Shërbesa e leximeve
E diela e dytë e Pashkëve - Mëshira Hyjnore
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
E diela e dytë e Pashkëve - Mëshira Hyjnore
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e leximeve fillon me Ftesë.
Himni
Kjo është dita e saktë e Hyjit,
e qetë e me dritë të lume,
ku gjaku i shenjtë i lau
kobet e turpshme të botës.
Besën ua kthen të humburve,
me pamje shndrit të verbëtit;
duke e falur n’kryq hajdutin
pa frikë të rëndë e zgjidhi.
Kjo punë çudit edhe engjëjt,
që shohin dënimin e trupit
fajtori ngjitur Krishtit
fiton jetën e lumtur.
Mister i mrekullueshëm,
që i lan botës murtajën,
të gjithëve u fal mëkatet,
mish që i shlyen veset e mishit.
Ku ka më të lartë se këtë,
që faji të kërkojë hirin,
dashuria të zgjidhë frikën
jetë të re të kthejë vdekja?
Jezus, ti qofsh për gjithë shpirtrat
gëzimi përjetë i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Unë jam ai që jam, e zemra ime nuk është me të paudhët: vullneti im është që të bëhet ligji i Zotit, aleluja.
Psalmi 1 (1-6)
Lum njeriu që nuk i ndjek këshillat e keqbërësve, †
që nuk qëndron në udhën e mëkatarëve *
e nuk rri së bashku me përqeshës,
por kënaqet në Ligjin e Zotit *
dhe e kujton atë ditë e natë.
Ai është porsi pema e mbjellë në bregun e ujit që rrjedh, *
e cila frytin e vet e jep në stinë
dhe gjethet kurrë s’i vyshken: *
i ecën mbarë gjithçka të ndërmarrë.
Jo, kështu jo, s’do t’u ndodhë të paudhëve, *
por ata janë porsi byku që shpërndan era.
Prandaj të paudhët s’do t’i bëjnë ballë gjyqit *
as mëkatarët bashkimit të të drejtëve!
Sepse Zoti e di udhën e të drejtëve, *
kurse udha e keqbërësve do të mbarojë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Unë jam ai që jam, e zemra ime nuk është me të paudhët: vullneti im është që të bëhet ligji i Zotit, aleluja.
Ant. 2 E thirra Atin tim: ai më bëri trashëgimtar të mbarë kombeve, aleluja.
Psalmi 2 (1-12)
Përse paganët çohen peshë *
e përse popujt bluajnë punë të kota?
Mbretërit e tokës po ngrihen, *
princat me përbetim çohen kundër Zotit e Mesisë së tij:
»Le t’i këputim vargjet e tyre, *
le ta flakim prej nesh zgjedhën e tyre!«
Qeshet Ai që selinë e ka në qiell, *
i Larti Zot i përqesh ata!
Pastaj u thotë në hidhërimin e vet, *
me felgrimin e hidhërimit të vet i huton:
»Unë e kam shuguruar mbretin tim *
mbi Sion, malin tim të shenjtë!«
Unë do ta shpall vendimin e Zotit. †
Ai më tha: »Ti je im Bir, *
unë sot të linda!
M’i kërko e unë për pronë do të t’i jap popujt, *
nën sundimin tënd gjithçka përfshin toka.
Sundo mbi ta me skeptër hekuri *
dhe do t’i thyesh porsi vegsha vorbëtari!«
E tani pra, merrni vesh, o mbretër, *
mësoni ju që gjykoni dheun!
Shërbeni Zotit me frikë të madhe, *
nënshtrohuni Atij me nderim e dridhje,
bëni siç kërkon Ai që të mos hidhërohet *
e të sharroni nga udha.
Papritmas flakë i ndizet zemërimi. *
Lum zemra e atyre që shpresojnë në Të!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 E thirra Atin tim: ai më bëri trashëgimtar të mbarë kombeve, aleluja.
Ant. 3 Flija në gjumin e vdekjes, dhe u zgjova: Zoti më mori afër vetes, aleluja.
