Shërbesa e leximeve
JAva e dytë e Pashkëve - E enjte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
JAva e dytë e Pashkëve - E enjte
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë. Aleluja!
Psalmi 44 /43/ Populli i Hyjit në fatkeqësi
E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti na shpëton, o Zot, do ta lavdërojmë emrin tënd përherë. Aleluja!
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi. Aleluja!
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Fale popullin tënd, o Zot, dhe mos lejo që të turpërohemi. Aleluja!
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate. Aleluja!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ngrihu, o Zot, dhe na shpëto sipas mëshirës sate. Aleluja!
D Hyji e ngjalli Krishtin Zot, aleluja;
C me fuqinë e vet do të na ringjall edhe ne, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 3, 1-22
Dhurata e trashëgimit në Besëlidhjen e re.
Unë Gjoni, e dëgjova Zotin që më tha: Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Sard: »Kështu thotë Ai që ka shtatë shpirtrat e Hyjit dhe shtatë yjet: I di veprat e tua: thuhet se jeton, por je i vdekur!
Rri zgjuar dhe forcoje tepricën që posa nuk ka vdekur! Sepse nuk i gjeta veprat e tua të përsosura para Hyjit tim.
Të bie në mend, pra, si e ke marrë fjalën dhe e ke dëgjuar, ashtu edhe ruaje ‑ dhe kthehu! Po nuk qëndrove zgjuar, do të vij si vjedhësi dhe nuk do të dish në ç'orë do të vij kundër teje.
Megjithatë i ke në Sard disa njerëz që nuk i përlyen petkat e veta. Ata do të më përcjellin të veshur me petka të bardha, sepse janë të denjë.
Kështu edhe ngadhënjyesi do të mbarë petka të bardha; nuk do ta fshij emrin e tij prej librit të jetës dhe do ta dëshmoj emrin e tij para Atit tim dhe para engjëjve të tij.
Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave.«
Edhe engjëllit në Kishën e Filadelfisë shkruaj:
»Kështu thotë Shenjti, i Vërteti. Ai që ka çelësin e Davidit, Ai që çel dhe askush nuk mëshel Ai që mëshel dhe askush s'mund të çelë:
I di veprat e tua! Ja, e hapa para teje derën që askush s'mund ta mbyllë. Njëmend pak fuqi ke dhe megjithatë e ruajte fjalën time dhe nuk i re mohit Emrit tim.
Ja, unë do t'i sjell disa nga sinagoga e Satanit ‑ që e mbajnë veten për judenj e nuk janë, por rrejnë ‑ ja, do t'i bie përdhuni para teje për t'u përkulur deri në dhe para teje, që ta marrin vesh se unë të dua.
Dhe mbasi e mbajte me qëndrueshmëri fjalën time, dhe vetë do të ruaj ty nga ora e provës që do të vijë mbi mbarë botën për t'i sprovuar banuesit e tokës.
Do të vij së shpejti! Ruaje mirë çka ke, që askush të mos ta rrëmbejë kezën tënde!
Ngadhënjyesin do ta bëj shtyllë në tempullin e Hyjit tim dhe prej andej ai s'do të dalë më kurrë! Në të do ta shkruaj Emrin e Hyjit tim edhe emrin e qytetit të Hyjit tim, të Jerusalemit të ri, që zbret nga qielli, prej Hyjit tim, edhe Emrin tim të ri.
Kush ka veshë, le të dëgjojë çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!« Shkruaj edhe engjëllit të Kishës në Laodice: »Kështu thotë Ameni, Dëshmitari, Besniku i vërtetë, Parimi i krijesës së Hyjit:
I di veprat e tua: nuk je as i ftohtë as i nxehtë! Oh, të ishe i ftohtë ose i nxehtë!
Por, pasi je i vakët ‑ as i ftohtë as i nxehtë ‑ do të vjell prej gojës sime!
Dhe mbasi thua: »Jam i pasur! U bëra pasanik! Asgjë nuk më mungon!« e, mbasi nuk di se je i mjerë, i ngratë, skamnor, i verbët, i zhveshët, po të këshilloj: blej prej meje ar të pastruar në zjarr që të pasurohesh, blej petka të bardha që të vishesh dhe të mos shihet turpi i cullakisë sate; blej edhe barin për të lyer sytë që të shohësh!
Unë i qortoj dhe i ndëshkoj ata që i dua. Ji, pra, i zellshëm dhe kthehu!
Ja, para derës qëndroj dhe trokas: kush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, do të hyj te ai dhe me të do ha darkë dhe ai me mua.
Ngadhënjyesin do ta vë të rrijë me mua në fronin tim, sikurse edhe vetë ngadhënjeva dhe ndenja bashkë me Atin tim në fronin e tij.
