Shërbesa e leximeve

25 prill, Shën Marku, ungjilltar, Festë

 

      Shën Marku, kushëriri i Barnabës, e ndoqi apostullin Pal në të parin udhëtim të tij misionar e pastaj edhe në Romë. Qe ndjekës i Pjetrit, predikimin e të cilit e paraqiti në ungjillin e vet. Tradita e mban për themelues të kishës së Aleksandrisë.

 

          Nga Përbashkorja e apostujve të kohës së Pashkëve, përpos atyre që vijojnë.

 

Ftesa

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje! ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën. ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan. ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. ..

 

      Ant. Ejani, ta adhurojmë Zotin i cili na flet në Ungjill, aleluja.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      O burrë i lumë, me Apostuj

      anëtar plot zell i punëve,

      ti përkrahës i shërbesës,

      prano lavdet edhe lutjet.

 

      Me ata zëdhënës të Krishtit

      me sukses të madh na linden

      shumë shekuj të së vërtetës,

      të paqes dhe të gëzimit.

 

      Në qiell edhe ti i ngjitur,

      pjesëmarrës në punë me vlerë,

      baras shëndrit në lavdi

      dhe i ngritur në pushtet.

 

      O ti, mbjellësi i dritës,

      me diell plot jetë të Krishtit,

      kudo bëj të lulëzojnë mugujt

      n’hambarë për të mbushë qiellin.

 

      Së bashku me të parët

      dhe pranë Gjykatësit të epër,

      bëj të na shlyhen borxhet,

      na jep me hir t’ushqehemi.

 

      Trinisë Shenjte i qoftë lavdia,

      që në çdo kohë të na gjendet

      me ty së bashku me gëzue

      çmimet e saj qiellore. Amen.

 

Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.

 

Psalmi 19 /18 A/ (2-7)

 

Qiejt e shpallin lavdinë e Hyjit, *

      kupa qiellore kumton veprat e duarve të tija!

Dita ditës ia përsërit këtë gjë *

      e nata natës ia sjell këtë të vërtetë.

 

E, pra, nuk është fjalë as zhumhur të të foluri, *

      po as zë që do të mund të dëgjohet,

megjithëse nëpër tokë i shpërndahet jehona, *

      diçka si fjalë arrin deri në skaj të botës!

 

Diellit në to ia ngrehu tendën: †

      del dielli si dhëndër nga dhoma martesore, *

      thua vigani pash më pash i bie sheshit!

 

Në njërin skaj të qiellit lindjen e ka, †

      udha e tij kapet në skajin tjetër, *

      asgjë s’mund t’u fshihet rrezeve djegëse të tija.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 1 Në mbarë botën jehon predikimi i tyre; deri në skajet e botës, fjala e tyre.

 

Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.

 

Psalmi 64 /63/ (2-11)

 

Dëgjoje, o Hyj, zërin e vajtimit tim, *

      ma ruaj jetën prej tmerrit të armikut,

më mbro nga përbetimi i të mbrapshtëve, *

      prej grumbullit të atyre që veprojnë keq.

 

Prej atyre që e mprehën gjuhën e vet si shpatë, †

      që vjellin si shigjeta fjalë të helmuara, *

      për ta shigjetuar në moh të pafajshmin;

 

e shigjetojnë papritmas e frikë nuk kanë. *

      Ata marrin guxim në synimet e veta të këqija,

 

shestojnë si t’i vënë fshehtas leqet e veta *

      e thonë: »Kush mund t’i shohë?«

 

Synojnë paudhësi, i çojnë në vend synimet e parapara, *

      humnerë është njeriu, greminë zemra e tij!

Por Hyji i shigjetoi ata, *

      papritmas i mbuluan plagët.

Gjuha e vet ata i sharroi, *

      kush i sheh, i habitur, luan kokën.

 

Të gjithë njerëzit do t’i kapë frika, †

      do t’i kumtojnë veprat e Hyjit, *

      mirë do ta kuptojnë ç’bëri Ai.

 

I drejti do të gëzohet në Zotin, †

      në Të do ta ketë shpresën, *

      me Të do të mburren të gjithë të ndershmit në zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 2 I shpallën veprat e Hyjit, i kumtuan mrekullitë e tija.

 

Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.

 

Psalmi 97 /96/ (1-12)

 

Zoti mbretëron! Le të galdojë toka, *

      le të gëzohen ishujt e shumtë!

