Shërbesa e leximeve
Java e madhe – E mërkurë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e madhe – E mërkurë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Këndo, o gjuhë, betejën
e luftës së lavdishme,
e mbi trofe të kryqit
ngadhënjimin fisnik thuaje,
se si Shëlbuesi i botës,
i bërë fli, fitues doli.
Nga gënjeshtra e prindit t’parë
që u bë krijuesi i vuajtjeve,
duke ngrënë mollën e mëkatit
që u bë shkaktarja e vdekjes,
ai atëherë zgjodhi drurin
për të zgjidhur dëmet e drurit.
Këtë punën tonë të shpëtimit
me ngulm vendosi urdhri,
me art t’ia thyente artin
shkatërruesit të shumë trajtave,
nga andej t’i sillte shërimin
ku armiku e kish dëmtuar.
Kur erdhi e u përmbush
afati i shënuar,
u çua nga kështjella e Atit
i Biri, krijuesi i botës,
dhe nga barku virgjëror
doli në dritë i bërë njeri.
Kaloi gjashtë pesëvjeçarë
mbushur si moshë e trupit,
me hir iu shtrua mundimeve,
se për këto kishte lindur,
si Qengj në dru të kryqit
u ngjit për t’u flijuar.
Baras Atit edhe Birit,
Ngushëlluesit lavdiplotë,
përjetë lavdi i qoftë
Trinisë Shenjte e të lume,
që me hirin jetëdhënës
na shpëtoi dhe na ruan. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë dhe presim shëlbimin e trupit tonë.
Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje
Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).
I (2-7)
Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *
që të mos mëkatoj me gjuhën time,
fre do t’i vë gojës sime *
sa të jetë para meje bakeqi.«
Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *
por më kot dhembja ime u përtërit.
Flakë u ndez në mua zemra, *
posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,
fola me gjuhën time: *
»Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,
cili është numri i ditëve të mia, *
që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«
Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *
jeta ime është asgjë para teje,
vetëm avull është çdo njeri. *
Porsi hije kalon jeta e njeriut,
e kotë është krejt puna e tij: *
ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Në brendësi vuajmë dhe presim shëlbimin e trupit tonë.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
II (8-14)
E tani çka mund të pres, o Zot? *
Shpresa ime është në ty!
Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *
mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!
S’bëj zë, gojën nuk e çel *
sepse je ti ai që vepron.
Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *
se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!
Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †
porsi tenja e bren dëshirën e tij. *
Vërtet tytësi është çdo njeri!
Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *
vështro klithmat e mia!
Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †
Para teje unë jam i huaj, *
endacak porsi etërit e mi.
Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *
para se të shkoj e të mos jem më!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.
Ant. 3 I lulëzueshëm si një ulli, ai që lëshohet në duart e Zotit.
Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve
Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).
Pse krenohesh me vepra të këqija *
ti që je i madh për nga paudhësia?
Gjithë ditën djerron tradhti! †
Gjuha jote brisk i mprehtë, *
o mjeshtër fitmesh!
Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *
rrenën se të flasësh të vërtetën,
të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *
o gjuhë fitmesh!
Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *
do të të zhdukë përgjithmonë,
do të të çrrënjosë prej tendës, *
do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.
Të tmerruar do të shohin të drejtët *
e do të qeshin mbi të:
»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †
por shpresoi në kamjen e vet të madhe *
dhe krenohej me tradhtitë e veta.«
E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †
shpresoj në mirësinë e Hyjit *
për amshim e në shekuj të shekujve.
Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †
shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *
në sy të besimtarëve të tu.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 I lulëzueshëm si një ullí, ai që lëshohet në duart e Zotit.
D Kur të ngrihem nga toka,
C do t’i tërheq te vetja të gjitha krijesat.