Kush ka veshë, le të dëgjojë, çka Shpirti Shenjt u thotë kishave!«
Përgjigjja Krh. Zb 3, 20; 2, 7
C Nëse ndokush e dëgjon zërin tim dhe e hap derën, * do të hyj te ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua, aleluja.
D Ngadhënjyesit do t’i jap të hajë nga pema e jetës që është në parrizin e Hyjit;
C do të hyj te ai dhe me të do të ha darkë dhe ai me mua, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Traktatet” e shën Gaudencit nga Bresha, ipeshkëv
(Trakt. 2; CSEL 68, 30-32)
Dhurata e trashëgueshme e Besëlidhjes së Re.
Flija qiellore e themeluar nga Krishti është me të vërtetë dhurata e trashëgueshme e Besëlidhjes së Re: është dhurata që na e la, si peng të pranisë së tij, atë natë në të cilën qe dorëzuar që të kryqëzohej.
Është buka e shtegtimit tonë. Është ushqim dhe mbajtje e nevojshme që të mund ta përshkojmë udhën e jetës, derisa, pasi ta lëmë këtë botë, ta arrijmë qëllimin tonë të vërtetë, që është Zoti. Për këtë arsye ai thotë: Nëse nuk e hani mishin tim e nuk e pini gjakun tim, s’do ta keni jetën në vetvete (krh. Gjn 6, 53). Dhe pikërisht që të mos na mungojë kjo e mirë e domosdoshme, u urdhëroi apostujve, d.m.th. meshtarëve të parë të Kishës, që t’i kremtojnë gjithmonë misteret e jetës së amshuar, kështu që shpirtrat e shpërblyer nga gjaku i tij i paçmueshëm të pasurohen me dhuratat e tija dhe të shenjtërohen nga përkujtimi i mundimit të tij.
Pra, është e nevojshme që sakramentet të kremtohen prej meshtarëve në çdo kishë të botës derisa të kthehet Krishti nga qielli, që të gjithë, meshtarë dhe laikë, ta kenë përditë parasysh shfaqjen e gjallë të mundimit të Zotit, ta prekin me dorë, ta pranojnë me gojë e me zemër dhe ta ruajnë kujtesën e pashlyeshme të shpërblimit tonë.
Buka mbahet me arsye si shëmbëllesë e trupit të Krishtit. Dhe njëmend buka përbëhet nga shumë kokrra gruri. Ato bluhen dhe bëhen miell, dhe mielli përzihet pastaj me ujë dhe piqet në zjarr. Kështu edhe trupi mistik i Krishtit është një, por përbëhet nga shumica e gjinisë njerëzore, të çuar deri në gjendje përsosmërie me anë të zjarrit të Shpirtit Shenjt. Përforcuesi ndikon mbi trupin mistik me të njëjtin veprim me të cilin ndikoi mbi trupin fizik të Krishtit. Shëlbuesi lindi për virtyt të Shpirtit Shenjt, i cili zbriti mbi të në trajtë pëllumbi. Ungjilltari e pohon qartas: “Jezusi, plot me Shpirtin Shenjt, u kthye prej Jordanit” (Lk 4, 1).
Në një farë mënyre vlen për gjakun e Krishtit analogjia e verës, e ngjashme me atë të bukës. Më së pari vjen mbledhja e shumë kokrrave ose vilave në hardhinë që ai vetë e mbolli. Pastaj vjen shtrydhja në shtypësin e kryqit. Pastaj vjen fermentimi, i cili ndodh, vetvetiu, në hapësirat e gjera të zemrës plot besim të atyre që e pranojnë.
Pra, duke u liruar nga pushteti i Egjiptit dhe i faraonit, nga djalli, mundohuni ta pranoni flinë e Pashkëve të Shëlbimit domethënë trupin e gjakun e Krishtit, me gjithë dëshirën e zjarrtë të zemrës suaj, që njeriu ynë i brendshëm të shenjtërohet nga vetë Zoti ynë Jezu Krishti, të cilin e besojmë të pranishëm në sakramentet e shenjta, e fuqia e të cilit zgjatet në vlerën e saj të paçmueshme për të gjithë shekujt.
Përgjigjja Krh. Lk 22, 19; Gjn 6, 50-51
C Jezusi mori bukën, u falënderua, e theu dhe ua dha duke thënë: Ky është trupi im që flijohet për ju; * bëni këtë në përkujtimin tim, aleluja.
D Kjo është buka që zbriti nga qielli: nëse dikush e ha këtë bukë, do të jetojë në amshim;
C bëni këtë në përkujtimin tim, aleluja.
Lutja
O Hyj i gjithëpushtetshëm, bëj të shohim se si gjatë gjithë jetës sonë rriten e shtohen hiret që na i jep koha e Pashkëve. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.