Shërbesa e leximeve
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E HËNË
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E HËNË
Shërbesa e leximeve
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Unë jam ai që jam, e zemra ime nuk është me të paudhët: vullneti im është që të bëhet ligji i Zotit, aleluja.
Psalmi 1 (1-6)
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, †
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
e nuk rri së bashku me përqeshës,
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Unë jam ai që jam, e zemra ime nuk është me të paudhët: vullneti im është që të bëhet ligji i Zotit, aleluja.
Ant. 2 E thirra Atin tim: ai më bëri trashëgimtar të mbarë kombeve, aleluja.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E thirra Atin tim: ai më bëri trashëgimtar të mbarë kombeve, aleluja.
Ant. 3 Flija në gjumin e vdekjes, dhe u zgjova: Zoti më mori afër vetes, aleluja.
Psalmi 3 (2-9)
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
»As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
bekimi yt mbi popullin tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Flija në gjumin e vdekjes, dhe u zgjova: Zoti më mori afër vetes, aleluja.
D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
C dhe ishin të mbushur me gëzim, aleluja.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 1, 1-21
Përshëndetja dhe falënderimi.
Pjetri, apostulli i Jezu Krishtit, besimtarëve shtegtarë të shpërndarë nëpër Pont, Galaci, Kapadoki, Azi dhe Bitini, të zgjedhurve në saje të Provanisë së Hyjit Atë me shenjtërimin e Shpirtit Shenjt për të dëgjuar Jezu Krishtin dhe për të pasur pjesë në stërpikjen e gjakut të tij:
paçi hir dhe paqe me begati!
Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, për shpresën jetësore,
për trashëgim të pashkatërrueshëm, të panjollë e të pavyshkshëm që e ruajti për ju në qiell;
për ju që jeni të ruajtur me fuqinë e Hyjit në saje të fesë për shëlbim që është gati të zbulohet në kohën e fundit.
Këndej gëzoheni edhe pse, në qoftë se duhet, për pak kohë jeni të trishtuar për shkak të provave të ndryshme, që feja juaj e sprovuar ‑ shumë më e çmueshme se ari i shkatërrueshëm, që edhe ai sprovohet në zjarr ‑ të fitojë lëvdatë, nder dhe lavdi në ditën e Zbulesës së Jezu Krishtit:
Atë e doni edhe pse nuk e patë, në Atë besoni edhe pse ende nuk e shihni; dhe galdoni me gëzim të patregueshëm dhe të lavdishëm,
që ia arritët qëllimit të fesë suaj: shëlbimit të shpirtit.
Për këtë shëlbim kanë vëzhguar dhe kanë shqyrtuar profetët, të cilët e paralajmëronin hirin e caktuar për ju. Shqyrtonin cila ishte koha dhe rrethanat, që shënonte Shpirti i Krishtit që ishte në ta, kur paralajmëronte mundimet që do t'i vuante Krishti dhe lavditë që do të vinin pas mundimeve. Atyre u qe zbuluar se, jo për ta, por për ju u treguan ato që tani juve u ungjillëzohen prej predikatarëve tuaj me anë të Shpirtit Shenjt të dërguar prej qiellit, të cilat edhe engjëjt dëshirojnë t'i vëzhgojnë.
Prandaj, shpirtërisht të gatshëm, rrini zgjuar dhe ngulni tërë shpresën tuaj në hirin që ju sjell Zbulesa e Jezu Krishtit. Porsi fëmijë të dëgjueshëm, mos u përshtatni dëshirave të mëparshme, kur ishit në padijeni, por, sikurse është Shenjt Ai që ju ka thirrur, ashtu edhe ju jini të shenjtë në tërë jetën tuaj. Sepse shkruan: »Të jeni të shenjtë sikurse edhe vetë jam i shenjtë.«
Në qoftë, pra, se ju e quani Atë atë që pa krahmbajtje gjykon gjithkënd sipas veprave të tija, kaloni kohën e shtegtimit mbi tokë me frikën e Zotit!
Dijeni mirë: nuk keni qenë shpërblyer nga mënyra e zbrazët e jetës suaj të trashëguar nga etërit me ndonjë send të shkatërrueshëm ‑ argjend apo ar, por me gjak të paçmueshëm të Krishtit Qengjit të patëmetë e të panjollë.
Ai njëmend ishte i caktuar që para krijimit të rruzullit, por u dëftua në këto kohët e fundit për arsye tuaj.
