Shërbesa e leximeve

Java e madhe – E diela e larit

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

 

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.

 

Ose:

 

Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.

 

Java e madhe – E diela e larit

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Këndo, o gjuhë, betejën

   e luftës së lavdishme,

   e mbi trofe të kryqit

   ngadhënjimin fisnik thuaje,

   se si Shëlbuesi i botës,

   i bërë fli, fitues doli.

 

   Nga gënjeshtra e prindit t’parë

   që u bë krijuesi i vuajtjeve,

   duke ngrënë mollën e mëkatit

   që u bë shkaktarja e vdekjes,

   ai atëherë zgjodhi drurin

   për të zgjidhur dëmet e drurit.

 

   Këtë punën tonë të shpëtimit

   me ngulm vendosi urdhri,

   me art t’ia thyente artin

   shkatërruesit të shumë trajtave,

   nga andej t’i sillte shërimin

   ku armiku e kish dëmtuar.

 

   Kur erdhi e u përmbush

   afati i shënuar,

   u çua nga kështjella e Atit

   i Biri, krijuesi i botës,

   dhe nga barku virgjëror

   doli në dritë i bërë njeri.

 

   Kaloi gjashtë pesëvjeçarë

   mbushur si moshë e trupit,

   me hir iu shtrua mundimeve,

   se për këto kishte lindur,

   si Qengj në dru të kryqit

   u ngjit për t’u flijuar.

 

   Baras Atit edhe Birit,

   Ngushëlluesit lavdiplotë,

   përjetë lavdi i qoftë

   Trinisë Shenjte e të lume,

   që me hirin jetëdhënës

   na shpëtoi dhe na ruan. Amen.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, i veshur me madhështi dhe me shkëlqim, porsi petk i mbështjellë nga drita.

 

   Psalmi 104 /103/ Himn Hyjit Krijues

 

   Nëse ndokush është në Krishtin, është krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja (2 Kor 5, 17).

 

   I (1-12)

 

Bekoje, shpirti im, Zotin! *

   O Zot, Hyji im, sa i madh je!

I veshur me madhëri e me bukuri, *

   i mbështjellë me dritë porsi me petk!

 

E ngreh qiellin porsi tendë, *

   mbi ujëra ndërton banesat e tua.

 

Retë i bëre karrocë për vete, *

   ecën mbi krahët e erës!

 

Erërat i bën lajmëtarë të tu, *

   zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.

 

Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *

   nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.

 

E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *

   majat e maleve i mbulonin ujërat:

 

Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *

   dridhen nga zëri i bubullimës sate:

 

ngjiten në male, zbresin në lugina *

   drejt vendit që ti u cakton:

 

u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *

   që përsëri të mos e mbulojnë tokën.

 

Burimet ti i kthen në përrenj, *

   rrjedhin përmidis malesh;

ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *

   ua shuajnë etjen gomarëve të egër.

 

Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *

   gem më gem ia thonë këngës së vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 O Zot, Hyji im, i veshur me madhështi dhe me shkëlqim, porsi petk i mbështjellë nga drita.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut.

 

   II (13-23)

 

Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *

   toka ngihet me frytet e duarve të tua.

 

Ti bën të mbijë bar për kafshë, †

   bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *

   për të nxjerrë prej tokës bukën

 

e verën që gëzon zemrën e njeriut, †

   që me vaj ta lyejë fytyrën *

   e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.

 

Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *

   cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.

Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *

   lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.

 

Malet e larta strehim u japin shutave, *

   e shpellat vjedullave banesën.

 

Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *

   edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.

 

Shtrin errësirën e bëhet natë: *

   nëpër të enden egërsirat e pyllit.

Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *

   e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.

 

Kur lind dielli ata tërhiqen *

   e struken në strofujt e vet.

Atëherë del njeriu për të vepruar *

   për t’i kryer punët deri në mbrëmje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Ti bën të mbijë buka prej tokës dhe vera që gëzon zemrën e njeriut.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë.

 

   III (24-35)

 

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †

   Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *

   plot është toka me krijesat e tua.

 

Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †

   atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *

   kafshë të vogla të përziera me të mëdha!

 

Nëpër të kalojnë anijet, *

   Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!

