Shërbesa e leximeve

Java e pestë e kreshmëve – e shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e pestë e kreshmëve – e shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tash koha e duhur

   shkëlqen dhuruar nga Hyji,

   të shërojë botën e mekur

   me shërimin e kursimit.

 

   Me dritë të hijshme të Krishtit

   ndriçon dita e shpëtimit,

   ndërsa zemrat plasur fajesh

   përtërihen agjërimit.

 

   Ne këtë me trup e mendje

   ta shtiem në dorë, Zot, na ndihmo,

   që me kalim fatbardhë

   Pashkës së amshuar t’i afrohemi.

 

   Ty gjithësia e sendeve

   Të adhuroftë, Trini e mëshirshme.

   Të përtërirë me anë të faljes,

   të këndojmë një këngë të re. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

   Psalmi 105 /104/ Zoti është besnik në premtimet e veta

 

   Këta janë izraelitët! Atyre u përket adoptimi, Lavdia, Besëlidhjet, Ligji, kulti, premtimet; të tyre janë edhe patriarkët, prej tyre, si njeri, është edhe Krishti, i cili është mbi çdo gjë, Hyji i bekuar në shekuj (Rom 9, 4-5).

 

   I (1-15)

 

Lavdëroni Zotin e thirreni në ndihmë Emrin e tij *

   shpallni midis popujsh veprat e madhërueshme të tijat!

Këndoni, luani në vegla muzikore për nder të tij, *

   kujtoni të gjitha mrekullitë e tija!

 

Mburruni me Emrin e tij të shenjtë: *

   le të galdojë zemra e atyre që e kërkojnë Zotin.

Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij, *

   kërkojeni gjithmonë fytyrën e tij!

 

T’ju bien në mend mrekullitë që bëri, *

   mrekullitë e tija dhe gjyqet e gojës së tij:

ju fara e Abrahamit, shërbëtorët e tij, *

   ju, o bijtë e Jakobit, të zgjedhurit e tij!

 

Ai është Zoti, Hyji ynë, *

   mbi mbarë tokën gjyqet e tija!

 

Ai s’e harron Besëlidhjen e vet askurrë, *

   premtimin që ua bëri një mijë breznive,

lidhjen që e bëri me Abrahamin *

   dhe përbetimin që i bëri Izakut.

 

Premtimin e vet e ngriti ligj për Jakobin, *

   për Izraelin e bëri testament të përhershëm

kur tha: »Ty do të ta jap tokën Kanaan, *

   për pronë tuajën që ju ra me short!«

 

Kur ende ishin pak me numër, *

   krejtësisht të paktë dhe endacakë në të,

kur kalonin nga një komb në një tjetër, *

   nga një mbretëri në një popull tjetër,

 

nuk lejoi njeri t’u bëjë keq *

   dhe i ndëshkoi mbretërit për shkak të tyre: -

»Mos i prekni të shuguruarit e mi, *

   mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, o Zoti im, t’i dhuroj të gjitha dhuratat e tua.

 

   II (16-22)

 

Ai e grishi urinë përmbi dhe, *

   ua sosi të gjitha rezervat e bukës.

Para tyre dërgoi një njeri: *

   Jozefin e shitur skllav.

 

I qitën në pranga këmbët e tija, *

   në qafë i mbërthyen hekurat,

ditët kalonin e profecia iu plotësua, *

   fjala e Zotit i dha të drejtë.

 

Mbreti urdhëroi të zgjidhej prej prangash, *

   kryetari i popujve e çliroi.

E bëri zot shtëpie të shtëpisë së vet, *

   kujdestar përmbi pasurinë e vet,

 

princat e mbretit t’i mësonte sipas urtisë së vet, *

   pleqtë e tij t’i udhëzonte në urti.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, o Zoti im, t’i dhuroj të gjitha dhuratat e tua.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   III (23-45)

 

Atëherë Izraeli hyri në Egjipt, *

   Jakobi banoi në tokën e Kamit.

Zoti bëri të shtohet populli i vet, *

   e bëri më të fortë se armiqtë e tij.

 

Ua shndërroi zemrën ta urrenin popullin e tij, *

   të silleshin me dredhi kundër shërbëtorëve të tij.

Atëherë dërgoi Moisiun, shërbëtorin e vet, *

   edhe Aronin, të zgjedhurin e vet.

 

Me anë të tyre bëri mrekullitë e veta, *

   shenja të mrekullueshme në dheun e Kamit.

 

Çoi errësirën dhe u bë terr, *

   por ata kundërshtuan fjalët e tija.

Ujët e tyre e shndërroi në gjak *

   dhe i mbyti peshqit e tyre.

 

Vendin ua mbuluan bretkosat, *

   depërtuan edhe në pallatet e mbretit.

Tha Zoti dhe i mbuluan shema mizash, *

   mushkonjat ua mbuluan krejt vendin.

