Shërbesa e leximeve
Java e tretë e Pashkëve – E Hënë
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e tretë e Pashkëve – E Hënë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht. Aleluja!
Psalmi 50 /49/
Kulti që i pëlqen Zotit
Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
I (1-6)
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të hesht: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Hyji ynë po vjen, nuk fshihet dhe nuk hesht. Aleluja!
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi. Aleluja!
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji, jam Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kushtoji Hyjit fli falënderimi. Aleluja!
Ant. 3 Dashuri dua, e jo flijime: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti. Aleluja!
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Dashuri dua, e jo flijime: jo dhurata, por bashkim me mua, thotë Zoti. Aleluja!
D Zemra ime dhe trupi im galdojnë, aleluja,
C në Hyjin e gjallë, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 7, 1-17
Moria e të shënuarve me vulën e Hyjit.
Unë Gjoni pashë katër engjëj që qëndronin në këmbë në katër këndet e botës. Ata i mbanin katër erërat e dheut, që asnjë erë të mos fryjë as mbi tokë, as mbi det as mbi ndonjë lëndë. Pashë edhe një engjëll tjetër që ngritej nga Lindja.
Ai kishte vulën e Hyjit të gjallë. Ai i thirri me sa zë kishte katër engjëjt që kishin marrë pushtetin të dëmtojnë tokën dhe detin:
»Mos i bëni dëm as tokës, as detit, as lëndëve deri që t'i vulosim në ballë shërbëtorët e Hyjit tonë!«
Atëherë dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur, 144.000 nga të gjitha fiset e bijve të Izraelit:
prej fisit të Judës dymbëdhjetë mijë të vulosur, prej fisit të Rubenit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Gadit dymbëdhjetë mijë,
prej fisit të Aserit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Neftalit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Manaseut dymbëdhjetë mijë,
prej fisit të Simonit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Levit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Isaharit dymbëdhjetë mijë,
prej fisit të Zabulonit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Jozefit dymbëdhjetë mijë, prej fisit të Beniaminit dymbëdhjetë mijë të vulosur.
Pastaj pashë: një shumicë të madhe që askush s'mund e numëronte, prej çdo kombi, çdo fisi, populli dhe gjuhe! Qëndronin në këmbë para fronit dhe para Qengjit të veshur me petka të bardha e me palma në dorë.
Ata shpallnin me zë të lartë: »Shpëtimi i përket Hyjit tonë që rri në fron dhe Qengjit!«
Të gjithë engjëjt që ishin në këmbë rreth fronit, rreth udhëheqësve dhe rreth katër Gjallorëve, ranë përmbys dhe adhuruan Hyjin.
Thoshin: »Amen! Bekim e lavdi, dije e falënderim, nder, pushtet dhe fuqi Hyjit tonë në shekuj të shekujve! Amen!«
Atëherë njëri nga udhëheqësit mori fjalën dhe më pyeti: »Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur?«
Unë u përgjigja: »Imzot, ti e di!«
Dhe ai më tha:
»Këta janë ata që erdhën nga prova e madhe; i lanë petkat dhe i pastruan në gjakun e Qengjit.
Prandaj edhe qëndrojnë para fronit të Hyjit dhe i shërbejnë ditë e natë në tempullin e tij, dhe Ai që rri në fron do t'i shtijë nën tendën e vet.
Më kurrë s'do të kenë uri më kurrë s'do të kenë etje, më s'do t'i djegë dielli as rrezet e tija.
Sepse Qengji që është në midis të fronit do t'i kullosë dhe do t'i çojë në burimet e ujërave të jetës. Edhe Hyji do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre.«
Përgjigjja Krh. Zb 7, 13. 14; 6, 9
C Këta që janë të veshur me petka të bardha, kush janë dhe nga kanë ardhur? Janë ata që erdhën nga prova e madhe; * i lanë petkat dhe i pastruan me gjakun e Qengjit, aleluja.
D Pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë:
C i lanë petkat dhe i pastruan me gjakun e Qengjit, aleluja.
Leximi i dytë
Nga “Komentimi mbi letrën e parë të Pjetrit” i shën Bedës të Nderueshëm, meshtar
(Kap. 2; PL 93, 50-51)
Fis i zgjedhur, meshtari mbretërore.
