Shërbesa e leximeve
26 prill, Shën Maria Virgjër, Nëna e këshillit të mirë - Pajtorja e Shqipërisë
Ftesa
V. O Zot, hapi buzët e mia!
P. E goja ime do të shpall lavdinë tënde!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, birin e Virgjërës Mari.
Ose:
Ant. Ta kremtojmë festën e Zojës dhe t’i këndojmë himne Zotit.
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Toka deti e qielli
Nderojnë, adhurojnë e shpallin
atë që sundon tri botërat,
e mbart n’krahnor Maria.
Atë që i vijnë rreth ndër shekuj
hëna, dielli e të gjitha,
për hir të reshur t’qiellit
Atë Virgjëra nën zemër bart.
E lumja Nënë e ndershme,
Ndërtuesi hyjnor i botës,
që mban në grusht tërë rruzullimin,
është mbyllur n’arkë t’krahnorit.
Zëri i qiellit t’bëri fatbardhë,
Shpirti i Hyjit të mbuloi,
Prej teje na erdh Shpëtimtari,
Që populli e dëshiroi.
Lavdi ty, o Jezus,
I lindur nga Virgjëra Mari,
me Atin e me Shpirtin
e Shenjtë përherë në amshim. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Kur psalmi që vijon është thënë në Ftesë, në vend të tij thuhet psalmi 95 /94/ (fq. 544).
Psalmi 24 /23/ (1-10)
E Zotit është toka dhe gjithçka ajo ka, *
rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij.
Ai vetë e themeloi mbi dete, *
dhe e bëri të qëndrueshme mbi lumenj.
Kush do të ngjitet mbi malin e Zotit *
e kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
Ai që duart i ka të pafajshme e zemrën të pastër, †
ai që nuk e drejtoi shpirtin e vet në kotësi, *
ai që nuk përbehet në rrenë.
Ky do ta marrë bekimin prej Zotit, *
shfajësimin e Hyjit, Shëlbuesit të vet.
E tillë është breznia e atyre që kërkojnë Zotin, *
e atyre që kërkojnë fytyrën e Hyjit të Jakobit.
»Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj! †
Lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!«
Kush është ky Mbreti i lavdisë? †
Zoti, i Forti, Ngadhënjyesi! *
Zoti, Ngadhënjyes në luftë!
Lartësoni, o dyer, ballnikët tuaj, †
lartësohuni, o dyer të amshueshme, *
që të hyjë Mbreti i lavdisë!
»E kush është ky Mbreti i lavdisë? *
Ai, Zoti i Ushtrive,
ai vetë është Mbreti i lavdisë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Ti, o Mari, je e bekuar prej Zotit, Hyji i shëlbimit të ka shenjtëruar.
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
Psalmi 46 /45/ (2-12)
Hyji është për ne strehim dhe fuqi, *
ndihmë gjithherë e gatshme në çdo vështirësi.
Prandaj as s’do të tutemi edhe nëse lëkundet toka *
dhe nëse malet do të kapërdihen nga deti!
Le të gjëmojnë e le të përzihen ujërat e tij, *
le të dridhen malet në furinë e tij!
Rrëketë e lumit do ta gëzojnë qytetin e Hyjit, *
tendat e shenjta të të Lartit Zot.
Hyji është brenda nuk do të trandet askurrë, *
Hyji i ndihmon herët në agim.
Ulëritën popujt, ranë mbretëritë, *
bubulloi Zoti, toka u shkri!
Zoti i Ushtrive është me ne, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit!
Ejani e shikoni veprat e Zotit *
- mrekullitë që i bëri ai përmbi dhé!
Ndalon luftërat deri në skajet e tokës, †
do t’i thyejë harqet, do t’i copëtojë armët, *
mburojat në zjarr do t’i djegë.
Ndaluni e shihni se unë jam Hyji, *
i madhërueshëm mbi popuj,
i madhërueshëm mbi tokë!
Me ne është Zoti, Hyji i Ushtrive, *
strehimi ynë, Hyji i Jakobit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hyji i tejetlartë e ka shenjtëruar banesën e vet.
