Shërbesa e leximeve
1 qershor, Shën Justini, martir
Përkujtim
Justini, filozof e martir, lindi në Flavia Neapolis, në Samari, në fillim të shek. II, prej fisi pagan. Pasi u kthye në fe, shkroi shumë vepra në mbrojtjen e fesë, por na kanë mbetur vetëm dy Apologji dhe Dialogu me Trifonin. Në Romë e themeloi një shkollë dhe mësoi botërisht. Me shokë të tjerë e pësoi martirizimin në kohë të Mark Aurelit, rreth vitit 163.
Nga Përbashkorja e një martiri me psalmet e ditës në psalter.
Shërbesa e leximeve
Ftesa
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëi zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Himni
O Martir, bëje t’lumtur
ditën tënde t’ngadhënjimit,
që ty fitues të jepet
shpërblim kurora e gjakut.
Me këtë nga errësira e shekullit
xhelat mposhte e gjykatës,
ky t’ ngriti n’ qiell e ditët
triumfues n’ Krishtin t’i bëri.
Tashti pjestar (pjestare) me engjëjt
shkëlqen me rrobë të shquar,
që dëshmues i pamposhtur
në përrenj gjaku e lave.
Tash më rri pranë e lutu,
që Krishti i qetë ndaj t’vetve
ta kthejë veshin mëshirues,
mos t’i njehë gjitha fajet.
Paksa këtu depërton
nga Krishti lyp mbështetje,
që shqiset e rënduara
të ndiejnë lehtësinë e faljes.
Atit dhe Birit nderi
bashkë me Shpirtin jetëdhënës,
ty kurorë t’përjetshme
të vënë n’ treme t’ lumturisë. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Psalmi 6 (2-11) Njeriu në sprovë kërkon mëshirën e Hyjit.
Tani shpirtin e kam të tronditur... O Atë, më shpëto nga kjo orë (Gjn 12, 27).
O Zot, mos më qorto në zemërimin tënd *
as mos më ndëshko në hidhërimin tënd!
Ki mëshirë për mua, o Zot, se më shkatërroi sëmundja, *
më shëro, o Zot, se u thërrmuan eshtrat e mi.
Shpirti im është tejet i shqetësuar, *
e ti, o Zot - e deri kur...?
Kthehu, o Zot, më shëro, *
më shpëto në saje të mirësisë sate!
Sepse ndër të vdekur kush të kujton, *
në Nëntokë kush të këndon lavde?
Plasa duke gjëmuar, †
natë për natë e laj shtratin tim, *
me lotët e mi e laj shtrojën time.
Sytë e mi po shqimen nga vajtimi, *
u plaka midis armiqve të mi.
Largohuni prej meje të gjithë ju që bëni keq, *
sepse Zoti e dëgjon zërin e dënesës sime!
Zoti e dëgjon lutjen time, *
Zoti e pranon uratën time!
U turpërofshin dhe tmerrësisht u hutofshin armiqtë e mi *
e, të çnderuar, vrik u kthefshin mbrapa!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1. Më shpëto, o Zot, pash mëshirën tënde.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Psalmi 9 I (1-11) Falënderim për fitore.
Dhe prapë do të vijë për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Të lavdëroj, o Zot, me gjithë zemrën time, *
i shpall të gjitha mrekullitë e tua.
Gëzohem dhe galdoj në ty, *
i këndoj Emrit tënd, o i Larti Zot!
Armiqtë e mi u kthyen prapazi, *
ranë përdhe e sharruan ndër sytë e tu,
sepse ti u kujdesove për të drejtën e çështjen time, *
ti ndenje mbi fron, Gjykatës i drejtë!
Ti i qortove paganët, e shove të pabesin, *
emrin e tyre e zhduke për jetë të jetës!
Armiqtë sharruan - rrënojë e përhershme, *
gërmadha ua bëre qytetet, mbaroi kujtimi i tyre me ta.
Zoti sundon në jetë të jetës, *
e vendosi fronin e vet të gjykojë;
Ai vetë me drejtësi gjykon mbarë botën, *
ua jep popujve dënimin e drejtë.
Zoti është strehimi i të salvuarit, *
vend i sigurt për ditë të vështira.
Le të shpresojnë në ty ata që e njohin Emrin tënd, *
sepse ti s’i lëshon dore ata që të kërkojnë ty, o Zot.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 O Zot, ti je strehimi i të varfrit në ditën e ngushticës!
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
II (12-21)
Këndoni Zotit që banon në Sion, *
kumtoni ndër popuj mrekullitë e tij!
Sepse si ndëshkues gjakësorësh në mend i bie për ta, *
e britmën e skamnorit nuk e qet në harresë.