Psalmi 3 (2-9)
Sa shumë janë, o Zot, asi që më salvojnë! *
Sa shumë asi që po më çohen kundër!
Shumë janë asi që thonë për mua: *
»As Hyji më nuk do ta shpëtojë!«
Por ti, o Zot, je mbrojtësi im, *
nderi im që lart ma mban kryet!
Zërin tim e lartësoj te Zoti *
dhe më vështron prej malit të vet të shenjtë.
Unë bie në shtrojë e fle *
e prapë zgjohem: sepse Zoti më ruan.
Jo, nuk i druaj njerëzit, edhe me mijëra në qofshin, †
që përqark më rrethojnë porsi armiq. *
Ngrihu, o Zot, më shpëto, o Hyji im!
Shputë ua pëlcet turinjve armiqve të mi, *
dhëmbët ua thyen mëkatarëve!
Shpëtimi vjen prej Zotit: *
bekimi yt mbi popullin tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Flija në gjumin e vdekjes, dhe u zgjova: Zoti më mori afër vetes, aleluja.
D Nxënësit e panë Zotërinë, aleluja,
C dhe ishin të mbushur me gëzim, aleluja.
Leximi i parë
Prej letrës së shën Palit apostull drejtuar Kolosianëve 3, 1-17
Jeta e re në Krishtin.
Vëllezër, nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë! Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. E kur të duket Krishti ‑ Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me Të do të shfaqeni plot lavdi.
Bëni, pra, të vdesin gjymtyrët tuaja, ato tokësoret: fëlligështia, papastria, epshet, dëshirat e këqija, lakmimi i tepruar i pasurisë ‑ ajo idhujtari ‑ për shkak të tyre vjen hidhërimi i Hyjit [mbi ata që nuk dëgjojnë]. Po, dikur edhe ju ecët kësaj udhe, kur jetuat në këto vese. Por tani edhe ju flakni larg të gjitha këto: hidhërimin, zemërimin, të keqen, blasfeminë; goja juaj të mos përdorë fjalë të ndyta! Mos rreni njëri‑tjetrin!
Ju e zhveshët njeriun e vjetër me veprat e tija dhe veshët njeriun e ri që përtërihet në njohurinë e drejtë në përngjasim të Krijuesit të vet. Aty nuk ka më:
grek ‑ hebre, rrethprerje ‑ parrethprerje, barbar ‑ skit, skllav ‑ të lirë, por Krishti është gjithçka dhe në të gjithë.
Vishuni, pra, mbasi jeni të zgjedhurit e Hyjit, shenjtër e të dashur me zemër të dhimbshme, me mirësi, me përvujtëri, me butësi, me duresë. Duroni njëri‑tjetrin dhe falni njëri‑tjetrin në qoftë se ndokush ka ndonjë ankim kundër tjetrit. Sikurse Zoti ju fali ju, po ashtu bëni edhe ju! E mandej, përmbi të gjitha vishuni me dashurinë! Ajo i mban së bashku të gjitha virtytet. Paqja e Krishtit mbretëroftë në zemrat tuaja ‑ në të cilën edhe jeni të grishur të jeni të gjithë një Trup i vetëm. Dhe jini mirënjohës!
Fjala e Krishtit banoftë në ju me tërë begatinë e vet! Mësoni çdo dije dhe këshilloni njëri‑tjetrin me plot urti! Këndoni lavde Hyjit me gjithë zemër psalme, himne dhe këngë të përshpirtshme! Çkado që të thoni dhe të bëni, le të jetë në nder të Emrit të Jezusit Zot, duke iu falënderuar me anë të Tij Hyjit Atë.
Përgjigjja Krh. Kol 3, 1. 2. 3
C Nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! * Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi kokë, aleluja.
D Ju vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur më Krishtin në Hyjin.
C Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv
(Ligj. 8 në tetëditëshin e Pashkëve 1, 4; PL 46, 838. 841)
Krijesë e re në Krishtin.
