Shërbesa e leximeve
Java e katërt e Pashkëve – E Martë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Zoti me të vërtetë u ngjall, aleluja.
Java e katërt e Pashkëve – E Martë
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. Aleluja!
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa fillon me Ftesë.
Himni
Gëzohu, qiell, prej së larti,
brohoritni tokë e det,
Krishti pas kryqit ngjallur,
vdekatarëve u dha jetë.
Koha e pritur tash u kthye,
shihet dita e shpëtimit,
pas një errësire u shkëlqye
bota nga gjaku i Qengjit.
Ajo vdekje prej mundimesh
bëhet falje e krimit;
virtyti mbet pa u prekur
fitoren e dha i munduri.
Kjo ish prova e shpresës sonë,
që të binden besimtarët,
pastaj dhe ata do të ngjallen
për të gëzuar jetën e lume.
Ja, pra, Pashkët e bardha
shkaku i këtyre të mirave,
të gjithë trimërisht të kremtojmë
me kaq dhurata të mbushur.
Jezus, ti qofsh i përhershëm
për zemrat gëzimi i Pashkëve,
e ne me hir të rilindur
na mblidh në triumfet e tua.
Jezus, ty të qoftë lavdia,
që shndrit me mundje të vdekjes,
bashkë me Atin e me Shpirtin
ndër gjithë shekujt burim jete. Amen.
(Në vend të himnit mund të këndohet një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare e që i përshtatet kohës)
Ant. 1 Britma ime le të mbërrijë tek ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje. Aleluja!
Psalmi 102 /101/ Lutja në fatkeqësi
Qoftë bekuar Hyji... që na ngushëllon në të gjitha vështirësitë tona (2 Kor 1, 4).
I (2-12)
O Zot, dëgjoje lutjen time *
e britma ime le të mbërrijë tek ti.
Mos e fsheh fytyrën tënde para meje *
në ditën time të vështirë,
prire veshin tënd drejt meje: *
kurdo të të thërras, më dëgjo shpejt!
Sepse ditët e mia po zhduken si tymi, *
e eshtrat e mi po digjen si zjarri.
Zemra po më thahet si bari i kositur *
e po harroj të ha edhe bukën time.
Prej gjëmave të mia të mëdha *
u bëra asht e lëkurë.
U bëra i ngjashëm me pelikanin në shkretëtirë, *
u bëra porsi kukuvajka në rrënoja.
Rri zgjuar e rënkoj *
porsi trumcaku qyqevetëm mbi pullaz.
Gjithë ditën më fyejnë armiqtë e mi, *
kur më zemërohen, e nëmin emrin tim.
Ha hi porsi bukë, *
e pijen time e përziej me lot.
Për shkak të zemërimit të felgrimit tënd, *
sepse më lartësove e më mposhte.
Ditët e mia janë porsi hija e zgjatur *
e unë u thava porsi bari.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Britma ime le të mbërrijë tek ti, o Zot, mos e fsheh fytyrën tënde para meje. Aleluja!
Ant. 2 Kthehu, o Zot, drejt lutjes së të varfrit. Aleluja!
II (13-23)
Por ti, o Zot, qëndron për amshim, *
prej breznie në brezni Emri yt.
Ngrihu, ki dhembje për Sionin: †
ka ardhur koha të kesh mëshirë për të *
- shi tani është koha!
Sepse shërbëtorët e tu i duan gurët e tij *
e u dhembet edhe pluhuri i tij.
Paganët do ta druajnë Emrin tënd, o Zot, *
të gjithë mbretërit e tokës lavdinë tënde.
Sepse Zoti e ndërtoi Sionin, *
u dëftua në lavdinë e vet.
E mori parasysh lutjen e të vobektëve *
dhe nuk e përbuzi uratën e tyre.
Le të shënohet kjo për brezninë e ardhshme *
dhe populli që do të vijë le ta lavdërojë Zotin.
Sepse Zoti shikon nga Shenjtërorja e vet e lartë, *
nga qielli ai vrojton mbi tokë,
për t’i dëgjuar ofshamat e robërve, *
për t’i shpëtuar të dënuarit me vdekje,
që në Sion të shpallet Emri i Zotit *
e lavdia e tij në Jerusalem,
kur të mblidhen së bashku popujt e mbretëritë *
për t’u vënë në shërbimin e Zotit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kthehu, o Zot, drejt lutjes së të varfrit. Aleluja!
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove Tokën, edhe qielli është latim i duarve të tua. Aleluja!
III (24-29)
Udhës m’i shpenzove fuqitë e mia, *
ditët m’i shkurtove.
Do të them: »Hyji im, †
mos më rrëmbe në gjysmën e ditëve të mia, *
vitet e tua zgjasin nga breznia në brezni.