Ki mëshirë për mua, o Zot, †
shihe mjerimin tim ku më hodhën armiqtë e mi, *
më shpëto prej derës së vdekjes
për t’i shpallur të gjitha lavditë e tua †
para dyerve të qytetit Sion *
i gëzuar për shëlbimin tënd.
U plandosën paganët në atë gropë që vetë hapën, *
këmba e tyre u zu në atë lak që vetë vunë,
Zoti e dëftoi veten e çoi në vend të drejtën, *
mëkatari u ngatërrua në veprat e duarve të veta!
Le të kthehen mëkatarët në Nëntokë, *
të gjithë paganët që e harrojnë Emrin e Hyjit!
Sepse skamnori nuk do të harrohet për amshim, *
shpresa e varfanjakut nuk do të mbarojë askurrë.
Zgjohu, o Zot, të mos mbizotërojë njeriu, *
para teje le të gjykohen paganët!
Mbushi me frikë e tmerr, o Zot, *
le ta dinë paganët se janë vetëm njerëz.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Do të të lavdëroj, o Zot, në kuvendin e popujve.
D Bëj që ta kuptoj dhe do ta mbaj ligjin tënd,
C do ta ruaj me gjithë zemër atë.
Prej librit të Jobit 29, 1-10; 30, 1. 9-23
Jobi ankohet për gjendjen e tij
Jobi vazhdoi poemën e vet e tha:
“Oh, të m'u ktheheshin muajt e shkuar, ato ditë kur Hyji më ruante,
kur mbi krye më ndriçonte dritëza e tij, kur në dritë të Tij çaja errësirën!
Të bëhesha si në rininë time, kur si mik në tendë më vinte Hyji,
kur me mua ishte i Lumi e përreth mecat e mi,
kur me qumësht i laja këmbët, kur nga guri rrëke më rridhte vaji!
Kur unë dilja në log të kuvendit, shkëmbin tim kur e vija në shesh,
më shihnin të rinjtë e iknin të fshihen, pleqtë në këmbë brofshin e ashtu qëndronin!
Heshtnin prijësit, zë s'lëshonin e me dorë gojën e mbyllnin.
Fisnikët zërin e rrudhnin e për qiellzë gjuha u ngjitej.
“Kurse tash mua më përqeshin në moshë më të rinjtë,
të cilëve etërit s'u denjoja t'ia vë grigjës qen për rojë!
Ata tash në bisht të lahutës më vënë e për ta unë përrallë jam bërë.
U vjen të ndyrë, prej meje largohen, s'ju vjen turp të më pështyjnë në f'tyrë.
Kukurrën hapi e më shigjetoi e në gojë ma vuri frerin.
Fole shlligash në të djathtën time, këmbët e mia i vënë në të ikur, kundër meje sheshojnë shtigje vdekje.
Rrugët e mia m'i rrënuan, më dolën në pritë edhe më mundën dhe askush s'u kundërshton.
Si murit të rrënuar më sulen, nën rrënoja u rrokullisën.
Edhe tmerri kundër meje u çua, porsi era u zhduk parësia ime, porsi reja shkoi shpëtimi im.
Shpirti im gjithnjë po më meket, më pushtuan ditët e mjerimit.
Natën eshtrat dhimbjet m'i shporojnë, plagët që më brejnë askurrë s'më pushojnë!
Më kap për petkash me tërë fuqinë, më shtrëngon si qafeta e këmishës.
Në baltë më përplasi pa farë mëshire e jam bërë krejt blozë e pluhur.
Në ndihmë të thërras e Ti s'më përgjigj, në këmbë qëndroj e Ti s'më shikon.
Për mua Ti mizor u bëre, më përndjek me dorë të fuqishme.
Më flak përpjetë kalor mbi erë, poshtë më përplas me anë të stuhisë.
Po e shoh se në vdekje më shtyt, në sht'pi të caktuar për çdo të gjallë.
Përgjigjja Jb 30, 17. 19; 7, 16
C Natën eshtrat dhimbjet mi shporojnë, plagët që më brejnë askurrë s’më pushojnë. Në baltë më përplasi * jam bërë krejt blozë e pluhur.
D Jam dëshpëruar, s’kam pse të jetoj, ti më fal: krejt pa vlerë është jeta ime;
C jam bërë krejt blozë e pluhur.
Leximi i dytë
Nga “Aktet e martirizimit” të shën Justinit dhe shokëve të tij.
(Kap. 1-5; krh PG 6, 1366-1371)
Jam bashkuar me doktrinën e vërtetë
Pasi qenë kapur, shenjtërit qenë çuar tek prefekti i Romës, i quajtur Rustik. Qenë qitur para gjykatës dhe prefekti Rustik i tha Justinit: “Para së gjithash, besoju hyjnive dhe nderoji perandorët”. Justini tha: “Për asgjë nuk mund të qortohet as të dënohet kush i zbaton urdhërimet e Shëlbuesit tonë Jezu Krishtit”.
