Shërbesa e leximeve

Java e katërt e Pashkëve – E Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Java e katërt e Pashkëve – E Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kjo është dita e saktë e Hyjit,

   e qetë e me dritë të lume,

   ku gjaku i shenjtë i lau

   kobet e turpshme të botës.

 

   Besën ua kthen të humburve,

   me pamje shndrit të verbëtit;

   duke e falur n’kryq hajdutin

   pa frikë të rëndë e zgjidhi.

 

   Kjo punë çudit edhe engjëjt,

   që shohin dënimin e trupit

   fajtori ngjitur Krishtit

   fiton jetën e lumtur.

 

   Mister i mrekullueshëm,

   që i lan botës murtajën,

   të gjithëve u fal mëkatet,

   mish që i shlyen veset e mishit.

 

   Ku ka më të lartë se këtë,

   që faji të kërkojë hirin,

   dashuria të zgjidhë frikën

   jetë të re të kthejë vdekja?

 

   Jezus, ti qofsh për gjithë shpirtrat

   gëzimi përjetë i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

Ant. 1 Aleluja, guri ishte i hequr prej hyrjes së varrit, aleluja.

 

   Psalmi 24 /23/ (1-10) Zoti hyn në Shenjtëroren e vet

 

   Dyert e qiellit i janë hapur Krishtit Zot, kur u ngjit në qiell (Shën Ireneu).

 

E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *

   rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.

Ai vetë e themeloi mbi dete, *

   dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.

 

Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *

   e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?

 

Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †

   ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *

   ai që nuk përbehet në rrenë.

 

Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *

   shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.

E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *

   e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.

 

»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †

   Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!«

 

Kush është ky Mbreti i lavdisë? †

   Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *

   Zoti, Ngadhënjyes në luftë!

 

Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †

   lartësohuni, o dyer të amshueshme, *

   që të hyjë Mbreti i lavdisë!

 

»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *

   Ai, Zoti i Ushtrive,

   ai vetë është Mbreti i lavdisë!«

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Aleluja, guri ishte i hequr prej hyrjes së varrit, aleluja.

 

Ant. 2 Aleluja, grua, kë kërkon? Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.

 

   Psalmi 66 /65/ Himn falënderimi në rast të flijimit

 

   Në lidhje me ringjalljen e Zotit dhe kthimin e paganëve (Esichio).

 

   I (1-12)

 

Mbarë toka le t’i brohorasë Hyjit, †

   këndoni lavdisë së Emrit të tij, *

   lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!

 

Thuajini Hyjit: »Sa të mrekullueshme janë veprat e tua! *

   Pse je tejet i fuqishëm,

   armiqtë e tu të përkëdhelin.

 

Le të të adhurojë mbarë toka e le të të këndojë, *

   le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!«

Ejani e shikoni veprat e Hyjit: *

   bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!

Ai e shndërroi detin në terik, †

   këmbë e kaluan lumin *

   për këtë galdojmë me gëzim.

 

Ai sundon për amshim me pushtetin e vet, †

   sytë e tij vërejnë përmbi popuj *

   që të mos çojnë krye njerëzit kryengritës.

 

Bekojeni, o popuj, Hyjin tonë *

   dhe shpalleni lavdinë e tij!

Ai i dha shpirtit tonë jetën, *

   këmbët na i ruan nga hapat e gabuar.

 

Ti vetë, o Hyj, na vure në provë, *

   porsi argjendin nëpër zjarr na kalove.

Ti vetë na qite në leqe, *

   barrë të rëndë na ngarkove mbi shpinë.

 

Ti lejove të na hipin në qafë njerëzit, †

   na përshkove nëpër zjarr e ujë, *

   por më vonë na dhe pushim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Aleluja, grua, kë kërkon? Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.

 

Ant. 3 Aleluja, Mari, mos qaj: Zoti u ringjall, aleluja.

 

   II (13-20)

 

Me fli shkrumbimi në Shtëpinë tënde do të hyj, *

   para teje do t’i çoj në vend kushtet,

që i premtova me buzët e mia, *

   që i thashë me gojë kur isha në rrezik.

Do të kushtoj fli shkrumbimi të majme, †

   bashkë me dhjamë të erëndshëm deshësh, *

   do të të kushtoj qe edhe cjep!

