Shërbesa e leximeve

Java e tretë e Pashkëve – E Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.

 

Java e tretë e Pashkëve – E Diel

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Kjo është dita e saktë e Hyjit,

   e qetë e me dritë të lume,

   ku gjaku i shenjtë i lau

   kobet e turpshme të botës.

 

   Besën ua kthen të humburve,

   me pamje shndrit të verbëtit;

   duke e falur n’kryq hajdutin

   pa frikë të rëndë e zgjidhi.

 

   Kjo punë çudit edhe engjëjt,

   që shohin dënimin e trupit

   fajtori ngjitur Krishtit

   fiton jetën e lumtur.

 

   Mister i mrekullueshëm,

   që i lan botës murtajën,

   të gjithëve u fal mëkatet,

   mish që i shlyen veset e mishit.

 

   Ku ka më të lartë se këtë,

   që faji të kërkojë hirin,

   dashuria të zgjidhë frikën

   jetë të re të kthejë vdekja?

 

   Jezus, ti qofsh për gjithë shpirtrat

   gëzimi përjetë i Pashkëve,

   e ne me hir të rilindur

   na mblidh në triumfet e tua.

 

   Jezus, ty të qoftë lavdia,

   që shndrit me mundje të vdekjes,

   bashkë me Atin e me Shpirtin

   ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.

 

(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)

 

Ant. 1 Aleluja, guri ishte i hequr prej hyrjes së varrit, aleluja.

 

   Psalmi 145 /144/ Lavdi Zotit - Mbretit të gjithësisë

 

   E pashqyrtueshme është pasuria e Krishtit. E del në dritë para të gjithëve me anë të Kishës të synuar qysh prej amshimit e të zbatuar nëpër Jezu Krishtin, Zotërinë tonë (Krh. Ef 3, 8-11).

 

   I (1-9)

 

Do të të lartësoj, o Mbret, Hyji im, *

   dhe do ta bekoj Emrin tënd përgjithmonë e jetë.

Çdo ditë do të të bekoj *

   dhe do ta lavdëroj Emrin tënd

   përgjithmonë e jetë.

 

Zoti është i madh e i lavdërueshëm, *

   e pashqyertueshme është madhëria e tij!

Breznia breznisë do t’ia tregojë veprat e tua *

   dhe do ta shpallin pushtetin tënd.

Do ta shpallin madhërinë e shenjtërisë sate, *

   do t’i tregojnë mrekullitë e tua.

 

Do ta tregojnë fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, *

   do t’i kumtojnë veprat e madhërishme të tuat.

Do ta përhapin kujtimin e hirësisë sate të madhe, *

   do t’i brohorisin drejtësisë sate.

 

Zoti është vetë butësia e mëshira, *

   i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.

Zoti është i mirë për të gjithë, *

   i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Aleluja, guri ishte i hequr prej hyrjes së varrit, aleluja.

 

Ant. 2 Aleluja, grua, kë kërkon? Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.

 

   II (10-13)

 

Le të lavdërojnë, o Zot, të gjitha veprat e tua *

   e le të bekojnë shenjtërit e tu.

Le ta tregojnë lavdinë e Mbretërisë sate, *

   le të kuvendin për pushtetin tënd,

për t’ua shpallur njerëzve gjithpushtetësinë tënde *

   dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.

Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme, *

   pushteti yt prej breznie në brezni.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Aleluja, grua, kë kërkon? Atë që është i gjallë në mes të të vdekurve? Aleluja.

 

Ant. 3 Aleluja, Mari, mos qaj: Zoti u ringjall, aleluja.

 

   III (14-21)

 

Besnik është Zoti në të gjitha premtimet e veta, *

   i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti ua jep dorën atyre që u merren këmbët, *

   i çon ata që rrëzohen.

 

Sytë e të gjithëve shpresojnë në ty, *

   ti u jep ushqim në kohën e duhur.

Ti e hap dorën tënde *

   dhe mbush me të mira çdo gjë të gjallë.

 

I drejtë është Zoti në të gjitha udhët e veta *

   dhe i shenjtë në të gjitha veprat e veta.

Zoti është afër të gjithë atyre që e thërrasin, *

   të gjithë atyre që e thërrasin me çiltëri.

E plotëson dëshirën e atyre që e druajnë, *

   ua dëgjon britmën dhe i shpëton.

