Shërbesa e leximeve

Java e tretë e Pashkëve – E Martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Java e tretë e Pashkëve – E Martë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 U ngrittë Hyji

   dhe armiqtë e tij u shpërndafshin. Aleluja!

 

   Psalmi 68 /67/ Hyrja ngadhënjimtare e Zotit

 

   Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve. Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë (Ef 4, 8. 10).

 

   I (2-11)

 

U ngrittë Hyji dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, *

   u zhdukshin prej syve të tij ata që e urrejnë!

 

Si zhduket tymi ashtu ti i shpërndan, †

   si shkrihet dylli përballë zjarrit, *

   ashtu të zhbihen keqbërësit përpara Hyjit!

Kurse të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit, *

   le të galdojnë e le të brohorisin me hare.

 

Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij, *

   bëni udhë Atij që kalëron mbi re:

»Zot« është Emri i tij, *

   vallëzoni në praninë e tij!

 

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave *

   është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

 

Hyji u siguron banesën të pashtëpive, †

   u hap të burgosurve derën e lirisë, *

   kundërshtarët i flak në shkretëtirë të thatë.

 

O Hyj, kur dilje para popullit tënd, *

   kur ti kaloje nëpër shkretëtirë:

trandej toka, qielli rigonte *

   para Hyjit të Sinait, para Hyjit të Izraelit.

 

Shi të mbushullimtë lëshoje, o Hyj, *

   e ripërtërije trashëgimin tënd të lodhur.

Gjëja e gjallë jotja banonte në atë vend *

   që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U ngrittë Hyji

   dhe armiqtë e tij u shpërndafshin. Aleluja!

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,

   është ai që na liron prej vdekjes. Aleluja!

 

   II (12-24)

 

Zoti shpall një lajm *

   e vajzat sihariqtare janë një ushtri e tërë:

»Mbretërit e ushtrive ikin e ikin *

   e bukuroshja e shtëpisë prenë e ndan!

 

Ndërsa ju pushoni në mesin e grigjave, †

   krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë si argjendi, *

   e pendlat e saj porsi ari i verdhë.

 

Ndërsa aty i Gjithëpushtetshmi mbretërit i thyente, *

   Selmoni zbardhonte me dëborë!«

 

Mali i Hyjit, mali Basan, *

   mal i thepisur, mali Basan!

 

Përse ju, o male të thepisura, me smirë shikoni †

   malin ku Hyjit i pëlqeu të banojë? *

   Zoti në të do të banojë gjithherë!

 

Qerret e Hyjit dhjetëra mijëra mijërash: *

   Zoti vjen nga Sinai në Shenjtërore!

 

U ngjite lart, skllave skllavërinë e bëre, †

   dhuratë njerëzit i more, *

   që edhe kryengritësit të banojnë te Zoti Hyj.

 

Qoftë bekuar Zoti si një ditë për ditë! *

   Për ne kujdeset Hyji i shëlbimit tonë.

Hyji ynë është Hyj që shëlbon, *

   e Zotit, e Zotit është dera e vdekjes!

 

Patjetër Hyji armiqve të vet kryet do t’ua thyejë, *

   butin flokëshumë të atyre që ecin në udhë të këqija.

 

Tha Zoti: »Nga Basani do t’i kthej, *

   do t’i kthej nga thellësia e detit,

që ta lash këmbën tënde në gjak, *

   që edhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesë në armiq!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hyji ynë është Hyj që shëlbon,

   është ai që na liron prej vdekjes. Aleluja!

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,

   këndoni Zotit himne. Aleluja!

 

   III (25-36)

 

U panë, o Hyj, procesionet e tua, *

   procesionet e Hyjit tim, mbretit tim në Shenjtërore:

 

Përpara këngëtarët, muziktarët pas, *

   në midis vashat duke u rënë defave!

 

»Të gjithë bekojeni Hyjin në bashkime, *

   bekojeni Zotin, o bijtë e Izraelit!«

 

Aty djaloshi Beniamin u prin, †

   princat e Judës me togat e veta, *

   princat e Zabulonit, princat e Neftaliut!

 

Tregoje, o Hyj, fuqinë tënde, *

   përforcoje, o Hyj, çfarë bëre për ne,

prej Tempullit tënd në Jerusalem. *

   Mbretërit le të sjellin dhurata!

