Shërbesa e leximeve
Java e tetë e Kohës së rëndomtë
Java IV e Psalterit
E shtunë
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta dëgjojmë zërin e Zotit: ai na udhëheq në tokën e premtuar.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
Dritë n’amshim, dritë e fuqishme,
ditë që s’mbaron kurrë,
ngadhënjyese mbi natë t’errët
ripërtëritëse e ndriçimit,
shkatërruese e errësirës,
shkëlqimtare e mendjeve.
Kur lind ajo, ringjallemi,
kur na thërret, shpejt ngrihemi,
kur del, na bën të lumtur
kur na lë, jemi të mjeruar,
kur nga vdekja liruar,
ne jemi të qartë si drita;
kur dalë fitues mbi vdekjen,
përmbi natën dhe mbi shekullin;
prandaj, o Mbret i amshuar,
dhurona neve dritën,
që nga asnjë natë s’errësohet,
veç me ndriçim kënaqet.
Atit dhe Ty nderimi,
dhe Shpirtit Shenjt Ju qoftë,
Hyjit në tre vetë por një të vetmit,
paqes, jetës, ndriçimit,
mbi të gjithë emrit t’ëmbël,
dhe Hyjnisë së madhërishme. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Hy që s’vjen nga askush,
o Hy që rrjedh prej Hyjit,
Hy që buron prej këtyre,
ndër ne eja përkrahës.
Ti je dëshira jonë,
ti qofsh dashuria e gëzimi:
në ty lakmimi ynë
e në ty qoftë kënaqësia.
O Atë, sunduesi i të gjithëve,
me të Lindurin nga Virgjëra,
brenda dhe rreth e rrotull
me Shpirtin Shenjt sundona.
Kujto, Shenjtja Trini,
ç’ndërtoi mirësia jote,
njeriun më parë krijove,
me anë të gjakut e rimëkëmbe.
Se ata që ka krijuar Njënia,
shpërbleu dashuria e Krishtit
atëherë duke vuajtur i ndërgjegjshëm,
tash na duaj ne duke na zgjedhur.
Trinisë së Shenjtë gëzimi,
paqja, virtyti dhe sundimi,
pushteti i plotë e dinjiteti,
lavdi, nderi e nderimi. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Psalmi 50 /49/ I (1-6) Për kultin »në shpirt e në të vërtetë«
Krishti nuk erdhi për ta shlyer Ligjin e vjetër, por për ta përkryer; tha: Mos t'ju shkojë ndër mend se erdha për ta shlyer Ligjin ose Profetët! Jo, s'erdha të shlyej, por të përkryej (Krh. Mt 5, 17).
Flet Zoti, Hyji i hyjnive *
dhe e thërret tokën që ku lind dielli e deri ku perëndon.
Nga Sioni, shkëlqim bukurie, *
Hyji ndriçon!
Hyji ynë do të vijë e nuk do të heshtë: †
para i shkon zjarri që përpin, *
përreth tmerrshëm tërbohet thëllimi.
E thërret qiellin prej së larti *
edhe tokën për të gjykuar popullin e vet:
»Bashkoni para meje besimtarët e mi, *
që me fli lidhën Besëlidhjen me mua!«
Qiejt shpallin drejtësinë e tij *
sepse Hyji është gjykatës!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti e thërret qiellin e tokën, për të gjykuar popullin e vet.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
II (7-15)
»Dëgjo, populli im, dua të flas, †
o Izrael, dëshmoj kundër teje: *
unë Hyji jam, Hyji yt!
Nuk të qortoj për flitë e tua, *
flitë e shkrumbimit të tuat i kam gjithherë para sysh!
S’do të pranoj prej shtëpisë sate mëzat, *
as cjap prej tufave të tua.
Sepse të gjitha egërsirat e pyjeve janë të miat, *
me mijëra kafshë në malet e mia.
I njoh të gjithë shpendët e ajrit *
dhe imja është gjithçka lëviz mbi tokë!
Po të kisha uri, ty nuk do të të thosha: *
imi është rruzulli e gjithçka ai përmban.
Pse, a thua unë ha mish mëzetërish *
e pi gjak cjepsh?
