Shërbesa e leximeve

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E MËRKURË

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Le të thotë shtëpia e Izraelit: e amshuar është dashuria e tij, aleluja.

 

   Psalmi 118 /117/ (1-29) I (1-9)

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thotë tashti Izraeli, se Ai është i mirë, *

   e amshuar është dashuria e tij!

Le të thotë tani shtëpia e Aronit, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Le të thonë tani ata që e druajnë Zotin, *

   e amshuar është dashuria e tij!

 

Në vështirësi e thirra në ndihmë Zotin, *

   Zoti më dëgjoi edhe më shpëtoi.

 

Zoti është me mua, *

   s’druaj se ka ç’më bën njeriu.

Me mua është Zoti, ndihmëtari im, *

   për asgjë i bëj armiqtë e mi.

 

Më mirë është të strehohesh te Zoti *

   se të kesh besim në njerëz.

Më mirë është të strehohesh te Zoti, *

   se të kesh besim në princa.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Le të thotë shtëpia e Izraelit: e amshuar është dashuria e tij, aleluja.

 

Ant. 2 Zoti është shpëtimtari im, aleluja.

 

   II (10-18)

 

Më rrethuan të gjithë paganët, *

   i shfarosa me fuqi të Emrit të Zotit.

Rreth e përqark më rrethuan, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më rrethuan porsi bletët, †

   porsi zjarr që merr flakë ndër ferra, *

   por i shfarosa në fuqi të Emrit të Zotit.

 

Më shtynë, më dhanë shtytje për të më rrëzuar, *

   Por Zoti qe ndihma ime.

Fuqia ime e lavdia ime është Zoti, *

   ai është shpëtimtari im.

 

Ja, britma gëzimi e ngadhënjimi, *

   në tendat e të drejtëve:

 

»E djathta e Zotit u madhërua! †

   E djathta e Zotit më lartësoi! *

   E djathta e Zotit u madhërua!«

 

S’do të vdes, të jetoj dua, *

   do t’i kumtoj veprat e Zotit!

Me ndëshkim të rëndë Zoti më ndëshkoi, *

   por nuk më lëshoi në duar të vdekjes.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti është shpëtimtari im, aleluja.

 

Ant. 3 Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë, aleluja.

 

   III (19-29)

 

M’i hapni dyert e drejtësisë, *

   dua të hyj e t’i thur lavde Zotit.

Ja, këtu është dera e Zotit; *

   nëpër të do të hyjnë të drejtët.

 

Do të të falënderoj, sepse më ke vështruar, *

   dhe u bëre Shpëtimtari im.

 

Guri, që e qitën jashtë përdorimit ndërtuesit, *

   erdhi e u bë guri i këndit;

Zoti e bëri këtë gjë: *

   sa mrekulli për sytë tanë!

 

Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: *

   të galdojmë e të gëzojmë në të!

 

Ma jep, o Zot, shpëtimin tënd, *

   deh, o Zot, jep të mbarën!

 

Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit! *

   Po ju bekojmë nga shtëpia e Zotit.

 

Hyji është Zot, ai na ndriçoi: †

   rendituni të gëzuar në reshtin kremtor *

   me rrema në dorë deri në ballë të altarit!

 

Ti je Hyji im, ty të falënderoj, *

   Ti je Hyji im, unë të madhëroj!

 

Lavdërojeni Zotin, sepse është i mirë, *

   sepse e amshuar është dashuria e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Zoti e bëri këtë gjë: sa mrekulli për sytë tanë, aleluja.

 

   D Për ngjalljen tënde, o Krisht, aleluja

   C gëzohen qielli dhe toka, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 3, 1-17

 

   Të imitosh zemërbutësinë e Krishtit.

 

   Gjithashtu edhe ju, gra, dëgjoni burrat tuaj në mënyrë që, nëse ndoshta disa nuk e dëgjojnë fjalën e Ungjillit, të mund të fitohen pa nevojën e fjalës me anë të sjelljes së mirë të grave të veta, duke vërejtur sjelljen tuaj të pastër e të ndershme. Stolia juaj të mos jetë e jashtme ‑ flokë të gërshetuar, stolisje me ar, veshje petkash luksi ‑ por mundohuni të stolisni zemrën me shpirt bukurie të pakalueshme, të butë e të ëmbël, që është e çmueshme para Hyjit. Sepse kështu dikur u stolisën gratë e shenjta që shpresonin në Hyjin. Ato i dëgjonin burrat e vet. Sara aq iu bind Abrahamit sa që e quante »zotëri«. Jeni bijat e saja në qoftë se veproni mirë pa u trazuar nga asnjë frikë.

   Kështu, edhe ju burra, jetoni në mënyrë të njerëzishme me gratë tuaja duke pasur para sysh natyrën më delikate të femrës; kini nderim për to, sepse edhe ato bashkë me ju, do ta trashëgojnë hirin e Jetës, në mënyrë që të mos pengohen uratat tuaja.

   Më në fund, jini të gjithë një mendimi, të dhimbshëm, plot dashuri vëllazërore, të mëshirshëm, të përvujtë. Mos e ktheni të keqen me të keqe as fyerjen me fyerje! Por përkundrazi, bekoni, sepse për këtë edhe u grishët: që të trashëgoni bekimin.

