Shërbesa e leximeve

JAva e dytë e Pashkëve - E premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

TETËDITËSHI I PASHKËVE – E PREMTE

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua. Aleluja!

 

Psalmi 38 /37/

 

   Lutja e mëkatarit në ngushtim

 

   Ai nuk bëri mëkat ... Ai në trupin e vet i mori mbi drurin e kryqit mëkatet tona.. me vërragët e tij jemi shëruar (1Pjt 2, 22. 24. 25).

 

   I (2-5)

 

Mos më qorto, o Zot, në hidhërimin tënd *

   as mos më ndëshko në zemërimin tënd!

sepse shigjetat e tua në mua u ngulën, *

   mbi mua rëndoi dora jote.

S’ka vend të shëndoshë në trupin tim *

   për shkak të zemërimit tënd,

s’ka paqe në eshtrat e mi *

   për shkak të mëkateve të mia.

 

Sepse fajet e mia kaluan mbi kokën time, *

   më ndrydhin porsi barra e rëndë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Mos më dëno në hidhërimin tënd, o Zot, ki mëshirë për mua. Aleluja!

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot. Aleluja!

 

   II (6-13)

 

U qelbën dhe u kalbën varrët e mia *

   për shkak të marrëzisë sime,

u kërrusa dhe u gërmuqa për së tepërmi, *

   i trishtueshëm endem gjithë ditën.

 

Digjen prej etheve ijët e mia, *

   asgjë në trupin tim nuk kam të shëndoshë.

I lodhur e i këputur krejtësisht *

   gjëmoj prej dënesës së zemrës sime.

 

Para teje, o Zot, i vë dëshirat e mia *

   as britmat e mia nuk janë për ty të fshehta,

 

zemra më rreh dhe fuqia më lëshoi *

   edhe drita e syve të mi po fiket.

 

Miqtë e shokët e mi u zmbrapsën para plagëve të mia *

   edhe më të afërmit e mi më rrinë larg.

 

Më ngrehin leqe ata që kërkojnë jetën time, †

   më kërcënohen me vdekje ata që ma dëshirojnë të keqen, *

   gjithë ditën përbluajnë dredhi kundër meje.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Çdo dëshirë e imja është para teje, o Zot. Aleluja!

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im. Aleluja!

 

   III (14-23)

 

E unë si i shurdhët nuk dëgjoja, *

   si të isha i pagojë, një fjalë nuk e them,

u bëra njëmend si ai që nuk ndien, *

   si ai që në gojë përgjigje s’ka.

 

Pasi në ty, o Zot, e kam vënë shpresën, *

   o Zot, Hyji im, ti do të më dëgjosh.

 

Sepse thashë: »Deh, mos lejo të ngihen në mua, *

   kur të më merren këmbët,

   të mos krenohen kundër meje.«

 

E unë jam i gatshëm për t’u rrëzuar, *

   dhembjen time përherë e kam para syve.

Ja, unë e pranoj fajin tim, *

   jam i prishur për mëkatin tim.

 

E armiqtë e mi janë gjallë e të fortë, *

   u shumuan ata që më urrejnë dijekeqas.

Të mirën ma kthejnë me të keqe *

   e më shpifen pse mundohem të bëj mirë.

 

Mos më lër vetëm, o Zot, *

   Hyji im, mos u largo prej meje.

Nxito të më ndihmosh, *

   o Zot, Shëlbuesi im.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ty ta rrëfej mëkatin tim; mos më braktis, o Hyj, shëlbimi im. Aleluja!

 

   D Për ngjalljen tënde, o Krisht, aleluja

   C gëzohen qielli dhe toka, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 4, 1-11

 

   Froni i Hyjit në qiell.

 

   Unë Gjoni pashë: dhe ja, në qiell një derë e hapur! Edhe zëri që e dëgjova më parë, që fliste me mua si zë trumbete, më tha: »Hip këtu dhe do të tregoj çka do të ndodhë pas kësaj!«

   Menjëherë kalova në vegim me anë të Shpirtit Shenjt. Dhe ja, në qiell ishte froni dhe Dikush ndenjur në fron.

   Atij që rrinte në fron i shkëlqente fytyra në përngjasim të gurit të paçmueshëm të jaspisit dhe të sardit. Rreth e rreth fronit ylberi që i ngjante smaragdit.

   Përreth fronit edhe njëzet e katër frone të tjera. Mbi frone rrinin njëzet e katër udhëheqës të veshur me petka të bardha e në krye kezat e arta.

   Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe rrufe. Para fronit digjeshin shtatë vravashka të ndezura, domethënë shtatë shpirtra të Hyjit.

   Përpara fronit diçka si det qelqi në ngjasim të kristalit. Në midis të fronit dhe përreth fronit katër Gjallorë plot me sy para dhe mbas.

   Gjallori i parë i përngjante luanit, Gjallori i dytë i përngjante mëzatit, Gjallori i tretë kishte fytyrë njeriu dhe Gjallori i katërt ishte porsi shqiponja në fluturim.