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Virgjëra Mari!
Psalmi 87 /86/ (1-7)
Themelet e tij janë mbi malet e shenjta, †
Zoti i do më shumë dyert e Sionit *
se të gjitha banesat e Jakobit.
Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, *
o Qyteti i Hyjit!
»Po përmend Rahabin e Babiloninë
ndër ato që më njohin; †
ja, Filisteja, Tiri e Etiopia *
- edhe ato lindën atje«.
Për Sionin do të thuhet: »Të gjithë në të lindën, *
sepse e forcoi vetë i Tejetlarti!«
Zoti do të shkruajë në librin e popujve: *
»Këta lindën atje!«
Dhe duke hequr valle do të këndojnë: *
»Të gjitha burimet e mia janë në ty!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Gjëra të mrekullueshme fliten për ty, o Virgjëra Mari!
D Maria i meditonte në zemrën e vet
C ndodhitë e mrekullueshme të Birit të saj.
Leximi i parë
Prej librit të Urtisë 8, 12-23
Kur të hesht, do të presin të flas, kur të flas, sytë s’do të m’i ndajnë, nëse do ta zgjas fjalën time, gojës së vet do t’i vënë dorën. Me anë të saj do të fitoj pavdekësinë, do t’u lë kujtim të përhershëm atyre që pas meje do të vijnë. Do t’i sundoj popujt dhe kombet do të më jenë të nënshtruara. Do të tremben mbretërit e tmerrshëm kur për mua të dëgjojnë. Me popullin tim do të jem i mirë kurse në luftë trim i fortë. Kur në shtëpi të kthehem pranë saj do të pushoj, sepse në shoqëri me të s’mund të ketë mërzi, bashkëjetesa me të nuk sjell vuajtje, por gëzim dhe hare.
Duke i përbluar këto mendime në vete dhe duke përkujtuar në zemrën time se pavdekësia është afër me urtinë, në miqësinë e saj gëzim i pastër, në duart e punës së saj pasuri e pashtershme, në grindje bisede me të mençuria, zë i mirë në shkëmbim bisedimi me të, vend s’lashë pa kërkuar për ta marrë atë. Isha djalosh me natyrë bujare e pata fat ta kisha shpirtin e mirë, madje, pasi isha i mirë, kisha hyrë në trup të pandotur, dhe, duke e ditur se ndryshe s’do ta kisha fituar vetëm nëse do të ma dhuronte Hyji ‑ e mençuri ishte vetë kjo gjë të dija se dhuratë e kujt është.
Përgjigjja Ps 34 /33/, 10-11a; Fu 19, 20
C Zoti i shpartallon synimet e popujve, i pështjellon qëllimet e kombeve. * Synimi i Zotit qëndron për amshim.
D Dëgjoje këshillin e pranoje disiplinën, që të jesh i urtë në ditët e tua të fundit.
C Synimi i Zotit qëndron për amshim..
Leximi i dytë
Nga letra Enciklike “Redemptoris Mater” e Papës Gjon Palit II (Nr. 45-36)
Nëna e Shëlbuesit kujdeset për vëllezërit e Birit të saj
Amësia e Marisë që bëhet trashëgimi i njeriut është një dhuratë: një dhuratë të cilën vetë Krishti i bën çdo njeriut personalisht. Shëlbuesi ia beson Marinë Gjonit. Nën këmbët e kryqit ka nismën dorëzimi i veçantë i njeriut Nënës së Krishtit, që në historinë e Kishës u praktikua dhe u shpreh në mënyra të ndryshme. Kur vetë apostulli dhe ungjilltari, pasi i përsërit fjalët që Jezusi mbi kryq ia drejtoi nënës dhe vetë atij, shton: “Prej asaj ore nxënësi e mori me vete” (Gjn 19, 27), ky pohim me siguri do të thotë se nxënësit iu dha një rol i birit dhe se ai e mori mbi vete kujdesin për Nënën e Mësuesit fort të dashur. E meqë Maria iu dha si nënë personalisht atij, ky pohim tregon, edhe pse në mënyrë jo të drejtpërdrejtë, marrëdhënien intime të një biri me nënën e tij. Dhe të gjitha këto mund të përfshihen në fjalën “besim”. Besimi është përgjigja në dashurinë e një personi dhe, në mënyrë të veçantë, në dashurinë e nënës.