   E njëmend: »Kush do ta dojë jetën dhe të shohë ditë të mira, le ta ruajë gjuhën nga e keqja dhe buzët nga fjalët gënjyese, t'i ikë të keqes e të bëjë të mirën, ta kërkojë paqen e të shkojë mbas saj.«

   Sepse: »Sytë e Zotit priren mbi të drejtët dhe veshët e tij dëgjojnë me vëmendje lutjet e tyre, kurse fytyra e Zotit sillet kundër atyre që bëjnë të keqen.«

   Kush do t'ju bëjë keq nëse do të jeni të zellshëm të bëni të mirën? por, edhe nëse ndoshta do t'ju duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju! Frikësimin e tyre aspak mos e droni as mos u trazoni, veçse adhuroni me shenjtëri në zemrat tuaja Krishtin Zot! Jini gjithmonë të gatshëm t'i jepni përgjigje gjithsecilit që prej jush kërkon arsyen e shpresës që është në ju, por me butësi dhe nderim të duhur, me ndërgjegje të mirë, në mënyrë që ata, që flasin keq për jetën tuaj në Krishtin, shi në atë pikë, në të cilën juve ju shpifen, të mbesin të turpëruar. Përnjëmend është më mirë të hiqni keq ‑ nëse është vullneti i Hyjit ‑ duke bërë mirë se duke bërë keq.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 6, 22. 23; 1 Pjt 3, 14

 

   C Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë, kur do ta çmojnë emrin tuaj për të pandershëm për shkak të Birit të njeriut. Atë ditë gëzohuni dhe kërceni: * sepse ju pret shpërblim i madh në qiell, aleluja!

   D Nëse do t’ju duhet të vuani për shkak të drejtësisë, të lumët ju.

   C sepse ju pret shpërblim i madh në qiell, aleluja!

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Katekezat” e Jerusalemit

   (Kat 20, mistagogjike, 2, 4-6; PG 33 1079-1082)

 

   Pagëzimi: shenjë e mundimit të Krishtit.

 

   Na çuan tek burimi i shenjtë, në pagëzim hyjnor, sikurse Krishtin prej kryqit e çuan në varr.

   Çdokush qe pyetur a besonte në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit Shenjt; duke e dëshmuar fenë shëlbimprurëse dhe tri herë qetë zhytur në ujë dhe tri herë dolët nga uji, e me këtë rit e shprehët një shëmbëllesë e një simbol. E shfaqët varrosjen treditëshe të Krishti.

   Shëlbuesi ynë kaloi tri ditë e tri net në brendësinë e tokës. Në zhytjen e parë, e keni simbolizuar ditën e parë të kaluar nga Krishti nën tokë. Në kredhjen natën. Kush është në ditë gjendet në dritë, ndërsa kush kridhet në natë nuk sheh asgjë. Kështu ju në kredhje, pothuajse të mbështjellë nga nata, nuk patë asgjë. Kurse në zhytje u gjetët porsi në ditë.

   Në të njëjtën kohë vdiqët e lindët dhe e njëjta valë shëlbimprurëse u bë për ju qoftë varr qoftë nënë.

   Çka Salomoni tha në lidhje me gjëra të tjera, plotësisht ju përshtaten juve: “Ka një kohë për të lindur e një kohë për të vdekur” (Ksh 3, 2), veçse për ju koha për të vdekur qe koha për të lindur. Një e vetmja kohë i shkaktoi të dyja gjërat, dhe vdekja ndodhi njëkohësisht me lindjen tuaj.

   O gjini e re dhe e paparë sendesh! Nga ana e realiteteve fizike, ne as s’vdiqëm, as s’qemë varrosur, as s’qemë kryqëzuar dhe as s’u ringjallëm. Por i paraqitëm këto gjëra në sferë sakramentale dhe kështu realisht nga ato buroi për ne shëlbimi.

   Ndërsa Krishti që përnjëmend kryqëzuar dhe qe varrosur përnjëmend dhe përnjëmend u ngjall, edhe në sferën fizike, të gjitha këto qenë për ne dhuratë hiri. Pasi jemi bërë pjesëtarë në mundimin e tij me anë të shenjave sakramentale, mund ta fitojmë realisht shëlbimin.

   O dashuri e tepruar për njerëzit! Krishtit i dhanë gozhdët në këmbët e në duart e pafajshme dhe e pësoi mundimin, dhe mua, që nuk pësova as mundim, as lodhje, ai ma jep falas shëlbimin me anë të dhuratës së mundimit të tij.

   Askush të mos kujtojë se pagëzimi qëndron vetëm në faljen e mëkateve dhe në hirin e adoptimit, sikurse pagëzimi i Gjonit realizonte vetëm faljen e mëkateve. Ndërkaq ne e dimë se pagëzimi mund të lirojë nga mëkatet dhe ta fitojë dhuratën e Shpirtit Shenjt, ashtu është edhe shëmbëllesë dhe shprehje e Mundimit të Krishtit. Për këtë arsye Pali thotë: “Po a nuk e dini se të gjithë sa jemi pagëzuar në Jezu Krishtin, jemi pagëzuar në vdekjen e tij? Me anë të pagëzimit, pra, bashkë me të jemi varrosur në vdekje” (Rom 6, 3-4).

 

   Përgjigjja Krh. Zb 7, 9

 

   C Porsi qengja sapo të lindur bëjnë të jehojë kënga: Aleluja! Erdhën te burimi i jetës, * të mbështjellë nga një dritë e re, aleluja.

   D Qëndrojnë para Qengjit, të veshur me petka të bardha e me palma në dorë,

   C Të mbështjellë nga një dritë e re, aleluja.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti që bashkove kaq shumë popuj të ndryshëm në të njëjtën fe për të lavdëruar emrin tënd: bëj që të gjithë të pagëzuarit të kenë të njëjtin besim e në veprimtari të kenë për parim dashurinë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.