   Këta katër Gjallorë kishin secili nga gjashtë krahë gjithkah përreth dhe përbrenda ishin plot me sy. Ata nuk pushonin ditë as natë duke shpallur: »Shenjt! Shenjt! Shenjt! Zoti, Hyji i Gjithëpushtetshëm, Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!«

   Dhe kurdo që Gjallorët i jepnin lavdi, nder dhe falënderim Atij që rri në fron, të Gjithëpushtetshmit të shekujve, njëzet e katër udhëheqësit binin përmbys para Atij që rri në fron dhe e adhurojnë Atë që jeton në shekuj të shekujve, dhe i ulin para fronit kezat e veta duke thënë:

   »I denjë je, o Zot, Hyji ynë, të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin, sepse ti krijove gjithçka dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!«

 

   Përgjigjja Krh. Zb 4, 8; Is 6, 3

 

   C Shenjt, Shenjt, Shenjt, Zoti Hyji i Gjithëpushtetshëm. Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë! * Plot është toka me Lavdinë e tij, aleluja.

   D Serafinët i brohoritnin njëri-tjetrit: Shenjt, Shenjt, Shenjt Zoti i Ushtrive.

   C Plot është toka me Lavdinë e tij, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Teodorit Studitë, abat

   (Ligj. mbi adhurimin e kryqit; PG 99, 691-695. 698-699)

 

   Kryqi i Krishtit, shëlbimi ynë.

 

   O dhuratë e paçmueshme e kryqit! Ç’shkëlqim shfaqet para syve! Plot bukuri dhe plot madhështi. Pemë e mrekullueshme për syrin dhe për shijen, dhe jo më shëmbëllesë e pjesshme e të mirës dhe e të keqes, sikurse ajo e Edenit.

   Është një pemë që jep jetë, jo vdekje, ndriçon dhe nuk errëson, shtie në parajsë, nuk dëbon prej saj.

   Mbi atë dru ngjitet Krishti, porsi një mbret mbi karrocën triumfale. E mposht djallin, zotëruesin e vdekjes, dhe e liron gjininë njerëzore prej skllavërisë së tiranit.

   Mbi atë dru ngjitet Zoti, porsi trim. Gjatë luftës plagoset në duart, në këmbët dhe në kraharorin hyjnor. Por me atë gjak i shëron varrët tona, domethënë natyrën tonë të plagosur nga gjarpri helmues.

   Moti qemë vrarë nga druri, kurse tani e rifitojmë jetën prej drurit. Moti qemë gënjyer nga druri, kurse tani me drurin e dëbojmë gjarprin dinak. Ndryshime të reja dhe të jashtëzakonshme! Në vend të vdekjes, po na jepet jeta; në vend të shkatërrueshmërisë, pavdekësia; në vend të çnderimit, lavdia.

   Me arsye, pra, apostulli thotë: “Sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem në tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën” (Gal 6, 14).

   Ajo dije e lartë që lulëzoi nga kryqi e bëri të kotë dijen krenare të botës dhe çmendurinë e saj të vrazhdë. Të mirat e shumëllojshme që rrodhën prej kryqit i shfarosën ligësinë dhe hilen. Në fillim të botës, vetëm figura dhe shenja paralajmëruese të këtij druri njoftonin dhe tregonin ngjarjet e mëdha të botës. Ki kujdes ti, kushdo që të jesh, që me afsh dëshiron ta njohësh. Vallë, a nuk iu shmang Noehi, me të gjithë familjarët e tij dhe me bagëtitë, katastrofës së përmbytjes të caktuar prej Hyjit, me anë të një druri të vogël? Merre parasysh shkopin e Moisiut. A thua se nuk qe një simbol i kryqit? E shndërroi ujin në gjak, i përpiu gjarpërinjtë e rremë të dijetarëve, e goditi detin dhe e ndau dysh, i ktheu pastaj ujërat e detit në nivel të zakonshëm dhe i mbyti armiqtë, ndërsa i shpëtoi ata që ishin populli i ligjshëm. I tillë qe edhe shkopi i Aronit, simbol i kryqit, i cili lulëzoi në një ditë të vetme dhe tregoi se kush ishte prifti i ligjshëm. Edhe Abrahami e parafiguroi kryqin kur e lidhi të birin mbi turrën e druve.

   Vdekja qe vrarë nga kryqi dhe Adami qe kthyer në jetë. Me kryqin u mburrën të gjithë apostujt, me të çdo martir qe kurorëzuar dhe çdo i shenjtë u shenjtërua. Me kryqin u veshëm me Krishtin dhe u zhveshëm nga njeriu i vjetër. Me anë të kryqit ne, delet e Krishtit, qemë bashkuar në një vathë të vetme dhe jemi thirrur në banesat e amshuara.

 

   Përgjigjja

 

   C Pemë e lavdishme, e vendosur në mesin e parrizit, * duke vdekur mbi ty, autori i shëlbimit e mposhti vdekjen tonë, aleluja.

   D Ndër të gjitha pemët e dheut, ti je më bujarja:

   C duke vdekur mbi ty, autori i shëlbimit e mposhti vdekjen tonë, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëdijshëm dhe i gjithëpushtetshëm, ti deshe që Biri yt t’i pësonte për ne mundimet e kryqit për të na çliruar nga pushteti i djallit: bëj, po të lutemi, ta fitojmë hirin e ngjalljes. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.