Shërbesa e leximeve
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MËRKURË
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MËRKURË
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Sa i madh je, o Zot, Hyji im, aleluja!
Psalmi 104 /103/ (1-35) I (1-12)
Bekoje, shpirti im, Zotin! *
O Zot, Hyji im, sa i madh je!
I veshur me madhëri e me bukuri, *
i mbështjellë me dritë porsi me petk!
E ngreh qiellin porsi tendë, *
mbi ujëra ndërton banesat e tua.
Retë i bëre karrocë për vete, *
ecën mbi krahët e erës!
Erërat i bën lajmëtarë të tu, *
zjarrin zhuritës shërbëtorë të tu.
Tokën e vendose mbi qëndrueshmërinë e saj, *
nuk do të lëkundet në shekuj të shekujve.
E mbulove si me petk me ujërat e humnerave, *
majat e maleve i mbulonin ujërat:
Ti u kërcënohesh e ato tërhiqen, *
dridhen nga zëri i bubullimës sate:
ngjiten në male, zbresin në lugina *
drejt vendit që ti u cakton:
u ke vënë cakun që s’guxojnë ta kalojnë, *
që përsëri të mos e mbulojnë tokën.
Burimet ti i kthen në përrenj, *
rrjedhin përmidis malesh;
ato ngijnë ujë të gjitha kafshët e pyllit, *
ua shuajnë etjen gomarëve të egër.
Përskaj tyre banojnë zogjtë e ajrit, *
gem më gem ia thonë këngës së vet.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Sa i madh je, o Zot, Hyji im, aleluja!
Ant. 2 Ti e mbush tokën, me frytet e veprave tua, aleluja.
II (13-23)
Ti i ujit malet nga pallatet e tua, *
toka ngihet me frytet e duarve të tua.
Ti bën të mbijë bar për kafshë, †
bimë të tjera të nevojshme për njeriun, *
për të nxjerrë prej tokës bukën
e verën që gëzon zemrën e njeriut, †
që me vaj ta lyejë fytyrën *
e që buka t’ia kërthndez njeriut zemrën.
Ngihen me ushqim lëndët e Zotit, *
cedrat e Libanit që ai vetë i mbolli.
Në ta trumcakët i ndërtojnë çerdhet, *
lejlekët banesën e bëjnë në majat e tyre.
Malet e larta strehim u japin shutave, *
e shpellat vjedullave banesën.
Për të shënuar stinët ka krijuar Hënën *
edhe Diellin që e njeh perëndimin e vet.
Shtrin errësirën e bëhet natë: *
nëpër të enden egërsirat e pyllit.
Këlyshët e luanit ulërijnë pas presë *
e Hyjit i kërkojnë ushqim për vete.
Kur lind dielli ata tërhiqen *
e struken në strofujt e vet.
Atëherë del njeriu për të vepruar *
për t’i kryer punët deri në mbrëmje.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ti e mbush tokën, me frytet e veprave të tua, aleluja.
Ant. 3 Lavdia e Zotit le të jetë përgjithmonë, aleluja.
III (24-35)
Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua! †
Të gjitha i ke bërë me urti të madhe: *
plot është toka me krijesat e tua.
Ja, këtu deti i madh, i hapët e i gjerë, †
atje zvarranikë saqë numri s’u dihet, *
kafshë të vogla të përziera me të mëdha!
Nëpër të kalojnë anijet, *
Leviatani që ti e krijove për të luajtur me të!
Të gjitha këto presin me shpresë *
që t’u japësh ushqim në kohën e duhur.
Po u dhe ti ato mbledhin, *
kur ti e hap dorën tënde, mbushen me një mijë të mira.
Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen, †
po ua more frymën, ato ngordhin *
dhe kthehen në pluhur përsëri.
Po e dërgove frymën tënde, përsëri përtërihen *
dhe e rinon fytyrën e dheut.
E amshueshme qoftë lavdia e Zotit, *
u gëzoftë Zoti në veprat e veta!
