Shërbesa e leximeve

JAva e dytë e Pashkëve - E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

JAva e dytë e Pashkëve - E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë

   dhe presim shëlbimin e trupit tonë. Aleluja!

 

Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje

 

   Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).

 

I (2-7)

 

Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *

   që të mos mëkatoj me gjuhën time,

fre do t’i vë gojës sime *

   sa të jetë para meje bakeqi.«

Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *

   por më kot dhembja ime u përtërit.

Flakë u ndez në mua zemra, *

   posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,

 

fola me gjuhën time: *

   »Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,

cili është numri i ditëve të mia, *

   që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«

 

Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *

   jeta ime është asgjë para teje,

 

vetëm avull është çdo njeri. *

   Porsi hije kalon jeta e njeriut,

e kotë është krejt puna e tij: *

   ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë

   dhe presim shëlbimin e trupit tonë. Aleluja!

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot,

   mos i mbyll veshët para vajit tim. Aleluja!

 

II (8-14)

 

E tani çka mund të pres, o Zot? *

   Shpresa ime është në ty!

Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *

   mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!

 

S’bëj zë, gojën nuk e çel *

   sepse je ti ai që vepron.

Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *

   se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!

 

Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †

   porsi tenja e bren dëshirën e tij. *

   Vërtet tytësi është çdo njeri!

 

Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *

   vështro klithmat e mia!

 

Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †

   Para teje unë jam i huaj, *

   endacak porsi etërit e mi.

Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *

   para se të shkoj e të mos jem më!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot,

   mos i mbyll veshët para vajit tim. Aleluja!

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si një ulli,

   ai që lëshohet në duart e Zotit. Aleluja!

 

Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve

   Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).

 

Pse krenohesh me vepra të këqija *

   ti që je i madh për nga paudhësia?

 

Gjithë ditën djerron tradhti! †

   Gjuha jote brisk i mprehtë, *

   o mjeshtër fitmesh!

 

Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *

   rrenën se të flasësh të vërtetën,

të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *

   o gjuhë fitmesh!

 

Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *

   do të të zhdukë përgjithmonë,

do të të çrrënjosë prej tendës, *

   do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.

 

Të tmerruar do të shohin të drejtët *

   e do të qeshin mbi të:

 

»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †

   por shpresoi në kamjen e vet të madhe *

   dhe krenohej me tradhtitë e veta.«

 

E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †

   shpresoj në mirësinë e Hyjit *

   për amshim e në shekuj të shekujve.

 

Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †

   shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *

   në sy të besimtarëve të tu.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si një ulli,

   ai që lëshohet në duart e Zotit. Aleluja!

 

   D Hyji e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, aleluja,

   C që në të të jetë feja dhe shpresa jonë, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 2, 12-29

 

   Porosia Kishës në Pergam dhe në Tiatirë.

 

   Unë Gjoni e dëgjova Zotin që më tha: Engjëllit të Kishës në Pergam shkruaj: Kështu thotë ai që ka shpatën dy tehesh, të mprehtë: ‘E di ku banon: aty ku është froni i Satanit ‑ por qëndron i palëkundshëm në Emrin tim dhe nuk e mohove fenë time as në ditët kur Antipa, dëshmitari im, besniku im, u vra midis jush ‑ aty ku banon Satani.

   Por kam diçka pak kundër teje: janë disa te ti që e ndjekin mësimin e Balaamit, i cili e udhëzoi Balakun t'u vinte leqe bijve të Izraelit për të ngrënë mishin e flijuar idhujve dhe të jepen mbas fëlligështisë.

   Po ashtu edhe ti ke disa që ndjekin mësimin e Nikollaitëve.

   Kthehu, pra! Përndryshe, për së shpejti do të vij te ti dhe do t'i luftoj me shpatën e gojës sime.

   Kush ka veshë, le të dëgjojë, çka Shpirti Shenjt u thotë kishave! Ngadhënjyesit do t'i jap manën e fshehur, do t'i jap edhe një gur të bardhë dhe mbi gur të shkruar një emër të ri që askush nuk e njeh përveç atij që e merr.«

   Edhe engjëllit të Kishës në Tiatirë shkruaj: »Kështu thotë Biri i Hyjit ‑ Ai që ka sytë si flaka e zjarrit edhe këmbët në përngjasim të bronzit të lëmuar:

   'I di veprat e tua, dashurinë, fenë, shërbesën dhe qëndresën tënde ‑ edhe veprat e tua të fundit më të shumta se të parat.

   Por kam diçka kundër teje: e duron Jezabelën ‑ një grua që thotë për vete se është profeteshë ‑ të mësojë dhe të gënjejë shërbëtorët e mi që të bëjnë fëlligështi dhe të hanë mish të kushtuar idhujve.

   Unë i dhashë kohë të kthehet, por ajo nuk do të kthehet nga lavirësia e saj.

   Ja, po e qes në shtratin e lëngimit edhe fëlligështarët e saj në vështirësi të madhe në qoftë se nuk kthehen prej veprave të saja.

   Fëmijët e saj do t'i ndëshkoj me vdekje dhe të gjitha kishat do ta dinë: unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat ‑ secilin prej jush do ta shpërblej sipas veprave të tija.

   Juve ju them: ‑ ju tjerëve në Tiatirë, që nuk e ndiqni këtë mësim dhe nuk i njohët kështu të quajturat »thellësi« të Satanit, nuk ju vë tjetër barrë, por atë që keni: mbajeni mirë deri që të vij!

