Shërbesa e leximeve

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E shtunë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e leximeve fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Zoti është i madh e i lavdërueshëm, e pashqyrtueshme është madhëria e tij, aleluja.

 

   Psalmi 145 /144/ (1-21) I (1-9)

 

Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *

   dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetës.

Çdo ditë do të të bekoj *

   dhe do ta lavdëroj Emrin tënd

   përgjithmonë e jetë.

 

Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *

   e pashqyrtueshme është madhëria e tij!

 

Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *

   dhe do ta shpallin pushtetin tënd.

Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *

   do t’i tregojnë mrekullitë e tua.

 

Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *

   do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.

Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *

   do t’i brohorisin drejtësisë sate.

 

Zoti është vetë butësia e mëshira, *

   i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë, *

   i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Zoti është i madh e i lavdërueshëm, e pashqyrtueshme është madhëria e tij, aleluja.

 

Ant. 2 Zoti e bëri të njohur lavdinë e tij, shkëlqimin e mbretërisë së tij, aleluja.

 

   II (10-13)

 

Le të të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *

   e le të të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *

   le të kuvendin për pushtetin tënd,

 

për t’ua shpallur njerëzve gjithëpushtetësinë tënde *

   dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *

   pushteti yt prej breznie në brezni.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti e bëri të njohur lavdinë e tij, shkëlqimin e mbretërisë së tij, aleluja.

 

Ant. 3 Çdo njeri le ta bekojë emrin e tij të shenjtë.

 

   III (14-21)

 

Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *

   i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *

   i çon ata që rrëzohen.

 

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *

   ti u jep ushqim në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde *

   dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

 

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *

   dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *

   të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

 

E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *

   ua dëgjon britmën dhe i shpëton.

Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *

   kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.

 

Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †

   çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *

   përgjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Çdo njeri le ta bekojë emrin e tij të shenjtë.

 

   D Hyji e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, aleluja,

   C që në të të jetë feja dhe shpresa jonë, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej letrës së parë të shën Pjetrit apostull 4, 12 - 5, 14

 

   Nxitja për pleqë dhe për të rinj.

 

   Fort të dashur! Mos iu çuditni zjarrit të salvimit që është ndezur në mesin tuaj për t'ju vënë në provë, thua se po ju ndodhë diçka e jashtëzakonshme, por, përkundrazi, gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare. Të lumët ju në qoftë se ju fyejnë për shkak të Emrit të Krishtit, sepse Shpirti i Lavdisë, i Hyjit, pushon në ju. Por vejani mendjen që asnjë ndër ju të mos vuajë o si vrastar, o si vjedhës, o si bakeq ose edhe vetëm si njeri që përzihet në punë të huaja; por, nëse vuan si i krishterë, kurrsesi të mos ketë turp, por ta lavdërojë Hyjin për shkak të këtij Emri. Sepse, arriti dita të fillojë gjyqi nga shtëpia e Hyjit. E, nëse më së pari fillon prej nesh, po si do të jetë atëherë mbarimi i atyre që nuk i binden Ungjillit të Hyjit?

   »Në qoftë se i drejti mezi shëlbohet, po çka do të ndodhë me të mbrapshtin e me mëkatarin?«

   Këndej, edhe ata që pësojnë sipas vullnetit të Hyjit me vepra të mira le t'ia porosisin shpirtrat e vet Krijuesit besnik.

   Eprorëve, pra, që janë ndër ju u sjell vërejtje unë, epror edhe vetë bashkë me ta dhe dëshmitar i mundimeve të Krishtit edhe pjesëtar i Lavdisë që do të zbulohet:

   Ruani grigjën e Hyjit që ju është lënë në kujdes, mbikëqyrni jo përdhunë, por vullnetarisht, si do Hyji; jo për hir të fitimit të ndytë, por me shpirt gatishmërie, jo si zotërues mbi ata që ju janë besuar, por si shembull i grigjës. E kur të shfaqet Kryebariu, do ta merrni kurorën e lavdisë, që kurrë nuk vyshket.

   Gjithashtu edhe ju të rinjtë, dëgjoni eprorët. Dhe të gjithë së bashku, në marrëdhënie njëri me tjetrin, vishuni me përvujtëri, sepse: »Hyji u kundërshton madhështorëve, kurse të përvujtëve u jep hirin.«

   Përkuluni, pra, nën të pushtetshëm dorën e Hyjit, që në kohën e duhur t'ju lartësojë. Lëshoni në dorën e tij të gjitha kujdeset tuaja, sepse Ai kujdeset për ju!

   Jini të përkormë dhe rrini zgjuar! Armiku juaj, djalli, porsi luan ulëritës, endet këndej dhe andej duke kërkuar (kë) të përpijë. Të fortë në fe kundërshtoni duke e ditur se po të njëjtat vuajtje i pësojnë vëllezërit tuaj në fe të shpërndarë nëpër botë.

   Hyji, burimi i çdo hiri, i cili ju grishi në lumturinë e vet të amshuar në Jezu Krishtin, Ai, mbasi të vuani për pak kohë, do t'ju përsosë, do t'ju përforcojë, do t'ju japë fuqi dhe do t'ju bëjë të patrandshëm.

