Shërbesa e leximeve
JAva e dytë e Pashkëve - E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
TETËDITËSHI I PASHKËVE – E SHTUNË
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote. Aleluja!
Psalmi 106 /105/
Mirësia e Zotit dhe pabesia e popullit
Të gjitha këto u ndodhën atyre që të shërbejnë si shembull e u shkruan për mësimin tonë, për të cilët arriti mbarimi i kohës (1Kor 10, 11).
I (1-18)
Lavdëroni Zotin, sepse është i mirë, *
sepse e amshuar është dashuria e tij!
Kush mund t’i tregojë veprat e madhërueshme të Zotit, *
të bëjë të jehojnë të gjitha lavdet e tija?
Lum ata që i mbajnë urdhërimet e tija *
dhe veprojnë me drejtësi në çdo kohë.
Na kujto, o Zot, në mirësinë tënde ndaj popullit tënd, *
na eja në pasi me shëlbimin tënd,
që ta shijojmë fatin e të zgjedhurve të tu, †
të gëzohemi në gëzimin e popullit tënd, *
të mburremi me trashëgimin tënd.
Mëkatuam, po, porsi etërit tanë, *
padrejtësisht vepruam, bëmë të keqen.
Etërit tanë në Egjipt *
nuk i kuptuan mrekullitë e tua,
nuk e kujtuan përdëllimin tënd të madh, *
e të hidhëruan pranë detit, pranë Detit të Kuq.
Por Zoti i shpëtoi për nder të Emrit të vet, *
për ta bërë të njohur pushtetin e vet.
Zoti iu kërcënua Detit të Kuq e ky u tha *
dhe i kaloi nëpër det si nëpër shkretëtirë.
I shpëtoi prej duarve të armiqve, *
i shpërbleu prej kthetrave të urryesve.
I mbyti me ujë ata që i mundonin: *
asnjë prej tyre nuk shpëtoi!
Atëherë u besuan fjalëve të tij *
dhe i kënduan lavdet e tija.
Por shpejt i harruan veprat e tija *
e nuk u mbështetën në synimet e tija.
U leshguan për së tepërmi në shkretëtirë *
dhe e ngucën Hyjin në vend të paujë.
Ua plotësoi kërkesën e tyre *
ua ngiu grykësinë e tyre.
Smirë i morën Moisiut në tëbanishtë *
edhe Aronit, shenjtit të Zotit.
U hap toka dhe e përpiu Datanin *
e groposi turmën e Abiramit.
U ndez zjarri në mbledhjen e tyre *
edhe flaka i dogji mëkatarët.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Vetëm ti, o Zot, bën mrekulli të mëdha: e amshueshme është dashuria jote. Aleluja!
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm. Aleluja!
II (19-33)
E punuan një viç në Horeb, *
adhuruan një shtatore metali.
E ndërruan Hyjin e tyre *
me truporen e një kau që ha sanë.
Harruan Hyjin që i shpëtoi, *
që bëri mrekulli në Egjipt,
punë të madhërishme në dheun e Kamit, *
emnesë në Detin e Kuq.
Mendoi Hyji farën t’ua shuante, †
por iu lut Moisiu, i zgjedhuri i tij, *
ndërmjetësoi përpara fytyrës së tij
për ta ngurruar zemërimin e tij,
e dëgjoi e nuk ua treti farën.
Nuk shfaqën kujdes për tokën e dëshirueshme, *
nuk i besuan premtimit të tij.
Nynykatën në çadrat e tyre, *
nuk i vinin veshin zërit të Zotit.
Zoti e ngriti dorën e vet mbi ta, *
për t’i shtruar rrah në shkretëtirë,
se do t’i shpërndante trashëgimtarët e tyre ndër kombe, *
për të kërkuar vend më vend dherat e huaja.
Iu kushtuan hyjit Beelfegor, *
hëngrën flitë e të vdekurve.
E zemëruan Zotin me veprat e veta të këqija *
e mbi ta u sul plaga.
Flakëroi Fineesi e bëri gjyq *
e atëherë u zhduk plaga.
E iu çmua kjo vepër drejtësi *
brez pas brezi për amshim.
