Shërbesa e leximeve
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E premte
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I mirë është Zoti me ne: bekojeni Emrin e tij!
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Nëpërmjet këngës së gjelit
tashmë errësirë e natës
dhe të natës së pangopur
duke hequr tmerrin e zi,
Hy jetëdhënës, po të lusim
dhe të lypim me gjithë shpirt.
Dritë e fortë, syhapët, erdhe
dhe mbikëqyrës i njerëzimit,
ndërsa mbanin të gjitha sendet
bashkërisht heshtje të zakonshme,
madje e nxirrnin krejt të vdekur
përfytyrimin e të vdekurit.
Ti, o Krisht, ne të na zgjoje
nga gjumi i prapësisë,
dhe falas të na libroje
nga burgu i natës sterrë,
edhe dritën të na ktheje
shoqëruese gjithnjë e jetës.
Ty e Atit ju qoftë nderi,
po ashtu Shpirtit të Shenjtë,
Hyjit në tre vetë dhe një të vetëm,
paqes, jetës, edhe dritës,
mbi të gjithë emrit të ëmbël
dhe vullnetit të hyjnueshëm. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
Na mbro, krijuesi i sendeve,
lavdi e dritës s’Atit,
pa hirin e të cilit
dridhen kraharorët tanë.
Dhe me Shpirtin tënd të mbushur,
duke mbartur Zotin me vete,
asgjë e grabitësit të pabesë të mos duket
me mashtrime shkatërruese.
Që ndër punët e shekullit,
si e lyp nevoja e jetës,
zhveshur nga çdo lloj krimi
të rrojmë me ligjet e tua.
Ty, o Krisht, mbret krejt i drejti,
Ty e Atit ju qoftë lavdia,
me Shpirtin Ngushëllimtar
ndër shekujt e amshuar. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj ndërsa më shkelin mëkatarët.
Psalmi 55 /54/ (2-15. 17-24) Miku që tradhton
O Judë, a me të puthur po e tradhton Birin e njeriut? (Lk 22, 48).
I (2-9)
Vështroje, O Hyj, lutjen time, †
mos u fsheh para uratës sime, *
më prano e më vështro,
se në mjerimin tim u shkriva në vaj, *
prej britmës së armikut, prej ndrydhjes së mizorit.
Hedhin mbi mua paudhësi, *
më sulmojnë me tërbim.
Dridhet zemra ime në mua, *
më përshkoi tmerri i vdekjes.
Frikë e tmerr erdhën mbi mua, *
më mbuloi një rrëqethje e rëndë.
Thashë: »Kush do të më japë krahë porsi pëllumbit *
për të fluturuar e për të gjetur pushim?
Larg, larg do të fluturoja, *
në shkretëtirë do të banoja.
Do ta prisja atë që më shpëton *
nga furia e erës dhe e stuhisë.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Mos e përbuz, o Hyj, lutjen time, që ta drejtoj derisa më shkelin mëkatarët.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
II (10-15)
Shpërndaji, o Zot, pështjelloju gjuhët, *
sepse shoh dhunë e grindje në qytet.
Ditën, natën qarkullojnë mbi mure, †
në qytet paudhësi, vuajtje e prita, *
nuk mungojnë në sheshe mujshi e tradhti.
Sepse po të më shante armiku, *
disi do të duroja,
të ishte ngritur kundër meje ai që më urren, *
disi do të fshihesha para tij,
por qe ti, o njeri, shoku im, *
miku im, i njohuri im,
me të cilin bëra shoqëri të ngushtë: *
bashkë me turma shkonim në Shtëpinë e Hyjit!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Zoti na liroi prej sulmit të armikut.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
III (17-24)
Por unë do ta thërras në ndihmë Hyjin, *
Zoti do të më japë shpëtim.
Në mbrëmje, në mëngjes, në mesditë
do të dënes i trishtuar *
e ai do të ma dëgjojë zërin.
Ai do të më shpëtojë, paqe do të më japë †
prej atyre që më sulmojnë: *
sepse të panumërt janë kundërshtarët e mi.
Hyji do të dëgjojë, do t’i përvujtërojë ata *
Ai që është para të gjitha jetëve.
Për ata kthim nuk ka *
e Hyjin s’e druan!
