Shërbesa e leximeve

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje! .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Krishtin, Birin e Hyjit: Ai na shëlboi me gjakun e vet.

 

Java e madhe – E Premtja e mundimit të Zotit

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Këndo, o gjuhë, betejën

   e luftës së lavdishme,

   e mbi trofe të kryqit

   ngadhënjimin fisnik thuaje,

   se si Shëlbuesi i botës,

   i bërë fli, fitues doli.

 

   Nga gënjeshtra e prindit t’parë

   që u bë krijuesi i vuajtjeve,

   duke ngrënë mollën e mëkatit

   që u bë shkaktarja e vdekjes,

   ai atëherë zgjodhi drurin

   për të zgjidhur dëmet e drurit.

 

   Këtë punën tonë të shpëtimit

   me ngulm vendosi urdhri,

   me art t’ia thyente artin

   shkatërruesit të shumë trajtave,

   nga andej t’i sillte shërimin

   ku armiku e kish dëmtuar.

 

   Kur erdhi e u përmbush

   afati i shënuar,

   u çua nga kështjella e Atit

   i Biri, krijuesi i botës,

   dhe nga barku virgjëror

   doli në dritë i bërë njeri.

 

   Kaloi gjashtë pesëvjeçarë

   mbushur si moshë e trupit,

   me hir iu shtrua mundimeve,

   se për këto kishte lindur,

   si Qengj në dru të kryqit

   u ngjit për t’u flijuar.

 

   Baras Atit edhe Birit,

   Ngushëlluesit lavdiplotë,

   përjetë lavdi i qoftë

   Trinisë Shenjte e të lume,

   që me hirin jetëdhënës

   na shpëtoi dhe na ruan. Amen.

 

Ant. 1 Mbretërit e tokës po ngrihen, princat me përbetim çohen së bashku kundër Zotit e Krishtit të tij.

 

   Psalmi 2 (1-12)

 

Përse paganët çohen peshë *

   e përse popujt bluajnë punë të kota?

Mbretërit e tokës po ngrihen, *

   princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:

 

“Le t’i këputim vargjet e tyre, *

   le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!”

 

Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *

   i Larti Zot i përqesh ata!

 

Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *

   me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:

 

“Unë e kam shuguruar mbretin tim *

   mbi Sion, malin tim të shenjtë!”

 

Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †

   Ai më tha: “Ti je im Bir, *

   unë sot të linda!

 

M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *

   nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.

Sundo mbi ta me skeptër hekuri *

   dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!”

 

E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *

   mësoni ju që gjykoni dheun!

Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *

   nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,

 

bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *

   e të sharroni nga udha.

Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *

   Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mbretërit e tokës po ngrihen, princat me përbetim çohen së bashku kundër Zotit e Krishtit të tij.

 

Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë, mbi petkun tim qesin short.

 

   Psalmi 22 /21/ (2-23)

 

O Hyj, Hyji im, pse hoqe dorë prej meje? *

   Larg nga Shëlbimi im fjalët e dënesës sime!

Hyji im, kërkoj ndihmë ditën e ti nuk më përgjigjesh, *

   qes kushtrimin natën e nuk gjej pushim.

 

E, pra, ti je Shenjti *

   që banon në lavditë e Izraelit.

Në ty shpresuan etërit tanë, *

   shpresuan e ti i shpëtove!

 

Ty të thirrën në ndihmë e gjetën shpëtim, *

   në ty e vunë shpresën e nuk u turpëruan!

 

Vërtet unë jam krimb e jo njeri, *

   turpësi e njerëzve, përbuzje e popullit.

 

Gjithkush më shikon, më përqesh, *

   shtrembërojnë buzët, luajnë me kokë:

“Shpresoi në Zotin: le ta lirojë, *

   le ta shpëtojë sepse i pëlqen Atij!”

 

E, pra, ti më nxore nga kraharori i nënës, *

   ti më bëje të sigurt në prehrin e nënës sime.

Në ndoren tënde jam që nga kraharori i nënës, *

   qysh se më mbante nëna , ti je Hyji im.

 

Mos qëndro larg meje †

   sepse rreziku është afër *

   e s’kam tjetërkënd që të më ndihmojë.

