Shërbesa e leximeve
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
E enjte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani te Zoti me këngë gëzimi.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Shpendi lajmëtar i ditës
me kangë njofton po afrohet drita;
ne tani ndërtuesi i mendjeve
Krishti na fton te jeta.
“Hiqni – thërret – nga shtretërit
të smurë, gjumashë, përtacët;
ju t’urtë, të drejtë, t’përmbajtur
përgjoni; unë tani jam afër”.
Që, kur me frymë flakruese
agimi n’qiell të hapet,
të gjithë me punë t’stërvitur
t’forcojë në shpresë të dritës.
Me zëra t’thrrasim Krishtin
me vaj, me uratë, të esëllt;
se lutja e fuqishme
s’lejon t’flejë zemra e pastër.
Ti, o Krisht, shpërndaje gjumin,
këput prangat e natës,
ti zgjidh mëkatin e vjetër,
ndriçimin e ri sille.
Ty Krisht, mbret shumë i drejti,
ty e Atit qoftë lavdia
me Shpirtin Ngushllimtar,
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Zgjo ndjenja dashurie
ndaj ty, dhurues i fajit,
shpirtmirë t’u bëhesh zemrave
si të pastrosh ndyrësitë.
Këtu ne arrijmë të huaj (jashtëm)
dhe të mërguar rënkojmë;
ti je liman e atdhe,
na ço n’tremet e jetës.
Dashni e lumtur që ka etje
për ty gurrë jete, o e Vërteta;
ata sy shumë të lumtur
të popullit që ty vëzhgojnë.
N’ty është lumnia e madhe
kujtesa e lavdisë tënde,
që pa mbarim madhërojnë
ata që ngrejnë nga thellësia zemrën.
Bëj, o Atë krejt i drejti,
dhe, o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Psalmi 44 /43/ Populli i Zotit në fatkeqësi
Në të gjitha vështirësitë, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur (Rom 8, 37).
I (2-9)
O Hyj, e dëgjuam me veshët tanë, *
etërit tanë na e treguan,
veprën e madhe që ke bërë në ditët e tyre, *
në ditë të kahershme.
Me dorën tënde i çrrënjose paganët †
e i vendose stërgjyshërit tanë në vend të tyre, *
i zhbive popujt e stërgjyshërit i zgjerove.
Nuk e fituan tokën me shpatën e vet, *
as krahu i tyre nuk ua solli fitoren,
por e djathta jote dhe krahu yt †
e drita e fytyrës sate, *
sepse i kishe për zemër.
Ti je mbreti im dhe Hyji im *
që ia dhurove fitoren Jakobit!
Me fuqinë tënde i dëbuam armiqtë, †
me fuqinë e Emrit tënd i shkelëm *
ata që u çuan kundër nesh.
Shpresa ime nuk është në harkun tim, *
as shpata ime nuk do të më sjellë fitoren,
por ti na shpëton nga armiqtë, *
ti i turpëron ata që na urrejnë.
Në Hyjin do të galdojmë gjithmonë, *
Emrin tënd do ta lavdërojmë përherë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 E djathta jote dhe drita e fytyrës sate i shpëtuan etërit tanë, o Zot.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
II (10-17)
Por tani na lëshove dore dhe na le të turpërohemi, *
Ti më s’del, o Hyj, me ushtritë tona.
Na bëre të ikim para armiqve tanë, *
ata që na urrejnë, na e rrëmbyen pasurinë.
Na dhe mish për kërraba si të ishim dele *
dhe na trete ndër paganë.
E shite popullin tënd me çmim fare të lirë, *
as s’u bëre më i pasur me këtë tregti.
Na bëre përrallë ndër sytë e fqinjëve tanë, *
përqeshje e lojë para atyre që na rrethojnë.
Na bëre përrallë për popuj: *
përmbi ne paganët e tundin kokën!
