Shërbesa e leximeve

Java e tretë e Pashkëve – E Premte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Java e tretë e Pashkëve – E Premte

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Gëzohu, qiell, prej së larti,

   brohoritni tokë e det,

   Krishti pas kryqit ngjallur,

   vdekatarëve u dha jetë.

 

   Koha e pritur tash u kthye,

   shihet dita e shpëtimit,

   pas një errësire u shkëlqye

   bota nga gjaku i Qengjit.

 

   Ajo vdekje prej mundimesh

   bëhet falje e krimit;

   virtyti mbet pa u prekur

   fitoren e dha i munduri.

 

   Kjo ish prova e shpresës sonë,

   që të binden besimtarët,

   pastaj dhe ata do të ngjallen

   për të gëzuar jetën e lume.

 

   Ja, pra, Pashkët e bardha

   shkaku i këtyre të mirave,

   të gjithë trimërisht të kremtojmë

   me kaq dhurata të mbushur.

 

   Jezus, ti qofsh i përhershëm

   për zemrat gëzimi i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

   (Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!

 

   Psalmi 69 /68/ (2-22. 30-37) Më përpin zelli për shtëpinë tënde, o Zot

 

   I dhanë të pijë verë të përzier me tëmëlth (Mt 27, 34).

 

   I (2-13)

 

Më shpëto, o Hyj, *

   sepse ujët më arriti deri në fyt!

 

Jam ngulur thellë në baltë, *

   s’kam ku ta vë këmbën time në të fortë:

kam rënë në pellgun e ujërave *

   e valët po më mbulojnë.

U këputa duke lëshuar kushtrim, †

   m’u tha krejtësisht gurmazi, *

   m’u mor drita e syve duke pritur Hyjin tim.

 

Më shumë se flokët e kresë sime *

   janë ata që më urrejnë pa të drejtë.

U forcuan ata që më salvuan,

   armiqtë e mi rrenacakë: *

   çka nuk vodha më duhej të ktheja?

 

O Hyj, ti e njeh marrëzinë time, *

   fajet e mia nuk janë të fshehura para teje.

 

Mos lejo të skuqen në mua *

   ata që shpresojnë në ty, o Zot, Zoti i ushtrive,

mos lejo të turpërohen në mua *

   ata që të kërkojnë ty, Hyji i Izraelit!

 

Sepse për shkak tëndin e mbarta poshtërimin, *

   marrja ma mbuloi fytyrën,

u bëra i huaj për vëllezërit e mi, *

   i panjohur për bijtë e nënës sime.

 

Pse shkrihem në zell për Shtëpinë tënde, *

   përbuzjet e atyre që ty të përqeshin ranë mbi mua.

E ndëshkova veten me agjërim, *

   por kjo m’u kthye në çnderim;

 

për petk vesha grathoren, *

   përrallë e lodër u bëra për ta.

Kundër meje flasin ata që rrinë në derë, *

   pijanecët po më vënë në bisht të lahutës.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 U këputa duke lëshuar kushtrim dhe duke pritur Hyjin tim. Aleluja!

 

Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!

 

   II (14-22)

 

E pra, unë ty të lutem, o Zot, *

   në kohën e përshtatshme, o Hyj,

më vështro pashë dashurinë tënde, *

   pashë të vërtetën e shpëtimit tënd!

 

Më nxirr nga lymi të mos humbas, †

   më shpëto prej atyre që më urrejnë, *

   prej ujërave të thella!

 

Mos lejo të më mbulojnë valët e ujërave, †

   mos lejo të më përpijë thellësia, *

   të mos e mbyllë pusi gojën e vet mbi mua!

 

Më dëgjo, o Zot, se bamirës është përdëllimi yt, *

   shiko mbi mua sipas mëshirës sate të madhe,

 

mos e fsheh fytyrën tënde prej shërbëtorit tënd, *

   sepse jam tepër ngushtë, më shpëto pa vonesë!

Afroju shpirtit tim e shpaguaje atë *

   për shkak të armiqve të mi, më shpërble.

 

Ti e sheh çnderimin tim, †

   marrjen time e »nderimin« tim: *

   para teje janë të gjithë ata që më salvojnë.

 

Poshtërimi ma këputi zemrën e më lëshuan fuqitë, †

   prita të gjendet dikush që të më ankojë, por s’qe, *

   ndokush që të më ngushëllojë, por s’e gjeta.