Prefekti Rustik tha: “Cilën doktrinë dëshmon?”. Justini iu përgjigj: “U mundova t'i mësoj të gjitha filozofitë, pastaj jam bashkuar me doktrinën e vërtetë, me atë të krishterë, edhe pse kjo nuk u pëlqen atyre që janë ngatërruar në rrjetën e gabimit.”
Prefekti Rustik tha: “Cila është kjo doktrinë?”. Justini iu përgjigj: “Që ta adhurojmë Hyjin e të krishterëve, të cilin e mbajmë si të vetmin Krijues dhe Autor, që prej fillimit, të mbarë gjithësisë, të sendeve që shihen dhe që nuk shihen; edhe Zotin Jezu Krisht, Birin e Hyjit, i cili qe paralajmëruar prej profetëve si ai që duhej të vinte mes njerëzve për ta shpallur shëlbimin dhe për të mësuar doktrina të mira. E unë, thjesht si njeri, vërej se mund të them shumë pak përballë hyjnisë së tij të pafund. E di se kjo aftësi u përket profetëve, të cilët e paralajmëruan ardhjen e atij i cili, siç thashë më parë, është Biri i Hyjit. Vërtet, profetët, prej frymëzimit hyjnor, parafolën për ardhjen e tij mes njerëzve.”
Rustiku tha: “Pra, a je i krishterë?”. Justini iu përgjigj: “Po, jam i krishterë.”
Prefekti i tha Justinit: “Dëgjo, ti që mbahesh si i urtë e mendon se e njeh doktrinën e vërtetë; nëse pasi të frushkullohesh do të të pritet koka, a beson se do të ngjitesh në qiell?”. Justini iu përgjigj: “Shpresoj të hyj në atë banesë nëse do të pësoj këtë gjë. Vërtet, unë e di se të gjithë atyre që do të kenë jetuar në shenjtëri deri në të sosur të mbarë botës u takon dashamirësia hyjnore.”
Prefekti Rustik tha: “A kujton, pra, se do të ngjitesh në qiell për ta fituar një shpërblim të denjë?”. Justini iu përgjigj: “Jo se e kujtoj, por e di në mënyrë shumë të saktë e të sigurt”.
Prefekti Rustik tha: “Hajt, të kthejmë në bisedën që patëm caktuar dhe që nuk pret: mblidhuni e së bashku kushtoni fli hyjnive”. Justini iu përgjigj: “Asnjë njeri me mend të shëndoshë s'do të kalojë prej besimit në pabesi.”
Prefekti Rustik tha: “Në qoftë se nuk do t'i zbatoni urdhrat e mi, do të torturoheni pa mëshirë”. Justini iu përgjigj: “Kemi besim se do të shëlbohemi në saje të Zotit tonë Jezu Krishtit nëse do ta pësojmë dënimin, sepse kjo gjë do të na nxjerrë shëlbimin e do të na bëjë të pafrikë para gjykatës më të tmerrshme dhe të përgjithshme të Zotit dhe Shëlbuesit tonë”.
Po ashtu folën edhe gjithë martirët e tjerë: “Bëj çka të duash; ne jemi të krishterë e nuk do t'u kushtojmë fli idhujve”.
Prefekti Rustik e shpalli vendimin duke thënë: “Ata që nuk deshën t'u kushtojnë fli hyjnive dhe ta zbatojnë urdhrin e perandorit, pasi të frushkullohen, le të përcillen në vend ku do t'u pritet koka, siç e lyp ligji”.
Martirët e shenjtë, duke lavdëruar Hyjin, pasi mbërritën në vendin e caktuar, qenë vrarë me prerjen e kokës e kështu e përmbushën dëshminë e fesë në Shëlbuesin.
Përgjigjja Krh. Vap 20, 21-24; Rom 1, 16
C Asgjë që ishte për të mirën tuaj nuk e lashë pa jua shpallur, që të besoni në Zotin tonë Jezu Krishtin. * Ky është misioni që mu besua prej Jezusit Zot: ta dëshmoj Ungjillin e hirit të Hyjit, aleluja.
D Mua nuk më vjen turp prej Ungjillit, sepse Ungjilli është fuqia e Hyjit për shëlbimin e atij që beson: më së pari për judeun, e mandej për grekun.
C Ky është misioni që mu besua prej Jezusit Zot: ta dëshmoj Ungjillin e hirit të Hyjit, aleluja.
Lutja
O Hyj, ti i mësove shën Justinit, dëshmorit tënd, me anën e marrëzisë së Kryqit, më të lartën dije, Jezu Krishtin. Bëj që, me ndërmjetësinë e tij, të largohemi nga gabimet që na rrethojnë e të jemi të qëndrueshëm në fe. Nëpër Zotin.