Shërbesa e leximeve

E Diela e Pashkëve - Ngjallja e Zotit

 

Fillimi i kohës së Pashkëve

 

Shërbesa e leximeve

 

   Përgjimi i Pashkëve e zë vendin e Shërbesës së leximeve. Ata që nuk marrin pjesë në Vigjiljen solemne të Pashkëve, duhet ti recitojnë së paku katër leximet e saj me këngë dhe lutje. Është mirë të zgjidhen leximet që vijojnë.

 

   Kjo Shërbesë fillon menjëherë prej leximeve.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Daljes 14, 15 – 15, 1

 

   Kalimi nëpër detin e tharë.

 

   Në ato ditë Zoti i tha Moisiut: »Përse po lëshon klithma kah unë? Urdhëroju bijve të Izraelit të nisen! Ndërkaq, ti çoje shkopin tënd dhe shtrije dorën tënde përmbi det e ndaje, kështu që bijtë e Izraelit të kalojnë për midis të detit nëpër terik. Unë do t'ua guroj zemrën egjiptianëve që t'ju përndjekin. Unë do ta dëftoj madhërinë time në faraonin e në mbarë ushtrinë e tij, në karroca dhe në kalorës të tij. Kështu egjiptianët do ta kuptojnë se unë jam Zoti, kur të jem madhëruar në faraonin, në karrocat e kalorësit e tij.«

   Engjëlli i Hyjit, që u printe çetave të Izraelit, doli pas tyre, po ashtu me të edhe shtylla e resë, prej përpara doli prapa. Zuri vend ndërmjet ushtrisë së egjiptianëve e të izraelitëve. Reja ishte e errët për egjiptianë, kurse izraelitëve ua ndriçonte natën. Kështu nuk mundën t'i afrohen njëri‑tjetrit krejt natën

   Atëherë Moisiu e shtriu dorën mbi det. Zoti e shtyri gjithë natën detin me anë të një ere të fortë e të nxehtë dhe e thau: ujërat u ndanë. Bijtë e Izraelit hynë për midis të detit nëpër terik: sepse uji ishte bërë pothuajse mur në të djathtë e në të majtë të tyre. Edhe egjiptianët, që po i ndiqnin, hynë pas tyre, mbarë kaloria e faraonit, karroca e tij e kalorësit në midis të detit. Kishte ardhur koha e rojës së mëngjesit dhe, ja, Zoti ia lëshoi një sy prej shtyllës së zjarrit e të resë ushtrisë së egjiptianëve, e pështjelloi, ia frenoi rrotat e karrocave saqë mezi mund të lëviznin. Atëherë thanë egjiptianët: »Të ikim prej izraelitëve! Zoti po lufton për ta kundër nesh!«

   Zoti i tha Moisiut: »Shtrije dorën mbi det: ujërat le të hidhen mbi egjiptianët, mbi karroca dhe kalorës të tyre.«

   Kur Moisiu e shtriu dorën drejt detit, në mëngjes, herët, deti u kthye në vendin e mëparshëm. Egjiptianët, duke u munduar të ikin, ujërat u vinin drejt tyre. Kështu Zoti i mbuloi me tallaze në midis të detit. Ujërat u kthyen dhe i mbuluan karroca e kalorës të mbarë ushtrisë së faraonit, të cilët për të ndjekur izraelitët kishin hyrë në det. S'shpëtoi prej tyre as një për be! 29 Kurse bijtë e Izraelit kishin udhëtuar midis të detit për terik dhe ujërat për ta ishin bërë si mur në të djathtë e në të majtë të tyre.

   Po në këtë ditë Zoti e shpëtoi Izraelin prej duarve të egjiptianëve. I panë egjiptianët e vdekur përmbi bregun e detit 31 dhe dorën e fortë që e ushtroi Zoti kundër egjiptianëve. Populli i dha nderim Zotit, e vuri besimin e vet në Zotin dhe në Moisiun, shërbëtorin e tij.

   Atëherë Moisiu dhe bijtë e Izraelit e kënduan këtë këngë në nder të Zotit e thanë: »Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu: kalë e kalorës plandosi në fund të detit!

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

Kënga Dal 15, 1-6. 17-18

 

Le t'i këndojmë Zotit,

   sepse mrekullisht ngadhënjeu: *

kalë e kalorës plandosi në fund të detit!