Qysh në fillim themelove Tokën *
edhe qielli është latim i duarve të tua.
Këto do të mbarojnë ndërsa ti mbetesh për amshim, †
gjithçka do të vjetrohet si petku. *
Ti i shndërron porsi të veshmet e zhduken,
kurse ti i vetmi je gjithmonë i njëjtë, *
- vitet e tua kurrë nuk kanë të sosur.
Fëmijët e shërbëtorëve të tu do të jetojnë në paqe, *
pasardhësit e tyre do të qëndrojnë para teje.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Qysh në fillim e themelove Tokën, edhe qielli është latim i duarve të tua. Aleluja!
D Krishti i ngjallur prej të vdekurve nuk vdes më, aleluja,
C vdekja nuk ka më pushte mbi të, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Zbulesës së shën Gjonit apostull 14, 1-13
Kënga e re e Qengjit fitimtar.
Unë Gjoni, pashë: Qengji qëndronte mbi malin Sion e me Të njëqind e dyzet e katër mijë që mbartnin të shkruar mbi ballin e vet Emrin e tij dhe Emrin e Atit të tij.
Dëgjova një zë që vinte nga qielli porsi ushtima e ujërave të mëdha dhe si gjëma e bubullimës së madhe. Zëri që dëgjova ishte porsi zëri i harpëtarëve që u bien harpave të veta.
Këndonin [si] një këngë të re para fronit, para katër Gjallorëve dhe para udhëheqësve. Askush s'mund e mësonte atë këngë përveç atyre njëqind e dyzet e katër mijë të shpërblyerve nga toka.
Këta janë ata që nuk u përlyen me gra: vërtet janë virgjër! Këta e përcjellin Qengjin kudo shkon. Ndër njerëz këta qenë shpërblyer si fryti i parë për Hyjin dhe Qengjin.
Në gojën e tyre nuk u gjet rrenë: janë të patëmetë.
Atëherë pashë një engjëll tjetër që po fluturonte për midis të qiellit. Kishte për të kumtuar Ungjillin e amshuar banuesve të tokës: të çdo kombi, të çdo fisi, të çdo gjuhe dhe të çdo populli.
Ai thoshte me zë të madh: »Droni Hyjin dhe jepni Atij lavdi, sepse arriti ora e Gjyqit të tij! Adhurojeni Krijuesin e qiellit e të tokës, të detit dhe të burimeve të ujërave!«
Pastaj e ndoq një tjetër engjëll duke thënë: »Ra, ra Babilonia e madhe, që i dehu mbarë kombet me verën e zemërimit dhe të lavirësisë së vet!«
Një tjetër engjëll ‑ i treti ‑ i ndoqi ata e bërtiste me zë të madh: »Kushdo e adhuron Egërsirën dhe truporen e saj dhe e merr vulën në ballë apo në dorë, do të pijë verën e zemërimit të Hyjit të pazbutur, të ndikuar në gotën e zemërimit të tij dhe do të qitet në mundime në zjarr dhe në sulfur ndër sy të engjëjve të shenjtë dhe të Qengjit.
Tymi i mundimeve të tyre nuk do të pushojë të ngritet në shekuj të shekujve, dhe nuk kanë pushim as ditë as natë ata që e adhurojnë Egërsirën dhe truporen e saj dhe kushdo e merr vulën e emrit të saj.
Në këtë gjë themelohet qëndresa e shenjtërve që i mbajnë urdhërimet e Hyjit dhe fenë e Jezusit.«
Dëgjova edhe një zë nga qielli që thoshte: »Shkruaj! Që tani, të lumët ata që vdesin në Zotin! Po ‑ thotë Shpirti Shenjt ‑ le të pushojnë prej mundit të tyre! Sepse i përcjellin veprat e tyre!«
Përgjigjja Krh. Zb 14, 6. 7
C Pashë një engjëll që po fluturonte midis qiellit dhe thoshte me zë të madh:* Droni Hyjin dhe jepnin Atij lavdi, aleluja.
D Adhurojeni Krijuesin e qiellit e të tokës, të detit dhe të burimeve të ujërave.
C Droni Hyjin dhe jepnin Atij lavdi, aleluja.
Leximi i dytë
Na “Ligjëratat” e shën Pjetër Krizologut, ipeshkëv
(Ligj. 108; PL 52, 499-500)
Ji fli dhe prift i Hyjit!
“Po ju përbej për mëshirën e Hyjit” (Rom 12, 1). Është Pali që kërkon, madje është Hyji që me anë të Palit kërkon, sepse do që më fort ta duam se sa ta druajmë. Hyji kërkon, sepse dëshiron të jetë ‘Atë’ më tepër se ‘Zot’. Zoti kërkon plot mëshirë, jo për të ndëshkuar me rreptësi.