 

Më rrethuan dema të shumtë, *

   mëzetërit e Basanit më qarkuan,

përmnershëm e hapin gojën e vet në mua *

   si luani që shqyen e ulërin.

 

Si uji u derdha, *

   m’u zbërthyen eshtrat,

m’u bë zemra porsi dylli, *

   shkrihet brenda kraharorit tim;

 

porsi tjegull m’u tha qiellza, †

   gjuha më ngjitet për gurmaz: *

   e ti më hodhe në pluhurin e vdekjes.

 

Më rrethuan qen me shumicë, *

   turmë keqbërësish më rrethuan gjithkah.

M’i shporuan duart e këmbët *

   mund t’i numëroj të gjithë eshtrat e mi,

 

e këta më këqyrin e nuk m’i ndajnë sytë. †

   Petkat e mia ndër vete i ndajnë *

   e mbi petkun tim qesin short.

 

Por ti, o Zot, mos rri larg meje, *

   fuqia ime shpejto të më ndihmosh!

Ma shpëto jetën prej shpatës, *

   prej thonjve të qenit të vetmen të mirë që kam!

 

Më shpëto prej gojës së luanit, *

   prej brirëve të buajve të egër mua të gjorin.

E unë do t’ua shpall vëllezërve Emrin tënd, *

   do të të lavdëroj në kuvendin e dheut:

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Petkat e mia ndër vete i ndajnë, mbi petkun tim qesin short.

 

Ant. 3 Më sulmojnë me tërbim ata që kërkonin të më vrisnin.

 

   Psalmi 38 /37/ (2-23)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

 

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

 

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje

   ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: “Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.”

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3. Më sulmojnë me tërbim ata që kërkonin të më vrisnin.

 

   D Dëshmitarë të rrejshëm u ngritën kundër meje:

   C mbrapshtia e gënjente vetveten.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 9, 11-28

 

   Krishti, kryeprifti i të mirave të ardhshme

 

   Vëllezër, erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave që do të vijnë. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë ‑ d.m.th. jo të kësaj krijese dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve dhe fitoi shpërblimin përfundimtar.

   Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hiri i mështjerrës i shenjtëron të papastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepër Gjaku i Krishtit ‑ i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë ‑ do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t'i shërbyer Hyjit të gjallë!

   Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që ‑ me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë ‑ të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përhershëm. Këndej, gjithkund ka ndonjë testament është e domosdoshme të vërtetohet vdekja e atij që e bëri testamentin. Sepse testamenti hyn në fuqi vetëm pas vdekjes: askurrë s'ka vlerë deri sa të jetë gjallë ai që e bëri. Prandaj as Besëlidhja e parë nuk qe themeluar pa gjak. Sepse, pasi Moisiu ia shpalli mbarë popullit çdo urdhër sikurse është në Ligj, mori gjak mëzetërish e ujë, dhe me lesh të kuq e me hisop, e stërpiku Librin dhe mbarë popullin, duke thënë: »Ky është gjaku i Besëlidhjes që Hyji ju caktoi.« Pastaj e stërpiku me gjak Tendën dhe të gjitha enët e shërbesës hyjnore. Dhe, sipas Ligjit, pothuajse gjithçka pastrohet me gjak dhe, pa derdhje gjaku nuk ka falje.

   Në qoftë, pra, se shëmbëllesat e realiteteve qiellore janë pastruar me rite të tilla, atëherë është e domosdoshme që vetë realitetet qiellore të pastrohem me fli më të mira se këto. Sepse Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të së vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; ‑ përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme ‑ në mbarimin e kohës ‑ për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes.

   Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin ‑ e pastaj vjen gjyqi ‑ kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë ‑ jo më në lidhje me mëkate ‑ do t'u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar.

 

   Përgjigjja Krh. Is 53, 7. 8. 5. 12

 

   C Ishte porsi qengji që e çojnë për ta therur, i marrë me të keq nuk e çeli gojën e vet; qe goditur për vdekje, * për ta shëlbuar popullin e vet.

   D E dorëzoi veten për vdekje dhe qe numëruar ndër keqbërës,

   C për ta shëlbuar popullin e vet.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Katekezat” e shën Gjon Gojartit, ipeshkëv

   (Kat. 3, 13-19; SCh 50, 174-177)

 

   Fuqia e gjakut të Krishtit

 

   A dëshiron ta njohësh fuqinë e gjakut të Krishtit? T’i kujtojmë shëmbëllesat e tija duke i përshkruar faqet e Besëlidhjes së Vjetër.

