Shërbesa e leximeve

Java e madhe – E shtunë

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do t’i kumtojë lavdet e tua.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje! .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” .

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin, të kryqëzuar dhe të varrosur për ne.

 

Java e madhe – E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   O Krisht, o Hyj i qiejve,

   Shëlbues i madh i botës,

   të gjithë me dhuratë të kryqit

   nga ligji i vdekjes zgjidhe.

 

   Duke u lutur po të lypim,

   të ruash dhuntitë e tua,

   që me mistere të shenjta

   u fale të gjithë popujve.

 

   Ti Qengji i butë, pa faje,

   fli tokës i dhurove,

   më gjakun tënd i lave

   rrobat e gjithë shenjtorëve.

 

   Që të shpërblyer me çmim

   të trupit tënd të shenjtë,

   në qiell duke u ngjitur i solle,

   ty të lavdërojnë në amshim

 

   O Zot, të lutemi

   edhe ne na shto

   se ne nga të gjithë popujt

   bëre në mbretëri me Atin. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Të qetë më zë gjumi dhe do të pushoj në paqe.

 

   Psalmi 4 (2-9)

 

Kur të të thërras në ndihmë,

   më dëgjo, o Hyj, drejtësia ime! †

   Ti që më shpëtove në vështirësi: *

   ki mëshirë për mua e ma dëgjo uratën!

 

Deri kur, o njerëz, do të jeni zemërgurë? *

   Përse e doni kotësinë e ndiqni rrenën?

 

Dijeni: Zoti bën mrekulli për shenjtin e vet, *

   Zoti më dëgjon kur unë e thërras në ndihmë.

 

Zemërohuni e mos mëkatoni, †

   përsiatni në zemrat tuaja, *

   në shtrojat tuaja e qetësohuni.

 

Flijoni fli drejtësie *

   e shpresën kijeni në Zotin!

 

Shumë thonë:

   “Kush do të na bëjë ta shohim fatbardhësinë?” *

   Le të ndritë mbi ne, o Zot, drita e fytyrës sate!

 

Ti ndikove në zemrën time më shumë gëzim *

   sesa kur të tjerëve u bëhet grurë e verë me shumicë!

 

Posa bie në shtrojë

   gjumi menjëherë më merr në qetësi, *

   sepse vetëm ti, o Zot, ma jep pushimin e qetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të qetë më zë gjumi dhe do të pushoj në paqe.

 

Ant. 2 Në shpresë trupi im pushon.

 

   Psalmi 16 /15/ (1-11)

 

Më ruaj, o Hyj, *

   sepse të kam rënë ndore!

I thashë Zotit: “Ti je Zoti im, *

   tjetër të mirë nuk kam veç teje!”

 

Për shenjtërit që janë përmbi tokë, njerëz bujarë, *

   po përvëlohem krejtësisht prej dëshirës!

I shumojnë të zezat e veta *

   ata që shkojnë pas zotave të huaj.

Unë nuk do t’u flijoj fli njomjeje gjakrash, *

   buzët e mia nuk do t’ua përmendin emrat.

 

Zoti është pjesa e trashëgimit tim dhe gota, *

   në dorën tënde është fati im!

Shorti më ra në më të mirën tokë: *

   pjesa e trashëgimit tim tesve më pëlqen!

 

E bekoj Zotin që më dha kuptim, *

   edhe natën veshkat e mia më mësojnë.

Zotin e kam gjithmonë para sysh, *

   më rri në të djathtë, nuk kam sesi të rrëzohem!

Prandaj galdon zemra ime, gëzon shpirti im, *

   mbarë trupi im pushon në qetësi.

 

S’do të ma lësh shpirtin në Nëntokë, *

   as s’do të lejosh që Shenjti yt të kalbet në dhé.

 

Ti do të ma tregosh udhën e jetës, †

   gëzimin e plotë para fytyrës sate, *

   Kënaqësinë e amshueshme në të djathtën tënde.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në shpresë trupi im pushon.

 

Ant. 3 Lartësohuni o dyer të amshueshme që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

   Psalmi 24 /23/ (1-10)

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

“Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!”

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

“E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!”

