Shërbesa e leximeve

23 prill, Shën Gjergji, martir

 

Përkujtim

 

      Që në shekullin IV qe përnderuar në Diospoli (Palestinë), ku qe ndërtuar një kishë në nder të tij. Kulti i tij u përhap në Lindje e në Perëndim që prej kohëve të lashta.

 

Nga Përbashkorja e barinjve ose e mësuesve fq. 1760 me psalmet e ditës në psalter.

 

Ftesa

 

D    O Zot, hapi buzët e mia.

C    Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

      Psalmi 95 /94/

 

Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

      Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë

 

      Himni

 

      O Martir, bëje të lumtur

      ditën tënde të ngadhënjimit,

      që ty fitues të jepet

      shpërblim kurora e gjakut.

 

      Me këtë nga errësira e shekullit

      xhelat mposhte e gjykatës,

      ky të ngriti në qiell e ditët

      triumfuese në Krishtin t’i bëri.

 

      Tashti pjesëtar me engjëjt

      shkëlqen me rrobë të shquar,

      që dëshmues i pamposhtur

      në përrenj gjaku e lave.

 

      Tash më rri pranë e lutu,

      që Krishti i qetë ndaj të vetëve

      ta kthejë veshin mëshirues,

      mos t’i njehë të gjitha fajet.

 

      Paksa këtu depërton,

      nga Krishti lyp mbështetje,

      që shqiset e rënduara

      të ndiejnë lehtësinë e faljes.

 

      Atit dhe Birit nderi

      bashkë me Shpirtin jetëdhënës,

      ty kurorë të përjetshme

      të vënë në treme të lumturisë. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Shiko, o Zot, dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd. Aleluja!

 

   Psalmi 89 /88/ (39-53) Ankimi mbi gërmadhat e shtëpisë së Davidit

 

   E ngriti Shpëtimtarin tonë në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet. (Lk 1, 69).

 

   IV (39-46)

 

Por tani e flake dhe e përbuze, *

   u zemërove kundër të shuguruarit tënd.

E prishe Besëlidhjen me shërbëtorin tënd, *

   në llom e hodhe kezën e tij.

 

I rrënove të tërë muret e tij, *

   rrënoja të frikshme kështjellat e tij.

Pre po e bëjnë gjithsa udhës kalojnë, *

   për të gjithë fqinjët u bë i neveritshëm.

 

E lartësove të djathtën e armiqve të tij, *

   i gëzove të gjithë armiqtë e tij.

Tykë ia bëre tehun e shpatës së tij, *

   e nuk deshe në luftë t’i jepje ndihmë.

I dhe fund shkëlqimit të tij, *

   e përdhe fronin ia rrëzove.

Ia shkurtove ditët e rinisë, *

   e mbulove me poshtërim e turp.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Shiko, o Zot, dhe shqyrtoje përvujtërimin e popullit tënd. Aleluja!

 

Ant. 2 Krishti është rrënja e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!

 

   V (47-53)

 

Po deri kur, o Zot, do të fshihesh kështu, *

   flakë do të ndizet hidhërimi yt?

 

Të të bjerë në mend sa e shkurtër është jeta ime! *

   Vallë, thua kot i krijove njerëzit?

 

Kush i gjallë vdekjen s’do ta shohë, *

   prej Nëntokës kush do të shpëtojë jetën?

Ku janë, Zot, mëshirat e dikurshme të tuat *

   që me be ia premtove Davidit?

 

Të shërbëtorëve të tu, Zot, kujto çnderimin; *

   në zemër e mbaj poshtërimin e paganëve,

që na bënë armiqtë e tu, o Zot, *

   çnderojnë gjurmët e të shuguruarit tënd.

 

Qoftë bekuar Zoti për amshim. *

   Amen! Amen!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Krishti është rrënja e Davidit, ylli ndriçues i mëngjesit. Aleluja!

 

Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona: por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!

 

   Psalmi 90 /89/ (1-17) Mirësia e Zotit qoftë mbi ne

 

   Te Zoti një ditë është si një mijë vjet, po edhe një mijë vjet janë si një ditë e vetme (2 Pjt 3, 8).

 

O Zot, ti u bëre strehimi ynë *

   nga breznia në brezni.

 

Para se të lindnin malet, †

   para se të bëhej toka dhe rruzulli, *

   prej amshimit të amshimit ti je Hyj!