Re e errësirë janë përreth tij, *

      e Drejta e Drejtësia themeli i fronit të tij.

 

Zjarri shkon përpara tij *

      dhe i djeg armiqtë e tij përreth.

Vetëtimat e tija e shndritin botën, *

      sheh Toka e dridhet!

 

Para fytyrës së Zotit si dylli shkrihen malet, *

      para fytyrës së Zotit të mbarë botës!

Qiejt e shpallin drejtësinë e tij, *

      të gjithë popujt e shohin lavdinë e tij.

 

I mbuloftë turpi të gjithë idhujtarët, †

      të gjithë që mburren në trupore idhujsh! *

      Adhurojeni Atë të gjithë ju, o engjëj!

 

Dëgjoi Sioni e u gëzua, †

      galduan bijat e Judës. *

      për shkak të gjyqeve të tua, o Zot.

Sepse ti je, o Zot,

      i Tejetlarti mbi mbarë dheun, *

      ti je tejet i lartë mbi të gjithë zotat.

 

Urreni të keqen ju që e doni Zotin, †

      Zoti e ruan shpirtin e të devotshmëve të vet, *

      i shpëton prej dorës së mëkatarit.

 

Lindi drita për të drejtin, *

      e gëzimi për zemërmirët.

Gëzohuni, o të drejtë, në Zotin, *

      nderojeni Emrin e tij të shenjtë.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen

 

Ant. 3 Ia shpallën botës drejtësinë e Hyjit: mbarë popujt e sodisin lavdinë e tij.

 

      D Fjala e Zotit mbetet përgjithmonë:

      C ky është Ungjilli që ju është shpallur.

 

Leximi i parë

 

      Prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 4, 1-16

 

      Vëllezër, ju përbej, unë i burgosuri në Zotin: jetoni denjësisht si i ka hije thirrjes që keni marrë: me plot përvujtëri, butësi e duresë; duroni njëri‑tjetrin me dashuri! Bëni çmosin ta ruani njësinë e Shpirtit me anë të paqes që ju bashkon. S'ka por një Trup të vetëm dhe një Shpirt të vetëm ‑ sikurse edhe jeni të grishur në një shpresë të vetme të thirrjes tuaj. Nuk ka por një Zot, një fe, një pagëzim; një Hyj të vetëm, Atin e të gjithëve, i cili sundon mbi të gjithë, vepron nëpër të gjithë e banon në të gjithë.

      Edhe secilit prej nesh i qe dhënë hiri me atë masë me të cilën Krishti deshi të na e dhurojë. Këndej edhe thuhet:

      'Kur u ngrit në lartësi i mori me vete robërit dhe u dha dhurata njerëzve.'

      E ajo fjalë: 'U ngrit', çfarë do të thotë tjetër, por se më parë »zbriti« këtu poshtë, përmbi tokë? Ai që »zbriti, është po Ai që »u ngrit« mbi të gjithë qiejt për ta mbushur gjithësinë. E Ai i 'dha' disa apostuj, disa tjerë profetë, disa prapë ungjilltarë, do të tjerë barinj dhe mësues, që shenjtërit t'i bëjë të aftë për veprën e shërbesës, për ndërtimin e trupit të Krishtit, deri që të gjithë t'ia arrijmë njësisë së fesë dhe njohjes së Birit të Hyjit deri në gjendjen e njeriut të përsosur, deri në masën që i përket pjekurisë së plotë të Krishtit: që të mos jemi më foshnja me të cilët luajnë tallazet dhe i çon e i rrëzon çdo erë mësimesh në këtë lojë letrash të njerëzve që me dredhi i hapin udhën gabimit. Por, duke e dëshmuar me dashuri të vërtetën, të rritemi në çdo pikëpamje drejt Atij që është Kryet ‑ Krishtit. Prej tij, Trupi i tërë, si një cope, mirë i lidhur në një, ashtu që çdo gjymtyrë ndihmon sipas funksionit që iu dha veçanërisht secilës pjesë dhe e mundëson rritjen e Trupit në ndërtimin e vetvetes në dashuri.

 

      Përgjigjja Krh. 2 Pjt 1, 21; Fu 2, 6

 

      C Profecia nuk ndodhi me vullnet të njeriut; * njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit, aleluja.

      D Zoti e dhuron urtinë dhe prej gojës së tij del dija e mençuria:

      C njerëzit, të frymëzuar prej Shpirtit Shenjt, folën nga ana e Hyjit, aleluja.

