Shërbesa e leximeve
Java e madhe – E martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e madhe – E martë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Këndo, o gjuhë, betejën
e luftës së lavdishme,
e mbi trofe të kryqit
ngadhënjimin fisnik thuaje,
se si Shëlbuesi i botës,
i bërë fli, fitues doli.
Nga gënjeshtra e prindit t’parë
që u bë krijuesi i vuajtjeve,
duke ngrënë mollën e mëkatit
që u bë shkaktarja e vdekjes,
ai atëherë zgjodhi drurin
për të zgjidhur dëmet e drurit.
Këtë punën tonë të shpëtimit
me ngulm vendosi urdhri,
me art t’ia thyente artin
shkatërruesit të shumë trajtave,
nga andej t’i sillte shërimin
ku armiku e kish dëmtuar.
Kur erdhi e u përmbush
afati i shënuar,
u çua nga kështjella e Atit
i Biri, krijuesi i botës,
dhe nga barku virgjëror
doli në dritë i bërë njeri.
Kaloi gjashtë pesëvjeçarë
mbushur si moshë e trupit,
me hir iu shtrua mundimeve,
se për këto kishte lindur,
si Qengj në dru të kryqit
u ngjit për t’u flijuar.
Baras Atit edhe Birit,
Ngushëlluesit lavdiplotë,
përjetë lavdi i qoftë
Trinisë Shenjte e të lume,
që me hirin jetëdhënës
na shpëtoi dhe na ruan. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u dëshpëro se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tash ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit,
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tija *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.
D Kur të ngrihem nga toka,
C do t’i tërheq te vetja të gjitha krijesat.
Leximi i parë
Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 12, 1-13
Të ecim me shikim të ngulitur në Krishtit
Vëllezër, edhe ne, të rrethuar me një re kaq të madhe dëshmitarësh, ta flakim tej çdo barrë dhe mëkatin që na pengon dhe të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, me shikim të drejtuar mbi Autorin dhe Përkryesin e fesë, Jezusin, i cili, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit. Mendoni, pra, atë që duroi nga ana e mëkatarëve një kundërshtim aq të madh kundër vetes, në mënyrë që ju të mos moliseni dhe të mos ju lëshojë zemra.
Ju ende, duke luftuar kundër mëkatit, nuk bëtë qëndresë deri në derdhje të gjakut, dhe e harruat qortimin që ju drejtohet si bijve:
»Biri im, mos e përbuz qortimin e Zotit, as të mos lëshojë zemra kur ai të qorton,
sepse atë që e do Zoti e edukon me disiplinë, e frushkullon atë që e pranon për bir.«
Hiqni keq për edukimin tuaj! Hyji sillet me ju si me bij. Dhe, a ka djalë të cilin i ati nuk e edukon me disiplinë? Në qoftë se nuk ndëshkoheni siç ndëshkohen të gjithë bijtë tjerë, atëherë nuk jeni bij të vërtetë, por të paligjshëm.
Pastaj etërit tanë tokësorë na edukuan me disiplinë dhe patëm nderim për ta. A thua nuk do t'i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave për të fituar jetën? Ata në të vërtetë na qortuan për pak kohë dhe ashtu si ua merrte mendja, ndërsa Ai, për të mirën tonë me qëllim që të na e japë shenjtërinë e vet.
Dhe njëmend, çdo qortim njëherë për njëherë, nuk duket se sjell gëzim, por trishtim, porse më vonë të ushtruarve në të u sjell fryt paqe dhe drejtësie.
Prandaj ngritin lart duart e lodhura dhe gjunjët e molisur, dhe rrafshoni udhët për këmbët tuaja që e çala të mos gjymtohet, por më mirë të shërohet.
Përgjigjja Krh. Heb 12, 2; Fil 2, 8
C Jezusi, Autori dhe Përkryesi i fesë, në vend të gëzimit që i takonte, duroi kryqin duke e përbuzur turpin * dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit.
D E përuli vetveten duke u bërë i dëgjueshëm deri në vdekje;
C dhe ndenj në të djathtën e fronit të Hyjit.