Prapë e hidhëruan tek ujërat Meriba, *
për shkak të tyre qe ndëshkuar edhe Moisiu,
sepse shpirtin aq fort ia helmuan *
saqë foli marrëzisht me buzë të veta.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Prej robërimit e lirove popullin tënd, o Zot, me dorë të fortë e me krah të fuqishëm. Aleluja!
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë. Aleluja!
III (34-48)
Ata nuk i zhdukën popujt *
sikurse Zoti u kishte urdhëruar,
por u përzien me paganë *
dhe i mësuan veprat e tyre.
U shërbyen idhujve të tyre *
dhe këta u bënë kurth për ta.
U flijuan djemtë e vet *
e vajzat e veta djajve.
Derdhën gjakun e pafajshëm, †
gjakun e djemve dhe të vajzave të veta *
duke ua bërë therore idhujve të Kanaanit,
vendi mbarë qe njollosur prej gjakut. †
U përlyen me veprat e veta, *
nuk ia mbajtën besnikërinë me vepra të këqija.
Flakë u ndez Zoti me hidhërim kundër popullit të vet *
iu ndy ndër sy trashëgimi i vet.
I lëshoi në duar të paganëve: *
i sunduan ata që i urrenin.
Armiqtë e tyre i përndoqën *
dhe qenë mposhtur nën kthetrat e tyre.
Shpeshherë Ai i shpëtonte, †
por ata e hidhëronin me synimet e tyre *
dhe njolloseshin më zi në poshtërsitë e veta.
Përsëri i priri sytë e vet mbi ta *
kur e dëgjoi uratën e tyre.
I ra ndër mend Besëlidhja me ta *
dhe i erdhi keq sipas përdëllimit të vet të madh.
Bëri të gjejnë mëshirë tek ata *
që i mbanin në robëri.
Na shpëto, o Zot, Hyji ynë, *
dhe na bashko prej popujve paganë
që ta lavdërojmë Emrin tënd të shenjtë *
e të mburremi me lavdinë tënde.
Qoftë bekuar Zoti, Hyji i Izraelit, †
nga shekulli në shekull! *
Mbarë populli le të thotë: Amen! Amen!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lavdërojeni Hyjin e qiellit, sepse ai na shpëtoi prej armiqve tanë. Aleluja!
D Zoti na rilindi në një shpresë të gjallë, aleluja,
C në Krishtin që u ringjall prej së vdekuri, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 5, 1-14
Qengji i Hyjit.
Unë Gjoni pashë: në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh: »Kush është i denjë ta hapë librin dhe t'ia zgjidhë vulat?«
Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti ta çelë librin e të shikojë në të.
Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të.
Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: »Mos qaj! Ja, ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës ‑ rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija.«
Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte ‑ si i prerë ‑ Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë [shtatë] shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.
Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron.
Kur e mori librin katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, domethënë me urata të shenjtërve.
Këndonin një këngë të re dhe thoshin: »Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t'ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie, dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.«
Atëherë në vegim dëgjova zë shumë engjëjsh përreth fronit, Gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash.
Brohorisnin me zë të lartë: »I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!«
Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, ‑ të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: »Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!«
Kurse katër Gjallorët thoshin: »Amen!« ndërsa udhëheqësit ranë përmbys dhe e adhuruan.
Përgjigjja Krh. Zb 5, 9. 10
C Ti je i denjë të marrësh librin dhe t’ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë * dhe me gjakun tënd na shpërbleve për Hyjin, aleluja.
D Na bëri për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj,
C dhe me gjakun tënd na shpërbleve për Hyjin, aleluja.
Leximi i dytë
Nga kushtetuta mbi liturgjinë “Sacrosanctum Concilium” e Koncilit ekumenik Vatikanas II.
(Mbi liturgjinë, nr. 5-6)
Vepra e shëlbimit.
