Shërbesa e leximeve

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MARTË

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MARTË

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Zoti i Ushtrive, ai vetë është mbreti i lavdisë, aleluja.

 

   Psalmi 24 /23/ (1-10)

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti i Ushtrive, ai vetë është mbreti i lavdisë, aleluja.

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj Hyjin tonë: ai më rikthej prapë në mesin e të gjallëve, aleluja.

 

   Psalmi 66 /65/ (1-20) I (1-12)

 

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †

   këndoni lavdisë së Emrit të tij, *

   lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

 

Thuani Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *

   Pse je tejet i fuqishëm,

   armiqtë e tu të përkëdhelin.

 

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *

   le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«

Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *

   bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

 

Ai e shndërroi detin në terik, †

   këmbë e kaluan lumin *

   për këtë galdojmë me gëzim.

 

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †

   sytë e tij vërejnë përmbi popuj *

   që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.

 

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *

   dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën, *

   këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

 

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *

   porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na qite në leqe, *

   barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

 

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †

   na përshkove nëpër zjarr e ujë, *

   por më vonë na dhe pushim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bekojeni, o popuj Hyjin tonë: ai më rikthej prapë në mesin e të gjallëve, aleluja.

 

Ant. 3 Ejani e dëgjoni se sa mrekulli bëri Zoti për mua, aleluja.

 

   II (13-20)

 

Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *

   para teje do t’i çoj në vend kushtet,

që i premtova me buzët e mia, *

   që i thashë me gojë kur isha në rrezik.

 

Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †

   bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *

   do të të kushtoj qe edhe cjep!

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *

   do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.

 

Me gojën time e thirra në ndihmë, *

   dhe me gjuhën time e madhërova.

Po të mendoja të keqen në zemrën time, *

   Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.

 

Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *

   i vuri vesh zërit të lutjes sime.

Qoftë bekuar Hyji

   që s’ma hodhi poshtë lutjen time *

   e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ejani e dëgjoni se sa mrekulli bëri Zoti për mua, aleluja.

 

   D Hyji e ngjalli Krishtin prej së vdekuri, aleluja,

   C që në të të jetë feja dhe shpresa jonë, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 1, 22 - 2, 10

 

   Jeta e bijve të Hyjit.

 

   Fort të dashur, pasi i pastruat shpirtrat tuaj duke e pas dëgjuar të vërtetën për t'u dashur sinqerisht si vëllezër: doni njëri‑tjetrin me gjithë shpirt dhe me dashuri të vërtetë, sepse u rilindët jo me farë që prishet, por që nuk merr mort kurrë: me fjalën e Hyjit të gjallë e të amshuar. Sepse:

   »Të gjithë njerëzit janë si bari, dhe tërë lavdia e tyre porsi lulja e fushës. Bari thahet e lulja vyshket, kurse fjala e Zotit mbetet në amshim.«

   Tashti kjo fjalë është Ungjilli që ju qe shpallur.

   Flakni, pra, larg jush, çdo lloj të keqeje, çdo tradhti dhe hipokrizi, smirë dhe shpifje! Porsi foshnjat posa të lindura dëshironi qumështin shpirtëror të pastër, që me anë të tij të rriteni në shëlbim në qoftë se vërtet »e keni sprovuar se Zoti është i mirë.«

   Afrohuni Atij ‑ Gurit të gjallë, njëmend të përbuzur prej njerëzve, por të zgjedhur dhe të çmueshëm para Hyjit, që edhe ju, si gurë të gjallë, të ndërtoheni Shtëpi shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë për të kushtuar fli shpirtërore, që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin.

   Këndej thuhet në Shkrimin e shenjtë:

   »Ja, po vë në Sion një gur këndi, të zgjedhur, të çmueshëm: kush beson në Të, jo, nuk do të mbetet i turpëruar!«

   Për ju, pra, që besoni ‑ nder; kurse për ata që nuk besojnë ‑ guri që përbuzën ndërtuesit, dhe Ai u bë gur i këndit

   E: »Guri në të cilin zihet në thua, buzë shkëmbi nga thyhet qafa.« ata zënë në thua sepse nuk e dëgjojnë predikimin e Ungjillit, për çka edhe janë të caktuar.

   Porse ju jeni: »Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete, për t'i shpallur veprat e madhërueshme të Atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme.

