Shërbesa e leximeve
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E premte
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Falënderojeni Zotin: vetëm ai bëri mrekulli, aleluja.
Psalmi 136 /135/ (1-26) I (1-9)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Hyjin e hyjnive, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdëroni Zotin e zotave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i vetmi bëri mrekulli të mëdha, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dije të madhe Ai e krijoi qiellin, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e forcoi tokën mbi ujëra, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i krijoi dritëdhënësit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Diellin që ta sundojë ditën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Hënën dhe yjet që ta sundojnë natën, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Falënderojeni Zotin: vetëm ai bëri mrekulli, aleluja.
Ant. 2 Ai e nxori popullin e vet nga Egjipti: e amshuar është dashuria e tij, aleluja.
II (10-15)
Ai e goditi Egjiptin në të parëlindurit e tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e nxori Izraelin nga mesi i tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Me dorë të fortë e me krah të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai e ndau dysh Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E kaloi Izraelin për mjedis të tij, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
E plandosi faraonin e ushtrinë e tij në Detin e Kuq, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Ai e nxori popullin e vet nga Egjipti: e amshuar është dashuria e tij, aleluja.
Ant. 3 Ti na lirove, o Zot, prej shtypësve tanë, aleluja.
II (10-15)
E udhëhoqi popullin e vet nëpër shkretëtirë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai i goditi mbretërit e mëdhenj, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Vrau mbretër të fuqishëm, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Sehonin, mbretin e amorrenjve, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Edhe Ogun, mbretin e Basanit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Dhe i dhuroi tokën, pronën e tyre, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
për trashëgim Izraelit, popullit të vet, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na kujtoi në përvujtërimin tonë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai na shpëtoi nga armiqtë tanë, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Ai u jep ushqim të gjitha gjallesave, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdërojeni Perëndinë e qiellit, *
sepse e amshueshme është dashuria e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti na lirove, o Zot, prej shtypësve tanë, aleluja.
D Zoti na rilindi në një shpresë të gjallë, aleluja,
C në Krishtin që u ringjall prej të vdekurve, aleluja.
Leximi i parë
Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 3, 18 - 4, 11
Pritja e ardhjes së Krishtit në lavdinë e ringjalljes.
Fort të dashur, njëmend edhe Krishti një herë vdiq për mëkate (tona), i Drejti për të padrejtët që t'ju shpinte te Hyji ‑ njëmend i vrarë në trup, por i ngjallur me anë të Shpirtit.
Në të edhe shkoi t'u predikojë shpirtrave në burg, që nuk u bindën dikur, kur duresa e Hyjit priste gjatë, në kohën e Noehit ndërsa po ndërtohej arka, në të cilën pak vetë ‑ vetëm tetë frymë ‑ shpëtuan me ujë.
Ky ujë ‑ shëmbëllesë e pagëzimit që tani ju shëlbon: ky nuk është pastrim ndyrësie të trupit, por uratë e drejtuar Hyjit ‑ për ndërgjegje të pastër, nëpër ngjalljen e Jezu Krishtit,
që, i ngritur në qiell, rri në të djathtën e Hyjit pasi i nënshtroi Engjëjt, Pushtetet dhe Fuqitë.
Këndej, pasi Krishti pësoi në trup, edhe ju armatosuni me të njëjtën bindje: kush ka vuajtur në trup është ndarë plotësisht nga mëkati ‑ që ta kaloni këtë pjesë të jetës tokësore që ju mbetet, jo më sipas parimeve të prirjeve njerëzore, por sipas vullnetit të Hyjit. Sepse, është mjaft që në kohën e shkuar e kryet vullnetin e paganëve duke jetuar në fëlligështi, në dëshirime të prujta, në zdërhallje, në pije, në punë të pahijshme, në adhurim të palejueshëm të idhujve. Prandaj ata edhe çuditen për ju pse nuk vraponi bashkë me ta në të njëjtin det poshtërsish dhe flasin keq për ju. Ata do t'i japin llogari Atij që është gati të gjykojë të gjallët e të vdekurit. Për këtë arsye u predikua Ungjilli edhe atyre që vdiqën që të gjykohen sipas njerëzve në trup ‑ e të jetojnë sipas Hyjit në shpirt.
Për çdo gjë u afrua mbarimi! Zgjohuni, pra, dhe jini të përkormë që t'i kushtoheni uratës! Para të gjithash kini dashuri të vazhdueshme për njëri‑tjetrin, sepse:
»Dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.«
Jini mikpritës pa murmurime kundrejt shoqi‑shoqit. Shërbeni njëri‑tjetrit, secili sipas dhuratës që keni marrë: si mbarështues të mirë të hirit të shumëllojshëm të Hyjit. Kush flet, le të flasë për të shpallur fjalën e Hyjit. Nëse ndokush ka dhuratën e shërimit, le ta bëjë me atë fuqi që i jep Hyji, që në gjithçka t'i jepet lavdi Hyjit nëpër Jezu Krishtin, të cilit i qoftë lavdi e pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 3, 18. 22
C Krishti një herë vdiq për mëkatet, i Drejti për të padrejtët që t’ju shpinte te Hyji; * i vrarë në trup, po i ngjallur me anë të Shpirtit, aleluja.