 

Të gjitha këto presin me shpresë *

   që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.

Po u dhe ti ato mbledhin, *

   kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †

   po ua more frymën, ato ngordhin *

   dhe kthehen në pluhur përsëri.

 

Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *

   dhe e rinon fytyrën e dheut.

 

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *

   u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *

   i prek malet e i bën të tymojnë.

 

Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *

   do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.

I pëlqeftë Zotit kënga ime, *

   Kënaqësinë time e kam vënë në Zotin!

 

U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †

   e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *

   Bekoje, shpirti im, Zotin!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti i shikoi krijesat e veta: dhe gjithçka ishte e mirë.

 

   D Kur të ngritem nga toka,

   C do t’i tërheq te vetja të gjitha krijesat.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 10, 1-18

 

   Shenjtërimi ynë nëpërmjet flijimit të Krishtit

 

   Vëllezër, meqenëse Ligji ka vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo realitetin e vet sendeve, s'mundet kurrë, që me fli të cilat ‑ vit për vit, gjithmonë të njëjtat ‑ vazhdimisht kushtohen, t'i përsosin ata që i afrohen Hyjit. Vallë, a nuk do të kishin pushuar të kushtohen, shi pse, ata që i ushtrojnë veprat e kultit, të pastruar njëherë, nuk do të kishin më kurrfarë ndjenje se gjenden në mëkat? Por me anë të tyre përkujtohen mëkatet vit për vit. Sepse është e pamundshme që gjaku i mëzetërve dhe i cjepve t'i shlyejë mëkatet.

   Për këtë arsye Krishti duke hyrë në botë, thotë:

   »Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen.

   Atëherë thashë: 'Ja, po vij!' sepse për mua shkruan në rrotullin e librit: 'Për ta kryer, o Hyj, vullnetin tënd!«

   Pasi tha më lart: »Flitë e kushtet, holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen dhe nuk i deshe«

   ‑ e pra, flitet për fli të urdhëruara prej Ligjit ‑ thotë pastaj:

   »Ja, po vij për të kryer vullnetin tënd!«

   kështu shfuqizon kultin e parë për të vendosur të dytin.

   Në fuqi të këtij vullneti kemi qenë shenjtëruar me anë të flijimit të trupit të Jezu Krishtit njëherë e përgjithmonë.

   Dhe, ndërsa çdo prift tjetër qëndron gati për çdo ditë për të kryer shërbesën e kultit dhe shpesh kushton po të njëjtat fli ‑ të cilat assesi s'mund t'i shlyejnë mëkatet ‑ Krishti, përkundrazi, duke pas kushtuar për mëkate vetëm një fli të vetme rri përgjithmonë në të djathtën e Hyjit, dhe qysh atëherë pret vetëm që armiqtë e tij të vihen shtrojë e këmbëve të tija. Dhe, vërtet, me një kusht të vetëm i përsosi për amshim të shenjtëruarit.

   Këtë gjë na e dëshmon edhe Shpirti Shenjt. Dhe njëmend, pasi tha:

   »Kjo është Besëlidhja me të cilën do të lidhem me ta mbas këtyre ditëve ‑ thotë Zoti ‑ ligjet e mia do t'i thadroj në zemrat e tyre dhe do t'i shkruaj në shpirtin e tyre,

   nuk do t'i sjell në mend mëkatet e tyre as paudhësitë e tyre.«

   Tashti, atje ku u falën mëkatet, nuk ka më kushte për to!

 

   Përgjigjja Krh. Heb 10, 5. 6. 7. 4 (Ps 40 /39/, 7-8

 

   C Fli e kusht ti nuk deshe, por ma bëre gati trupin; holokaustet dhe flitë për mëkate nuk të pëlqyen. Atëherë thash: * Ja po vij, o Hyj, për ta kryer vullnetin tënd.