Leximi i parë
Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 12, 14-29
T’i afrohemi malit të Hyjit të gjallë
Vëllezër, kujdesohuni për paqe me të gjithë dhe për shenjtërim, pa të cilin askush nuk do ta shohë Zotin. Mundohuni që askush të mos i shmanget hirit të Hyjit, që të mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe të shkaktojë turbullim ose ta prajë bashkësinë, që të mos bëhet ndokush fëlligështar ose çnderues gjërash të shenjta si Ezau, i cili për një ngrënie të vetme shiti të drejtat e parëlindësisë. Ju e dini se edhe më vonë, kur deshi të trashëgojë bekimin, qe përjashtuar, sepse nuk pati mundësi ndërrimi, edhe pse e kërkoi me lot.
Sepse ju nuk ju afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trumbetës, as ushtimës së fjalës ‑ ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më, sepse s'mund e duronin urdhrin: »Nëse edhe një shtazë e prek malin, le të vritet me gurë!« sepse aq e tmerrshme ishte ajo pamje, sa që vetë Moisiu tha: »Fort po trembem dhe po dridhem!« Përkundrazi i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit ‑ Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit ‑ Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit.
Kini kujdes të mos e përbuzni Atë që ju flet! Sepse, në qoftë se nuk mund gjetën shpëtim ata që nuk deshën ta dëgjojnë atë që jepte urdhra mbi dhe, aq më pak do të mund të shpëtojmë ne në qoftë se nuk e dëgjojmë Atë që flet nga qielli. Zëri i tij atëherë e trandi tokën, kurse tani premton: »Edhe një herë do ta tund nga themeli, jo vetëm tokën, por edhe qiellin, « Dhe fjala: »Edhe një herë«, do të thotë se sendet që mund të tunden, janë të caktuara të zhduken, sepse të krijuara, në mënyrë që të mbeten vetëm ato që nuk mund të tranden. Prandaj, pasi ne marrim në trashëgim mbretërinë që nuk mund të trandet, le ta ruajmë këtë hir me anë të cilit t'i japim Hyjit një kult të pëlqyeshëm me nderim e me frikë. Vërtet, Hyji ynë është zjarr që përpin!
Përgjigjja Krh. Lp 5, 23. 24; Heb 12, 22
C Populli i Izraelit pasi e dëgjuan zërin nga errësira dhe pasi e panë malin si digjej, u afruan te Moisiu dhe thanë: * Qe, na e dëftoi Zoti, Hyji ynë, lavdinë dhe madhështinë e vet.
D I jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor.
C Qe, na e dëftoi Zoti, Hyji ynë, lavdinë dhe madhështinë e vet.
Leximi i dytë
Nga “Traktatet mbi Gjonin” të shën Augustinit, ipeshkëv
(Trakt. 84, 1-2; CCL 36, 536-538)
Plotësia e dashurisë
Vëllezër të dashur, Zoti ka përcaktuar plotësinë e dashurisë, me të cilën duhet ta duam njëri-tjetrin, me këto fjalë: “Dashuria më e madhe që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet për miqtë e vet” (Gjn 15, 13). Prej kësaj rrjedh çka vetë Gjoni ungjilltar thotë në letrën e vet: “Jezusi e dhuroi jetën e vet për ne; edhe ne kemi detyrë ta japim jetën tonë për vëllezër” (1 Gjn 3, 16), duke e dashur njëri-tjetrin përnjëmend, sikur ai na deshi, aq sa e dhuroi jetën e vet për ne.
Pikërisht kjo lexohet në Fjalët e Urta të Solomonit: Kur të ulesh të hash në tryezë me ndonjë bujar, vëreje mirë çka është para teje; mundohu të bësh ashtu siç bën ai (krh. Fu 23, 1-2).
