Shërbesa e leximeve
Java e madhe – E enjtJa e madhe
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot: ai për ne vuajti tundimin dhe vdekjen.
Ose:
Ant. Dëgjojeni sot zërin e Zotit: mos e bëni zemrën tuaj gur.
Java e madhe – E enjte
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Këndo, o gjuhë, betejën
e luftës së lavdishme,
e mbi trofe të kryqit
ngadhënjimin fisnik thuaje,
se si Shëlbuesi i botës,
i bërë fli, fitues doli.
Nga gënjeshtra e prindit t’parë
që u bë krijuesi i vuajtjeve,
duke ngrënë mollën e mëkatit
që u bë shkaktarja e vdekjes,
ai atëherë zgjodhi drurin
për të zgjidhur dëmet e drurit.
Këtë punën tonë të shpëtimit
me ngulm vendosi urdhri,
me art t’ia thyente artin
shkatërruesit të shumë trajtave,
nga andej t’i sillte shërimin
ku armiku e kish dëmtuar.
Kur erdhi e u përmbush
afati i shënuar,
u çua nga kështjella e Atit
i Biri, krijuesi i botës,
dhe nga barku virgjëror
doli në dritë i bërë njeri.
Kaloi gjashtë pesëvjeçarë
mbushur si moshë e trupit,
me hir iu shtrua mundimeve,
se për këto kishte lindur,
si Qengj në dru të kryqit
u ngjit për t’u flijuar.
Baras Atit edhe Birit,
Ngushëlluesit lavdiplotë,
përjetë lavdi i qoftë
Trinisë Shenjte e të lume,
që me hirin jetëdhënës
na shpëtoi dhe na ruan. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë.
Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi
E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate.
D Kur të ngrihem nga toka,
C do t’i tërheq te vetja të gjitha krijesat.
Leximi i parë
Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 4, 14 - 5, 10
Jezu Krishti, kryeprift
Vëllezër, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt ‑ të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.
T'i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.
Sepse, çdo Kryeprift zgjidhet nga mesi i njerëzve dhe vihet kryeprift për të mirën e njerëzve në marrëdhënie të tyre me Hyjin. Detyra e tij është të kushtojë dhurata e fli për shpërblim të mëkateve. Ai është në gjendje të ketë dhembshuri për ata që nuk dinë e gënjehen, sepse edhe ai vetë është i ngarkuar me ligështi. Këndej i duhet të kushtojë fli për mëkate si për popull ashtu edhe për vete. Dhe askush nuk e merr për vetvete këtë nder, por vetëm ai që thirret prej Hyjit shi sikurse Aroni.
Kështu edhe Krishti nuk e përvetësoi ai vetë nderin të bëhet kryeprift, po ia dha Ai që i tha:
»Ti je im Bir, unë sot të linda;«
sipas asaj fjale që e thotë diku gjetiu:
»Ti je prift për amshim në mënyrë të Melkizedekut.«
Ai, në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi urata dhe lutje me ofshame të mëdha dhe me lot Atij që mundte ta shpëtonte nga vdekja, dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet. Ai, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm dhe, pasi e fitoi përsosmërinë, për të gjithë ata që e dëgjojnë, u bë shkaku i shëlbimit të amshuar, i shpallur prej Hyjit Kryeprift »në mënyrë të Melkizedekut.«
Përgjigjja Krh. Heb 5, 8. 9. 7
C Krishti, megjithëse ishte Bir, mësoi nga ato që pësoi të jetë i dëgjueshëm, * dhe u bë shkaku i shëlbimit të amshuar për të gjithë ata që e dëgjojnë.
D Në ditët e jetës së vet këtu mbi tokë, i kushtoi uratë dhe lutje me ofshame të mëdha dhe qe vështruar për shkak të nënshtrimit të vet;
C dhe u bë shkaku i shëlbimit të amshuar për të gjithë ata që e dëgjojnë.
Leximi i dytë
Nga “Predikimi mbi Pashkët” i Melitonit nga Sardi, ipeshkëv
(Nr. 65-67; SCh 123, 95-100)
Qengji i flijuar na kaloi nga vdekja në jetë
Shumë gjëra qenë paralajmëruar nga profetët në lidhje me misterin e Pashkëve, që është Krishti, “të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.” (Gal 1, 5). Ai zbriti prej qiellit në tokë për njerëzimin e vuajtur; u mishërua në kraharor të Virgjrës dhe lindi si njeri. E mori mbi vete pësimin e njeriut të vuajtur, me anë të trupit që e pëson vuajtjen, dhe i shkatërroi pasionet e mishit. Me Shpirtin e pavdekshëm e shkatërroi vdekjen e njeriut.
Ai qe çuar dhe vrarë prej xhelatëve të tij porsi qengj, na liroi nga mënyra e të jetuarit të botës sikurse nga Egjipti, dhe na shpëtoi nga skllavëria e djallit sikurse nga dora e faraonit. I shënoi shpirtrat tanë me shpirtin e vet dhe gjymtyrët e trupave tanë me gjakun e vet.
Është ai që vdekjen e mbuloi me turp dhe djallin e bëri të vajtojë, sikurse Moisiu faraonin. Është ai që goditi paudhësinë dhe padrejtësinë, porsi Moisiu që e dënoi Egjiptin me shterpësi.
Është ai që na nxori nga skllavëria në liri, nga errësira në dritë, nga vdekja në jetë, nga tirania në mbretërinë e amshuar. Bëri prej nesh një meshtari të re dhe një popull të zgjedhur përgjithmonë. Ai është Pashka e shëlbimit tonë.
Është ai që i mori mbi vete vuajtjet e të gjithëve. Është ai që qe vrarë në Abelin dhe qe lidhur për këmbësh me Izakun. Qe shtegtar në Jakobin dhe qe shitur në Jozefin. Qe braktisur mbi ujëra në Moisiun dhe qe prerë në qengjin.
Qe salvuar në Davidin dhe qe çnderuar në profetët.
Është ai që u mishërua në Virgjrën, qe varur në kryq, qe varrosur në dhè e, pasi u ngjall prej të vdekurve, u ngrit në lartësitë qiellore. Ai është Qengji që s’e hap gojën, ai është Qengji i prerë, që lindi prej Marisë, deles së panjollë. Ai qe marrë prej grigjës, qe çuar të theret, qe flijuar në mbrëmje, qe varrosur natën. Në kryq, nuk i qe thyer asnjë asht e nën dhè nuk pësoi shkatërrim.
Ai u ngjall prej të vdekurve dhe bëri që njerëzimi të ngjallet nga humnera e varrit.
Përgjigjja Krh. Rom 3, 23-25; Gjn 1, 29
C Të gjithë mëkatuan dhe u përjashtuan nga lumturia e Hyjit; por me hirin e tij të gjithë e fituan falas drejtësinë, në saje të shpërblimit që bëri Jezu Krishti. * Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet.
D Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës.
C Hyji e caktoi të jetë, në saje të fesë, fli pajtuese me anë të gjakut të vet.
Lutja
O Zot, jeta dhe shpëtimi i atyre që të duan, na bëj të pasur me dhuratat e tua: kryej në ne çka shpresojmë me anë të vdekjes së Birit tënd, dhe bëj që të marrim pjesë në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.