Secili ngre dorën kundër miqve të vet, *
shkel e thyen besën e dhënë.
Më të butë se tëlyeni e kanë gojën, *
zemrën e kanë të gatshme për luftim,
fjalët i kanë më të buta se vaji, *
e ata - shpatë të nxjerra nga milli!
Lëshoja kujdesin tënd Zotit †
e Ai do të të japë fuqi: *
kurrë s’do të lejojë të bjerë poshtë i drejti.
Ata, o Hyj, që janë gjakpirës e shpirtkëqij *
plandosi në gropën e varrit
që të mos jetojnë as gjysmën e ditëve të veta! *
Por unë do të shpresoj në ty, o Zot!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Lërja kujdesin tënd Zotit e ai do të të shpëtojë.
D Dëgjoje, biri im, zërin e urtisë.
C vëri veshin mësimeve të mia.
Leximi i parë
Prej librit të Jobit 12, 1-25
Përgjigjja e Jobit: Hyji ka në dorë çdo njeri; ai e zotëron urtinë njerëzore.
Jobi e mori fjalën dhe tha: “Njerëz të tjerë s'paska përveç jush, bashkë me ju do të mbarojë Urtësia!
Por edhe unë mendtë i kam si ju e në asgjë më i dobët se ju nuk jam! Këto që i dini, cili nuk i di?
Kush përqeshet prej mikut si unë, ta thërrasë Hyjin ai do ta vështrojë!, në lojë pse vihet patmetësia e të drejtit!
'Mposht fatkeqin ‑ mendon kush është mirë, Të shtyme jepi atij që këmbët i merren!'
Qetësi gëzojnë banesat e cubave, jeton qetë kush Hyjin po e nguc, sikur Hyjin në grusht të vet ta mbante.
Egërsirat pyeti e do të të mësojnë, shpendët e qiellit e ata do të të tregojnë,
fol me tokën e ajo do të të mësojë, peshqit e deti ty do të kallëzojnë.
Ndër këta të gjithë cili s'e di se të gjitha i bëri dora e Zotit?
Në dorë të Zotit jeta e çdo gjallese, në dorë të tij është fryma e çdo njeriu.
A thua veshi s'i dalluaka fjalët sikur qiellza që shujtën shijon?
A thua dija s'u takuaka pleqve e urtia njerëzve me moshë të gjatë?
Por në Të është urtia e fuqia, në Të këshilli edhe mbarë kuptimi.
Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë? Kë Ai kyç, askush s'mund ta lirojë!
Nëse e ndal ujin, gjithçka thahet, nëse e lëshon, gjithçka rroposet.
Në Të është forca edhe dija, njeh gënjeshtarin edhe të gënjyerin.
Ai këshilluesit lehtë i bën të marrë e gjykatësve mëndet ua merr sa ndorja.
Mbretërve ua zhduk ijën e me teje lehtë ua ngjesh.
Zbath priftërinjtë i vë përpara, nga pushteti poshtë i rrëzon bujarët.
Në gojë fjalën gojëmbarëve ua lidh edhe pleqtë pa urtësi i lë.
Mbi princër e sjell përbuzjen, brezin trimave ua zhgjesh.
Humnerave ua ndrit errësirën, hijen vdekjes në dritë të ditës e qet.
I rrit popujt e i asgjëson menjëherë, të rrëzuarit Ai prapë në këmbë i çon.
U merr mendtë princave vendas, i bën të enden shkretëtirës së paudhë duke prekur si në terr e pra në dritë, i bën të enden sikur të ishin të dehur!
Përgjigjja Krh. Jb 12, 13. 14; 23, 13
C Në Hyjin është urtia e fuqia, në Të këshilli edhe mbarë kuptimi. * Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë? Kë Ai kyç, askush s’mund ta lirojë.
D Çfarë vendos Ai kush e bën të ndërrojë? Çka synoi Ai gjithmonë e zbatoi.
C Çka shkatërron Ai, kush mund ta ndërtojë? Kë Ai kyç, askush s’mund ta lirojë.
Leximi i dytë
Nga “Komentimi librit të Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë
(Lib. 10, 47-48; PL 75, 946-947)
Dëshmia e brendshme.