   “Le të flijojnë - thotë Moisiu - një qengj të një viti. Le të marrin prej gjakut të tij dhe le të lyejnë me të dyert e shtëpisë” (krh. Dal 12, 5). Çfarë po flet, o Moisi? A thua se gjaku i një qengji mund ta shëlbojë njeriun me mend? Po, me siguri, duket se përgjigjet, jo sepse është gjak, por sepse është shëmbëllesë e gjakut të Zotit. Me më shumë arsye se atëherë, armiku do të kalojë pa bërë dëm nëse do të shohë në dyer jo më gjakun e simbolit të lashtë, por atë të realitetit të ri, të gjallë e të shkëlqyeshëm në buzët e besimtarëve, në derën e tempullit të Krishtit.

   Në qoftë se dëshiron ta kuptosh më thellë fuqinë e këtij gjaku, vëreje se nga filloi të rrjedhë dhe nga cili burim zuri fill. U derdh në kryq dhe buroi nga kraharori i Zotit. Tregon Ungjilli se Jezusit të vdekur dhe ende të varur në kryq iu afrua një ushtar që ia shporoi kraharorin me një heshtë: rrodhën ujë e gjak. Njëri është simbol i pagëzimit, tjetri i eukaristisë. Ushtari e hapi kraharorin: e çeli tempullin e shenjtë, në të cilin e zbulova një thesar dhe gjeta, plot gëzim, pasuri të shkëlqyeshme. E njëjta gjë ndodhi me qengjin: Judenjtë e prenë viktimën e unë e gëzoj shëlbimin, fryt të asaj flije.

   “Rrodhi nga kraharori gjak e ujë” (krh. Gjn 19, 34). Fort i dashur, mos e kapërce tepër shpejt këtë mister. Kam edhe një domethënie tjetër mistike për ta shtjelluar. Thashë se ai ujë e ai gjak janë simbol i pagëzimit dhe i eukaristisë. Tani, Kisha lindi nga këto dy sakramente, nga kjo larje rilindjeje dhe ripërtëritjeje në Shpirtin Shenjt, me anë të pagëzimit e të eukaristisë. Simbolet e pagëzimit dhe të eukaristisë dolën nga kraharori. Pra, është prej kraharorit të vet që Krishti e formoi Kishën, ashtu si prej kraharorit të Adamit qe krijuar Eva.

   Për këtë arsye, Moisiu, duke folur për njeriun e parë, e përdor shprehjen: “Asht i eshtrave të mi, mish i mishit tim” (Zan 2, 23), për të na treguar kraharorin e Zotit. Sikurse Hyji e formoi gruan prej kraharorit të Adamit, Krishti na dha ujin e gjakun prej kraharorit të vet për ta formuar Kishën. Dhe sikurse kraharori i Adamit qe prekur nga Hyji gjatë gjumit, po ashtu Krishti na dha gjakun dhe ujin gjatë gjumit të vdekjes së vet.

   Shihni se në ç’mënyrë Krishti e bashkoi me veten nusen e tij, shihni se me ç’ushqim na ngin. Në saje të gjakut të tij lindim, me gjakun e tij e ushqejmë jetën tonë. Porsi gruaja e ushqen foshnjën me qumështin e vet, kështu Krishti ushqen vazhdimisht me gjakun e vet ata që rilind.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Pjt 1, 18-19; Ef 2, 18; 1 Gjn 1, 7

 

   C Nuk keni qenë shpërblyer me ndonjë send të shkatërrueshëm, argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit. * Në saje te tij kemi të drejtë të dalim para Atit në një të vetmin Shpirt.

   D Gjaku i Jezusit, Birit të Hyjit, na pastron nga çdo mëkat.

   C Në saje te tij kemi të drejtë të dalim para Atit në një të vetmin Shpirt.

 

   Lutja

 

   O Hyj, shikoje me dashuri familjen tënde për të cilën Zoti ynë Jezu Krishti nuk ngurroi të dorëzohej në duart e armiqve dhe të pësonte vuajtjen e kryqit. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.