 

Ejani, dëgjoni, të gjithë ju që e druani Hyjin, *

   do t’ju tregoj çfarë i bëri shpirtit tim.

 

Me gojën time e thirra në ndihmë, *

   dhe me gjuhën time e madhërova.

Po të mendoja të keqen në zemrën time, *

   Zoti nuk do të ma dëgjonte uratën.

 

Prandaj Hyji ma dëgjoi uratën, *

   i vuri vesh zërit të lutjes sime.

Qoftë bekuar Hyji

   që s’ma hodhi poshtë lutjen time *

   e nuk ma mohoi mëshirën e vet!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Aleluja, Mari, mos qaj: Zoti u ringjall, aleluja.

 

   D Lulëzoi prapë mishi im, aleluja;

   C në shpirtin tim e falënderoj Zotin, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 12, 1-18

 

   Shenja e gruas.

 

   Në qiell u duk një shenjë e madhërueshme: një Grua e veshur me diell, me hënë nën këmbë, në krye kezën me dymbëdhjetë yje!

   Shtatzënë, bërtiste në mundime, në dhimbjet e lindjes.

   Pastaj në qiell u duk edhe një shenjë tjetër: Ja, Dragoi! I madh, i zjarrtë, me shtatë kokë e dhjetë brirë! Mbi kokë shtatë kurorë!

   Bishti i tij ngrehte pas vetes të tretën e yjeve të qiellit ‑ dhe i rrëzoi për tokë! Dragoi zuri vend para Gruas që po lindte fëmijën që, posa ta lindte fëmijën, t'ia hante.

   Dhe Ajo lindi fëmijën ‑ një Djalosh ‑ që do të sundojë të gjithë popujt me skeptër hekuri. Por Fëmija i Saj qe sjellë te Hyji dhe te froni i tij, kurse Gruaja iku në shkreti, ku Hyji ia përgatiti një vend që atje të ushqehej për një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

   Atëherë filloi lufta në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftonin kundër Dragoit. Me engjëjt e vet edhe Dragoi ra në luftë, por nuk fitoi: për ta nuk pati më vend në qiell!

   Dhe, Dragoi i madh, Gjarpër i vjetër ‑ që quhet Djall ‑ Satani, ngashënjyesi i mbarë botës, u hodh poshtë! U hodh poshtë në tokë ai dhe engjëjt e tij bashkë me të u plandosën!

   Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell, që thoshte: »Ja, tani koha e shëlbimit, e pushtetit dhe e Mbretërisë së Hyjit tonë dhe e sundimit të Krishtit të tij! Sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë që ditë e natë i padiste para Hyjit tonë.

   Por ata e mundën në fuqi të gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen.

   Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë! Vaj për tokë dhe për det, sepse Djalli ra ndër ju, tepër i hidhur sepse e di se nuk i mbetet por pak kohë!«

   Kur Dragoi pa se qe plandosur në tokë, zuri ta salvojë Gruan që lindi djalin.

   Por Gruas iu dhanë dy krahë të mëdhenj si shqiponjës së madhe që të fluturojë në shkreti, në vendin e saj, ku, e fshehur nga Gjarpri, të ushqehej një kohë, dy kohë e një gjysmë kohe.

   Atëherë Gjarpri volli nga goja ujë, si lumë, përmbas Gruas që ta merrte lumi.

   Por toka i doli në ndihmë Gruas: toka e hapi gojën e vet dhe e përpiu lumin që Dragoi e lëshoi nga goja e tij.

   Atëherë Dragoi, i hidhëruar kundër Gruas, shkoi e zuri luftë kundër tepricës së pasardhësve të saj, kundër atyre që mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe e ruajnë dëshminë e Jezusit.

   Dhe nguli mbi zall të detit.

 

   Përgjigjja Krh. Zb 12, 11-12; 2 Mak 7, 36

 

   C Ata fituan në fuqi të gjakut të Qengjit dhe në saje të dëshmisë së vet: nuk e deshën jetën e vet aq sa ta dronin vdekjen. * Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë, aleluja.

   D Pasi tani duruan një dhimbje të vogël, kaluan tashmë në Besëlidhjen e Hyjit të jetës së pasosur.