Juve jua drejtoj fjalën time, foshnja sapo të lindura, fëmijë në Krishtin, pasardhësi e re e Kishës, hirësi e Atit, pjellori e Nënës, pinjoll i shenjtë, luzmë e re, lulja e nderit tonë dhe fryti i lodhjes sonë, gëzimi im dhe kurora ime, të gjithë juve që jeni të qëndrueshëm në Zotin.
Juve po ju drejtohem me fjalët e apostullit: “Vishuni me Jezu Krishtin Zot dhe mos e ndiqni mishin në dëshirat e tija” (krh. Rom 13, 14), që të visheni edhe në jetë me atë me të cilin jeni veshur me anë të sakramentit. “Gjithsa jeni pagëzuar në Krishtin, me Krishtin jeni veshur. Nuk ka më: hebre - grek! Nuk ka më: skllav - i lirë! Nuk ka më: mashkull-femër! Të gjithë ju jeni një në Krishtin Jezus” (Gal 3, 27-28).
Pikërisht në këtë gjë qëndron fuqia e sakramentit. Është sakramenti i jetës së re, e cila fillon në këtë kohë me shlyerjen e të gjitha mëkateve, dhe do ta ketë përmbushjen e vet në ringjalljen e të vdekurve. Keni qenë varrosur së bashku me Krishtin në vdekje me anë të pagëzimit, që, sikurse Krishti u ngjall nga të vdekurit, edhe ju të mund të ecni në një jetë të re. (Krh. Rom 6, 4).
Tani po udhëtoni në fe, për krejt kohën në të cilën, duke banuar në këtë trup të vdekshëm, jeni porsi shtegtarë larg prej Zotit. Udha juaj e sigurt kah prireni u bë ai, domethënë vetë Jezu Krishti, i cili u denjua të bëhet njeri për ju. Për ata që e druajnë ka bërë gati visare lumturie, që do të zbrazë me begati mbi ata që shpresojnë në të, atëherë kur do t’u jepet në realitet çka tani kanë pranuar në shpresë.
Sot është dita e tetë e lindjes suaj, sot shenja e fesë gjen në ju plotësimin e saj, ajo shenjë që, te patriarkët e lashtë, shfaqej me rrethprerjen, tetë ditë pas lindjes në botë. Pra, edhe Zoti e vendos vulën e vet në ditën e vet, që është e treta pas mundimit. Por në ciklin javor është e teta pas së shtatës, domethënë pas së shtunës, dhe e para e javës. Krishti, duke e kaluar trupin e vet prej vdekësisë në pavdekësinë, e shënoi ditën e vet me vulën e ringjalljes.
Ju jeni pjesëtarë të të njëjtit mister, ende jo në realitet të plotë, por në shpresë të sigurt, pasi e keni një peng të sigurt: Shpirtin Shenjt. “Nëse u ngjallët bashkë me Krishtin, kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit! Dëshironi gjërat që janë lart e jo këto përmbi tokë. Sepse vdiqët dhe jeta juaj është e fshehur me Krishtin në Hyjin. E kur të duket Krishti - Jeta juaj - atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni plot lavdi” (Kol 3, 1-4).
Përgjigjja Krh. Kol 3, 3-4; Rom 6, 11
C Vdiqët dhe jeta juaj është fshehur me Krishtin në Hyjin. * Kur të duket Krishti, Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni plot lavdi, aleluja.
D Mbani veten se jeni të vdekur për nga mëkati e të gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin!
C Kur të duket Krishti, Jeta juaj, atëherë edhe ju bashkë me të do të shfaqeni plot lavdi, aleluja.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj i mëshirës së pakufi, ti e ringjall fenë e popullit tënd të shenjtë me kremtimin e përvjetshëm të Pashkëve: shtoje në ne hirin tënd që ta kuptojmë përherë e më mirë vlerën e paçmueshme të pagëzimit i cili na pastroi, të Shpirtit Shenjt që na rilindi, të gjakut i cili na shpërbleu. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.