 

Në ushqim më qitën vrer *

   e në etje më dhanë të pi uthull.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Në ushqim më qitën vrer e në etje më dhanë të pi uthull. Aleluja!

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!

 

   III (30-37)

 

Mua të mjerin e të pikëlluarin: *

   më shpëtoftë, o Hyj, shëlbimi yt!

 

Do të lëvdoj Emrin e Hyjit me këngë, *

   do ta lartësoj me këngë falënderjeje.

Kjo i pëlqen Zotit më tepër se mëzati, *

   më tepër se demi me brirë e me thundra!

 

Le të shikojnë të përvujtët e le të gëzohen; *

   kërkojeni Hyjin e zemra do t’ju kërthndezet.

Sepse Zoti i dëgjon skamnorët, *

   s’i përbuz të vetët që janë të robëruar.

 

Le ta lavdërojnë qielli e toka, *

   detet dhe gjithçka lëviz në to.

 

Sepse Hyji do ta shpëtojë Sionin, †

   Ai do t’i rindërtojë qytetet e Judës, *

   aty do të banojnë e do ta trashëgojnë.

 

Fara e shërbëtorëve të tij do ta trashëgojë, *

   në të do të ngulë kush e do Emrin e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Kërkojeni Zotin dhe do të jetoni. Aleluja!

 

   D Për ngjalljen tënde, o Krisht, aleluja

   C gëzohen qielli dhe toka, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 10, 1-11

 

   Duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj.”

 

   Unë Gjoni, pashë edhe një engjëll tjetër të fortë që zbriste nga qielli, i mbështjellë në re, në kokë kishte ylberin, fytyrën e kishte si dielli, kurse këmbët porsi shtylla zjarri.

   Në dorë mbante një librec të hapur. Këmbën e djathtë e vuri në det e të majtën në tokë,

   dhe bërtiti me zë të lartë, ashtu si ulurin luani. Kur bërtiti, ushtuan shtatë bubullimat me gjëmat e veta.

   Pasi shtatë bubullimat i dhanë zërat e vetë, desha të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që thoshte: »Mbaj në fshehtësi ç'thanë shtatë bubullimat! Mos shkruaj!«

   Kurse ai, engjëlli që pashë se qëndroi në det e në tokë, e lartësoi të djathtën e vet drejt qiellit dhe u përbetua me Atë që jeton në shekuj të shekujve, që ka krijuar qiellin dhe gjithçka gjendet në të, tokën dhe gjithçka gjendet në të, detin dhe gjithçka gjendet në të: »Më s'do të ketë kohë, por ‑ në ditët, kur të dëgjohet i shtati engjëll, kur të trumbetojë ‑ do të marrë fund misteri i Hyjit, sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve.«

   Zëri që e dëgjova nga qielli, foli rishtas me mua e tha: »Shko e merre librin e hapur prej dorës së engjëllit që qëndron mbi det dhe mbi tokë.«

   U afrova dhe e luta engjëllin të ma japë librecin. Ai më tha: »Merre dhe haje! Barkun do ta hidhërojë, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjalti.«

   E mora librecin nga dora e engjëllit dhe e hëngra: në gojën time ishte i ëmbël si mjalti, por, pasi e hëngra, m'u hidhërua barku.

   Atëherë më qe thënë: »Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër!«

 

   Përgjigjja Krh. Zb 10, 7; Mt 24, 30

 

   C Engjëlli do të trumbetojë dhe do të marrë fund misteri i Hyjit, * sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve, aleluja.

   D Atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe me madhëri të madhe,

   C sikurse Ai vetë ua shpalli shërbëtorëve të vet profetëve, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Ligjëratat” e shën Efremit, diakon

   (Ligj. Mbi Zotin, 3-4. 9; Opera, ed. Lamy 1, 152-158. 166-168)

 

   Kryqi i Krishtit, shëlbimi i botës.

 

   Zoti ynë qe mundur nga vdekja, por edhe ai e shkeli atë porsi rrugë të rrahur. Vullnetarisht e pranoi vdekjen, për ta shkatërruar atë, që nuk donte të vdesë. Zoti ynë doli duke e mbartur kryqin, sepse kështu deshi vdekja. Por mbi kryq, me klithmën e vet i nxori të vdekurit jashtë nëntokës, megjithëse vdekja përpiqej ta kundërshtonte.