 

Zoti është forca dhe fuqia ime, *

   Ai, veç Ai, më shpëtoi!

Ai është Hyji im, Atë lavdëroj! *

   Është Hyji i atit tim: Atë e lartësoj!

Zotin askush s'e mund, *

   Jahve emrin e ka!

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

Qerre e ushtri të faraonit *

   në det i plandosi!

Luftëtarët e tij të zgjedhur *

   Deti i Kuq i mbuloi!

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

Pellgu i përpiu, *

   humbën si sëpata në pus!

E djathta jote, o Zot, fuqi e tmerrueshme: *

   e djathta jote e goditi armikun!

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

Do ta shtish dhe do ta mbjellësh *

   në malin e trashëgimit tënd,

në banesën tënde të përhershme,

   që ti vetë e përgatite, o Zot, *

   shenjtërore, o Zot, me duar të tua të përftuar!

Zoti do të sundojë *

   përgjithmonë e mot të jetës!«

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që mrekullive të kryera në kohët e vjetra ua zbulove kuptimin me dritën e Besëlidhjes së Re, kështu që dhe Deti i Kuq të jetë shenja e burimit të shenjtë, dhe populli i çliruar nga robëria, të shënonte popullin e krishterë, bëj që të gjithë popujt, duke e fituar me anë të fesë privilegjin e Izraelit, të rilinden me pjesëmarrje të Shpirtit tënd. Nëpër Krishtin.

 

   Leximi i dytë

 

   Prej librit të Ezekielit profet 36, 16-28

 

   Do t’ju jap një zemër të re.

 

   Fjala e Zotit më qe drejtuar e më tha: »Biri i njeriut, kur shtëpia e Izraelit banonte në tokën e vet, e pat përdhosur atë me sjellje të vet e me veprat e veta: sjellja e tyre ishte para syve të mi porsi papastërtia e gruas së papastër. Unë atëherë e zbraza zemërimin tim mbi ta për shkak të gjakut që derdhën përmbi tokë dhe për shkak të idhujve, me të cilët e ndotën. I shpërndava ndër paganë dhe i treta në vende të ndryshme: i dënova sipas sjelljes së tyre dhe sipas veprave të tyre. Por edhe në popuj, ndër të cilët u shpërndanë, te të cilët shkuan, e përdhosën emrin tim të shenjtë, sepse flitej për ta: 'Ky është populli i Zotit e iu desh të dalë prej tokës së tij!' Por unë pata nderim për emrin tim të shenjtë që e çnderoi shtëpia e Izraelit në popuj ndër të cilët shkoi.

   Prandaj, kështu thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti Hyj: S'e bëj këtë për ju, o shtëpia e Izraelit, por për shkak të emrit tim të shenjtë, që u çnderua në popuj te të cilët shkuat. Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madhërueshëm, të cilin ju e çnderuat ndër popuj, e ndotët në mesin e tyre, që paganët ta dinë se unë jam Zoti ‑ thotë Zoti Hyj, kur të dëftohem i shenjtë ndër ju e para syve të tyre.

   Do t'ju heq prej paganëve e do t'ju bashkoj nga të gjitha vendet dhe do t'ju sjell në vendin tuaj. Atëherë do të zbraz mbi ju një ujë të pastër dhe do të pastroheni nga të gjitha ndyrësitë tuaja. Do t'ju pastroj nga të gjithë idhujt tuaj! Unë do t'ju jap një zemër të re, një shpirt të ri do ta fus në ju, do ta nxjerr nga mishi juaj zemrën e gurtë e do t'ju jap një zemër mishi. Shpirtin tim do ta fus në ju e do të bëj që të ecni urdhërimeve të mia e t'i zbatoni e t'i shtini në veprim gjyqet e mia. Do të banoni në tokën që ua dhurova etërve tuaj: ju do të jeni populli im e unë do të jem Hyji juaj.

 

Ant. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

   Psalmi 42 /41/, 2-3. 5bcd; 43 /42/, 3-4

 

Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, *

   po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *

   oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!

 

Ant. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

Shtegtoja në krye të turmës, *

   ‑ si prijës ‑ drejt banesës së Hyjit

me brohori e këngë lavdi *

   në procesion kremtues!