Përditë turpin tim e kam para sysh, *
marrja ma mbulon fytyrën
prej fjalëve të atij që më qorton e më shan, *
prej pranisë së armikut e të hakmarrësit.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti nuk do ta fshehë fytyrën e vet para jush, nëse ju ktheheni kah ai.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
III (18-27)
Të gjitha këto na gjetën edhe pse s’të kemi harruar *
as s’e kemi prishur Besëlidhjen tënde,
as zemra jonë nuk u largua prej Teje, *
as këmba jonë nuk iu shmang udhës sate,
e ti na ndrydhe në banesa të dhelprave, *
na mbulove me hije të vdekjes.
Po ta kishim harruar Emrin e Hyjit tonë, *
t’i kishim lartësuar duart tona drejt ndonjë hyji të huaj,
pse a Hyji, që i njeh fshehtësitë e zemrës, *
nuk do ta kishte hetuar këtë?
E pra, për shkak tënd na vrasin për gjithë ditë, *
të çmuar porsi delet për therore.
Zgjohu, përse po fle, o Zot? *
Zgjohu, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
Përse e fsheh fytyrën tënde prej nesh, *
përse e harron mjerimin e vuajtjen tonë?
Se u poshtëruam e ramë përdhe, *
zvarrë hiqet trupi ynë për tokë.
Çohu, na eja në ndihmë! *
Na shpëto pashë dashurinë tënde!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zgjohu, o Zot, mos hiq dorë prej nesh për amshim!
D Le të shkëlqejë përmbi mua drita e fytyrës sate:
C ma mëso urtinë, o Zot.
Leximi i parë
Prej librit të Jobit 11, 1-20
Fjalimi i Sofarit: A mendon ti se e njeh thellësinë e Hyjit.
Sofar Naamatiti e mori fjalën e tha:
“Pse a fjalëshumit s'duhet t'i përgjigjet? A me fjalë të shumta, thua, shfajësohet burri?
Përrallat tua do të bëjnë të heshtin njerëzit? Do të përqeshësh e kush s'do të përgjigjet?
Ti po thua: 'Të pastër e kam fjalën, jam i pastër para syve të tu!'
Por, sikur Hyji me ty të bisedonte, të hapte gojën e ty të kthente gjegje, t'i zbulonte fshehtësitë e Urtisë, synimet e pashqyrtueshme të saja, do të kuptoje se kërkon më pak, shumë më pak se të meriton e keqja.
A mendon se i njeh gjurmët e Hyjit, se e përshkon përsosmërinë e të Lumit?
Është më i lartë se qielli! ‑ Ç'thua atëherë? Më i thellë se Nëntoka! Ç'kupton?
Më i gjatë se toka, më i gjerë se deti!
Nëse shkatërron, kyç o shtrëngon kush është në gjendje atij t'i bëjë ballë?
Pse të njeriut ai kotësinë e njeh, sheh mbrapështinë edhe nëse nuk shikon.
Në hulli sillet edhe njeriu i mbrapshtë, gomari i egër zotërohet me fré.
Edhe ti mendtë mblidhi tok, drejt Hyjit lartësoji shuplakat, flake të keqen që është në duar të tua, padrejtësi mos lër në shtëpinë tënde.
Atëherë lart do ta mbash ballin, i qëndrueshëm do të jesh dhe pa frikë e mjerimin në harresë do ta qesësh; do të kujtohet si ujërat që shkuan.
Mbrëmja jote do të ndritë si mesdita, kur të shkojë në mend se të mbuloi terri, për ty drita atëherë do të agojë.
Plot uzdajë, i sigurt do të jetosh dhe i varrosur i qetë do të pushosh.
Do të pushosh e askush s'do të të trazojë, përkrahjen tënde shumëkush do të kërkojë.
Kurse sytë do të sharrojnë të mëkatarëve e për ta kund strehim nuk do të ketë, t'u dalë shpirti: shpresa e tyre e fundit.”
Përgjigjja Krh. 2 Kor 4, 8-9. 10
C Jemi të ndrydhur, por jo të ngushtuar; jemi të pështjelluar, por jo të dëshpëruar; * jemi të salvuar po, por jo të lënë.
D Gjithmonë i mbarim në trupin tonë grahmat e vdekjes së Jezusit, që edhe jeta e Jezusit të shfaqet në trupin tonë:
C jemi të salvuar po, por jo të lënë.