   D Është e pamundshme që gjaku i mëzetërve dhe i cjepve t’i shlyejë mëkatet. Për këtë arsye Krishti duke hyrë në botë, thotë:

   C Ja po vij, o Hyj, për ta kryer vullnetin tënd.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Andreut nga Kreta, ipeshkëv

   (Ligj. 9 mbi larin; PG 97, 990-994)

 

   Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit: Mbreti i Izraelit

 

   Ejani, të ngjitemi së bashku në malin e Ullinjve, të dalim para Krishtit, i cili sot kthehet nga Betania dhe i afrohet vullnetarisht mundimit të vet të nderuar e të lum, për ta përmbushur misterin e shëlbimit tonë.

   Ai vjen me vullnet të lirë në Jerusalem. Zbriti nga qielli që të ngjitemi bashkë me të atje lart, “mbi çdo Principatë, Pushtet, Fuqi, zotërim dhe mbi çdo emër që mund të përmendet” (Ef 1, 21). Erdhi jo për të fituar lavdi, jo në shkëlqim dhe në madhështi, “nuk do të kërcënohet - thotë - as nuk do të bërtasë; askush s’do ta dëgjojë zërin e tij në sheshe” (Mt 12, 19). Do t’jetë i butë e i përvujtë, e do të vijë me petk të thjeshtë e në varfëri.

   Të vrapojmë edhe ne së bashku me atë që nxiton drejt mundimit, e t’i imitojmë ata që i dolën përpara. Veçse jo për t’i shtrirë para tij, gjatë udhës së tij, gema ulliri ose lari, qilima dhe gjëra të tjera të këtij lloji, por për ta shtrirë veten tonë te këmbët e tija në nderim të përvujtë dhe në adhurim të thellë. Ta mirëpresim kështu Fjalën e Hyjit që po afrohet e ta pranojmë brenda nesh atë Hyj që asnjë vend s’mund ta nxërë. Ai, që është vetë butësia, gëzohet të vijë tek ne i butë. Pothuajse ngjitet mbi muzgun e krenarisë sonë, ose më mirë, hyn në hijen e ultësisë sonë të pakufi, bëhet njeri i ynë, bëhet njëri prej nesh për të na ngritur e për të na kthyer tek vetja.

   Ai u ngjit “kah lindja mbi qiejt e qiejve” (krh. Ps 68 /67/, 34), d.m.th. në pikën më të lartë të lavdisë dhe të fitores së Tij, si fillim dhe pararendës i gjendjes sonë të ardhshme. Megjithëse nuk e braktis njerëzimin sepse e do, dhe dëshiron ta ngritë me vete natyrën njerëzore, duke e lartësuar nga ultësitë e tokës kah lumturia. Ta shtrojmë, pra, me përvujtëri para Krishtit, veten tonë, në vend të petkave ose të gemave të pafrymë dhe të degëve të gjelbra, të cilat i gëzojnë sytë vetëm për pak orë, dhe prapë kanë për ta humbur, bashkë me limfën, edhe gjelbërsinë e vet. Ta shtrojmë veten tonë të veshur me hirin e tij, me vetë atë, mbasi të gjithë sa jemi pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jemi veshur (krh. Gal 3, 27), dhe le të përulemi te këmbët e tija porsi tunika të shtruara.

   Për shkak të mëkatit, përpara ishim të kuq porsi purpuri, pastaj, për virtyt të larjes pagëzimore të shëlbimit, e kemi arritur bardhësinë e leshit, që të mund t’i dhurojmë ngadhënjyesit të vdekjes jo veç gema palmash, por trofe fitoreje. Duke tundur gema shpirtërorë, edhe ne për çdo ditë, bashkë me djelmosha, shenjtërisht brohorasim: “Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit, Mbreti i Izraelit”.

 

   Përgjigjja Krh. Gjn 12, 12-13; Mt 21, 8. 9

 

   C Një shumicë e madhe njerëzish i dolën para Jezusit. I shtruan petkat e veta gjatë rrugës, ndërsa të tjerët tundnin gema dhe brohorisnin: * Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

   D Populli që shkonte para e pas tij e brohoriste:

   C Hosana Birit të Davidit! Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit!

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që, për t’i dhënë njerëzimit shembullin e përvujtërisë, deshe që Shëlbuesi ynë të mishërohej dhe të vdiste në kryq, bëj me mirësi, që, t’i përngjajmë atij në duresë e të marrim pjesë në të ngjallurit e tij. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.