Shërbesa e leximeve

Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Java e tretë e Pashkëve – E Mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Hiri dhe besnikëria, para fytyrës sate, o Zot. Aleluja!

 

   Psalmi 89 /88/ (2-38) Mëshira e Zotit ndaj shtëpisë së Davidit

 

   Hyji, prej pasardhësve të tij, si pati premtuar, ia ngriti Izraelit Shëlbuesin: Jezusin (Vap 13, 23).

 

   I (2-19)

 

Dashurinë e Zotit gjithmonë do të këndoj, *

   brez pas brezi goja ime

   do të shpallë besnikërinë tënde.

 

Sepse the: »Hiri im qëndron për amshim«, *

   në qiell është e themeluar besnikëria jote!

 

»Bëra besëlidhje me të zgjedhurin tim, *

   i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim:

Farën tënde do ta ruaj për amshim, *

   froni yt do të qëndrojë brez pas brezi.«

 

Qiejt i këndojnë veprat e tua, o Zot, *

   kuvendi i shenjtërve besnikërinë tënde!

E kush ndër re është i barabartë me Zotin? *

   Kush është i ngjashëm ndër zota me Zotin?

I tmerrshëm është Hyji në logun e shenjtërve, *

   i madh e i përfrigueshëm mbi të gjithë

   ata që i rrinë përreth.

 

O Zot, Hyji i ushtrive, kush është si ti? *

   I pushtetshëm je, o Zot, e besnikëria të rrethon!

 

Ti zotëron kreninë e detit, *

   ua ul kryet valëve të tërbuara.

Ti e copëtove Rahabin dhe e shqelmove, *

   me krah të fuqishëm armiqtë i shpërndave.

 

Yti është qielli, jotja është Toka, *

   ti e krijove tokën dhe gjithçka ajo përmban.

Veriun e jugun ti i krijove, *

   Tabori e Hermoni i brohoritin Emrit tënd.

 

Krahu yt është plot fuqi, *

   e fortë është dora jote, e lartësuar e djathta jote!

Drejtësia dhe e drejta janë themeli i fronit tënd, *

   dashuria dhe e vërteta gjithkund të shkojnë përpara.

 

Lum ai popull që di të brohorasë, *

   që ecën në dritën e fytyrës sate, o Zot!

Përherë do të gëzojë në Emër tënd, *

   e do të mburret në drejtësinë tënde.

 

Sepse ti je stolia e fuqisë së tyre *

   e me hirin tënd rritet fuqia jonë.

Sepse i Zotit është shqyti ynë, *

   mbreti ynë i Shenjtit të Izraelit!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Hiri dhe besnikëria, para fytyrës sate, o Zot. Aleluja!

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit. Aleluja!

 

   II (20-30)

 

Dikur, në një vegim, fole me miqtë e tu e u the: †

   »Trimit të trimit ia dhashë ndihmën time, *

   e lartësova një djalosh nga populli.

 

Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, *

   e leva me vajin tim të shenjtë.

Dora ime gjithmonë do të jetë me të, *

   dhe krahu im përherë do ta kërthndez.

 

Armiku askurrë nuk do të ngadhënjejë mbi të, *

   i paudhi nuk do të mund ta ndrydhë.

Unë do t’i thyej para tij armiqtë e tij, *

   do t’i zhbij kundërshtarët e tij.

 

Besa ime dhe mëshira ime do të jenë me të, *

   në saje të Emrit tim do t’i rritet pushteti.

Dorën e tij do ta shtrij mbi det, *

   të djathtën e tij përmbi lumenj.

 

Ai do të më thërrasë: ‘Ati im, *

   Hyji im, Qeta e shpëtimit tim!’,

kurse unë do ta bëj të Parëlindurin tim, *

   më të madhin ndër mbretërit e tokës.

 

Për të gjithmonë do ta ruaj mëshirën, *

   Besëlidhjen me të kurrë s’do ta thyej.

Trashëgiminë e tij do ta bëj të amshueshme, *

   fronin e tij porsi ditët e qiellit.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti, Biri i Hyjit, u bë njeri prej fisit të Davidit. Aleluja!

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: trashëgimia jote do të zgjasë përgjithmonë. Aleluja!

 

   III (31-38)

 

Nëse bijtë e tij e lënë Ligjin tim, *

   e në mos ecshin ligjeve të mia,

po nuk zbatuan vendimet e mia, *

   po i shkelën urdhërimet e mia,

 

me thupër do t’i ndëshkoj mëkatet e tyre, *

   me frushkull të rreptë paudhësitë e tyre.

 

Por nuk do ta këpus dashurinë me të *

   as nuk do ta prish besnikërinë time.

Nuk do ta thyej besëlidhjen time *

   as s’do t’i zhbëj premtimet e mia.

 

Një herë u përbetova me shenjtërinë time: *

   ‘Askurrë Davidin nuk do ta lë në rrenë!’

 

Fara e tij do të qëndrojë për amshim, *

   froni i tij para meje si Dielli,

do të qëndrojë për amshim si Hëna, *

   dëshmitare besnike mbi re.«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Hyji i premtoi Davidit, shërbëtorit të vet: trashëgimia jote do të zgjasë përgjithmonë. Aleluja!

 

   D Hyji e ngjalli Krishtin prej së vdekuri, aleluja,

   C që në të të jetë feja dhe shpresa jonë, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 9, 1-12

 

   Plaga e karkalecave.

 

   Unë Gjoni pashë: engjëlli i pestë i ra trumbetës: pashë një yll duke rënë mbi tokë!

   Atij iu dorëzua çelësi i pusit të Humnerës.

   Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës, nga pusi doli tym, porsi tym i një furre të madhe. Prej tymit të pusit u errësua dielli gjithashtu edhe ajri.

