘ia mërzitën për dyzet vjet?' Vallë a jo ata që mëkatuan, ‘kufomat e të cilëve ranë nëpër shkreti?’ Dhe cilëve ‘iu përbetua se nuk do të hynin në pushimin e tij’, në qoftë se jo atyre që nuk iu nënshtruan? Ne e shohim se nuk mundën të hyjnë për shkak të pabesimit.
Përgjigjja Krh. Heb 3, 6; Ef 2, 21
C Krishti është si Bir mbi mbarë shtëpinë e Hyjit: * shtëpia e tij jemi ne.
D Në Krishtin mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë të Zotit;
C shtëpia e tij jemi ne.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë
(Ligj. 8, mbi mundimin e Zotit, 6-8; PL 340-342)
Kryqi i Krishtit është burimi i çdo bekimi dhe shkaku i të gjitha hireve
Arsyeja jonë, e shndritur nga Shpirti i së vërtetës, duhet ta pranojë me zemër të lirë e të pastër lavdinë e kryqit, që i zgjat rrezet e veta në qiell e në tokë. Me syrin e brendshëm duhet ta shqyrtojë domethënien e fjalëve të Zotit tonë, kur foli në afërsi të mundimit të vet: “Arriti ora të lavdërohet Biri i njeriut” (Gjn 12, 23) dhe më tej: “Tani shpirtin e kam të tronditur e ç’të them? O Atë, jepi lavdi Emrit tënd!” (Gjn 12, 27-28). Dhe mbasi u dëgjua prej qiellit zëri i Atit që pohonte: “E lavdërova dhe prapë do ta lavdëroj”, duke iu përgjigjur atyre që ishin përreth, Jezusi tha: “Ky zë nuk jehoi për mua, por për ju. Tani erdhi dita të gjykohet kjo botë; tani princi i kësaj bote do të hidhet jashtë! E unë, kur të jem lartësuar nga toka, do t’i tërheq tek unë të gjithë njerëzit” (Gjn 12, 30-32).
O fuqi e mrekullueshme e kryqit! O lavdi e patregueshme e mundimit, në të cilin gjejmë të bashkuar gjykatën e Zotit, gjyqin e botës dhe pushtetin e të kryqëzuarit. Po, o Zot, ti ke tërhequr tek vetja të gjitha sendet, që çka ndodhte në të vetmin tempull të Judesë, nën velin e figurave misterioze, të kremtohet gjithkund dhe nga çdo popull me përshpirtëri të çiltër dhe kult kremtor e publik.
Tani njëmend, më fisnike është hierarkia e levitëve, më i nderuar dinjiteti i meshtarëve dhe më e shenjtë lyerja e ipeshkvijve, sepse kryqi yt, burimi të gjitha bekimeve, është shkaku i të gjitha hireve. Nëpër të, besimtarëve u jepet fuqia në dobësinë e tyre, lavdia në përvujtërimin, në vdekjen jeta. Dhe pasi mori fund shumëllojshmëria e flijimeve lëndore, flija e vetme e trupit tënd dhe e gjakut tënd zëvendëson plotësisht çfarëdo viktimash, mbasi ti je Qengji i vërtetë i Hyjit, që i shlyen mëkatet e botës (krh. Gjn 1, 29). Kështu i plotëson në vetvete të gjitha misteret, dhe sikurse një e vetme është flija që e zëvendëson shumicën e viktimave, po ashtu një e vetme është mbretëria e formuar nga tërësia e të gjithë popujve.
Ta dëshmojmë, pra, të dashurit e mi, çka apostulli Pal, mësues i popujve, pohoi solemnisht: “Kjo fjalë është e vërtetë dhe meriton të besohet prej të gjithëve: Krishti Jezus erdhi në botë për të shëlbuar mëkatarët” (1 Tm 1, 15). Mëshira e Zotit kundrejt nesh është me të vërtetë e mrekullueshme pikërisht sepse Krishti nuk vdiq vetëm për të drejtët dhe të shenjtërit, por edhe për të këqijtë e për të paudhët. E mbasi natyra e tij hyjnore nuk mund t’i nënshtrohej thimthit të vdekjes, ai, duke lindur prej nesh, mori për vete çka do të mund të kushtonte pastaj për ne.
Një herë i kishte kërcënuar vdekjes sonë me fuqinë e vdekjes së tij, duke thënë me fjalët e profetit Oze: “O vdekje, do të jem vdekja jote; o ferr, do të jem murtaja jote” (krh. Oz 13, 14). Dhe njëmend, duke vdekur i pësoi ligjet e varrit, por duke u ngjallur e theu dhe e këputi ligjin e përhershëm të vdekjes, aq sa atë që ishte e amshuar e bëri të përkohshme. “Sikurse në Adamin vdesin të gjithë njerëzit, ashtu nëpër Krishtin të gjithë njerëzit do ta rifitojnë jetën” (1 Kor 15, 22).
Përgjigjja Krh. Kol 2, 14-15; Gjn 8, 28
C Krishti e zhvleftësoi dëftesën paditëse që ishte kundër nesh dhe e mbërtheu në kryq, * i mposhti pushtetet e kësaj bote dhe i heq zvarrë në kalimin ngadhënjyes të kryqit!
D Kur ta ngritni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM:
C i mposhti pushtetet e kësaj bote dhe i heq zvarrë në kalimin ngadhënjyes të kryqit!
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, të qëndrojmë në shërbesën tënde që edhe në kohën tonë Kisha jote të shtohet për nga numri i anëtarëve dhe përtëritja e shpirtit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.