 

Kërcënoju egërsirës së kallamit, †

   lorisë së mëzetërve e viçave të popujve, *

   le të përulen e le të sjellin pllaka argjendi;

 

shpërndaji popujt që luftës i gëzohen! †

   Do të vijnë bujarët nga Egjipti, *

   Etiopia do t’i drejtojë duart nga Hyji!

 

Mbretëri të tokës, këndoni Hyjit, *

   këndoni Zotit, këndoni Hyjit,

që kalëron mbi qiellin e qiellit të amshueshëm. *

   Ja, ai e ngre zërin, zërin e fuqishëm:

 

»Pranojeni gjithpushtetësinë e Hyjit!« †

   Mbi Izraelin madhëria e tij, *

   përmbi re fuqia e tij!

I mrekullueshëm je, o Hyj, nga Shenjtërorja jote! †

   Hyji i Izraelit i jep pushtet e fuqi popullit të vet. *

   Qoftë bekuar Hyji!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Këndoni Zotit, o popujt e botës,

   këndoni Zotit himne. Aleluja!

 

   D Krishti i ngjallur prej të vdekurve nuk vdes më, aleluja,

   C vdekja nuk ka më pushte mbi të, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 8, 1-13

 

   Shtatë engjëjt që e ndëshkojnë botën.

 

   Kur Qengji e hapi vulën e shtatë në qiell u bë një heshtim kund një gjysmë ore...

   Atëherë i pashë shtatë engjëj që qëndrojnë para fytyrës së Hyjit; atyre u qenë dhënë shtatë trumbeta.

   Dhe ja, një tjetër engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem për ta kushtuar bashkë me lutjet e të gjithë shenjtërve mbi lterin e artë para fronit.

   Nga dora e engjëllit tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit bashkë me uratat e shenjtërve.

   Atëherë engjëlli e mori kemoren e mbushi me zjarr nga lteri dhe e zbrazi në tokë. Atëherë shpërthyen rrufe e zëra e vetëtima e termet!

   Shtatë engjëjt që kishin shtatë trumbetat, u bënë gati të trumbetojnë.

   I pari i ra trumbetës: mbi tokë ranë breshër e zjarr të përzier me gjak dhe u dogj e treta e tokës dhe e treta e lëndëve, u dogj mbarë bari i gjelbër.

   Edhe i dyti engjëll i ra trumbetës dhe diçka, si mal i ndezur zjarr, qe hedhur në det; e treta e detit u bë gjak,

   dhe e treta e krijesave të gjalla që jetojnë në det cofi; e mbaroi edhe e treta e anijeve.

   Edhe i treti engjëll i ra trumbetës: nga qielli ra një yll i madh ‑ që digjej si vravashka ‑ ra në të tretën e lumenjve dhe të burimeve të ujërave.

   Ylli quhej »Pelin«, dhe e treta e ujërave u shndërrua në pelin; shumë njerëz vdiqën sepse uji u bë i hidhur.

   Edhe i katërti engjëll i ra trumbetës: ‑ u plagos e treta e diellit, e treta e hënës dhe e treta e yjeve, që të errësohej e treta pjesë e tyre. Dita humbi të tretën e dritës së vet, gjithashtu edhe nata.

   Atëherë pashë dhe dëgjova: një shqiponjë fluturonte për midis të qiellit dhe bërtiste me zë të madh: »Vaj, vaj, vaj për banuesit e tokës për shkak të plagëve të trumbetave të tre engjëjve që do të trumbetojnë!«

 

   Përgjigjja Krh. Zb 8, 3-4; 5, 8

 

   C Një engjëll erdhi e qëndroi mbi lter: në dorë kishte një kemore të artë dhe iu dha shumë kem * dhe tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit, aleluja.

   D Secili engjëll kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, që janë urata të shenjtërve;

   C dhe tymi i erëndshëm i kemit u ngrit para Hyjit, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Augustinit, ipeshkëv

   (Ligj. 34, 1-3. 5. 6; CCL 41, 424-426)

 

   T’ia këndojmë Zotit këngën e dashurisë.

 

   Këndoni Zotit një këngë të re; këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve” (Ps 149, 1).

   Qemë nxitur që t’i këndojmë Zotit një këngë të re. Njeriu i ri e njeh këngën e re. Këndimi është shenjë gëzimi e, nëse e vërejmë me kujdes, është edhe shprehje dashurie.