 

Ti e kthen njeriun në pluhur duke thënë: *

   »Kthehuni, bijtë e Adamit!«

 

Sepse mijëra vjet për sy të tu †

   janë si dita e djeshme që kaloi, *

   porsi ndërresa e rojës së natës!

 

Ti i zhbin në ngjasim të gjumit *

   që në mëngjes kalon si bari;

lulëzon në mëngjes edhe gjelbëron, *

   në mbrëmje korret edhe vyshket!

 

Sepse na shkatërroi felgrimi yt, *

   na tmerroi furia e zemërimit tënd.

Para vetes i vure fajet tona, *

   të fshehtat tona në dritë të fytyrës sate.

 

Ditët na shkuan në hidhërimin tënd, *

   si një ofshamë mbaruan vitet tona.

 

Jeta jonë zgjat shtatëdhjetë vjet, *

   po qemë të shëndoshë edhe tetëdhjetë,

por shumica me mundim e dhembje, *

   kalojnë shpejt e ne prej këndej fluturojmë.

 

Kush ia di fuqinë zemërimit tënd, *

   felgrimin tënd siç e lyp frika jote?

 

Na mëso ashtu t’i njehim ditët tona *

   që zemra jonë dijen ta mbërrijë.

 

Kthehu, o Zot! Deri kur kështu? *

   Deh, ki mëshirë për shërbëtorët e tu!

Na e diko në mëngjes mëshirën tënde *

   e do të gëzohemi e do të galdojmë

   të gjitha ditët e jetës sonë.

Gëzona për ditët që na mundove, *

   për vjetët që i kaluam në mjerim.

Vepra jote të shfaqet në shërbëtorë të tu, *

   shkëlqimi yt mbi bijtë e tyre!

 

Rëntë mbi ne mirësia e Zotit, Hyjit tonë, †

   bëj të shkojë mbarë vepra e duarve tona, *

   të përparojë vepra e duarve tona.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Si bari kalojnë ditët tona: por ti, o Zot, je përgjithmonë. Aleluja!

 

   D Hyji e ngjalli Krishtin Zot, aleluja;

   C me fuqinë e vet do të na ringjall edhe ne, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 9, 13-21

 

   Plaga e luftës.

 

   Unë Gjoni pashë: engjëlli i gjashtë i ra trumbetës: atëherë dëgjova një zë që po vinte nga brirët e lterit të artë që është para Hyjit, i cili i thoshte të gjashtit engjëll që kishte trumbetën:

   »Zgjidhi katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e Madh, në Eufrat!«

   Dhe qenë zgjidhur katër engjëjt që ishin të gatshëm për atë moment e për atë ditë, për atë muaj e vit, për të vrarë të tretën e njerëzve. Numri i togave të kalorësve ‑ ua dëgjova numrin ‑ ishte dyqind milionë!

   Në vegim të tillë m'u paraqitën kuajt dhe kalorësit: pancirët i kishin ngjyrë zjarri, vjollce dhe sulfuri. Kokat e kuajve, koka luanësh, gojët e tyre villnin zjarr, tym dhe sulfur.

   Nga këto tri plagë: zjarr, tym dhe sulfur, që dilnin nga goja e tyre, sharroi e treta e njerëzve. Sepse kuajt e kanë forcën e tyre në gojën e tyre dhe në bishtin e tyre: bishti i tyre u ngjan gjarpërinjve: kanë kokë me të cilën dëmtojnë.

   Megjithatë, njerëzit që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u kthyen nga veprat e duarve të veta; por vazhduan të adhurojnë djajtë, idhujt e artë, të argjendtë, të bronztë, të hekurt, të drunjtë, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë as të ecin. Nuk u kthyen nga vrasjet e veta, as nga shortitë e veta, as nga fëlligështitë e veta, as nga vjedhjet e veta.

 

   Përgjigjja Krh. Vap 17, 30. 31; Jl 1, 13. 14

 

   C Hyji, duke mos i marrë parasysh kohët e padijes, tani urdhëron: le të kthehen të gjithë njerëzit e çdo vendi. * Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën, aleluja.

   D Mbarështues të Hyjit, bashkoni të gjithë banorët e vendit, dhe brohoritni Zotit.