Leximi i dytë
Nga libri “Mbi Shpirtin Shenjt” i shën Bazilit të Madh, ipeshkëv
(Kap. 15, 35; PG 32, 127-130)
Një e vetme është vdekja për botën e një e vetme ringjallja e të vdekurve
Plani shëlbimprurës i Hyjit, Shëlbuesit tonë, qëndron në këtë: ta ngrinte ai njeriun nga rëniet e tija dhe ta kthejë tek intimiteti hyjnor, duke e liruar prej tjetërsimit në të cilin e kishte çuar padëgjesa. Ardhja e Krishtit në mish, shembujt e jetës ungjillore, vuajtjet, kryqi, varrosja, ringjallja janë për shëlbimin e njeriut, që ta ketë përsëri, me anë të imitimit të Krishtit, adoptimin si bir, sikur e kishte në fillim.
Pra, për vërtetësinë e jetës së krishterë është e domosdoshme t’i imitojmë jo vetëm shembujt e tij të butësisë, përvujtërisë dhe duresës të shfaqur gjatë jetës së tij, por edhe vetë vdekjen e tij. Kështu thotë shën Pali, imitues i Krishtit: “Të bëhem i ngjashëm me të në vdekjen e tij, që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ngjalljes së të vdekurve” (Fil 3, 10-11).
Por si mund të bëhemi të ngjashëm me të në vdekjen e tij? Duke bërë që të bashkëvarrosemi me të me anë të pagëzimit. Cila është, pra, mënyra e varrosjes dhe cili është fryti i imitimit të saj? Para së gjithash, është e nevojshme ta ndërpresim mënyrën e jetesës së mëparshme. Por askush s’mund ta arrijë këtë në mos të lindë përsëri, sipas fjalëve të Zotit. Rilindja, si tregon vetë fjala, është fillimi i një jete të dytë. Pra, para se ta fillojmë një jetë të dytë, duhet t’i japim fund të parës. Atyre që e kanë arritur fundin e cakut të vrapimit në stadium, u përket pak pushim dhe çlodhje para se ta fillojnë një vrapim tjetër. Po ashtu në shndërrimin e jetës duket e nevojshme që të ndërvihet vdekja mes jetës së parë dhe të dytë, e kjo vdekje të jetë fundi i gjendjes së mëparshme e fillimi i asaj të ardhshme.
Por si duhet të vdesim, d.m.th. ta kryejmë zbritjen në nëntokë? Duke imituar varrosjen e Krishtit me anë të pagëzimit. Trupat e atyre që pagëzohen, në një farë mënyre, janë varrosur në ujë. Pra, pagëzimi shpreh në mënyrë simbolike braktisjen e veprave të mishit, sipas fjalëve të apostullit: “Në të jeni edhe të rrethprerë, por me një rrethprerje që s’është bërë me dorë njeriu – u zhveshët nga trupi i mëkatit - por me rrethprerjen e vërtetë të Krishtit. Jeni varrosur bashkë me të në pagëzim” (Kol 2, 11).
E pagëzimi, në një farë mënyre, e lan shpirtin prej ndyrësive që grumbullohen mbi të për shkak të prirjeve të mishit, sipas Shkrimit: “Më laj dhe do të jem më i bardhë se bora” (Ps 52 /51/, 9). Për këtë arsye, ne njohim vetëm një pagëzim shëlbimi, mbasi vetëm një është vdekja kah bota dhe vetëm një është ringjallja e të vdekurve, e për këto gjëra pagëzimi është shëmbëllesë.
Përgjigjja Krh. Rom 6, 3. 5. 4
C Të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij. * Të bashkuar me të me një vdekje të ngjashme me të tijën, do të bëhemi një me të me përngjasimin e ngjalljes së tij.
D Me anë të pagëzimit, bashkë me të jemi varrosur në vdekje.
C Të bashkuar me të me një vdekje të ngjashme me të tijën, do të bëhemi një me të me përngjasimin e ngjalljes së tij.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, bëj që ashtu t’i kremtojmë misteret e mundimeve të Zotit, që të mund të fitojmë faljen e mëkateve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.