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Lartësohuni o dyer të amshueshme që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

   D Gjykoje, o Zot, çështjen time dhe më shpëto:

   C bëj që të jetoj në fjalën tënde.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së drejtuar Hebrenjve 4, 1-16

 

   Të shpejtojmë të hymë në pushimin e Zotit

 

   Vëllezër, le të trembemi se, deri sa mbetet premtimi të hyhet në Pushimin e tij, të mos vërtetohet për ndonjërin prej jush se ka vonuar. Sepse edhe ne e kemi marrë lajmin e mirë sikurse edhe ata, por atyre nuk u vlejti gjë fjala që dëgjuan sepse nuk u bashkuan me fe me ata që e pranuan fjalën. Në Pushim veç, vërtet hyjmë ne që besuam sipas fjalës që ka thënë:

   »Kështu u përbetova në zemërimin tim: kurrë s'do të hyjnë në Pushimin tim.«

   ndonëse veprat i kishin marrë fund qysh në krijimin e botës. E njëmend ka thënë diku për të shtatën ditë kështu: »Dhe Hyji pushoi nga të gjitha veprat e veta të shtatën ditë.« E këtu prapë: »Kurrë s'do të hyjnë në Pushimin tim.«

   Mbetet, pra, se disa do të hyjnë në të dhe, mbasi ata që të parët e morën lajmin e gëzueshëm, nuk hynë për shkak të padëgjesës, Ai cakton rishtas një ditë ‑ një »Sot« ‑ duke thënë mbas sa kohe me gojë të Davidit, sikurse u tha më parë:

   »Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgurë.«

   Vërtet, po t'i kishte futur Jozuehu në Pushim, Hyji nuk do të kishte folur pastaj për një ditë tjetër. Këndej, mbetet një pushim i të shtunës për popullin e Hyjit. Sepse, kush hyri në pushimin e tij, edhe ai pushoi nga veprat e veta, sikurse edhe Hyji prej veprave të tija.

   Të vrapojmë, pra, për të hyrë në atë Pushim, që asnjë të mos mbarojë pas shembullit të të njëjtës padëgjesë!

   Vërtet, fjala e Hyjit është e gjallë dhe vepruese. Është më e mprehtë se çdo shpatë dy tehesh. Përshkon aq sa ndan frymën dhe shpirtin, gjymtyrët dhe palcën edhe shqyrton ndjenjat dhe dëshirat e zemrës. Nuk ka krijesë të fshehur para saj. Gjithçka është cullak e zhveshur para syve të Atij, të cilit do t'i japim llogari.

   Prandaj, mbasi e kemi Kryepriftin e Madh, Jezusin, Birin e Hyjit, i cili i ka përshkuar qiejt ‑ të jemi të palëkundshëm në dëshmimin e fesë! Sepse, nuk kemi Kryeprift që nuk mund të ketë dhimbje për dobësitë tona, mbasi ai vetë i ka sprovuar të gjitha sikurse ne, me përjashtim vetëm të mëkatit.

   T'i afrohemi, prandaj, plot guxim fronit të hirit, që të fitojmë mëshirë dhe të gjejmë hir për të pasur ndihmë në kohë të duhur.

 

   Përgjigjja Krh. Mt 27, 60. 66. 62

 

   C E vendosën Zotin në varr, pastaj rrokullisën në derë një gur të madh, e vulosën * dhe vunë rojën për të siguruar varrin.

   D Kryepriftërinjtë u bashkuan te Pilati,

   C dhe vunë rojën për të siguruar varrin.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga një predikim i lashtë “Mbi të Shtunën e Madhe”

   (PG 43, 439. 451. 462-463)

 

   Zbritja e Zotit në Nëntokë

 

   Çfarë ndodhi? Sot mbi tokë është një heshtje e madhe, heshtje e madhe e vetmi. Heshtje e madhe sepse Mbreti fle: toka ka mbetur shtang dhe pa fjalë, sepse Hyji i bërë njeri ka rënë në gjumë dhe ka zgjuar ata që flinin që prej shekujve. Hyji ka vdekur në mish dhe ka zbritur për ta shkundur mbretërinë e Nëntokës.

   Me siguri ai shkon ta kërkojë njeriun e parë, porsi delen e humbur. Ai do të zbresë për t’i takuar ata që rrinë në errësirë dhe në hijen e vdekjes. Hyji dhe Biri i tij shkojnë t’i lirojnë prej vuajtjeve Adamin dhe Evën, të cilët gjenden në burg.