Dëgjoje Zotin që kërkon: shihni, shihni në mua trupin tuaj, gjymtyrët tuaja, zemrën tuaj, eshtrat tuaj, gjakun tuaj. E nëse e druani çka është e Hyjit, pse nuk e doni së paku çka është e juaja? Nëse largoheni prej zotërisë, pse nuk i afroheni prindit?
Por ndoshta ju mbush me shqetësim pesha e mundimit, të cilën ma keni shkaktuar. Mos kini frikë. Ky kryq nuk është një gozhdë për mua, por për vdekjen. Këto gozhda nuk më shkaktojnë kaq fort dhimbje, sa e gdhendin më thellë në mua dashurinë për ju. Këto plagë nuk më bëjnë të gjëmoj, por më mirë ju shtinë ju në brendësinë time. Shtrirja e trupit tim, në vend që ta rëndojë mundimin, i zgjeron hapësirat e zemrës për t’ju pranuar. Gjaku im nuk është humbur për mua, por është dhuruar si shpërblim për ju.
Ejani, pra, kthehuni. Sprovojeni së paku butësinë time atërore, që e shpërblen të keqen me të mirë, fyerjet me dashurinë, plagët aq të mëdha me një dashuri të pamasë.
Por ta dëgjojmë tani Apostullin: “Po ju përbej - thotë - ta kushtoni trupin tuaj fli” (Rom 12, 1). Pra, Apostulli i shikon të gjithë njerëzit të lartësuar në dinjitet priftëror për t’i kushtuar trupat e vet si fli të gjallë.
O dinjitet i paçmueshëm i meshtarisë së krishterë! Njeriu është bërë fli dhe prift për vete. Njeriu nuk kërkon jashtë vetes çka duhet t’i kushtojë Hyjit, por e mban me vete e në veten e tij çka i kushton Hyjit për vetveten. Viktima qëndron, pa ndryshim, dhe prifti mbetet i njëjti, mbasi viktima flijohet por mbet në jetë, dhe prifti s’mund t’ia japë vdekjen atij të cilin e kushton fli. Fli e mrekullueshme kjo, në të cilën trupi kushtohet pa plagosur trupin, dhe gjaku kushtohet pa derdhur gjak. “Po ju përbej për mëshirën e Hyjit ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë”.
Vëllezër, kjo fli i përshtatet asaj të Krishtit dhe përkon me qëllimin që ai paracaktoi, pasi, për t’ia dhënë jetën botës, ai flijoi dhe gjallëroi trupin e vet; dhe njëmend ai e bëri trupin e vet një hoste të gjallë, sepse pasi qe vrarë, jeton. Me këtë fli, pra, iu pagua vdekjes shpërblimi. Por viktima mbetet, viktima jeton dhe vdekja ndëshkohet. Këndej rrjedh që martirët lindin atëherë kur vdesin, nisin të jetojnë më në fund, jetojnë atëherë kur vriten, shndriten në qiell ata që mbi tokë u mbajtën për të fikur.
“Po ju përbej - thotë - o vëllezër, për mëshirën e Hyjit, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë”. Është pikërisht kjo, çka paralajmëroi profeti: Fli e dhurata ti nuk deshe, por një trup ma dhe (krh. Ps 41 /40/, 7 vulg.). O njeri, ji fli e prift i Hyjit; mos e humb atë që vullneti hyjnor të dha e të fali. Vishu me petkun e shenjtërisë. Ngjishu me rripin e pastërtisë. Krishti qoftë përkrenarja e kokës sate. Kryqi ta mbroftë ballin. Afroja kraharorit tënd sakramentin e dijes hyjnore. Bëj që gjithmonë të ngjitet kemi i uratës si erë e këndshme. Mbaje shpatën e Shpirtit, prej zemrës sate bëj një lter, dhe kështu, me besim të plotë, trupin tënd kushtoja Hyjit fli.
Hyji e kërkon besimin, jo vdekjen. Ka etje për lutjen tënde, jo për gjakun tënd. Fashitet nga vullneti, jo nga vdekja.
Përgjigjja Krh. Zb 5, 9-10
C Ti je i denjë, o Zot, ta marrësh librin dhe t’ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë, * dhe me gjakun tënd na shpërbleve për Hyjin, aleluja.
D Na bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj,
C dhe me gjakun tënd na shpërbleve për Hyjin, aleluja.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Hyji i gjithëpushtetshëm, të meritojmë të hyjmë në gëzimin e shëlbimit tonë, ne që po kremtojmë ngjalljen e Birit tënd. Nëpër Zotin.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.