“Ju jeni fis i zgjedhur, meshtari mbretërore” (1 Pjt 2, 9a). Kjo dëshmi lavdie i qe dhënë moti popullit të lashtë të Hyjit me anë të Moisiut. Tani, me krejt të drejtë Pjetri apostull ua drejton paganëve, sepse besuan në Krishtin, i cili, porsi guri i këndit, i pranoi popujt në atë shëlbim që Izraeli pati për vete.
I quan të krishterët ‘fis të zgjedhur” në saje të fesë, për t’i dalluar prej atyre që, duke i rënë mohit gurit të gjallë, u bënë të mbrapshtë.
Pastaj, ‘meshtari mbretërore’ sepse janë bashkuar me trupin e atij që është mbret i Tejetlartë dhe meshtar i vërtetë, i cili, si mbret, u jep të tijve mbretërinë dhe, si kryeprift, i shlyen mëkatet e tyre me kushtimin e gjakut të vet. I quan ‘meshtari mbretërore’ që të kujtojnë, të kenë shpresë në një mbretëri të pasosur dhe t’ia kushtojnë gjithmonë Hyjit flinë e një jete të panjollë.
Quhen edhe ‘komb i shenjtë dhe popull që Hyji e fitoi për vete’, në përkim me çka thotë Pali apostull, duke shtjelluar fjalët e profetit: “I drejti im do të jetojë prej fesë; por nëse bie nga feja, shpirti im nuk do të kënaqet në të’. Ne veç nuk jemi prej atyre që bien nga feja për t’u bjerrë, por prej atyre që besojnë për t’u shëlbuar” (Heb 10, 38-39). Dhe në Veprat e Apostujve: “Shpirti Shenjt u vuri mbikëqyrës mbi Kishën e Hyjit, që me gjakun e vet e fitoi për vete” (Vap 20, 28).
Pra, jemi bërë “popull që Hyji e fitoi për vete” (1 Pjt 2, 9) me anë të gjakut të Shpërblyesit tonë, siç dikur populli i Izraelit qe shpërblyer me anë të gjakut të qengjit në Egjipt.
Për këtë arsye, në rreshtin që vijon, pasi kujtoi në mënyrë mistike historinë e lashtë, tregon se kjo ka për t’u kryer në mënyrë shpirtërore edhe nga populli i ri i Hyjit, duke thënë: ‘për t’i shpallur veprat e madhërueshme të tija’ (krh. 1 Pjt 2, 9). Sikurse ata që qenë liruar nga Moisiu prej skllavërisë egjiptiane kënduan një himn ngadhënjimi në nder të Zotit, pasi kaluan nëpër Detin e Kuq dhe u mbyt ushtria e faraonit, po ashtu duhet që edhe ne, pasi na qenë falur mëkatet në pagëzim, të jemi mirënjohës për të mirat qiellore.
Egjiptianët që e mundonin popullin e Hyjit, që ishin edhe shëmbëllesë e “errësirës” dhe e “mundimit”, mirë i simbolizojnë mëkatet që na përndjekin, por që u mbytën në pagëzim.
Edhe çlirimi i bijve të Izraelit dhe hyrja e tyre në tokën e premtuar që moti, shumë mirë përkojnë me misterin e shpërblimit tonë, me anë të cilit e mbajmë shpresën e dritës së banesës qiellore, nën ndriçimin dhe udhëheqjen e hirit të Krishtit; dritën e këtij hiri e tregoi edhe ajo re dhe shtylla e zjarrit që gjatë krejt udhëtimit i mbrojti nga terri i natës dhe, nëpër një shtegtim plot vështirësi të papërshkrueshme, u priu deri në atdheun përfundimtar të premtuar.
Përgjigjja Krh. 1 Pjt 2, 9; Lp 7, 7; 13, 6
C Ju jeni fis i zgjedhur, komb i shenjtë, popull që Hyji e fitoi për vete: * shpallni veprat e madhërueshme të atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme, aleluja.
D Zoti ju ka zgjedhur dhe ju ka shpërblyer prej shtëpisë së skllavërisë:
C shpallni veprat e madhërueshme të atij që ju thirri nga errësira në dritën e vet të mrekullueshme, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti ua tregon dritën e së vërtetës atyre që e kanë humbur udhën që të mund ta marrin përsëri rrugën e drejtë, bëj që të krishterët të flakin çka i kundërshton këtij emri e të ndjekin çfarë i ka hije. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.