   Zoti hyri tek ata duke i sjellë armët ngadhënjyese të kryqit. Sa e pa, Adami, i pari, duke goditur kraharorin e vet prej habisë, me zë të lartë u tha të gjithëve: “Zoti im qoftë me të gjithë”. E Krishti duke u përgjigjur, i tha Adamit: “Dhe me shpirtin tënd”. E, duke e marrë për dore, e shkundi, duke thënë: “Zgjohu, ti që po fle, ngjallu prej të vdekurish, e Krishti do të shndrisë”.

   Unë jam Hyji yt, që për ty jam bërë biri yt; që për ty e për këta, të cilët prej teje e patën prejardhjen, tani po flas, e në pushtetin tim po u urdhëroj atyre që ishin në burg: Dilni! Dhe atyre që ishin në errësirë: Ndriçohuni! Dhe atyre që ishin të vdekur: Ngjalluni! Ty po të urdhëroj: Zgjohu, ti që po fle! Vërtet, nuk të krijova që të mbetesh i burgosur në Nëntokë. Ngjallu nga të vdekurit. Unë jam jeta e të vdekurve. Ngjallu, vepër e duarve të mia! Ngjallu, shëmbëllesa ime, e bërë në përngjasimin tim! Ngjallu, të dalim prej këndej! Ti në mua e unë në ty jemi të një natyre e vetme e pandashme.

   Për ty unë, Hyji yt, jam bërë biri yt. Për ty unë, Zoti, e kam veshur natyrën tënde prej shërbëtore. Për ty unë, që rri përtej lartësive qiellore, kam ardhur në tokë dhe në Nëntokë. Për ty, njeri, kam marrë pjesë në dobësinë njerëzore, por pastaj jam bërë i lirë ndër të vdekurit. Për ty, që dole nga kopshti i parajsës tokësor, kam qenë tradhtuar në një kopsht dhe dorëzuar judenjve, dhe në një kopsht kam qenë kryqëzuar. Vështroji, në fytyrën time, pështymat që unë pranova për hatrin tënd, që të të kthej në atë frymë të parë jetëdhënëse. Shiko në faqet e mia shuplakat që durova për ta kthyer përsëri në përngjasimin tim bukurinë tënde të humbur.

   Shiko në shpinën time frushkullimin që pësova për t’i liruar supet e tua prej barrës së mëkateve të tua. Shiko duart e mia të gozhduara në dru për ty, që për fat të zi, që moti e pate shtrirë dorën tënde nga pema e ndaluar. Vdiqa në kryq dhe heshta depërtoi në kraharorin tim, për ty që pate rënë në gjumë në parajsë, atëherë kur doli Eva prej kraharorit tënd. Kraharori im e shëroi dhimbjen e kraharorit tënd. Gjumi im do të të lirojë nga gjumi i Nëntokës. Heshta ime e ndali heshtën që ishte drejtuar kundër teje.

   Çohu, të largohemi prej këtej. Armiku të dëboi nga toka e parajsës. Ndërsa unë nuk të kthej më në atë kopsht, por të vendos mbi fronin qiellor. Të qe ndaluar ta prekësh pemën simbolike të jetës, por unë, që jam jeta, të jap vetveten. Vura kerubinë që të të ruanin porsi shërbëtorë. Tani, bëj që kerubinët të të adhurojnë sikur të ishe Hyj, edhe pse Hyj nuk je.

   Froni qiellor është gati, mbartësit janë të gatshëm për t’i zbatuar urdhrat, salla është e stolisur, tryeza e përgatitur, banesa e amshuar është e hijeshuar, thesaret janë të hapura. Me fjalë të tjera: është bërë gati për ty, që prej shekujve të amshuar, Mbretëria e qiellit”.

 

   Përgjigjja

 

   R U largua bariu ynë, burimi i ujit të gjallë, për vdekjen e të cilit u errësua dielli. Ai që e mbante skllav njeriun e parë është bërë vetë skllav: * Sot Shëlbuesi ynë i ka mposhtur dyert dhe hekurat e vdekjes.

   D E ka shkatërruar burgun e ferrit dhe e ka rrëzuar pushtetin e djallit.

   C Sot Shëlbuesi ynë i ka mposhtur dyert dhe hekurat e vdekjes.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, ti që na e jep hirin të kremtojmë misteret e të Njëlindurit Birit tënd, të zbritur prej qiellit në thellësinë e tokës, bëj që, të varrosur me të në pagëzim, të ringjallemi së bashku me të në lavdinë e ringjalljes. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.