   C Ai e caktoi një ditë, kur me drejtësi do ta gjykojë botën, aleluja.

 

Leximi i dytë

 

Nga “Fjalimet” e shën Pier Damianit, ipeshkëv.

(Fjal. 3 mbi shën Gjergjin; PL 144, 567-571)

 

      I pathyeshëm me pajisjen e Kryqit

 

      Festa e sotme, o fort të dashur, e dyfishon gëzimin e lavdisë pashkvore dhe, porsi gur i çmueshëm, e shndrit me bukurinë e shkëlqimit të vet arin në të cilin është ngërthyer.

      Është e qartë se ai kaloi prej njërit në tjetrin shërbim ushtarak. E ndërroi detyrën e tribunit me ushtrinë e krishterë. Në aradhet e reja u soll si ushtar trim. Duke ua ndarë skamnorëve gjithçka kishte, u lirua, para së gjithash, nga barra e të mirave tokësore, e kështu i lirë e i zgjidhur e i mbuluar me armaturën e fesë, si luftëtar i guximshëm i Krishtit u hodh në mes të betejës.

      Prej këtyre fjalëve e dimë se nuk mund të luftojnë në mënyrë të fuqishme dhe të përshtatshme ata që ende kanë frikë t'i braktisin të mirat tokësore. Ndërsa shën Gjergji, i ndezur nga zjarri i Shpirtit Shenjt dhe i pajisur në mënyrë të pathyeshme me emblemën e Kryqit, luftoi kundër mbretit të paudhësisë. E mposhti kryetarin e të gjithë të këqijve në satelitët e tij, dhe e mbushi me guxim dhe fuqi zemrën e ushtarëve të Krishtit. Në betejë ishte i pranishëm, ndonëse në mënyrë të papashme, gjenerali më i lartë. E, pra, është ai që, në planin e vet të posaçëm, lejon që hordhia e të paudhëve të bëjë kërdinë. E megjithëse ua dorëzoi xhelatëve martirin e vet, prapëseprapë e ruajti, e mbrojti dhe e shpëtoi shpirtin e tij, i cili mbështetej në kështjellën e papushtueshme të fesë.

      Vëllezër fort të dashur, nuk duhet vetëm ta admirojmë këtë trim të ushtrisë qiellore, por edhe ta imitojmë. Ta ngremë shpirtin tonë tek shpërblimi i lumturisë qiellore. Të ngulur në këtë soditje, asgjë s'do të mund të na kthejë në tjetër udhë: as buzëqeshja joshëse e ngashënjimeve, as fryrja kërcënuese e salvimeve.

      Sipas urdhrit të Palit, të pastrohemi në trup e në shpirt. Kështu një ditë do të mund të hyjmë në tempullin e lumturisë, të cilin tash e kundrojmë vetëm me sytë e mendjes.

      Pastaj, kushdo të kërkojë t'ia kushtojë vetveten Hyjit në tendën e Krishtit që është Kisha, pasi u la në gurrën e pagëzimit, duhet të vishet me petkun e virtytit, sikurse është shkruar: “Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi” (Ps 131, 9).

      Kush lind njeri i ri në Krishtin me anë të pagëzimit, le të mos vishet më me petkun e vdekjes, por le ta braktisë njeriun e vjetër, le të vishet me të riun e në të le të jetojë, duke ndjekur një stil të ri me sjellje të pastër e të shenjtë. Vetëm kështu, domethënë të pastruar nga mjerimi i mëkatit të lashtë dhe të shndritshëm në shkëlqimin e jetës së re, do të mund ta kremtojmë denjësisht misterin pashkvor dhe vërtet do ta ndjekim shembullin e martirëve.

 

      Përgjigjja

 

      C Për Hyjin e vet shën Gjergji luftoi deri në vdekje, e kapërceu provën: * forca e tij ishte Krishti, aleluja.

      D E pëlqeu Mbretërinë e qiellit më tepër se jetën në këtë botë:

      C forca e tij ishte Krishti, aleluja.

 

      Lutja

 

      O Zot, ne po e madhërojmë fuqinë tënde dhe po të lutemi me përvujtëri që, sikurse shën Gjergji martir iu bashkua mundimit të Krishtit, ashtu të jetë edhe ndihmës i gatshëm i ligështisë sonë. Nëpër Zotin.

 

          Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.