Zoti i ruan të gjithë ata që e duan, *

   kurse të paudhët të gjithë do t’i shuajë.

 

Goja ime do ta shfaqë lavdinë e Zotit, †

   çdo njeri do ta bekojë Emrin e tij të shenjtë *

   përgjithmonë e jetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Aleluja, Mari, mos qaj: Zoti u ringjall, aleluja.

 

   D Lulëzoi prapë mishi im, aleluja;

   C në shpirtin tim e falënderoj Zotin, aleluja.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 6, 1-17

 

   Qengji e hap librin e Hyjit.

 

   Kur Qengji e hapi të parën nga shtatë vulat, dëgjova njërin nga të katër Gjallorët duke bërtitur me zë si zë bubullime: “Eja!”

   Shkova dhe pashë: Ja, një kalë i bardhë!

   Ai që i rrinte në shpinë mbante në dorë harkun. I qe dhuruar një kurorë dhe, si ngadhënjyes, u nis për të ngadhënjyer më tutje.

   Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova Gjallorin e dytë duke thënë:

   “Eja!”

   Dhe doli një kalë tjetër, i kuq si gjaku.

   Atij i kërceu në shpinë iu dha pushteti të heqë paqen nga toka, kështu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin.

   Atij iu dha një shpatë e madhe.

   Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova Gjallorin e tretë duke thënë:

   “Eja!”

   E pashë: Ja, një kalë i zi!

   Ai që i kërceu në shpinë, kishte në dorë peshoren.

   Atëherë dëgjova një zë para katër Gjallorëve që thoshte: “Masa e grurit një dinar e tri masa elbi një dinar, vajin dhe verën as mos e prek!”

   Kur Qengji e hapi vulën e katërt duke thënë: “Eja!”

   Shikova e pashë:

   Kur qe, një kalë verdhuk

   e ai që ishte në të quhej “Vdekje” dhe e përcillte bota e të vdekurve.

   Atyre u qe dhënë pushteti mbi të katërt e tokës: të vrasin me shpatë, me uri, me vdekje dhe me egërsira të dheut.

   Kur Qengji e hapi vulën e pestë,

   pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë.

   Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: “Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë,

   do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë

   mbi banuesit e tokës?”

   Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë deri të plotësohet numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriten sikurse ata.

   E pashë:

   kur Qengji e hapi vulën e gjashtë,

   u bë tërmet i madh,

   dielli u bë i zi porsi thesi i leshit të dhisë

   dhe e tërë hëna u bë si gjak.

   Yjet e qiellit ranë mbi tokë,

   sikurse fiku i hedh kokrrat e veta të papjekura kur t tund erë e madhe.

   Qielli u mbështoll porsi libri kur mbështillet dhe çdo mal e ishull ndërroi vend.

   Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenj, prijësit e ushtrive,

   të pasurit dhe të fuqishmit,

   - dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë -

   të gjithë u fshihen nën shpellat e qetat e maleve

   e u thoshin maleve dhe qetave:

   “Bini mbi ne e na mbuloni

   nga fytyra e Atij që rri mbi fron

   dhe nga zemërimi i qengjit,

   sepse arriti Dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund të qëndrojë përballë?”

 

   Përgjigjja Krh. Zb 6, 9. 10. 11

 

   C Pashë nën lter shpirtrat e vrarë. Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: Deri kur, o zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë? * Dhe u plotësua numri i shokëve të tyre, aleluja.

   D Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë.

   C Dhe u plotësua numri i shokëve të tyre, aleluja.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Apologjia e parë në dobi të të krishterëve” e shën Justinit, martir

   (Kap. 66-67; PG 6, 427-431)

 

   Kremtimi i Eukaristisë.

 

   Askujt tjetër s’i lejohet të marrë pjesë në Eukaristi përveç atij, i cili beson se janë të vërteta gjërat që i mësojmë dhe është pastruar në saje të larjes të themeluar për faljen e mëkateve dhe për rilindjen, e pastaj jeton ashtu siç na mësoi Krishti.

   Vërtet, ne besojmë se Jezu Krishti, Shëlbuesi ynë, u bë njeri me anë të veprimit të Fjalës së Hyjit. U bë njeri gjaku e mishi për shëlbimin tonë. Edhe besojmë se ai ushqim mbi të cilin u bë falënderimi me po ato fjalë që vetë ia tha atij ushqimi eukaristik të shndërruar, e ushqen trupin dhe shpirtin tonë, është korpi e gjaku i Jezusit të bërë njeri.