   Nga tymi dolën mbi tokë karkaleca, dhe u qe dhënë atyre zotësia si e kanë përçollakët e tokës.

   U qe ndaluar t'i bëjnë farë dëmi barit të tokës, gjelbërimeve e lëndëve, por të dëmtojnë njerëzit që nuk e kanë në ballë vulën e Hyjit.

   U qe lejuar, jo t'i vrasin, por t'i mundojnë për pesë muaj; mundimi është porsi mundimi që jep përçollaku kur e ha njeriun.

   Në ato ditë njerëzit do ta lypin vdekjen e nuk do ta gjejnë. Do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

   Karkalecat ishin në ngjasim të kuajve të përgatitur për luftim: në kokë kishin si kurorë ari dhe fytyrat i kishin si njerëzit, flokët porsi flokët e grave, dhembët porsi të luanëve.

   Ishin të ngjeshur pothuajse me hekur, ushtima e krahëve të tyre si ushtima e karrocave lufte me shumë kuaj kur sulen në luftim.

   Bishti i tyre në ngjasim të përçollakëve, me thimtha; në bisht e kishin fuqinë për të munduar njerëzit gjatë pesë muajve.

   Për mbret kishin engjëllin e Humnerës që hebraisht quhet Abadon e greqisht Apolion.

   »Vaj‑i« i parë kaloi, Ja, po vijnë edhe dy »Vaje« të tjera!

 

   Përgjigjja Krh. Jl 3, 3. 5; Mk 13, 33

 

   C Do të bëj shenja të bindshme në qiell e në tokë: gjak e zjarr e shtylla tymi. * Gjithkush që ta thërrasë emrin e Zotit do të shëlbohet, aleluja.

   D Rrini me kujdes! Rrini zgjuar, sepse nuk e dini kur do të vijë ai çast.

   C Gjithkush që ta thërrasë emrin e Zotit do të shëlbohet, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Apologjia e parë në dobi të të krishterëve” e shën Justinit, martir

   (Kap. 61; PG 6, 419-422)

 

   Larja e rilindjes.

 

   Do të tregojmë se si ne, të ripërtërirë me anë të Krishtit, iu kushtuam Hyjit. Ata që, pasi e arritën bindjen e plotë, i besuan ato të vërteta të mësuara dhe të shpallura prej nesh, dhe premtuan se do të jetojnë në përkim me ato, prihen në lutje që t’i kërkojnë Hyjit faljen e mëkateve. Ne i mësojmë që ta përcjellin lutjen me agjërim, por edhe ne i lutemi dhe agjërojmë në bashkim të plotë me ta.

   Pastaj i udhëheqim tek pagëzimorja dhe aty rilindin po ashtu sikurse edhe ne rilindëm. Sepse në atë rast e pranojnë larjen me ujë në emër të Krijuesit dhe Hyjit, Zotëruesit të të gjitha sendeve, dhe të Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit dhe të Shpirtit Shenjt.

   Jezusi tha: Nëse nuk do të rilindni, nuk do të hyni në mbretërinë e qiellit (krh. Mt 18, 3). Kuptohet se nuk lypet që të hyjmë përsëri në barkun e nënës, sepse lindja për të cilën flitet është shpirtërore.

   Isaia profet shtjelloi se në çfarë mënyre çlirohen nga mëkatet ata që i bënë dhe u penduan: Lahuni, pastrohuni, hiqeni të keqen prej shpirtrave tuaj. Mësoni të bëni të mirën, jepni të drejtën bonjakut, mbrojeni të vejën. Ejani të pleqërohemi, thotë Zoti. Edhe në qofshin mëkatet tuaja kuq si gjaku, do të bëhen bardhë si bora. Por nëse nuk do të më dëgjoni, shpata do t’ju përpijë. Kështu foli goja e Zotit (krh. Is 1, 16-20).

   Ky mësim na qe dhënë prej apostujve. Në lindjen tonë të parë, u qitëm në dritë prej prindërve në saje të instinktit natyror dhe pavetëdije. Tani nuk duam të mbesim thjesht bij të natyrës dhe të padijes, por të një zgjedhjeje të vetëdijshme. Duam të fitojmë prej ujit shëlbimprurës faljen e fajeve të bëra. Për këtë arsye, mbi atë që dëshiron të rilindë dhe është penduar për mëkatet, shqiptohet emri i Krijuesit dhe Zotëruesit, Hyjit të gjithësisë. Vetëm këtë emër e thërrasim mbi atë që përcillet te larja e pagëzimit.

   Larja quhet ndriçim, sepse ata që i mësojnë të vërtetat e përmendura ndriçohen në mendjen e tyre. Ai që ndriçohet edhe lahet. Ndriçohet dhe lahet në emër të Jezu Krishtit, të kryqëzuar nën Poncin Pilat; ndriçohet dhe lahet në emër të Shpirtit Shenjt, i cili parakumtoi, me anë të profetëve, gjithçka në lidhje me Jezusin.

 

   Përgjigjja Krh. Gjn 3, 5-6

 

   C Jezusi i tha Nikodemit: Përnjëmend, përnjëmend po të them: * kush nuk lind me anë të ujit dhe të Shpirtit Shenjt nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit, aleluja.

   D Çka lind prej mishit, mish është, e çka lind prej Shpirtit, shpirt është;

   C kush nuk lind me anë të ujit dhe të Shpirtit Shenjt nuk mund të hyjë në Mbretërinë e Hyjit, aleluja.

 

   Lutja

 

   Ji pranë familjes sate, o Zot, dhe ndihmoje me bujari: ti që ia dhe hirin e fesë, bëje edhe pjesëtare në ngjalljen e Birit tënd, Jezu Krishtin. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.