D Ai rri në të djathtën e Hyjit: ai e mposhti vdekjen dhe na bëri trashëgimtarë të jetës së amshuar;
C i vrarë në trup, po i ngjallur me anë të Shpirtit, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Katekezat” e Jerusalemit
(Kat. 21, mistagogjike 3, 1-3; PG 33, 1087-1091).
Lyerja e Shpirtit Shenjt.
Të pagëzuar në Krishtin dhe të veshur me Krishtin, e morët një natyrë të ngjashme me atë të Birit të Hyjit. Hyji, i cili na paracaktoi të jemi bij të tij të adoptimit, na bëri të ngjashëm me trupin e lavdishëm të Krishtit.
Pasi keni pjesë në Krishtin, nuk është pa arsye që të quheni “Krishta” domethënë “të shuguruar”, dhe shi për këtë për ju Hyji tha: “Mos i prekni të shuguruarit e mi!” (Ps 106 /105/, 15).
Jeni bërë “të shuguruarit” atëherë kur ju qe dhënë shenja e Shpirtit Shenjt. Gjithçka ndodhi për ju në mënyrë simbolike, pasi jeni shëmbëllesën e Krishtit. Ai, i pagëzuar në lumin Jordan, pasi i mbushi ujërat me erën e këndshme të hyjnisë së vet, doli prej tyre dhe mbi të zbriti i njëjti Shpirti Shenjt: i Barabarti pushoi mbi të Barabartin.
Edhe ju, pasi dolët nga ujërat e shenjta, qetë lyer me vaj, realiteti i të cilit është në atë që e leu Krishtin: Shpirti Shenjt.
Për të edhe Isaia i lum, duke folur në vend të Hyjit, në një profeci thotë: “Shpirti i Zotit është mbi mua, sepse Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvuajturve lajmin e gëzueshëm” (Is 61, 1).
Krishti nuk qe lyer prej njerëzve me vaj ose me ndonjë lyerje materiale, por Ati e leu me Shpirtin Shenjt dhe e paracaktoi Shëlbues për mbarë botën, sikurse thotë Pjetri: “Hyji Jezusin prej Nazaretit, e shuguroi me Shpirtin Shenjt” (Vap 10, 38). Dhe Davidi profet thotë: “Froni yt, o Hyj, në shekuj të shekujve; skeptër drejtësie skeptri i mbretërisë sate! Ti e do drejtësinë, ti e urren padrejtësinë, prandaj të shuguroi Hyji, Hyji yt, me vaj gëzimi si çmoskëndin ndër shokët e tu” (Ps 46 /45/, 7-8).
Ai qe lyer me vaj shpirtëror gëzimi, d.m.th. me Shpirtin Shenjt, i cili quhet vaj gëzimi sepse është autori i gëzimit shpirtëror. Ndërsa ju qetë lyer me vaj, duke u bërë kështu pjesëtarë të Krishtit dhe të bashkuar me të.
Ruajuni që të mos kujtoni se ky vaj është një ilaç i thjeshtë e i rëndomtë. E shenjtë është kjo lyerje dhe jo më vetëm vaj i thjeshtë. Pas shugurimit nuk është më vaj i rëndomtë, por dhuratë e Krishtit dhe e Shpirtit Shenjt. Është bërë veprues në saje të pranisë së tij hyjnore, dhe me të lyhet balli yt dhe shqisat e tua me vlerë sakramentale. Kështu që, ndërsa trupi lyhet me ilaç të dukshëm, shpirti shenjtërohet nga Shpirti Shenjt gjallërues.
Përgjigjja Krh. Ef 1, 13-14; 2 Kor 1, 21-22
C Ju, mbasi besuat në Krishtin, u vulosët me Shpirtin Shenjt të premtuar, që është pengu i trashëgimit tonë: për shpërblimin e plotë të atyre që u bënë pronë e Hyjit, * në nder të lavdisë së tij, aleluja.
D Hyji na shuguroi me vaj të shenjtë, na vulosi dhe na e dha në zemrat tona pengun: Shpirtin Shenjt,
C në nder të lavdisë së tij, aleluja.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, i gjithëpushtetshëm dhe i amshueshëm, ti ua dhurove njerëzve sakramentet e Pashkëve për t’i vendosur në besëlidhjen tënde; na ndihmo ta dëshmojmë me jetë misterin që e kremtojmë me fe. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.