Dimensioni marian i jetës së një nxënësi të Krishtit shprehet në mënyrë të veçantë pikërisht nëpërmjet besimit bijësor ndaj Nënës së Hyjit, i filluar me porositë e fundit të Shëlbuesit mbi Golgotë. Duke iu besuar në mënyrë bijësore Marisë, i krishteri, si Gjoni apostull, e pranon si gjë të veten nënën e Krishtit dhe e bën pjesëtare të të gjithë jetës së tij të brendshme, domethënë të “uni-it” të tij njerëzore dhe të krishterë: “E mori me vete” (Gjn 19, 27). Kështu ai kërkon të hyjë në rrezen vepruese të asaj dashurie amënore, me të cilën Nëna e Shëlbuesit “kujdeset për vëllezërit e Birit të saj” (Lumen Gentium nr. 62), “në rilindjen dhe formimin e të cilit ajo bashkëpunon” (Lumen Gentium nr. 63) sipas përmasës së dhuratës, që është e veçantë për çdonjërin në saje të Shpirtit të Krishtit. Në këtë mënyrë shtjellohet edhe ajo amësi në saje të shpirtit, që është bërë funksioni i Marisë nën kryq dhe në dhomën e darkës së fundit.
Kjo marrëdhënie bijësore, ky dorëzim i një biri ndaj nënës jo vetëm që ka fillimin e tij në Krishtit, por mund të themi se definitivisht është i orientuar drejt tij. Mund të thuhet se Maria vazhdon t’ua përsërisë të gjithëve të njëjtat fjalë, të cilat i tha në Kanën e Galilesë: “Bëni gjithçka t’ju thotë” (Gjn 2, 5). Vërtet, Ai, Krishti, është i vetmi ndërmjetësues mes Hyjit dhe njerëzve; ai është “udha, e vërteta dhe jeta” (Gjn 14, 6); atë Ati ia ka dhënë botës, që njeriu “mos të birret, por ta ketë jetën e pasosur” (Gjn 3, 16). Virgjëra e Nazaretit është bërë “dëshmitarja” e parë e kësaj dashurie shëlbimprurëse të Atit dhe dëshiron edhe të mbesë shërbëtorja e tij e përvuajtur gjithmonë dhe në çdo vend. Përballë çdo të krishteri, çdo njeriu, Maria është ajo “që besoi” e para, dhe pikërisht me këtë fe të një të nuseje dhe nëne dëshiron të veprojë mbi të gjithë ata që asaj i besohen porsi bij. Është një gjë e njohur se sa më shumë që këta bij janë të qëndrueshëm në atë qëndrim dhe përparojnë në të, aq më shumë Maria i afron ata me “pasuritë e pashqyrtueshme të Krishtit” (Ef 3, 8). Dhe në të njëjtën kohë ata e njohin gjithnjë e më shumë dinjitetin e njeriut në tërë plotësinë e tij dhe kuptimin e plotë të thirrjes së vet, sepse Krishti edhe njeriut i zbulon plotësisht njeriun.
Përgjigjja Lk 1, 47; Gjn 2, 5; Lk 2, 19
C Shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim: * Bëni gjithçka t’ju thotë.
D Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet.
C Bëni gjithçka t’ju thotë.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruajsh pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Hyj, ti na dhe për nënë Nënën e Birit tënd fort të dashur dhe figurën e saj e qite në pah me dukuri të mrekullueshme: bëj, po të lutemi, që ne, të drejtuar prej këshillave të saja, të jetojmë sipas dëshirës së Zemrës sate dhe të kemi fatin të arrijmë në mbretërinë qiellore. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.