 

      Leximi i dytë

 

Nga traktati “Kundër herezive” i shën Ireneut, ipeshkëv.

(Lib. 1, 10, 1-3: PG 7, 550-554)

 

      Shpallja e së vërtetës

 

      Kisha, e përhapur në mbarë botën, deri në më të largëta skajet e tokës, mori prej apostujve dhe prej nxënësve të tyre fenë në të vetmin Hyj, Atin e gjithëpushtetshëm, i cili krijoi qiellin, tokën e detin e gjithçka përfshijnë (krh. Vap 4, 24). Kisha e pranoi fenë në të vetmin Jezu Krisht, Birin e Hyjit, të mishëruar për shëlbimin tonë. Ajo besoi në Shpirtin Shenjt, i cili me anë të profetëve e shfaqi planin hyjnor të shëlbimit: ardhjen e Krishtit, Zotit tonë, lindjen e tij prej Virgjërës, ngjitjen trupore në qiell dhe ardhjen e tij përfundimtare me lavdinë e Atit. Atëherë do të vijë për të vënë çdo gjë nën kryesinë e tij (krh. Ef 1, 10) dhe për ta ngjallur çdo njeri, me qëllim që para Jezu Krishtit, Zotit tonë e Hyj e Shëlbues e Mbret, sipas pëlqimit të Atit të papashëm, “të përkulet çdo gju i atyre që janë në qiell, në tokë e në nëntokë dhe çdo gjuhë ta dëshmojë” (Fil 2, 10) dhe ai ta shpallë mbi të gjithë gjykimin e vet të prerë.

      Pasi e mori, siç thashë, këtë lajm e këtë fe, Kisha e ruan me më të madhin kujdes, krejt e njësuar sikurse të banonte në një shtëpi të vetme, megjithëse shpërndahet anembanë. Këtij lajmi e kësaj feje i ngjishet njëzëri, sikur të kishte pothuajse një shpirt të vetëm e një zemër të vetme. I shpall, i mëson dhe i përcjell njëzëri, sikur të kishte një gojë të vetme.

      Megjithëse në botë gjuhët janë të ndryshme, një e vetme është forca e Traditës. Për këtë arsye, kishat e themeluara në Gjermani nuk besojnë as nuk përcjellin një doktrinë të ndryshme prej atyre që gjenden në Spanjë ose në vendet e Seltikëve ose në vendet lindore ose në Egjipt ose në Libi ose në qendrën e botës. Sikurse dielli, krijesë e Hyjit, është një i vetëm në mbarë gjithësinë, po ashtu shpallja e së vërtetës shkëlqen gjithkund dhe i shndrit të gjithë njerëzit që duan ta arrijnë njohjen e së vërtetës. Kështu që, ndër ata që i kryesojnë kishat, askush s'e shpall një doktrinë të ndryshme prej kësaj, sepse askush s'është më i madh se mësuesi i vet.

      Qoftë një gojëtar i madh ose një folës i shkretë, të gjithë e shpallin të njëjtën të vërtetë. Askush s'e zvogëlon përmbajtjen e Traditës. Një e vetme është feja. Pra, as s'mund ta pasurojë gojëtari, as ta varfërojë gojëmbajturi.

 

      Përgjigjja    Krh. 1 Kor 1, 17-18.21

 

      C Krishti më dërgoi për ta shpallur Ungjillin: jo me dituri fjale, që të mos i humbë fuqia kryqit të Krishtit. * Predikimi për kryqin për ata që dënohen është marri, por për ne të shëlbuarit është fuqia e Hyjit, aleluja.

      D Pasi bota me urtinë e vet nuk e njohu Hyjin, i pëlqeu Hyjit me marrinë e predikimit t'i shëlbojë besimtarët.

      C Predikimi për kryqin për ata që dënohen është marri, por për ne të shëlbuarit është fuqia e Hyjit, aleluja.

 

      Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

      Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

      ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

      Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

      ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

      ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

      edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

      Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

      nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

      ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

      Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

      të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

      të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

      e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

      Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

      Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

      Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

      Në ty, o Hyj, shpresova, *

      e kurrë nuk do të turpërohem.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti e lartësove shën Markun ungjilltar me hirin e predikimit të Lajmit të gëzueshëm, bëj që ne të përfitojmë sa më mirë nga mësimi i tij për të ecur besnikërisht gjurmëve të Krishtit. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.