   Apostujt në kujtimet që na lanë, dhe që quhen Ungjijtë, na kanë treguar se Jezusi kështu urdhëroi: pasi mori bukën dhe u falënderua, ai tha: “Bëni këtë në përkujtimin tim. Ky është korpi im”. Po ashtu mori edhe kelkun, u falënderua, dhe tha: “Ky është gjaku im”, dhe ua dha vetëm atyre.

   Që atëherë ne gjithmonë e përkujtojmë këtë ngjarje në mbledhjet tona dhe kush prej nesh të ketë ndonjë send i ndihmon ata që gjenden në nevojë; dhe rrimë gjithmonë së bashku. Për gjithçka që na ushqen, e bekojmë Krijuesin e gjithësisë, nëpërmjet Birit të tij Jezusit dhe Shpirtit Shenjt.

   Në ditën e quajtur “e diel", bëhet mbledhja. Të gjithë ata që banojnë në qytet ose në fshatra bashkohen në të njëjtin vend, lexohen kujtimet e Apostujve ose shkrimet e Profetëve për sa të na lejojë koha.

   Pastaj, kur të mbarojë lexuesi, ai që kryeson na drejton fjalë qortimi dhe këshillimi që na nxisin të imitojmë punët kaq të mira.

   Pastaj, të gjithë së bashku çohemi në këmbë dhe lartësojmë urata e, pasi të mbaroi lutja, sjellin bukë, verë dhe ujë. Atëherë ai që kryeson thotë lutje lavdie dhe falënderimi plot zell dhe tërë populli brohorit: Amen! Pastaj, çdonjërit ndër të pranishmit i ndahen dhe i jepen elementet mbi të cilat u bë falënderimi dhe këto dërgohen edhe te të papranishmit me anë të diakonëve.

   Më në fund, ata që kanë pasuri dhe e dëshirojnë, japin sipas dëshirës së vet aq sa duan. Çka mblidhet vendoset tek ai që kryeson dhe ai i ndihmon bonjakët dhe vejat dhe ata që për shkak të sëmundjes ose për shkaqe të tjera gjenden në nevojë, pra, edhe të burgosurit dhe shtegtarët që vijën nga jashtë. Ai, pra, kujdeset për të gjithë nevojtarët.

   Mblidhemi të gjithë së bashku në ditën e Diel, qoftë se kjo është dita e parë në të cilën Hyji, duke i dëbuar terrin dhe kaosin, e krijoi botën, qoftë edhe sepse Jezu Krishti Zoti ynë u ngjall prej të vdekurish po në këtë ditë. E kryqëzuan në ditën para të Shtunës dhe të nesërmen e kësaj dite, d.m.th. në ditën e Diel, pasi u shfaq apostujve të vet dhe nxënësve, i mësoi ato gjëra që ne jua mësuam juve, që t’i shqyrtoni me kujdes.

 

   Përgjigjja

   C Para se të kalonte nga kjo botë tek Ati, Jezusi na la përkujtimin e vdekjes së tij. * Vendosi sakramentin e korpit dhe gjakut të tij, aleluja.

   D Dha korpin e vet si ushqim, gjakun e vet si pije, duke thënë: bëni këtë në përkujtimin tim.

   C Vendosi sakramentin e korpit dhe gjakut të tij, aleluja.

 

   Himni: Te Deum

 

Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.

   Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.

Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,

   ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:

Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!

Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.

   Ty i apostujve * kori i lavdishëm,

ty i profetëve, * numri i nderueshëm,

   ty e martirëve * të lëvdon ushtria.

E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:

   ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,

dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,

   edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.

Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.

   Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.

Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *

   nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.

Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *

   ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.

Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.

   Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës

Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *

   të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.

Bëj që në lumturinë e amshueshme, *

   të numërohemi ndër shenjtër të tu.

˜ Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *

   e bekoje trashëgimin tënd!

Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.

   Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.

Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.

   Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.

Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!

   Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *

sikurse po shpresojmë në ty.

   Në ty, o Hyj, shpresova, *

   e kurrë nuk do të turpërohem.

 

   Lutja

 

   Le të galdojë përherë, o Hyj, populli yt sepse ti ia përtërive rininë e shpirtit. Ti na e ktheve denjësinë e bijve të Hyjit, na forco në shpresën e lume se do të ngjallemi. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.