Shërbesa e leximeve

Java e pestë e kreshmëve – e premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e pestë e kreshmëve – e premtë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti e ta mbysin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më paditin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje ti çështjen time, o Zot, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tash që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje ti çështjen time, o Zot, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do ta këndoj lavdinë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do ta këndoj lavdinë tënde përgjithmonë.

 

   D Kthehuni te Zoti, Hyji i juaj:

   C sepse Ai është i mirë dhe fal çdo mëkat.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 7, 11-28

 

   Meshtaria e amshuar e Krishtit

 

   Tashti, po të ishte fituar përsosmëria me anë të priftërisë levitike ‑ sepse në bazë të saj populli e fitoi Ligjin ‑ ç'nevojë atëherë do të kishte qenë të ngritet një tjetër prift në mënyrë të Melkizedekut dhe të mos emërtohej sipas mënyrës së Aronit?

   Dhe s'ka dyshim, në qoftë se ndërrohet priftëria, domosdo ndërrohet edhe Ligji. Sepse, ai, për të cilin është fjala, është nga një fis tjetër, prej të cilit askush nuk i qe kushtuar lterit. Dhe dihet se Zotëria ynë vjen nga fisi i Judës, fis ky për të cilin Moisiu nuk tha asgjë lidhur me priftërinj. Dhe kjo bëhet shumë më qartë, në qoftë se prifti tjetër vihet në mënyrë të Melkizedekut, që nuk bëhet prift në fuqi të rregullores së Ligjit të trashëgimisë trupore, por në fuqi të jetës së pashkatërrueshme. Sepse dëshmohet:

   »Ti je prift për jetë të jetës në mënyrë të Melkizedekut.«

   Këndej zhbëhet rregullorja e mëparshme për shkak të paaftësisë së saj dhe të padobisë, ‑ sepse asgjë s'ka përsosur Ligji ‑ dhe shtihet në fuqi shpresa më e mirë, me anë të së cilës i afrohemi Hyjit.

   Dhe kjo nuk ndodhi pa përbetim, kurse ata u bënë priftërinj pa përbetim, ndërsa Ky në bazë të përbetimit të Atij që i tha:

   »U përbetua Zoti dhe nuk do të pendohet: ti je prift për jetë të jetës!«

   Në këtë mënyrë Jezusi u bë dorëzani i Besëlidhjes më të mirë.

   Për më tepër asi priftërinjsh qenë shumë, sepse vdekja nuk i linte të qëndronin për gjithmonë. Kurse Ai, mbasi mbetet për gjithmonë, ka priftërinë që nuk kalon kurrë. Këndej edhe mund t'i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit ‑ sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta.

   Vërtet, një Kryeprift i tillë edhe na lypej ta kishim: i shenjtë, i pafajshëm, i panjollë, i ndarë nga mëkatarët dhe më i madhërueshëm se qiejt ‑ i cili s'ka nevojë, sikurse ata kryepriftërinjtë tjerë, të kushtojë si një ditë për ditë fli më parë për faje të veta dhe pastaj për faje të popullit. Këtë Ai e bëri njëherë e përgjithmonë kur e flijoi vetveten.

   Ligji në të vërtetë, vë për kryepriftërinj njerëz të nënshtruar dobësive, kurse fjala e betimit ‑ që vjen mbas Ligjit ‑ vë Birin që u bë i përsosur për amshim.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 5, 5. 6; 7, 20. 21

 

   C Krishti nuk e përvetësoi vetë nderin të bëhet kryeprift, por ia dha Ai që i tha: * Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.

   D Bijtë e Levit u bënë priftërinj pa përbetim; ndërsa Jezusi në bazë të përbetimit të Ati që i tha:

   C Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga traktati “Mbi fenë e Pjetrit” i shën Fulgjencit nga Ruspa, ipeshkëv

   (Kap. 22, 62; CCL 91 ad, 726. 750-751)

 

   Ai e flijoi vetveten për ne

 

   Sakrificat e viktimave lëndore, të cilat vetë Trinia e Shenjtë, - i vetmi Hyj i vërtetë i Besëlidhjes së Re dhe të Vjetër - urdhëronte që të flijoheshin prej etërve tanë, ishin shëmbëllesë e kushtimit shumë të pëlqyeshëm të asaj flije me të cilën i vetmi Bir i Hyjit, plot mëshirë, do ta flijonte vetveten për ne.