   Vdekja e vrau në trupin që ai mori, por me të njëjtat armë ai ngadhënjeu mbi vdekjen. Hyjnia u fsheh nën njerëzinë dhe iu afrua vdekjes, e cila vrau dhe qe vrarë ajo vetë. Vdekja e vrau jetën natyrore, por qe vrarë nga jeta mbinatyrore. Pasi vdekja s’mund ta përpinte Fjalën pa trup, as nëntoka s’mund ta pranonte pa trup, ai lindi nga Virgjëra, që të mund të zbriste, me anë të trupit, në nëntokë. Por pasi arriti atje me trupin që mori, i shkatërroi dhe i shpërndau të gjitha pasuritë e të gjitha visaret e ferrit.

   Krishti erdhi tek Eva, e ëma e të gjithë të gjallëve. Ajo është hardhia, gardhi i së cilës, për shkak të vetë Evës qe hapur pikërisht nga vdekja dhe për këtë ajo do t’i shijonte frytet e vdekjes.

   Eva, e ëma e të gjithë njerëzve, u bë edhe shkak vdekjeje për të gjithë njerëzit.

   Pastaj, lulëzoi Maria, hardhia e re në lidhje me Evën e vjetër, dhe në të banoi jeta e re, Krishti. Ndodhi atëherë që vdekja iu afrua atij për ta përpirë me sigurinë dhe pashmangshmërinë e saj të zakonshme. Por nuk e vërejti se në frytin e vdekshëm që po hante ishte fshehur Jeta. Dhe kjo e shkaktoi vdekjen e llupëses së pavetëdijshme e të pakujdesshme. Vdekja e gëlltiti pa kurrfarë frike dhe ai e liroi jetën dhe me të shumicën e njerëzve.

   I fuqishëm paska qenë Biri i zdrukthëtarit, i cili e çoi kryqin e vet mbi ferrin, që përpinte gjithçka, dhe e kaloi gjininë njerëzore në banesën e jetës. Dhe pasi për shkak të një druri njerëzimi ra në ato vende të nëntokës, përmbi një dru hyri në banesën e jetës. Pra, në atë dru ku kishte qenë shartuar një gem i hidhur, qe shartuar një gem i ëmbël. Që ta njohim atë, të cilit asnjë krijesë s’mund t’i kundërshtojë.

   Lavdi ty, që me kryqin tënd bëre një urë përmbi vdekje. Nëpër këtë urë shpirtrat mund të kalojnë prej viseve të vdekjes në atë të jetës. Lavdi ty, që u veshe me trupin e njeriut të vdekshëm dhe e shndërrove në një burim jete për të gjithë të vdekshmit.

   Vërtet, ti tani jeton. Ata që të vranë vepruan ndaj jetës sate porsi bujq. E mbollën porsi kokërr gruri në brazdë të thellë. Por prej andej mbiu dhe bëri të ngjallen të gjithë bashkë me të.

   Ejani, ta kushtojmë dashurinë tonë si fli të madhe dhe të përgjithshme, t’i lartësojmë këngë të lavdishme dhe t’i drejtojmë lutje atij që ia kushtoi Hyjit kryqin e vet si fli, për të na bërë të pasur të gjithë ne, me visarin e vet të paçmueshëm.

 

   Përgjigjja Krh. 1 Kor 15, 55-57; 2 Kor 4, 13-14

 

   C O vdekje, ku është ngadhënjimi yt? Ku është, o vdekje, thimthi yt? Thimthi i vdekjes është mëkati. * Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin Zotin tonë, aleluja.

   D Të frymëzuar nga shpirti i fesë, ne besojmë se Ai që e ngjalli Jezusin Zot edhe ne do të na ngjallë bashkë me Të.

   C Ta falënderojmë Hyjin që na e jep fitoren nëpër Jezu Krishtin Zotin tonë, aleluja.

 

   Lutja

 

   Po të lutemi, o Hyj i gjithëpushtetshëm, ne që e patëm fat ta dimë se është ngjallur Krishti, që Shpirti Shenjt, dhënësi i dashurisë së shenjtë, të na bëjë të jetojmë një jetë të re shenjtërie. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.