Shërbesa e leximeve
JAva e dytë e Pashkëve - E MARTË
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
JAva e dytë e Pashkëve - E MartË
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e leximeve fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet. Aleluja!
Psalmi 37 /36/
Fati i të drejtit dhe i bakeqit
Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).
I (1-11)
Mos u zemëro kundër keqbërësve *
as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.
Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *
e do të kalben si bari i njomë.
Shpreso në Zotin e bëj mirë: *
kështu do të banosh Tokën e premtuar e do të jetosh në paqe.
Vëre gëzimin tënd në Zotin *
e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *
shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.
Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *
të drejtën tënde porsi mesdita.
Hesht para Zotit e shpreso në të †
e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *
për njeriun që djerron tradhti.
Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *
mos u dëshpëro se vetëm prish punë,
sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *
kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.
Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *
tash ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,
kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *
e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet. Aleluja!
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët. Aleluja!
II (12-29)
Bakeqi i vë prita të drejtit, *
kundër tij kërcëllon dhëmbët,
por Zoti e përqesh atë, *
sepse e sheh se do t’i vijë dita.
Mëkatarët vringëlluan shpatën *
dhe ngrehën harkun
për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *
për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.
Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *
harku i tyre copë e grimë do të bëhet.
Më mirë pakica e të drejtit *
sesa pasuria e madhe e bakeqit,
sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *
ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.
Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *
trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.
Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *
s’do t’u mungojë buka në kohë zie.
Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †
porsi stolia e fushave do të vyshken, *
do të zhduken porsi tymi.
I paudhi merr hua e nuk kthen, *
ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.
Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *
ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.
Zoti i forcon hapat e njeriut *
dhe përcjell me dashuri udhën e tij.
Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *
sepse Zoti e mban për dore.
I ri qesh edhe u plaka, †
por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *
as fëmijët e tij duke lypur bukë.
Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *
prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.
Hiqu së keqes e bëj të mirën *
e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,
sepse Zoti e do të drejtën *
dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.
Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *
breznia e tyre do të shuhet.
Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *
dhe në të do të banojnë për amshim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët. Aleluja!
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij. Aleluja!
III (30-40)
Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *
gjuha e tij shpall të drejtën.
Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *
nuk shqepojnë hapat e tij.
I paudhi e përgjon të drejtin: *
këqyr si ta vrasë.
Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tija *
nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.
Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †
ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *
dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.
E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *
të lartë porsi cedrin e kërthndezët;
kalova dhe, ja, nuk ishte, *
e kërkova e nuk e gjeta.
Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *
njeriu i paqes pas vetes lë djalin.
Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *
bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.
Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *
ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.
Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †
do t’i lirojë prej keqbërësve *
sepse shpresuan në të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij. Aleluja!
D Krishti i ngjallur prej të vdekurve nuk vdes më, aleluja,
C vdekja nuk ka më pushtet mbi të, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 2, 1-11
Porosia Kishës së Efesit dhe të Smirnës.
Unë Gjoni, e dëgjova Zotin që më tha: »Engjëllit të Kishës në Efes shkruaj: Kështu thotë Ai që mban në të djathtën e vet shtatë yjet, Ai që ecën midis shtatë shandanave të artë:
I njoh veprat e tua, mundin tënd dhe qëndresën tënde dhe e di se nuk mund t'i durosh të këqijtë. I vure në provë ata që mbahen për apostuj e nuk janë dhe i gjete gënjeshtarë.
Je i qëndrueshëm ke vuajtur për shkak të Emrit tim dhe nuk e bore guximin.
Por kam diçka kundër teje: e le dashurinë tënde të parë!
Kujtohu, pra, se prej ku re! Kthehu dhe bëji veprat e mëparshme! Përndryshe do të vij te ti dhe do ta heq shandanin tënd nga vendi i tij, nëse nuk kthehesh.
Por e ke këtë të mirë: i urren veprat e Nikollaitëve, të cilat i urrej dhe vetë.
Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave! Ngadhënjyesit do t'i jap të hajë nga pema e jetës që është në parrizin e Hyjit.«
Edhe engjëllit të Kishës në Smirnë, shkruaj: »Kështu thotë i Pari dhe i Mbrami, Ai që pat vdekur, por u ngjall:
E di vuajtjen tënde dhe varfërinë ‑ por je i pasur ‑ i di edhe fyerjet e atyre që thonë se janë judenj, e nuk janë: janë sinagoga e Satanit!
Mos i druaj fare vuajtjet që do t'i pësosh: ja, djalli do të shtijë disa prej jush në burg për t'ju vënë në provë. Do të gjendeni në vuajtje për dhjetë ditë. Qëndro besnik deri në vdekje dhe do ta jap kezën e jetës.
Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave! Ngadhënjyesin nuk do ta dëmtojë vdekja e dytë!«
Përgjigjja Krh. Zb 2, 10. 11; Sir 4, 33
C Qëndro besnik deri në vdekje dhe do ta jap kezën e jetës. * Ngadhënjyesin nuk do ta dëmtojë vdekja e dytë, aleluja.
D Deri në vdekje lufto për të vërtetën dhe Hyji do të luftojë për ty.
C Ngadhënjyesin nuk do ta dëmtojë vdekja e dytë, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Librat Monimit” të shën Fulgjencit nga Ruspa, ipeshkëv
(Lib. 2, 11-12; CCL 91, 46-48)
Sakrament bashkimi dhe dashurie.
Ndërtesa shpirtërore e trupit të Krishtit rregullohet në dashuri, sipas fjalëve të shën Pjetrit. Me gurë të gjallë lartësohet një ndërtesë shpirtërore për një meshtari të shenjtë, për të kushtuar fli shpirtërore të pëlqyeshme para Hyjit me anë të Jezu Krishtit (krh. 1 Pjt 3, 5). Kjo vepër ndërtimi shpirtëror kurrë nuk bëhet më me vend, objekt lutjeje se sa atëherë kur vetë trupi i Krishtit, që është Kisha, kushton trupin dhe gjakun e Krishtit në sakramentin e bukës dhe të kelkut.
Vërtet, kelku nga pimë është bashkim me gjakun e Krishtit dhe buka që thyejmë është pjesëmarrje në trupin e Zotit; pasi është një bukë e vetme, ne, edhe pse shumë, jemi një trup i vetëm: sepse të gjithë jemi pjesëtarë të një buke (krh. 1 Kor 10, 16-17).
Ai hir që prej Kishës bëri trupin e Krishtit, le të bëjë që të gjitha gjymtyrët e dashurisë të mbesin të bashkuara dhe të qëndrojnë në njësinë e trupit. Qoftë kjo lutja jonë. Qoftë kjo dhurata e atij Shpirti që është i vetmi Shpirt i Atit dhe i Birit. Sepse Trinia është, prej natyrës së vet, shenjtëri dhe bashkim, barazi dhe dashuri; Trinia është një i vetmi Hyj i vërtetë, dhe e përbashkët është vepra shenjtëruese e bërë nga të tre personat në ata që kanë qenë adoptuar si bij. Për këtë arsye edhe lexojmë: “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5, 5).
Shpirti Shenjt, që është i vetmi i Atit dhe i Birit, duke dhënë hirin e adoptimit hyjnor, shkakton të njëjtat ndikime të përshkruara në Veprat e Apostujve që ata që e pranonin Shpirtin Shenjt: “Bashkësia e besimtarëve ishte e një zemre të vetme dhe e një shpirti të vetëm” (Vap 4, 32).
Të vetmen zemër dhe të vetmin shpirt të bashkësisë së besimtarëve të Hyjit i bëri i vetmi Shpirt që është i Atit dhe i Birit, dhe në Atin e me Birin është një Hyj i vetëm.
Apostulli, duke u shkruar Efesianëve, thotë se kjo njësi e shpirtit në bashkim të paqes duhet të ruhet me kujdes: “Ju përbej unë, i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht, si i ka hije thirrjes që keni marrë, me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri-tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S’ka por një trup të vetëm dhe një shpirt të vetëm” (Ef 4, 1-4). Hyji, duke e ruajtur me anë të Shpirtit Shenjt dashurinë e vet të ndikuar në Kishë, bën prej vetë Kishës një kushtim të pëlqyeshëm për vete.
Ajo le të pranojë gjithmonë këtë hir dashurie shpirtërore, dhe kështu le të paraqitet gjithmonë porsi hoste e gjallë, e shenjtë, e pëlqyeshme para Hyjit.
Përgjigjja Krh. Gjn 17, 20. 21. 22. 18
C Unë lutem për ta, që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty. Unë ua dhashë lavdinë që ti ma dhe, * që të jenë një sikurse ne jemi një, aleluja.
D Sikurse ti më dërgove në botë, po ashtu edhe unë i dërgova në botë,
C që të jenë një sikurse ne jemi një, aleluja.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i mirë, na jep aftësinë ta shpallim fuqinë e Krishtit të ngjallur, që, sikurse e morëm pengun e Shpirtit Shenjt, na i jep edhe të gjitha dhuratat. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.