Kushtoji Hyjit fli falënderjeje *
dhe zbatoja Hyjit kushtet e tua,
e më thirr në ditën e travajit: *
unë do të të shpëtoj e ti më jep lavdinë!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Më thirr në ditën e provës, e unë do të të liroj, thotë Zoti.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
III (16-23)
Mëkatarit Hyji i thotë: †
»Si guxon ti t’i shtjellosh urdhërimet e mia? *
Si e merr nëpër gojë Besëlidhjen time,
kur ti e urren disiplinën, *
pas shpine i hedh urdhrat e mi?
Kur e sheh vjedhësin, shok bëhesh me të, *
e me lavire vazhdimisht merr pjesë.
Gojën tënde e përdor për fitme, *
gjuha jote thur dredhi.
Me paramendim flet kundër vëllait tënd, *
çnderon djalin e nënës sate.
Kështu veprove e unë heshta. †
A mendon ti se unë jam si ti? *
Po të qortoj e po t’i përplas në fytyrë
mëkatet e tua.«
Merrni vesh mirë ju të gjithë që e harroni Hyjin: †
mos me bëni t’ju fut në thonj *
se s’gjendet ai që mund t’ju shpëtojë.
Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit, †
do t’ia tregoj shpëtimin e Hyjit *
atij që ecën udhës së drejtë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Më nderon ai që më kushton flinë e lavdit.
D Të lutemi dhe ta kërkojmë në çdo kohë
C njohjen e plotë të vullnetit të Hyjit.
Leximi i parë
Prej librit të Jobit 13, 13 – 14, 6
Jobi e thërret në dëshmi gjykimin e Hyjit.
Duke iu përgjigjur miqve të tij, Jobi tha:
Heshtni pak! Dua të flas vetë, të dalë ku të dalë, është punë për mua!
Me dhëmbë të mi pse mishin tim ta ha? Jetën time ta shqyej me duar të mia?
Në dashtë le të më vrasë, tjetër s'dësh'roj: sjelljen time para Tij ta mbroj.
Ky guxim shpëtimin tim kumton: sepse i mbrapshti para Tij s'mund të dalë!
Dëgjojeni ju bisedën time, vëni vesh shtjellimit tim!
Ja: jam gati për gjykim! Mirë e di se i pafaj dal.
Kush me mua do të gjykohet? Do të hesht dhe do të vdes.
Por dy gjëra mos m'i bëj para Teje s'do të tërhiqem:
flake tej prej meje dorën, me tmerr tëndin mos më tremb!
Atëherë më pyet e do të të përgjigjem, o po të pyes e ti më përgjigj!
Sa faje e mëkate bëra? Kundërvajtjet m'i trego dhe krimet!
Përse faqen kështu ma fsheh? Dhe më merr për armik tëndin!
Je i ashpër me gjethe që merr era, po e përndjek një kashtërrojë të thatë!
Sepse më shkruan të hidhura ndëshkime, të rinisë mëkatet m'i ngarkon, këmbët ndër pranga m'i mbërthen, të gjithë hapat m'i vrojton, të gjitha gjurmët m'i shqyrton.
Porsi rrëshiq më duhet të mbaroj, porsi petku që e bren tenja.
Njeriu prej femre i lindur, ditëpakët, por plot trazime, çel si lulja e shpejt vyshket, vend pa zënë zhduket si hija.
Mbi një qenie të tillë vallë të hapësh sytë, para vetes në gjyq ta ftosh?
Kush të pastrin e nxjerr prej të ndyrit? Jo, askush! Kurrën e kurrës!
Ditët e tij nëse janë të caktuara, numri i muajve nëse nga ti i varet, nëse i ke vënë cak të pakalueshëm,
mos e vërej, por lëre në paqe ta kryejë jetën si mëditës!
Përgjigjja Krh. Jb 13, 0. 21; Jer 10, 24
C Para teje, o Zot, s’do të tërhiqem; flake tej prej meje dorën tënde * me tmerr tëndin mos më tremb.
D Më ndëshko, o Zot, por me masë të drejtë, jo me zemërim që të mos më zhbish,
C me tmerr tëndin mos më tremb.