   Ngadhënjyesit, atij që deri në fund do t'i kryejë veprat e mia unë do t'i jap pushtet mbi paganë, dhe do të sundojë mbi ta me skeptër hekuri dhe do t'i thyejë porsi enë argjilore, ashtu sikurse edhe vetë e mora pushtetin prej Atit tim. Dhe do t'ia jap Yllin e Dritës.

   Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«

 

   Përgjigjja Krh. Zb 2, 18. 23; 22, 12

 

   C Kështu thotë Biri i Hyjit, Ai që ka sytë si flaka e zjarrit: Unë jam ai që shqyrton veshkat dhe zemrat, * secilin prej jush do ta ndëshkoj sipas veprave të tija, aleluja.

 

   D Ja, unë po vij me shpejti! Edhe shpërblimi im me mua,

   C secilin prej jush do ta ndëshkoj sipas veprave të tija, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Luanit të Madh, papë

   (Ligj. 12 mbi Mundimin, 3, 6, 7; PL 54, 355-357)

 

   Krishti i gjallë në Kishën e tij.

 

   Fort të dashur, Biri i Hyjit e mori natyrën njerëzore me një bashkim kaq të ngushtë që ai është i vetmi dhe i njëjti Krisht, jo vetëm në atë që është i parëlinduri para çdo krijese, por edhe në të gjithë shenjtërit e tij. E sikurse s’mund të ndahet kryet prej gjymtyrëve, po ashtu gjymtyrët nuk mund të ndahen prej kresë.

   Në qoftë se është e vërtetë që nuk u përket kësaj jetë por asaj të amshuar që Hyji të jetë gjithçka në të gjithë, është edhe e vërtetë që qysh tani ai banon në mënyrë të pandashme në tempullin e vet, që është Kisha. Ai vetë e premtoi me këto fjalë: “Ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës” (Mt 28, 20).

   Gjithçka bëri dhe mësoi Biri i Hyjit për pajtimin e botës, nuk e njohim vetëm prej tregimit të veprave të tija të kaluara, por e ndiejmë edhe në fuqinë vepruese të asaj që ai po bën tani.

   Është ai që, sikurse lindi për virtyt të Shpirtit Shenjt prej një nëne virgjër, po ashtu e bën të frytshme Kishën, Nusen e tij të pacenuar, me frymën gjallëruese të të njëjtit Shpirt, që në saje të rilindjes në pagëzim, të ketë jetë një shumicë e panumërueshme e bijve të Hyjit. Për këta shkruhet: “Këta s’i bëri bij të Hyjit as gjaku, as prirja e mishit, as prirja e njeriut, por Hyji” (Gjn 1, 13).

   Është në të që bekohet pasardhësia e Abrahamit, dhe tërë bota fiton adoptimin hyjnor. Patriarku bëhet atë i popujve, por bijtë e premtimit lindin nga feja, dhe jo nga mishi.

   Është ai që, duke asgjësuar çdo dallim të padrejtë mes popujve, dhe duke i bashkuar të gjithë në një komb të vetëm, bën prej aq shumë deleve një grigjë të vetme. Kështu, ai bën për ditë çka pati premtuar duke thënë: “Kam edhe tjera dele që nuk janë të kësaj vathe. Edhe ato më duhet t’i bashkoj; dhe do ta dëgjojnë zërin tim, do të bëhet një grigjë e vetme e një Bari i vetëm” (Gjn 10, 16).

   Megjithëse ai i thotë veçanërisht Pjetrit: “Kulloti delet e mia” (Gjn 21, 17), prapëseprapë krejt veprimtaria e barinjve udhëhiqet dhe përkrahet vetëm nga ai, Zoti. Është ai që, me kullota të gjelbra dhe të këndshme i ushqen të gjithë ata që vijnë te ky Shkëmb, në mënyrë që dele të panumërta, të përforcuara nga dashuria e begatshme, të mos përtojnë t’i bëjnë ballë edhe vdekjes për dashuri ndaj Bariut të tyre, sikurse ai, Bariu i mirë, u denjua ta japë jetën e vet për delet e veta.

   Pjesëtarë në mundimin e tij nuk janë vetëm martirët e fortë dhe të lavdishëm, por edhe besimtarët që rilindin, qysh prej aktit të rilindjes së tyre.

   Kjo është arsyeja për të cilën Pashkët kremtohen, sipas Ligjit, me bukë të pabrume të pastërtisë e të së vërtetës: krijesa e re e tret tharmin e së keqes së vet dhe ushqehet e ngihet me vetë Zotin.

   Pjesëmarrja jonë në trupin e në gjakun e Krishtit s’ka qëllim tjetër, veç të na shndërrojë në atë që pranojmë, të vishemi krejtësisht, në trup e në shpirt, me atë në të cilin vdiqëm, u varrosëm dhe u ngjallëm.

 

   Përgjigjja Krh. Gjn 10, 14; Ez 34, 11-13

 

   C Unë jam Bariu i mirë: * unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, aleluja.

   D Unë vetë do t’i kërkoj delet e mia e do të kujdesem për to, do t’i bashkoj nga popujt e do t’i kullot:

   C Unë i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj, po kremtojmë përkujtimin vjetor të Pashkëve, me të cilat njeriun e ktheve në denjësinë e parë dhe ia dhurove shpresën e ngjalljes. Po të lutemi, bëj të fitojmë me dashurinë tënde të përhershme atë që e kremtojmë me fe. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.