 

Në vend të shiut u dërgoi breshër, *

   rrufe të zjarrta mbi vendin e tyre.

U copëtoi vreshta dhe fiq, *

   ua theu drurët në tokën e tyre.

 

Ai urdhëroi dhe ia behën karkalecat, *

   e me ta edhe veme të panjehura.

Ua hëngrën të gjitha bimët e tokës, *

   i përpinë të gjitha prodhimet e tokës së tyre.

 

I vrau të gjithë të parëlindurit e vendit të tyre, *

   frytin e parë të fuqisë lindëse të tyre.

I nxori izraelitët me argjend e ar, *

   në fiset e tyre nuk kishte asnjë të sëmurë.

 

U gëzua Egjipti kur ata e lëshuan vendin, *

   sepse i kishte tmerruar frika e tyre.

E shtriu renë për t’i mbrojtur *

   edhe zjarrin për t’u bërë dritë natën.

 

U lutën dhe u dërgoi shkurta *

   dhe i ngiu me bukë të ardhur prej qiellit.

Çau shkëmbin e buroi uji, *

   rrodhën lumenj nëpër shkretëtirë.

 

Sepse i ra ndër mend fjala e vet e shenjtë *

   që ia dha Abrahamit, shërbëtorit të vet.

 

E nxori popullin e vet me brohori *

   plot gëzim të zgjedhurit e vet.

Ua dha tokat e paganëve *

   trashëguan djersën e popujve të ndryshëm,

 

për t’i mbajtur urdhërimet e tija *

   e për t’i ruajtur ligjet e tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.

 

   D Kush e bën të vërteten, është në dritë:

   C e veprat e tija do tu zbulohen të gjithëve.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 8, 1-13

 

   Meshtaria e Krishtit në besëlidhjen e re

 

   Dhe ja, o vëllezër, pika kryesore në këtë shtjellim: kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell, si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës së vërtetë, të cilën e ngriti Zoti dhe jo njeriu.

   Meqenëse çdo kryeprift vihet për të kushtuar dhurata dhe fli, këndej edhe për Të detyra të ketë çka të kushtojë. Po të ishte Ai mbi tokë, nuk do të ishte as prift, sepse janë ata që në fuqi të Ligjit i kushtojnë dhuratat. Këta i shërbejnë figurës dhe hijes së Tendës qiellore, sikurse qe udhëzuar Moisiu, kur mendonte të ndërtojë Tendën,

   sepse:

   »Shiko ‑ i thuhet ‑ bëji të gjitha sipas gjedhes që të qe dëftuar në mal!«

   Por tani Krishti, fitoi një shërbesë shumë më të shquar, sepse është ndërmjetësi i Besëlidhjes më të mirë, të themeluar mbi premtime më të mira.

   Po të kishte qenë me të vërtetë Besëlidhja e parë e patëmetë, nuk ishte dashur t'i bëhej vend tjetrës. Sepse, duke i prozhmuar, u thotë:

   »Ja, po vijnë ditët ‑ thotë Zoti ‑ kur do të bëj me Shtëpinë e Izraelit dhe me Shtëpinë e Judës një Besëlidhje të re.

   Jo më sikurse Besëlidhja që pata bërë me etërit e tyre, kur i mora për dore për t'i nxjerrë nga toka e Egjiptit. Meqenëse ata nuk qëndruan besnikë në Besëlidhjen time, prandaj as vetë nuk u kujdesova për ta ‑ thotë Zoti.

   Dhe ja, Besëlidhja të cilën do ta lidh me Shtëpinë e Izraelit pas këtyre ditëve ‑ thotë Zoti: ligjet e mia do t'i thadroj në shpirtrat e tyre dhe do t'i zgavroj me shkronja në zemrat e tyre. Unë do të jem Hyji i tyre kurse ata do të jenë populli im.

   Askush nuk do ta mësojë bashkëqytetarin e vet, askush vëllain e vet duke thënë: 'Njihe Zotin!', sepse të gjithë do të më njohin, prej më të voglit e deri në më të madhin ndër ta,

   sepse do të kem mëshirë për fajet e tyre dhe s'do t'i kujtoj mëkatet e tyre.«

   Kur thotë »Të Renë« dëshmon se »E Para« është plakur; tashti, çka plaket e vjetrohet, është afër zhdukjes

 

   Përgjigjja Krh. Heb 8, 1. 2; 9, 24

 

   C Ne kemi një Kryeprift të tillë, i cili rri në të djathtën e fronit të Madhërisë në qiell, si Mbarështues i Shenjtërores dhe i Tendës, * për t’u paraqitur para Hyjit si ndërmjetësuesi ynë.