Leximi i dytë
Nga “Traktatet” e shën Zenit nga Verona, ipeshkëv
(Trakt. 15, 2; PL 11, 441-443)
Jobi qe shëmbëllesë e Krishtit.
Për sa mund të kuptojmë, o vëllezër fort të dashur, Jobi qe shëmbëllesë e Krishtit. Krahasimi do ta tregojë vërtetësinë e këtij pohimi. Jobi qe quajtur i drejtë prej Hyjit e Krishti është vetë drejtësia. Prej tij, si prej gurre, nxjerrin të gjithë ata që janë të lumë. Për të qe thënë: “Për ju do të lindë dielli i drejtësisë” (krh. Mt 3, 20). Jobi qe quajtur njeri që e flet të vërtetën. E Zoti është vetë e vërteta. Në Ungjill tha: “Unë jam udha dhe e vërteta” (Gjn 14, 6). Jobi kishte qenë i pasur. Por kush është më i pasur se Zoti? Të gjithë të pasurit janë shërbëtorë të tij dhe atij i përket mbarë toka me të gjitha sendet që gjenden në të, sikurse dëshmon Davidi profeti i madh: “E Zotit është toka e gjithçka ajo ka, rruzulli mbarë e të gjithë banorët e tij” (Ps 24 /23/, 1). Për tri herë Jobi qe tunduar prej djallit. Po ashtu për tri herë, siç tregon ungjilltari, djalli u përpoq ta tundojë Zotin.
Jobit iu hoqën të gjitha pasuritë që pati, edhe Zoti, për dashuri tonë, hoqi dorë nga të gjitha të mirat qiellore dhe u bë i varfër, që ne të na bënte të pasur. Në hidhërimin e vet, djalli i vrau bijtë e Jobit. Edhe populli farise, në inatin e vet të marrë, i vrau profetët, bijtë e Hyjit.
Jobi u mbulua me plagë. Edhe Zoti, duke e përvetësuar mishin tonë, u mbulua me ndyrësitë dhe mbrapshtitë e mbarë gjinisë njerëzore. Gruaja e nxiste Jobin që të nemte. Po ashtu sinagoga mundohej ta shtynte Zotin në ndjekjen e traditave të rreme të farisenjve.
Jobi qe sharë prej shokëve, edhe Zoti qe sharë prej priftërinjve të vet, prej atyre të cilët do të duhej ta nderonin. Jobi dergjej i braktisur në plehërishtë, ku krimbat gëlonin, edhe Zoti u dergj në plehërishtën e vërtetë, d. m. th. në baltën e kësaj bote, në mes të krimbave të vërtetë që janë njerëzit plot mbrapshti dhe epshe.
Jobi e fitoi përsëri shëndetin e trupit dhe të mirat e veta. Zoti, me ringjalljen e vet prej vdekjes, u dha atyre që besojnë në të jo vetëm shëlbimin, por edhe pavdekësinë, dhe e mori përsëri sundimin mbi të gjitha sendet, sipas fjalëve që ai vetë i tha: “Ati më dorëzoi mua gjithçka” (Mt 11, 27).
Jobit i lindën bij të tjerë në vend të atyre që humbi. Edhe Zotit, në vend të profetëve, i lindën si bij apostujt e shenjtë.
Më në fund, Jobi, plot lumturi, pushoi në paqe. Ndërsa Zoti qëndron i bekuar në amshim për të gjithë shekujt e shekujve.
Përgjigjja Krh. Heb 12, 1-2; 2 Kor 6, 4-5
C Të vrapojmë me qëndresë në luftim që na u caktua, * me sy të ngulur në Jezusin, autorin dhe Përkryesin e fesë.
D Të përballojmë me qëndresë vështirësi, nevoja, ngushtica, goditje, burgje,
C me sy të ngulur në Jezusin, autorin dhe Përkryesin e fesë.
Lutja
Bëj, po të lutemi, o Zot, që jeta jonë tokësore të kalojë në paqe nën drejtimin tënd, dhe Kishës sate fali gëzimin e përkushtisë me qetësi. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.