Kush është përbuzur prej mikut, siç jam unë, do ta thërrasë Hyjin e ai do ta dëgjojë (krh. Job 12, 4). Shpeshherë, mendja e ligë, kur për shkak të veprave të mira lavdërohet e nderohet prej njerëzve, e lëshon veten pas gëzimeve të jashtme, pak rëndësi u jep frymëzimeve të brendshme, e me gjithë qejf rehatohet duke dëgjuar çka po thuhet. E kështu, më tepër gëzohet kur të shpallet e mirë se kur të jetë vërtet e tillë. Ndërsa dëshiron fjalë lavdërimi, e lë pas dore çka kishte nisur të jetë. Largohet prej Hyjit pikërisht për shkak të atyre lavdërimeve që dukeshin sikur ta lidhnin me të.
Pastaj, ndonjë herë kujdeset me zell për të vepruar mirë, por e shqetëson përbuzja e njerëzve. Kryen punë të shkëlqyeshme dhe i vijnë sharjet; e ndërsa lavdet do ta kishin nxjerrë jashtë vetes, sharjet e detyrojnë të kthehet në vetveten; e aq më ngushtë bashkohet me Hyjin në brendësinë e vet, meqë jashtë nuk gjeti vend ku të pushojë. Atëherë, gjithë shpresën e vet e drejton kah Krijuesi dhe, ndër sharje e përbuzje, e kërkon vetëm dëshmitarin e vet të brendshëm.
Shpirti i vuajtur, aq më shumë i afrohet Hyjit, sa më tepër i largohet nderimit dhe lavdërimit njerëzor; menjëherë i kushtohet lutjes e, nën rëndimin e jashtëm, bëhet më i pastër e më i kthjellët, për të depërtuar më lehtë në botën e brendshme.
Pra, me të drejtë thuhet tash: “Kush është përbuzur prej mikut, siç jam unë, do ta thërrasë Hyjin e ai do ta dëgjojë". E njëmend, kur të këqijtë e qortojnë ndërgjegjen e të mirëve, tregojnë se cilin dëshmitar kërkojnë për veprat e veta. E kështu, të mirët janë nxitur të përqendrohen në lutje dhe ta kërkojnë pëlqimin hyjnor nga ana e brendshme, pikërisht atëherë kur u hiqet fare lavdërimi njerëzor nga ana e jashtme.
Pastaj, duhet vërejtur me sa urti shtohet: “Siç jam unë", meqenëse ka njerëz të rënduar prej përbuzjes njerëzore që nuk dëgjohen nga veshët e Hyjit. Sepse kur përbuzja drejtohet kundër fajit, me siguri nuk fitohet asnjë meritë virtyti prej përbuzjes.
“Por vihet në lojë thjeshtësia e të drejtit” (krh. Job 12, 4). Urtia e kësaj bote qëndron në dinakërinë me të cilën i fsheh ndjenjat e veta, e mbulon me fjalë mendimin e vet, e paraqet gënjeshtrën si të vërtetë dhe të vërtetën si gënjeshtër. Përkundrazi, i drejti me urtinë e vet ikën prej çdo mashtrimi, e shfaq me fjalë mendimin e vet, e do të mirën ashtu siç është, i shmanget çdo gënjimi, falas i dhuron të mirat e veta, parapëlqen ta pësojë të keqen dhe jo ta bëjë, nuk kërkon të hakmerret për të sharat, e mban si fitim fyerjen që pësoi për shkak të së vërtetës.
Por kjo thjeshtësi e të drejtit vihet në lojë, sepse pastria e qëllimit mbahet si marrëzi prej të diturve të kësaj bote. E njëmend, gjithçka që të bëhet pa djallëzi mbahet prej tyre si gjë patjetër e marrë; e gjithçka që të miratohet prej së vërtetës në veprime duket si marrëzi për urtinë e kësaj bote.
Përgjigjja Krh. Ps 119 /118/, 104-105; Gjn 6, 68
C Urrej çdo udhë gënjeshtre. * Fjala jote është llambë për hapat e mi, dritë për udhën time.
D Ku të shkojmë. o Zot? Ti ke fjalët e jetës së pasosur.
C Fjala jote është llambë për hapat e mi, dritë për udhën time.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të kalojë në paqe nën drejtimin tënd, dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.