Hyji do “që të shëlbohen të gjithë njerëzit dhe ta arrijnë njohjen e së vërtetës” (1 Tim 2, 4). Për këtë arsye, “mbasi herë mbas here dhe në mënyrë të ndryshme, në të kaluarën, u ka folur etërve me anë të profetëve” (Heb 1, 1), kur erdhi koha e caktuar, e dërgoi Birin, Fjalën e mishëruar, të lyer me Shpirtin Shenjt, që t’ua shpallë lajmin e mirë të vobektëve, dhe t’i shërojë zemërngrirët (krh. Is 61, 1; Lk 4, 18), mjek i mishit dhe i shpirtit, ndërmjetës mes Hyjit dhe njerëzve (krh. 1 Tim 2, 5). Vërtet, njerëzia e tij, në njësinë e personit të Fjalës, qe vegla e shëlbimit tonë. Pra, në Krishtin ndodhi shpërblimi i përsosur i pajtimit tonë dhe na qe dhënë plotësia e kultit hyjnor.
Kjo vepër e shëlbimit të njerëzimit dhe e lavdërimit të përsosur të Hyjit, që nisjen e ka në veprat hyjnore të mrekullueshme të kryera në popullin e Besëlidhjes së Vjetër, u plotësua nga Krishti Zot, veçanërisht në saje të misterit të pashkëve të Mundimit të tij të lum, të Ringjalljes prej vdekjes dhe të Ngjitjes së lavdishme në qiell, mister nëpër të cilin duke vdekur e shkatërroi vdekjen tonë dhe duke u ngjallur na e ktheu neve jetën; pasi prej kraharorit të Krishtit, i cili po vdiste në kryq, lindi sakramenti i mrekullueshëm i tërë Kishës.
Pra, sikurse Krishti qe dërguar prej Atit, po ashtu edhe ai i dërgoi apostujt, të mbushur me Shpirtin Shenjt, jo vetëm që ta shpallin, duke ua predikuar Ungjillin të gjithë njerëzve, se Biri i Hyjit, me vdekjen e ringjalljen e tij, na liroi nga pushteti i djallit dhe nga vdekja, dhe na kaloi në mbretërinë e Atit, por edhe, me anë të flisë dhe sakramenteve mbi të cilat mbështetet krejt jeta liturgjike, ta realizojnë veprën e shëlbimit që shpallin. Kështu, me anë të pagëzimit, njerëzit hyjnë në misterin e pashkëve të Krishtit: bashkë me të vdesin, varrosen dhe ngjallen; u jepet shpirti i bijve të adoptimit, “në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë!” (Rom 8, 15), dhe bëhen ata adhurues të vërtetë të cilët Ati i kërkon.
Po ashtu, çdo herë që e hanë darkën e Zotit, e kumtojnë vdekjen e tij derisa të vijë. Për këtë arsye, pikërisht në ditën e Rrëshajëve, në të cilën Kisha iu shfaq botës, “ata që e pranuan fjalën” e Pjetrit “u pagëzuan”. Ata ishin të kujdesshëm për ta përvetësuar mësimin e apostujve dhe nuk mungonin në mbledhje vëllazërore, në ndarjen e bukës e në uratë... ndërsa i jepnin lavdi Hyjit e mbarë populli i kishte fort për hir (krh. Vap 2, 42. 47).
Që atëherë, Kisha kurrë nuk la pas dore të bashkohet në mbledhje për ta kremtuar misterin e Pashkëve, duke lexuar “krejt çka flitet në Shkrimin e shenjtë për të” (Lk 24, 27), duke kremtuar Eukaristinë, “në të cilën bëhen të tanishme kujtimi dhe fitorja e vdekjes së tij të patregueshme” (krh. 2 Kor 9, 15) në Krishtin Jezus, “në nder të lavdisë së tij” (Ef 1, 12), për virtyt të Shpirtit Shenjt.
Përgjigjja Krh. Gjn 15, 1. 5. 9
C Unë jam hardhia e vërtetë, ju jeni shermendet. * Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, aleluja.
D Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur ju. Qëndroni në dashurinë time!
C Kush mbetet në mua e unë në të, ai jep shumë fryt, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti e dërgove Birin tënd për të na shëlbuar e për të na bërë bijtë e tu në shpirt, shikoi me mirësi bijtë e bijat e tua që besojnë në Krishtin: na e jep lirinë e vërtetë dhe trashëgimin e amshuar. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.