   Ai sundoftë në shekuj të shekujve. Amen!

   Po ju shkruaj shkurtimisht me ndihmën e Silvanit, të cilin e çmoj vëlla besnik, që t'ju përkujtoj dhe t'ju dëshmoj se ky është hiri i vërtetë i Hyjit. Qëndroni në të!

   Ju bën të fala Kisha e të zgjedhurve që është në Babiloni, si edhe im bir, Marku.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Pjt 4, 13; Lk 6, 22

 

   C Gëzohuni si pjesëtarë të mundimeve të Krishtit: * që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare, aleluja.

   D Të lumët ju kur njerëzit do t’ju urrejnë për shkak të Birit të njeriut:

   C që edhe në Ditën e Zbulesës së lavdisë së tij të mund të galdoni me hare, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Katekezat” e Jerusalemit

   (Krat. 22, mistagogjike 4, 1. 3-6. 9; PG 33, 1098-1106)

 

   Buka e qiellit dhe pija e shëlbimit.

 

   “Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: Merrni dhe hani, ky është trupi im. Bëni këtë në përkujtimin tim. Dhe pasi mori kelkun, u falënderua dhe tha: Merrni dhe pini, ky është gjaku im” (krh. 1 Kor 11, 23-25). Meqenëse ai shpalli dhe tha për bukën: “Ky është trupi im”, kush do të guxojë të dyshojë? Dhe pasi pohoi dhe tha: “Ky është gjaku im”, a vallë do të dyshojë kush? A do të thotë kush se nuk është gjaku i tij?

   Pra, t’i pranojmë me siguri të plotë si trup dhe gjak të Krishtit. Në shenjën e bukës të jepet trupi dhe në shenjën e verës të jepet gjaku, që ti, duke pranuar trupin dhe gjakun e Krishtit të bëhesh i një trupi dhe i një gjaku me Krishtin. Pasi e pranuam në ne trupin dhe gjakun e tij, shndërrohemi në mbartës të Krishtit, madje, sipas shën Pjetrit, bëhemi pjesëtarë në natyrën hyjnore. Një ditë Krishti, duke u rragatur me judenjtë, tha: Nëse nuk e hani mishin tim e nuk e pini gjakun tim nuk do të keni jetë në vetvete (krh. Gjn 6, 53). Dhe pasi ata nuk i kuptuan këto fjalë me domethënien e drejtë shpirtërore, u larguan të shkandulluar, duke kujtuar se i nxiste të hanin mishin.

   Edhe në paktin e lashtë ishin bukët e kushtimit, por pasi i përkisnin Besëlidhjes së Vjetër, morën fund. Në Besëlidhjen e Re është një bukë qiellore e një pije shëlbimi, që shenjtërojnë shpirtin dhe trupin. Sikurse buka i bën mirë trupit, po ashtu Fjala i sjell dobi të madhe shpirtit.

   Pra, mos i shiko bukën dhe verën eukaristike sikur të ishin elemente të thjeshta e të rëndomta. Janë trupi dhe gjaku i Krishtit, sipas Fjalës së Zotit. Edhe pse shqisat të bëjnë të dyshosh, feja duhet të të bëjë të sigurt e të bindur.

   I mësuar mirë rreth këtyre gjërave dhe i frymëzuar nga një fe e sigurt, beson se çka duket bukë për nga shija, bukë s’është, por është trupi i Krishtit; beson se çka duket verë për nga shija, verë s’është, por është gjaku i Krishtit. Për këto realitete hyjnore, që moti, Davidi thoshte në psalme: “Buka ia fuqizon njeriut zemrën dhe vaji bën që t’i shndrisë fytyra” (krh. Ps 105 /104/, 15). Pra, forcoje shpirtin tënd duke marrë atë bukë porsi bukë shpirtërore, dhe bëj të shkëlqejë fytyra e shpirtit tënd.

   Dashtë Zoti që, me fytyrë të shndritur nga një ndërgjegje e pastër, ta soditësh lavdinë e Zotit porsi në një pasqyrë dhe të ecësh nga lavdia në lavdi në Krishtin Jezus, Zotin tonë. Atij i qoftë nder, pushtet dhe lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

 

   Përgjigjja Krh. Lk 22, 19; Dal 12, 26. 27

 

   C Jezusi mori bukën, u falënderua, e theu, ua dha dhe tha: Ky është trupi im që flijohet për ju, * bëni këtë në përkujtimin tim, aleluja.

   D Kur fëmijët tuaj t’ju pyesin: ‘Ç’vështrim ka ky rit’, u thoni: ‘Është flija e Pashkëve në nder të Zotit’,

   C bëni këtë në përkujtimin tim, aleluja.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti me mirësinë tënde të pakufishme vazhdimisht e shton numrin e popujve që besojnë në ty, priri sytë mbi të zgjedhurit e tu që fituan jetën e re me sakramentin e pagëzimit: veshi me petkun e bardhë të pavdekësisë. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.