   Ju që dikur nuk ishit Popull e tani jeni Populli i Hyjit, ju që dikur ishit të përjashtuar nga mëshira, e që tani e keni fituar mëshirën.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Pjt 2, 5. 9

 

   C Si gurë të gjallë, ju ndërtoni Shtëpinë shpirtërore, për të qenë meshtari e shenjtë, * për të kushtuar fli shpirtërore që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin, aleluja.

   D Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete,

   C për të kushtuar fli shpirtërore që i pëlqejnë Hyjit nëpër Jezu Krishtin, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Atanazit të Antiokisë, ipeshkëv

   (Ligj. 4, 1-2; PG 89, 1347-1349)

 

   Krishtit iu desh të pësojë dhe kështu të hyjë në lavdinë e vet.

 

   Krishti, pasi kishte treguar, me mësim e me vepra, se është Hyji i vërtetë e Zoti i gjithësisë, ndërsa po shkonte në Jerusalem u thoshte nxënësve të vet: Ja, po ngjitem në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t’u dorëzohet paganëve, kryepriftërinjve e skribëve për të qenë frushkulluar, vënë në lojë dhe kryqëzuar (krh. Mt 20, 18-19). Thoshte se këto gjëra përkonin me parashikimet e profetëve, të cilët e kishin paralajmëruar vdekjen e tij, që kishte për të ndodhur në Jerusalem. Pasi Shkrimi i shenjtë kishte parashikuar qysh prej fillimit vdekjen e Krishtit dhe mundimin e tij para vdekjes, e paralajmëron edhe çka i ndodh trupit të tij pas vdekjes. Por edhe tregon se, si Hyj, s’mund as të vdiste.

   Duke e soditur të vërtetën e mishërimit, i kuptojmë arsyet që kemi për ta pohuar, në mënyrë të përshtatshme e të drejtë, njërën e tjetrën gjë, domethënë mundimin dhe papësueshmërinë. Arsyeja për të cilën Fjala e Hyjit, e papësueshme në vetvete, e pësoi mundimin, është sepse njeriu nuk mund të shëlbohej ndryshe. Ai këtë e dinte mirë, e me të edhe ata të cilëve deshi t’ua tregojë. Vërtet, Fjala njeh gjithçka që i takon Atit, sikurse “Shpirti depërton në thellësitë e tija” (1 Kor 2, 10), domethënë në misteret e pashqyrtueshme.

   Ishte me të vërtetë e nevojshme që Krishti të pësonte, dhe nuk mund të mos e bënte, sikurse pohoi ai vetë. Për këtë arsye i quajti të pamend e të ngadalshëm të kuptojnë ata që nuk pranonin se Krishtit i duhej të vuante dhe kështu të hynte në lavdinë e vet. Ai erdhi për shëlbimin e popullit të tij. Për të, ai mbeti, në një farë mënyre, pa atë lavdi, të cilën e kishte tek Ati para se të ishte bota. Shëlbimi ishte ngjarja që kishte për t’u pjekur nëpër mundimin e autorit të jetës. Shën Pali na mëson: Ai është autori i jetës, i bërë i përsosur nëpërmjet vuajtjeve (krh. Heb 2, 10). Lavdia e të Njëlindurit, që ai e kishte braktisur për ne në trupin që mori për vete, i qe kthyer me anë të kryqit. Shën Gjoni thotë në Ungjillin e tij, kur shtjellon se për cilin ujë foli Shëlbuesi: “Lumenj uji të gjallë do të rrjedhin nga ai që beson. Këtë e tha për Shpirtin, që kishin për ta marrë ata që besojnë në të. Shpirti nuk ishte dhënë ende, sepse ende Jezusi nuk kishte hyrë në lavdi” (Gjn 7, 38-39), dhe e quan lavdi vdekjen në kryq. Për këtë arsye Zoti, ndërsa po lartësonte[p1]  lutje para se ta pësonte kryqin, i lutej Atit që ta lavdëronte me atë lavdi që kishte tek Ai përpara se të ekzistonte bota.

 

   Përgjigjja Krh. Heb 2, 10; Zb 1, 6; Lk 24, 26

 

   C I kishte hije atij, për të cilin e prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. * Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve, aleluja.

   D U desh që Mesia t’i pësojë të gjitha e kështu të hyjë në lavdinë e vet.

   C Atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve, aleluja.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me sakramentet e Pashkëve na e dhe shëlbimin, vazhdoje gjithnjë veprën e hirit tënd: që populli yt ta fitojë lirinë e përsosur dhe t’ia arrijë në qiell gëzimit e që tani na bëj ta sprovojmë me gëzimin e festës së Pashkëve. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.