   Pra, ai që di ta duajë jetën e re, di edhe ta këndojë këngën e re. Çka është kjo jetë e re, duhet ta dimë në lidhje me këngën e re. Gjithçka i përket një mbretërie të vetme: njeriu i ri, kënga e re, Besëlidhja e re. Pra, njeriu i ri do të këndojë këngën e re dhe do t’i përkasë Besëlidhjes së re.

   S’ka njeri që nuk dashuron, por duhet të shohim se çka dashuron. Nuk kërkohet prej nesh që të mos duam, por që ta zgjedhim objektin e dashurisë sonë. Por çka do të zgjidhim nëse më së pari nuk jemi zgjedhur ne? Pasi ne s’mund të duam nëse nuk jemi dashur përpara. Dëgjoni Gjonin apostull: “Ne duam sepse Ai na ka dashur ne” (1 Gjn 4, 10).

   Kërko a ka ndonjë arsye për të cilën njeriu duhet ta duajë Hyjin, dhe nuk do të gjesh tjetër përveç kësaj: sepse Hyji e deshi i pari. Ai që ne kemi dashur dha vetveten për ne, dha aq sa duhet që të mund ta duam.

   Çka dha që ta duam, dëgjojeni në mënyrë më të qartë nga Pali apostull: “Dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona”. Prej kujt? Vallë prej nesh? Jo. Prej kujt, pra? “Me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua” (Rom 5, 5). Pra, pasi kemi një besim kaq të madh, ta duam Hyjin me anë të Hyjit. Dëgjoni se ç’thotë qartas vetë Gjoni: “Hyji është dashuri; kush jeton në dashuri, mbetet në Hyjin dhe Hyji mbetet në të” (1 Gjn 4, 16).

   Nuk mjafton që të themi: “Dashuria vjen nga Hyji” (1 Gjn 4,7). Kush prej nesh do të guxonte të thotë çka qe thënë: “Hyji është dashuri”? E tha ai që dinte mirë se çka kishte.

   Hyji na e dhuron krejtësisht vetveten. Na thotë: Më doni e do të më keni, pasi nuk mund të më doni, nëse që më parë nuk më keni.

   O vëllezër, o bij, o popull i krishterë, o fis i shenjtë dhe qiellor, o të rilindur në Krishtin, o krijesa të një bote hyjnore, më dëgjoni, e nëpërmjet meje “këndoni Zotit një këngë të re”.

   Ja, ti thua, unë po këndoj. Ti këndon, po, e dëgjoj se këndon. Por ki kujdes që jeta jote të mos dëshmojë kundër zërit tënd.

   Këndoni me zërin, këndoni me zemrën, këndoni me gojën, këndoni me sjelljen tuaj të shenjtë. “Këndoni Zotit një këngë të re”.

   Po më pyesni se çka duhet të këndoni për atë që e doni? Patjetër keni fjalë për atë që e doni, për të doni të këndoni. Kërkoni lavde për t’i kënduar? E dëgjuat: “Këndoni Zotit një këngë të re”. I kërkoni lavdet? “Këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve”.

   Këngëtari bëhet, ai vetë, lavdia e këngës së tij.

   Doni t’ia thoni lavdet Hyjit? Jini ju vetë ajo lavdi që duhet thënë, e do të jeni lavdia e tij nëse do të jetoni mirë.

 

   Përgjigjja Krh. Rom 6, 4: 1 Gjn 3, 23; Ps 149, 1

 

   C Sikurse Krishti u ngjall në lavdinë e Atit prej të vdekurve, po ashtu edhe ne të jetojmë në jetën e re. * Ta duam njëri-tjetrin, si ai na urdhëroi, aleluja.

   D Këndoni Zotit një këngë të re; këndoni lavdi në mbledhjen e shenjtërve.

   C Ta duam njëri-tjetrin, si ai na urdhëroi, aleluja.

 

   Lutja

 

   O Hyj, ti ua hap derën e Mbretërisë sate atyre që i rilind me ujë e me Shpirt Shenjt: shtoje në shërbëtorët e tu hirin e pagëzimit, që, të pastruar nga mëkatet e tyre, të mos i humbasin asnjë nga premtimet e tua. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.