 

Ant. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

Dërgoje dritën tënde dhe të vërtetën tënde: *

   ato le të më prijnë, le të më përcjellin

në malin tënd të shenjtë, *

   në Tendën tënde.

 

Ant. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

Atëherë do të hyj te lteri i Hyjit, *

   te Hyji i gëzimit të galdimit tim.

Do të galdoj, do të të këndoj me harpë, *

   ty, o Hyj, Hyji im!

 

Ant. Sikurse dreri i dëshiron burimet e ujërave të gjalla, po ashtu shpirti im të dëshiron ty, o Hyj!

 

   Lutja

   O Hyj, fuqi e pashtershme dhe dritë e amshuar, shikoje me mirësi misterin e mbarë Kishës, dhe kryeje veprën e shëlbimit të njerëzve në paqen dhe qetësinë e vazhdueshme. Mbarë bota të sprovojë dhe të shohë: se ti ngrit çka pat rënë poshtë, përtërin me rini të plakurat dhe të shpërndarat i bashkon në njësi nëpër atë Krisht që është Krijuesi i të gjithëve. Që jeton dhe mbretëron në shekuj të shekujve.

 

   Leximi i tretë

 

   Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Romakëve 6, 3-11

 

   Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më.

 

   Vëllezër, sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me Të jemi varrosur në vdekje që, sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re.

   Pra, pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Të, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me Të me përngjasimin e ngjalljes së Tij. Le ta kemi parasysh këtë gjë: njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me Të që të shkatërrohet ky trup i mëkatit, kështu që të mos i robërojmë më mëkatit, sepse i vdekuri është i lirë nga mëkati.

   E në qoftë se vdiqëm bashkë me Krishtin, besojmë se edhe do të jetojmë bashkë me Të, mbasi e dimë se Krishti i ngjallur nga të vdekurit, nuk vdes më: vdekja nuk ka më pushtet mbi Të. Vdekja e tij qe vdekje njëherë e përgjithmonë për mëkatin, kurse jeta e Tij është jetë për Hyjin. Po kështu edhe ju: mbajeni veten [se jeni] të vdekur për kah mëkati, e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Psalmi 118 /117/, 1-2 16ab-17. 22-23.

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   E djathta e Zotit u madhërua!

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S'do të vdes, të jetoj dua, *

   do t'i kumtoj veprat e Zotit!

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Ant. Aleluja, aleluja, aleluja.

 

   Leximi i katërt

 

   Prej Ungjillit sipas Mateut 28, 1-10

 

   U ngjall së vdekuri, dhe tash na prinë në Galile.

 

   Pas të shtunës, në të zbardhur të dritës ‑ të ditës së parë të javës, shkuan Maria Magdalenë dhe Maria tjetër për të parë varrin. Kur qe, ra një tërmet i madh, sepse engjëlli i Zotit zbriti nga qielli, u afrua, rrokullisi gurin dhe u ul mbi të. Fytyra e tij

   ishte porosi vetëtima e petku i tij i bardhë porsi bora. Rojtarët, prej frikës së tij, u drodhën dhe u bënë si të ishin të vdekur. Atëherë engjëlli u tha grave: »Ju mos u trembni! E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar! Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse tha! Ejani e shikoni vendin ku qe vënë e pastaj nxitoni të shkoni e tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni. Ja, ju tregova!« Ato menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh; shkuan me nxitim t'u lajmërojnë nxënësve të tij.

   Dhe ja, u doli Jezusi përpara e u tha: »Ju falem!« Ato u afruan, e morën ngrykë dhe e adhuruan. Atëherë Jezusi u tha: »Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin.«

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

Ant. T’i këndojmë Zotit: Ai është me të vërtetë i lavdishëm!

 

Ose:

 

Ant. Le t'i këndojmë Zotit, sepse mrekullisht ngadhënjeu.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti në ditën e sotme na e hape derën e jetës së pasosur në saje të fitores së Birit tënd mbi vdekjen, bëj, po të lutemi, që ne, të cilët po e kremtojmë ngjalljen e Krishtit, të na përtërijë Shpirti Shenjt, e të ngjallemi bashkë me Krishtin në dritën e jetës së pasosur. Ai që është Zot.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.