Tashti, cila është tryeza e të madhit dhe e bujarit, në mos ajo në të cilën na jepet trupi dhe gjaku i atij, që dha jetën e vet për ne? E çka do të thotë të ulemi në këtë tryezë, në mos që t’i afrohemi me përvujtëri? E çka do të thotë që të vërejmë mirë çka është para nesh, në mos që të mendojmë thellë, si i ka hije, për një hir kaq të madh? E çka do të thotë që të mundohemi të bëjmë ashtu siç bën ai, në mos çka thashë më sipër d.m.th.: sikurse e dha Krishti jetën e vet për ne, ashtu edhe ne duhet të jemi të gatshëm ta japim jetën tonë për vëllezërit? Është çka thotë edhe apostulli Pjetër: “Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija” (1 Pjt 2, 21). Kjo do të thotë të bëjmë ashtu siç bën ai. Kështu bënë me dashuri të zjarrtë martirët e shenjtë dhe në mos daçim ta kremtojmë kot përkujtimin e tyre, në mos daçim t’i afrohemi në mënyrë të pafrytshme tryezës së Zotit, asaj gostie në të cilën edhe ata u nginë, duhet që edhe ne, sikur ata, të jemi të gatshëm ta këmbejmë dhuratën që na është dhënë.
Në këtë tryezë të Zotit, pra, ne nuk i përkujtojmë martirët si bëjmë me të tjerët që tani pushojnë në paqe, d.m.th.: nuk lutemi për ta, por më mirë kërkojmë që ata të luten për ne, që të na fitojnë hirin për t’i ndjekur gjurmët e tyre. Njëmend, ata e kanë arritur pikën më të lartë të asaj dashurie, të cilën Zoti e përcaktoi të jetë më e madhja e mundshme. Ua paraqitën vëllezërve atë dëshmi dashurie që ata vetë kishin marrë nga tryeza e Zotit.
Me këtë gjë, nuk duam të themi se mund të barazohemi me Krishtin Zot, nëse do të arrijmë ta dëshmojmë atë deri në derdhje të gjakut. Ai kishte pushtet ta japë jetën e vet dhe ta marrë përsëri, ndërsa ne s’mund të jetojmë aq gjatë sa duam, e na duhet të vdesim edhe me zor. Ai, duke vdekur, fill e vrau në vetvete vdekjen, ndërsa ne lirohemi prej vdekjes vetëm me anë të vdekjes së tij. Mishi i tij nuk u kalb në dhè, kurse i yni vetëm pasi që të kalbet do të vishet, me anë të tij, me pashkatërrueshmërinë, në të sosur të botës. Ai s’pati nevojë për ne për të na shëlbuar, kurse ne, pa të, s’mund të bëjmë asgjë. Ai u shfaq si hardhi për ne që jemi shermende, për ne që, pa të, s’mund ta kemi jetën.
Më në fund, edhe pse vëllezërit mund ta japin jetën e vet për vëllezërit, gjaku i një martiri nuk derdhet për shpërblim të mëkateve të vëllezërve, ndërsa kaq bëri ai për ne. Dhe në këtë gjë nuk na dha një shembull që ta imitojmë, por një dhuratë për të cilën t’i jemi mirënjohës.
Martirët, pra, meqenëse e derdhën gjakun e vet për vëllezërit, vetëm këmbyen sa u qe dhënë në tryezën e Zotit. Të ecim me qëndresë gjurmëve të tyre dhe ta duam njëri-tjetrin sikurse Krishti na deshi ne, duke dhënë vetveten për ne.
Përgjigjja Krh. 1 Gjn 4, 9. 11. 10
C Ja si u dëftua dashuria e Hyjit në ne: Hyji dërgoi në botë një të vetmin Birin e vet që ne të jetojmë në saje të tij; * Në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin.
D Hyji na ka dashur ne dhe e ka dërguar Birin e vet si fli pajtuese për mëkatet tona.
C Në qoftë se Hyji na ka dashur ashtu, edhe neve na duhet ta duam njëri-tjetrin.
Lutja
O Hyj, ti deshe që i Njëlinduri Biri yt të pësojë për ne mundimet e Kryqit për të na liruar prej pushtetit të armikut, bëj që ne, shërbëtorët e tu, ta fitojmë hirin e të ngjallurit. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.