Leximi i dytë
Nga “Komentimi librit të Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë
(Lib. 10, 7-8. 10; PL 75, 922. 925-926)
I shumanshëm është Ligji i Hyjit
Çka duhet të merret vesh këtu si ligj i Hyjit përveçse dashuria, me anë të së cilës gjithmonë e mbajmë parasysh se si duhet të zbatohen rregullat e jetës?
Për këtë ligj, zëri i së Vërtetës thotë: “Ky është urdhri im: duani njëri-tjetrin” (Gjn 15, 12). Për të shën Pali thotë: “Dashuria është zbatimi i përsosur i ligjit” (Rom 13, 10). E për të përsëri thotë: “Mbartni njëri-tjetrit barrën e kështu do ta plotësoni ligjin e Krishtit” (Gal 6, 2). Përnjëmend, si ligj i Krishtit asgjë s'mund të kuptohet më mirë se dashuria, të cilën e zbatojmë kur për dashuri e mbartim barrën e vëllezërve.
Por ky ligj thuhet i shumanshëm sepse dashuria, me përkujdesje të zellshme, i përfshin veprat e të gjitha virtyteve.
Sigurisht, ajo fillon me dy urdhërime, por pastaj zgjerohet në rregullore të tjera të panumërta. Pali tregon shumë mirë larminë e këtij ligji duke thënë: “Dashuria është e durueshme, është zemërgjerë dashuria, nuk ka smirë, nuk mbahet në të madh, nuk krenohet, nuk është e panjerëzishme, nuk kërkon interesin e vet, nuk hidhërohet, nuk e mban në mend të keqen, nuk i kënaqet padrejtësisë, por i gëzohet të vërtetës” (krh. 1 Kor 13, 4-6).
“Dashuria është e durueshme” sepse duron në qetësi të keqen që pëson prej të tjerëve.
“Dashuria është zemërgjerë” sepse në vend të të këqijave kthen të mira me bujari. “Nuk ka smirë” sepse nuk dëshiron asgjë prej kësaj bote, e pra, nuk di t'i lakmojë sukseset tokësore.
“Nuk krenohet” sepse nuk mburret në të mirat e jashtme, kurse me afsh e dëshiron dhuratën e një shpërblimi të brendshëm.
“Nuk është e panjerëzishme” sepse, duke u mbushur vetëm me dashurinë e Hyjit e të të afërmit, nuk i merr parasysh gjërat që i kundërshtojnë ndershmërisë.
“Nuk mbahet në të madh” sepse, aq shumë e zënë me të mirat e veta të brendshme, jashtë nuk e ndien fare dëshirën për gjëra të tjera.
“Nuk e kërkon interesin e vet” sepse gjithçka të ketë në mënyrë të kalueshme në këtë botë e lë pas dore sikur të ishte e tjetërkujt, e asgjë nuk e mban si të vetën, përveç atyre sendeve që mbeten në amshim bashkë me të.
“Nuk hidhërohet” sepse, ndonëse e shtyrë nga padrejtësitë, nuk ushqen asnjë dëshirë hakmarrjeje, por pret shpërblime më të mëdha në të ardhmen për mundimet e rënda që pësoi.
“Nuk e mban në mend të keqen” sepse, duke e përforcuar shpirtin në dashuri për të mirën, e shkul prej rrënjëve çdo lloj inati e nuk di të mbajë në shpirt çka e përlyen.
“Nuk i kënaqet padrejtësisë” sepse, duke dëshiruar vetëm dashurinë ndaj të gjithëve, assesi nuk kënaqet për bjerrjen e armiqve.
“Por i gëzohet të vërtetës” sepse, duke i dashur të tjerët porsi vetveten, e duke e parë mirësinë e tyre, gëzohet sikur të fitonte a të përparonte vetvetja.
I larmishëm e i shumanshëm, pra, është ky ligj i Hyjit
Përgjigjja Krh. Rom 13, 8. 10; Gal 5, 14
C Askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimit që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin e ka plotësuar ligjin. * Dashuria është zbatimi i përsosur i ligjit.
D I tërë ligji përmblidhet në këtë urdhër: Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!
C Dashuria është zbatimi i përsosur i ligjit
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të kalojë në paqe nën drejtimin tënd, dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.