Në saje të tij ju besoni në Hyjin që e ngjalli nga të vdekurit dhe i dha lavdi, kështu që feja juaj dhe shpresa të jenë në Hyjin.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 1, 3. 13
C Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishti, i cili na rilindi me anë të mëshirës së vet të madhe për shpresën jetësore * në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, aleluja.
D Prandaj, shpirtërisht të gatshëm, rrini zgjuar dhe ngulni tërë shpresën tuaj në hirin që do t’ju jepet,
C në saje të ngjalljes prej të vdekurish të Jezu Krishtit, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Predikimi i Pashkëve” i Melitonit nga Sardi, ipeshkëv
(Nr. 2-7; 100-103; SCh 123, 60-64. 120-122)
Qengji i flijuar na nxori prej vdekjes në jetë.
Fort të dashur, vëreni me kujdes: misteri i Pashkëve është i ri dhe i vjetër, i amshuar dhe i përkohshëm, i shkatërrueshëm dhe i pashkatërrueshëm, i vdekshëm dhe i pavdekshëm. I vjetër sipas Ligjit, i ri sipas Fjalës; i përkohshëm në figurë simbolike, i amshuar në hir; i shkatërrueshëm për flinë e qengjit, i pashkatërrueshëm për jetën e Zotit; i vdekshëm për varrosjen e tij në dhè, i pavdekshëm për ringjalljen e tij prej të vdekurve.
Ligji është i vjetër, por Fjala është e re; e përkohshme është figura, i amshuar është hiri; i shkatërrueshëm është qengji, i pashkatërrueshëm është Zoti, i cili u flijua porsi qengj, por u ngjall porsi Hyj.
“Porsi qengji që e çojnë për ta therur, porsi delja e pazë para qethtarëve, nuk e çeli gojën e vet” (Is 53, 7).
Kaloi shëmbëllesa dhe u përmbush realiteti i shprehur në të: në vend të një qengji, Hyji, njeriu-Krishti, i cili gjithçka përmbledh.
Pra, flija e Qengjit, kremtimi i Pashkëve dhe Shkrimi i Ligjit patën për qëllim Krishtin Jezus. Në Ligjin e vjetër gjithçka ndodhte duke parashikuar Krishtin. Aq më tepër, në rendin e ri, gjithçka përkon me Krishtin.
Ligji u bë Fjalë dhe nga i vjetër u bë i ri, por të dytë dolën nga Sioni dhe nga Jerusalemi. Rregullorja u shndërrua në hirin, figura në të vërtetën, qengji në Birin, delja në njeriun dhe njeriu në Hyjin.
Zoti, edhe pse me natyrë Hyj, u bë njeri dhe vuajti për ata që vuajnë, qe burgosur për të burgosurin, qe dënuar për fajtorin dhe, pasi qe varrosur për të varrosurit, u ngjall prej të vdekurve dhe e shpalli këtë fjalë: “Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë!” (Is 50, 8). Unë - thotë - jam Krishti, që e shkatërrova vdekjen, e munda armikun, e shkela ferrin, e lidha ngushtë të fortin dhe e ngrita njeriun në lartësinë e qiellit; unë - thotë - jam Krishti.
Ejani, pra, o popuj të gjithë, të shtypur prej mëkateve dhe pranojeni faljen. Me të vërtet, Unë jam falja juaj, unë jam Pashkë e shpërblimit, Unë jam Qengji i flijuar për ju, unë jam larja juaj, unë jam jeta juaj, unë jam ringjallja juaj, unë jam drita juaj, unë jam shëlbimi juaj, unë jam Mbreti juaj. Unë ju çoj lart në qiell. Unë do t’ju ngjall e do t’jua kallëzoj Atin që është në qiell. Unë do t’ju lartësoj me të djathtën time.
Përgjigjja Krh. Vap 13, 32-33; 10, 42; 2, 36
C Premtimin, që Hyji ua pati dhënë etërve, e plotësoi duke e ngjallur Jezusin: * Ai është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve, aleluja.
D Këtë Jezus, që ju e kryqëzuat, Hyji e bëri Zotëri e Mesi:
C Ai është caktuar Gjykatës i të gjallëve e i të vdekurve, aleluja.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti gjithmonë e rrit Kishën tënde duke i dhuruar asaj me anë të pagëzimit fëmijë të rinj bëj që besimtarët e tu t’i jenë gjithë jetën besnikë sakramentit që me fe të gjallë e morën. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.