Shërbesa e leximeve

29 prill, Shën Katerina e Sienës, virgjër dhe mësuese e Kishës

 

Përkujtim

 

      Lindi në Sienë në 1347; e shtyrë prej dëshirës për përsosmërinë, ende adoleshente hyri ndër Mantelatet e shën Dominikut. E ndezur nga dashuria ndaj Hyjit dhe ndaj të afërmit, veproi për paqe dhe pajtim mes qyteteve italiane. I mbrojti të drejtat dhe lirinë e Papës dhe punoi me zell për ta përtërirë jetën rregulltare. Diktoi vepra të pasura me doktrinë të sigurt dhe plot përshpirtëri. Vdiq në 1380. Qe shpallur pajtore e Italisë nga Piu XII me 18 qershor 1939 dhe Mësuese e Kishës nga Pali VI me 4 tetor 1970.

 

Nga Përbashkorja e virgjëreshave ose e mësuesve të Kishës (fq. ???) me psalmet e ditës në psalter.

 

FTESA

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë Krishtin Zot, që është burimi i çdo urtie.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      Virgjër shoqëruese e çetës së të urtëve

      që e përgatitur i del dhëndrit para,

      terrin e natës së llahtashme e shporr

      me llambë të pastër.

 

      E ai unazën që shkëlqen prej gurëve

      tërë farfuri me dekor t’bukur, virgjërës

      ia jep tue thënë: “Unë ty po të jap pengun

      e dashnisë së shenjtë".

 

      E shtyrë nga nxitja e nxehtësisë së flakët,

      rrëmbehet dendur me largim të mendjes

      ndërsa Katarina mbart n’gjymtyrë të ngulura

      plagët e Krishtit.

 

      Prandaj ajo pa masë fatbardhë e lume

      pushoi n’krahror të Dhëndrit jetëdhënës,

      mes shpirtrave të ndritur duke u shfaqur

      dritë e re e qiellit.

 

      Sundoftë Hyji në lartësi të qiellit,

      qoftë i bekuar në tre Vetë e i Thjeshtë,

      që fuqiplotë sundon tërë rruzullimin

      me rend t’qëndrueshëm. Amen.

 

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

 

Psalmi 21 /20/ (2-8. 14)

 

O Zot, mbreti gëzohet në saje të fuqisë sate, *

      plot hare e mbush shpëtimi yt.

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij, *

      nuk i përbuze lutjet e buzëve të tija.

 

Që më parë i dhe bekime të mëdha: *

      mbi krye i vure kurorë ari të kulluar.

T’u lut për jetë e ti i dhe *

      ditë të shumta - në jetë të jetës.

 

E madhe është lavdia e tij në shpëtimin tënd: *

      e stolise me madhëri e me shkëlqim.

Ti e bëre bekim përgjithmonë, *

      e kënaqe me gëzim në praninë tënde.

 

Sepse mbreti shpresën e ka në Zotin, *

      në saje të besnikërisë së të Lartit Zot s’do të trandet.

Ngrihu, o Zot, me fuqinë tënde, *

      e ne do të këndojmë

      e do të vallëzojmë për ngadhënjimin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Nëse ndokush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i fundit, dhe shërbëtor i të gjithëve.

 

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

 

Psalmi 92 /91/ I (2-9)

 

Është punë e mirë ta lavdërosh Zotin, *

      t’i këndohet Emrit tënd, o Zot i tejetlartë.

 

Të shpallim dashurinë në mëngjes *

      e gjatë natës besnikërinë tënde,

me harpë dhjetëkordash e me lirë, *

      me këngë përcjellë me cetër.

Se ti, o Zot, më gëzove me veprat e tua, *

      kënaqem për veprat e duarve të tua.

 

Sa të madhërishme janë veprat e tua, o Zot, *

      sa të thella mendimet e tua!

Njeriu i pamend nuk i di, *

      dhe i marri nuk do t’i kuptojë.

 

Po edhe në mbifshin mëkatarët porsi bari, *

      e në lulëzofshin ata që bëjnë keq,

janë të caktuar për bjerrje të pasosur, *

      vetëm ti je i Tejetlartë për amshim, o Zot!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Kur të lajmërohet Kryebariu, do të kurorëzoheni me lavdi të pavdekshme.

 

Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

      II (10-16)

 

Sepse qe, o Zot, armiqtë e tu, †

      sepse qe, o Zot, armiqtë e tu do të birren, *

      do të shpërndahen të gjithë keqbërësit.

 

Ti ma rrite fuqinë porsi të buallit, *

      më shugurove me më të pastrin vaj.

 

Prej së larti i shikon syri im ata që më urrejnë, *

      veshët e mi pa tronditje i dëgjojnë kundërshtarët e mi.

 

I drejti lulëzon si palma, *

      rritet porsi cedri i Libanit.

Të mbjellë në Shtëpinë e Jakobit *

      lulëzojnë në banesat e Hyjit tonë.

 

Japin fruta edhe në pleqëri, *

      janë të kërthndeztë e plot shëndet,

për të shpallur se Zoti është i drejtë: *

      Qeta ime, në të cilin nuk ka të meta!

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shërbëtor i mirë dhe besnik, hyr në gëzimin e Zotërisë tënd.

 

      D Prej gojës sime do ta dëgjosh fjalën,

      C dhe atë do t’ua kumtosh vëllezërve të tu.

 

      Leximi i parë

 

      Prej librit të Siracidit 39, 1c-14

 

      I urti shqyrton urtinë e të gjithë të vjetërve dhe i kushtohet hulumtimit të profecive,

      i mban mend thëniet e njerëzve të përmendur dhe depërton në hollësitë e shëmbëlltyrave.