E shikon tokën dhe e bën të dridhet, *
i prek malet e i bën të tymojnë.
Do t’i këndoj Zotit në jetën time, *
do ta lavdëroj Hyjin derisa të jem gjallë.
I pëlqeftë Zotit kënga ime, *
Kënaqësinë time e kam vënë në Zotin!
U zhdukshin mëkatarët nga faqja e dheut †
e keqbërës askurrë më mos pastë mbi tokë! *
Bekoje, shpirti im, Zotin!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdia e Zotit le të jetë përgjithmonë, aleluja.
D Hyji e ngjalli Krishtin Zot, aleluja;
C me fuqinë e vet do të na ringjall edhe ne, aleluja.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 2, 11-25
Të krishterët jetojnë në botë porsi të huaj dhe shtegtarë.
Fort të dashur, ju lutem që, si të huaj dhe si shtegtarë t'u ruheni lakmimeve të mishit dhe të gjakut, të cilat bëjnë luftë kundër shpirtit. Sjellja juaj midis paganëve të jetë shembullore që, shi për ato sende në të cilat ju shpifen si të ishit bakëqij, kur t'i shohin veprat tuaja të mira, t'i japin lavdi Hyjit në Ditën e Ardhjes së tij.
Nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit: qoftë mbretit ‑ porsi sundimtarit më të epër ‑ qoftë edhe qeveritarëve, si të dërguarve të tij për të ndëshkuar keqbërësit e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë. Sepse ky është vullneti i Hyjit: duke bërë mirë t'ia mbyllni gojën padijes së njerëzve të pamend. Porsi njerëz të lirë ‑ por jo si ata që lirinë e kanë porsi mbulesë të veprave të këqija, por si shërbëtorë të Hyjit ‑ nderoni gjithkënd, doni vëllazërinë, doni Hyjin, nderoni mbretin!
Shërbëtorë, nënshtrohuni me plotë frikë zotërinjve tuaj, jo vetëm të mirëve e të butëve, por edhe të mbrapshtëve. Sepse vërtetë është hir, kur ndokush për shkak të ndërgjegjes ‑ për dashuri të Hyjit pëson vështirësi duke vuajtur padrejtësisht. Por, çfarë lumturie veç, në qoftë se të ndëshkuar pse mëkatuat, jeni të durueshëm? Porse, është krejtësisht ndryshe, nëse, duke bërë mirë pësoni dhe me duresë i mbartni të vështirat: kjo është hir para Hyjit. Përnjëmend për këtë edhe qetë thirrur; sepse edhe Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin që edhe ju t'i ndiqni gjurmët e tija:
Ai që mëkat nuk bëri dhe në buzët e tija nuk u gjet gënjim,
Ai që, i fyer, nuk hakmerrej me fyerje dhe, i salvuar, nuk kërcënohej, por ia lëshonte çështjen e vet Atij që gjykon me drejtësi.
Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi: me vërragët e të cilit jeni shëruar.
Ishit po, si delet e tretura, por tani u kthyet te Bariu e Rojsi i shpirtrave tuaj.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 2, 21. 24
C Krishti pësoi për ju duke ju lënë shembullin: * që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija, aleluja.
D Ai në trupin e vet i mori mëkatet tona, që, të vdekur për mëkate, të jetojmë për drejtësi:
C që edhe ju t’i ndiqni gjurmët e tija, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Predikimi i Pashkëve” i një autori të lashtë
(Ligj. 35, 6-9; PL 17 [bot. 1879], 696-697)
Krishti autori i ringjalljes dhe i jetës.