   C Prandaj galdo, o qiell, galdoni edhe ju, o qiellorë të gjithë, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet mbi Ungjijtë” të shën Gregorit të Madh, papë

   (Pred. 14, 3-6; PL 76, 1129-1130)

 

   Krishti, Bariu i mirë.

 

   Unë jam Bariu i mirë, i njoh delet e mia”, domethënë i dua, “dhe delet e mia më njohin mua” (Gjn 10, 14). Sikurse të thotë haptas: i përgjigjen dashurisë së atij që i do. Njohja gjithherë i paraprin dashurisë të së vërtetës.

   Vëllezër fort të dashur, pyetni vetveten a jeni dele të Zotit, a e njihni atë, a e njihni dritën e së vërtetës. Bëj fjalë jo vetëm për njohjen e fesë, por edhe për atë të dashurisë; jo vetëm për besimin, por edhe për veprimin. Gjoni ungjilltar shton: “Kush thotë: ‘Unë e njoh atë’, por nuk i mban urdhërimet e tija, është rrenacak.” (1 Gjn 2, 4).

   Për këtë arsye, në të njëjtën pjesë, Zoti fill vijon: “Sikurse Ati më njeh mua edhe unë e njoh Atin, dhe jetën e jap për dele(Gjn 10, 15). Sikur të thoshte qartazi: prej kësaj dihet që unë e njoh Atin dhe njihem nga Ati, sepse e jap jetën time për delet e mia; pra, tregoj në cilën masë e dua Atin me anë të dashurisë me të cilën vdes për delet.

   Për këto dele përsëri thotë: Delet e mia e njohin zërin tim e unë i njoh ato dhe ato vijnë pas meje. Unë ua jap atyre jetën e pasosur (krh. Gjn 10, 14-16). Pak më parë kishte thënë për to: “Kush hyn nëpër mua do të shëlbohet: do të hyjë e do të dalë e do të gjejë kullo(Gjn 10, 9). Do të thotë: do të hyjë në fe, do të dalë prej fesë në pamje, prej besimit në soditje, e do të gjejë kullosë në gostinë e amshuar.

   Delet e tija do të gjejnë kullosë, sepse kushdo ta ndjekë me zemër të çiltër ushqehet nga një ushqim përherë i freskët. Cilat janë kullosat e këtyre deleve në mos gëzimet e thella të parrizit, që është pranverë e amshuar? Vërtet, kullosa e të zgjedhurve është soditja e fytyrës së Hyjit, e ndërsa e kundrojmë pa frikë që ta humbim, shpirti ngihet pa mbarim me ushqimin e jetës.

   Pra, vëllezër fort të dashur, t’i kërkojmë këto kullosa në të cilat mund të gëzohemi me aq shumë bashkëqytetarë. Vetë gëzimi i atyre që janë të lumtur le të na tërheqë. Ta nxisim, o vëllezër, shpirtin tonë; feja le të ndizet për çka beson, dëshirat tona le të përflaken për të mirat më të larta, në mënyrë që vetë dashuria të na udhëzojë.

   Asnjë hall mos të na largojë prej gëzimit të festës së përbrendshme, sepse nëse ndokush dëshiron ta arrijë qëllimin e caktuar, asnjë vështirësi e udhës s’do të mund ta ndalë. Asnjë pasuri mos të na ngashënjejë me joshjet e saj, sepse i pamend është ai shtegtar, i cili ngel udhës për t’i shikuar fushat e bukura dhe harron të shkojë atje ku pati qëllim të arrijë.

 

   Përgjigjja Krh. Gjn 10, 14-15; 1 Kor 5, 7

 

   C U ngjall Bariu i mirë, që dha jetën për delet e veta. * Vdekjes ia dorëzoi vetveten për dashuri ndaj deleve të veta, aleluja.

   D Krishti, Qengji ynë i Pashkëve, u flijua.

   C Vdekjes ia dorëzoi vetveten për dashuri ndaj deleve të veta, aleluja.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   O Hyj i gjithëpushtetshëm dhe i amshuar, na prij drejt lumturisë së parajsës; bëj të arrijë atje te grigja, megjithëse e ligshtë, ku Bariu i saj hyri fitimtar. Nëpër Zotin.

 

   Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.