      Kërkon vështrimin e fshehtë të fjalëve të urta dhe thellohet në fshehtësitë e shëmbëlltyrave.

      Shërben mes njerëzve të mëdhenj dhe merr pjesë në mbledhje të princave.

      Udhëton në viset e popujve të huaj dhe fiton përvojën e të mirave e të këqijave mes njerëzve.

      Ai ia kushton zemrën e vet herët, që në agim, Zotit që e ka krijuar dhe lutet para të Tejetlartit.

      E hap gojën e vet në uratë e lutet për faljen e gabimeve të veta.

      Nëse do të jetë vullneti i të Madhit Zot do të mbushet me shpirtin e kuptimit.

      Si shi i lëshon fjalët e urtisë së vet e me uratë e lavdëron Zotin.

      Zoti e drejton këshillin dhe urtinë e tij, kurse ai përsiat fshehtësitë e Zotit.

      Ai e sqaron mësimin që i ka qenë dhuruar dhe mburrjen e vet e ka në Ligjin e Besëlidhjes së Zotit.

      Shumë do ta lavdërojnë urtinë e tij dhe kurrë nuk do të harrohet.

      Kujtimi i tij nuk do të bjerë në harresë dhe emri i tij do të jetojë nga breznia në brezni.

      Urtinë e tij do ta shpallin kombet e lavdi i tij do të përmendet në bashkësi.

 

      Përgjigjja Krh. Sir 15, 5. 3. 6

 

      C Zoti ia çeli gojën mes kuvendit, * e mbushi me shpirt urtie e kuptimi.

      D Lumturi të madhe dhe një kurorë gëzimi ia dha Zoti,

      C e mbushi me shpirt urtie e kuptimi.

 

Leximi i dytë

 

Nga “Dialogu i Provanisë Hyjnore” i shën Katerinës nga Siena, virgjër.

(Kap. 167. Falënderim Trinisë Shenjte; bot.Taurisano-Firenze 1928, II, ff.586-588)

 

      Provova dhe pashë

 

      O Hyjni e amshueshme, o e amshueshme Trini, që, me anë të bashkimit me natyrën hyjnore, kaq të çmueshëm e bëre gjakun e të Njëlindurit Birit tënd! Ti, o Trini e amshueshme, je si një det i thellë, në të cilin sa më shumë kërkoj aq më tepër gjej; dhe sa më shumë gjej aq më tepër më shtohet dëshira për të të kërkuar. Ti kurrë nuk ngihesh; e shpirti, kur të ngihet në pafundësinë tënde, nuk ngihet, sepse i mbet dëshira për ty, gjithnjë e më tepër etet për ty, o Trini e amshueshme, dhe dëshiron të të shohë me dritën e dritës sate.

      Unë provova dhe pashë me dritën e mendjes në dritën tënde pafundësinë tënde, o Trini e amshueshme, dhe bukurinë e krijesës sate. Për këtë arsye, duke e parë vetveten në ty, e pashë se jam shëmbëllesë e jotja, në saje të dhuntisë së njohjes së fuqisë sate, o Atë i amshuar, dhe të urtisë sate, e cila njëjtësohet me të Njëlindurin Birin tënd. Dhe Shpirti Shenjt që rrjedh prej teje e prej Birit tënd ma dha vullnetin me anë të të cilit unë mund të të dua.

      Ti, o Trini e amshueshme, je Krijues dhe unë krijesë; dhe e kam njohur pasi ti më dhe ta kuptoj, kur më rikrijove me gjakun e Birit tënd- se ti je dashuruar në bukurinë e krijesës sate.

      O pafundësi, o Trini e amshueshme, o Hyjni, o det i thellë! E çka mund të më jepje mua më tepër se vetveten? Ti je zjarr gjithmonë ndezur flakë, që kurrë nuk shuhet. Por ti e shuan me flakën tënde çdo sedër të shpirtit. Ti je zjarr që largon çdo ftohtësi, dhe mendjet i ndriçon me dritën tënde, me po atë dritë me anë të së cilës ma zbulove të vërtetën tënde.

      Duke u pasqyruar në këtë dritë, e njoh se ti je më e madhja e mirë, e mira që është mbi çdo të mirë, e mira e lume, e mira e pakuptueshme, e mira e paçmueshme. Bukuria përmbi çdo bukuri. Urtia përmbi çdo urti. Madje, ti je vetë urtia. Ti je buka e engjëjve, që me zjarr dashurie iu dhurove njerëzve.

      Ti je petku që mbulon çdo lakuriqësi time. Ti je ushqim që ngin të uriturit me ëmbëlsinë tënde. Ti je i ëmbël pa kurrfarë hidhësie. O Trini e amshueshme!

 

      Përgjigjja

 

      C Ma hap zemrën tënde, moj motër, bashkë-trashëgimtare me mua e të njëjtës mbretëri; mikesha ime, pjesëtare në mendimet e mia të fshehura; * ti je e pasur me dhuntitë e Shpirtit tim, e pastër nga çdo njollë me anë të larjes në gjakun tim, aleluja.

      D Dil prej qetësisë së soditjes dhe dëshmo me zell të palodhshëm të vërtetën time;

      C ti je e pasur me dhuntitë e Shpirtit tim, e pastër nga çdo njollë me anë të larjes në gjakun tim, aleluja.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti e ndeze me dashuri hyjnore zemrën e shën Katerinës në meditimin e thellë të mundimeve të Krishtit e në shërbim të Kishës sate: bëj, me ndërmjetësinë e saj, që populli yt, i bashkuar në misterin e Krishtit, t’i gëzohet gjithherë zbulesës së lavdisë së tij. Nëpër Zotin.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.