   D Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të së vërtetës,

   C për t’u paraqitur para Hyjit si ndërmjetësuesi ynë.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Gregorit Nazianzenas, ipeshkëv

   (Ligj. 45, 23-24; PG 36, 654-655)

 

   Do të jemi pjesëmarrës në misterin e Pashkëve

 

   Do të marrim pjesë në Pashkët në kohën e tashme ende në shëmbëllesë - me siguri më e qartë se ato të Ligjit të vjetër, figurë më e errët se realiteti që simbolizon -, por edhe pak kohë dhe do të gëzohem për ato më të kthjellëta dhe të vërteta, kur Fjala do t’i kremtojë me ne Pashkët e reja në mbretërinë e Atit. Atëherë do të na zbulojë dhe do të na mësojë ato gjëra, të cilat tani na i tregon vetëm tërthorazi.

   Vërtet, cila është pija e cili është ushqimi i gostisë së Pashkëve të reja, detyra jonë është vetëm ta mësojmë. I takon Fjalës të na mësojë e të na njoftojë domethënien. Faktikisht, mësimi është porsi ushqim, pronari i të cilit është ai që e ndan. Të hyjmë, pra, në fushën e Ligjit, të dokeve dhe të Pashkëve të vjetra në mënyrë të re, që t’i arrijmë realitetet e reja të simbolizuara nga shëmbëllesa të lashta.

   Të bëhemi pjesëtarë të Ligjit në mënyrë jo thjesht lëndore, por ungjillore, në mënyrë të plotë dhe jo të kufizuar e të pakryer, në mënyrë të qëndrueshme dhe jo të pasigurt e të përkohshme. Ta caktojmë kryeqytetin tonë adoptimit jo Jerusalemin tokësor, por metropolin qiellor, jo atë që shkelet prej ushtrive, por atë të lavdëruar prej engjëjve.

   T’i flijojmë jo viça, as qengja me brirë dhe thundra, të cilët i përkasin më tepër vdekjes së jetës, mbasi janë pa mend. T’ia kushtojmë Hyjit një fli lavdie mbi lterin qiellor bashkë me koret e engjëjve. Të shkojmë përtej velit të parë të tempullit, t’i afrohemi të dytit dhe të depërtojmë në “Shenjtëroren e Shenjtëroreve”. Madje, t’ia kushtojmë Hyjit për ditë vetveten dhe të gjitha veprimet tona. Le të bëjmë ashtu siç na mësojnë vetë fjalët. Me vuajtjet tona, t’i imitojmë vuajtjet d.m.th. mundimin e Krishtit. Me gjakun tonë, ta nderojmë gjakun e Krishtit. Të ngjitemi edhe ne, me shpirt të gatshëm, në kryq. Vërtet, të ëmbla janë gozhdët e tija, megjithëse të vrazhda.

   Të jemi të gatshëm të vuajmë me Krishtin dhe për Krishtin më mirë se t’i dëshirojmë shoqëritë e hareshme të kësaj bote.

   Nëse je Simoni i Cirenës, merre kryqin e shko pas Krishtit. Nëse je cub dhe do të varësh në kryq, d.m.th. do të ndëshkohesh, bëj sikur cubi i mirë dhe njihe çiltërisht Hyjin, i cili të priste te prova. Ai u numërua ndër keqbërës për ty dhe për mëkatin tënd, e ti bëhu i drejtë për të. Adhuroje atë që qe kryqëzuar për ty. Nëse je kryqëzuar për fajin tënd, fito diçka prej mëkatit tënd. Me vdekjen blejë shëlbimin tënd, hyr në parajsë me Jezusin dhe kështu do të marrësh vesh se nga ç’të mira hoqe dorë. Kundroji ato mrekulli dhe lësho që nynykatësi, në padijeni të planit hyjnor, të vdesë jashtë me nëmën e vet.

   Nëse je Jozefi Arimateas, lypja trupin atij që e kryqëzoi, d.m.th. bëje tëndin atë trup, e kështu bëje për vete shpërblimin e botës.

   Nëse je Nikodemi, adhuruesi i natës e i Hyjit, varrose trupin e tij dhe lyeje me vaj sipas zakoneve, d.m.th. rrethoje me kultin tënd dhe me adhurimin tënd.

   Nëse je njëra prej tri Marive, derdhi në agim lotët e tu. Mundohu ta shohësh e para gurin e rrokullisur, deliu përpara engjëjve, dhe vetë Zotit.

   Ja, pra, çka do të thotë që të marrim pjesë në Pashkët e Krishtit.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 13, 12-13; 12, 4

 

   C Jezusi, për ta shenjtëruar popullin me gjakun e vet, e pësoi jashtë derës së qytetit. Le të dalim edhe ne jashtë fushimit, * të shkojmë në takim me të, duke e marrë mbi vete kryqin e tij.

   D Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut,

   C të shkojmë në takim me të, duke e marrë mbi vete kryqin e tij.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që gjithmonë vepron për shëlbimin e njerëzve, por në këtë kohë të kreshmëve ti ia dhuron popullit tënd më me bujari hirin, shikoje me mirësi Kishën tënde: mbroji të pagëzuarit dhe të gjithë ata të cilët përgatiten për pagëzim. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.