   Ai, sipas fjalëve të apostullit, “për ne ia flijoi vetveten Hyjit, porsi kusht e fli që jep erë të mirë” (Ef 5, 2). Ai është Hyj i vërtetë dhe Kryeprift i vërtetë, i cili depërtoi për ne në shenjtërore, jo me gjak demash dhe cjepsh, por me gjakun e vet. Këtë domethënie kishte atëherë ai kryeprift, i cili për çdo vit hynte në shenjtërore me gjakun e viktimave.

   Ky, pra, është ai që dhuroi, në vetvete, gjithçka që dinte se është e nevojshme për shpërblimin tonë; ai që, njëkohësisht, është prift, fli, Hyj dhe tempull: prift me anë të të cilit pajtohemi, fli që na pajton, Hyj me të cilin pajtohemi, tempull në të cilin pajtohemi. Megjithatë, si prift, fli e tempull ishte njeri dhe një i vetëm, sepse Hyji bënte këto vepra pikërisht duke qenë njeri. Ndërsa si Hyj nuk ishte një Person i vetëm sepse Fjala i kryente të njëjtat gjëra bashkë me Atin e me Shpirtin Shenjt. Beso, pra, me fe të qëndrueshme e mos dysho aspak se vetë i Njëlinduri Hyj, Fjala e bërë njeri, u kushtua për ne si fli e viktimë e pëlqyeshme dhe erëkëndshme para Hyjit; atij, si dhe Atit dhe Shpirtit Shenjt, në kohë të Besëlidhjes së Vjetër, flijoheshin kafshë nga patriarkët, profetët dhe priftërinjtë; dhe atij tani, d.m.th. në kohë të Besëlidhjes së Re, si edhe Atit e Shpirtit Shenjt me të cilët është një Hyj i vetëm, Kisha e shenjtë Katolike nuk pushon t’ia kushtojë, në çdo anë të botës, flinë e bukës dhe të verës në fe e në dashuri.

   Flitë e lashta lëndore ishin shëmbëllesë e mishit të Krishtit, të cilin ai, pa mëkat, do ta kushtonte për mëkatet tona, si edhe e gjakut të tij, që ai do të derdhte në shpërblim të mëkateve tona. Në këtë flije është falënderimi dhe përkujtimi i mishit të Krishtit, të flijuar për ne, dhe i gjakut që vetë Hyji derdhi për ne.

   Për këtë gjak shën Pali thotë në Veprat e Apostujve: “Kini kujdes për vete e për grigjën, mbi të cilën Shpirti Shenjt ju vuri mbikëqyrës. Udhëhiqni Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete” (Vap 20, 28). Në ato fli paraqitej si shëmbëllesë çka do të na jepej neve. Kurse në këtë fli tregohet qartas çka na është dhënë. Në ato fli ishte paralajmëruar Biri i Hyjit, i cili do të vdiste për mëkatarët; në këtë fli shpallet tashmë i vdekur për mëkatarët, sipas dëshmisë së apostullit: “Kur ne ishim të paudhë, Krishti në kohën e duhur, vdiq për keqbërësit” dhe “kur ende ishim armiqtë e tij, u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Tij” (Rom 5, 6).

 

   Përgjigjja Krh. Kol 1, 21-22; Rom 3, 25

 

   C Ju dikur ishit të përjashtuar dhe armiq për shkak të veprave tuaja të këqija; tani Hyji ju pajtoi me vete në saje të flisë së trupit të Krishtit, * që t’ju qesë para tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.

   D Atë Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet,

   C që t’ju qesë para tij të shenjtë, të drejtë e të patëmetë.

 

   Lutja

 

   Fali, po të lutemi, o Zot, fajet e popullit tënd, kështu që me mirësinë tënde të lirohemi prej verigave të mëkateve me të cilat na lidhi ligështia jonë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.