Pali apostull, duke e kujtuar lumturinë për shëlbimin e rifituar, thotë: Sikurse me anë të Adamit vdekja hyri në këtë botë, po ashtu me anë të Krishtit shëlbimi i jepet përsëri botës (krh. Rom 5, 12). Edhe thotë: “Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli” (1 Kor 15, 47). Prapë vazhdon : “Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor”, d.m.th. të njeriut të vjetër në mëkat, “ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor” (1 Kor 15, 49), d.m.th. kemi shëlbimin e njeriut të pranuar, të shpërblyer, të përtërirë e të pastruar në Krishtin. Sipas të njëjtit apostull, më së pari vjen Krishti sepse është autori i ringjalljes së tij dhe i jetës. Pastaj vijnë ata që janë të Krishtit, ata që jetojnë duke ndjekur shembullin e shenjtërisë së tij. Këta e kanë sigurinë e themeluar në ringjalljen e tij dhe do ta trashëgojnë bashkë me të lavdinë e premtimit qiellor, sikurse thotë vetë Zoti në Ungjill: Kush vjen pas meje nuk do të vdesë, por do të kalojë prej vdekjes në jetë (krh. Gjn 5, 24).
Pra, mundimi i Shëlbuesit është jeta e shëlbimi i njeriut. Me këtë qëllim deshi të vdesë për ne: që ne, duke besuar në të, të jetojmë përgjithmonë. Deshi të bëhet në kohë çka jemi ne, që ne, kur të plotësohet në ne premtimi i përsosmërisë të tij, të jetojmë me të përgjithmonë.
Po them se ky është hiri i mistereve qiellore, kjo është dhurata e Pashkëve, kjo është festa e vitit që më fort e dëshirojmë, ky është fillimi i realiteteve jetëdhënëse.
Me anë të këtij misteri, bijtë e lindur në larjen gjallëruese të Kishës së shenjtë, të rilindur në thjeshtësinë e fëmijëve, bëjnë të tingëllojë klithma e pafajësisë së tyre. Për virtyt të Pashkëve, prindërit e krishterë dhe të shenjtë vazhdojnë, në saje të fesë, një pasardhësi të re dhe të panumërueshme.
Në saje të Pashkëve, lulëzon pema e fesë, pagëzimorja bëhet e pëlleshme, nata shndritet me dritë të re, zbret dhurata e qiellit dhe sakramenti e jep ushqimin e tij qiellor.
Në saje të Pashkëve, Kisha pranon në brendësinë e vet të gjithë njerëzit dhe formon prej tyre një popull të vetëm e një familje të vetme.
Adhuruesit e të vetmes natyrë dhe të vetmit gjithëpushtet hyjnorë dhe të emrit të tre Vetave këndojnë me profetin psalmin e festës vjetore: “Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të galdojmë e të gëzojmë në të” (Ps 118 /117/, 24). Po pyes: cila ditë? Ajo që i dha fillim jetës, dhe nisje dritës. Kjo ditë është autorja e shkëlqimit, i cili është vetë Zoti Jezu Krisht. Ai tha për veten: Unë jam dita: kush ecën gjatë ditës nuk i merren këmbët (krh. Gjn 8, 12), domethënë: kush e ndjek Krishtin në gjithçka, duke shkelur në gjurmët e tija, do të arrijë deri në prag të dritës së amshuar. Këtë ai e kërkoi prej Atit kur gjendej ende në këtë botë në trup: O Atë, dua që ku jam unë të jenë edhe ata që kanë besuar në mua: që, sikurse ti je në mua e unë në ty, po ashtu edhe ata të jenë në ne (krh. Gjn 17, 20-21).
Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 47. 49. 48
C Njeriu i parë është nga toka, tokësor; njeriu i dytë nga qielli. * Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor, aleluja.
D Si është njeriu tokësor, të tillë janë edhe tokësorët, si është njeriu qiellor, të tillë janë edhe qiellorët.
C Sikurse kemi qenë në përngjasimin e njeriut tokësor, ashtu do të jemi edhe në përngjasimin e njeriut qiellor, aleluja.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, ti bën që vit për vit ta kremtojmë ngjalljen e Krishtit, bëj që me anën e këtyre festave të përkohshme t’i arrijmë gëzimet që s’kanë mbarim. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.