Shërbesa e leximeve
Java e Nëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. I madh është Zoti, mbreti ynë: ejani, ta adhurojmë.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Pjesëtar i dritës atërore,
ai vetë dritë drite e ditë,
me këngë ne e thyejmë natën:
kërkuesve gjendu pranë.
Hiqi errësirat e mendjeve
zhduki turmat e djajve,
largo me forcë dremitjet,
mos t’ua kalojnë përtacëve.
Kështu, o Krisht, ne të gjithëve
që në ty besojmë, mëshirona,
të jetë për dobi të lutësve,
që këndojmë duke prirë me këngë.
Ty, Krisht, mbret krejt i shenjtë,
me Atin të qoftë lavdia,
dhe me Shpirtin Ngushëllues,
ndër shekujt e përjetshëm. Amen
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Trini krejt e shenjtë,
që urdhëron çdo gjë që krijove,
ditën për punë caktove,
natës prehjen ia fale.
Si n’agim edhe në t’errur,
natë e ditë për ty këndojmë;
ti ne në lavdinë tënde
na ruaj në të gjitha kohët.
Pranë teje shtrirë për dhe
të adhurojmë si robër,
kushte e uratë të lutësve
bashko me himnet e qiellorëve.
Bëj, o Atë krejt i shenjtë,
dhe, o Bir, baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar
që mbretëron në të gjithë shekujt. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Psalmi 10 /Vlg 9, 22-32/ I (1-11) Lutje dhe falënderim
Të lumët ju, o skamnorë, sepse juve ju përket Mbretëria e Hyjit (Lk 6, 20).
Përse, o Zot, qëndron larg, *
përse fshihesh në ditë të vështirë?
Me madhështi i patenzoni po e përndjek skamnorin: *
le të zihet krenari në dhelpërinë që sheston!
I pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të vet, *
lakmuesi shan Hyjin me përbuzje.
Me kreninë e vet mëkatari e përbuz Zotin: †
»S’kërkon përgjegjësi! Perëndi nuk ka!« *
Ja, gjithçka ai mendon!
Dhe prapë, udhët e tij janë plot suksese, †
gjyqet e tua janë tepër lart për të, *
të gjithë kundërshtarët e vet i bën asgjë.
Në mendjen e vet thotë: »Nuk do të bie poshtë, *
brez pas brezi e keqe s’do të më gjejë!«
Goja e tij është plot shpifje, dredhi e gënjeshtra, *
nën gjuhën e tij vuajtje e poshtërsi!
Rri në pritë ndër fshatra, *
në moh e vret të pafajshmin.
Me sy e vrojton të vobektin, *
në pritë porsi luani, i fshehur mirë në strofull,
përgjon për ta rrëmbyer të varfrin: *
e rrëmben të varfrin duke e qitur në lak.
Sulet, struket në pritë *
e dhunës së tij të mjerët i bëhen pre.
Tha në zemër të vet: »Hyji harron, *
ai nuk këqyr, askënd nuk sheh!«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Zoti u jep të drejtën skamnorëve.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot.
Psalmi 10 /Vlg 9, 33-39/ II (12-18)
Ngrihu, o Zot, lartësoje dorën tënde, o Hyj, *
mos i qit në harresë të mjerët!
Përse i patenzoni ta përbuzë Hyjin? *
Sepse ai tha në zemrën e vet: »Nuk do të ndëshkosh.«
E pra, ti sheh, ti shikon mjerimin e vështirësinë, *
me dorën tënde i peshon:
në ty mbështetet i mjeri, *
ti ia jep bonjakut sigurinë.
Copëtoje krahun e dhunuesit e të bakeqit: *
kërkoje fajin e tij derisa ta zhbish prej faqes së dheut.
Zoti është mbret në shekuj të shekujve: *
do të zhduken paganët prej dheut të tij.
Vështroji, o Zot, dëshirat e të mjerit, *
forcoja zemrën, ti prirja veshin,
për t’i dhënë të drejtën bonjakut e të salvuarit, *
që njeriu - pluhur e dhe - tmerr kujt më të mos i shtjerë!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Hallin dhe vuajtjen e të përvuajturve, ti e sheh, o Zot
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
Psalmi 12 /11/ (2-9) Lutja gjatë salvimit
Hyji Atë u denjua që ta dërgonte Birin e tij për ne, skamnorët (Shën Augustini).
Më shpëto, o Zot, se e pat shenjti, *
sepse ndër bijtë e njerëzve u pakësuan besnikët!
Të gjithë po e gënjejnë të afërmin e vet: *
flasin me buzë shtiracake, me zemër të paçiltër.
Thaji o Zot, të gjitha buzët shtiracake, *
edhe gjuhën që flet fjalë të mëdha!
Ata thonë: »Fuqia jonë është gjuha, †
buzët tona na mbrojnë! *
Kush është zotëria ynë?«
»Për shkak të mjerimit të të varfërve, †
për shkak të klithmës së të ndrydhurve
tani do të ngrihem - thotë Zoti - *
e do ta shpëtoj atë që e përbuzin.«
Fjalët e Zotit janë të pastra: †
argjend i pastruar në zjarr, i ndarë nga balta, *
i pastruar shtatë herë!
Por ti, o Zot na ruaj, *
na mbro përherë prej kësaj breznie të mbrapshtë
e atëherë le të sillen rreth nesh bakëqijtë, *
le të rritet, në dashtë, fundërria e njerëzve!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Fjalët e Zotit janë të pastra, argjend i pastruar në zjarr.
D Zoti i udhëheq të përvuajturit në drejtësi,
C të varfërve ua mëson udhën e tij.
Leximi i parë
Prej librit të Jobit 31, 1-8. 13-23. 35-37
Jobi ka vepruar gjithmonë sipas drejtësisë.
Jobi tha: “Lidhur kisha besë me sytë e mi se asnjë virgjër s'do të shikoja.
Po ç'pjesë kam te Hyji im i lartë, ç'trashëgim te i Gjithëpushtetshmi në qiell?
Fu
Pse a e keqja s'i takon të paudhit, s'u takuaka të padrejtëve ndëshkimi?
A thua sogje ai s'më rri në udhë e s' m'i njeh hapat e mi?
Pra, në veprova ndonjëherë me rrenë, për të bërë të keqen nëse e luajta këmbën:
le të më vërë Hyji në peshore të saktë që ta dijë se i patëmetë unë jam!
Këmba ime nëse udhës iu shmang e nëse zemra sytë m'i ndoqi, duart e mia nëse i përdhosa:
unë mbjellsha e tjetri korrte, farë as emër mos më mbettë!
Nëse i kam ngrënë të drejtën shërbëtorit o shërbëtores që ankohej në mua:
çfarë do të bëja kur Hyji në gjyq të ngritet, ç'do të përgjigjja kur llogari të lypte?
A s'janë ata si unë vepër e Tij? S'na formoi një Hyj në krah'ror të nënës?
Nëse u mohova ç'kërkonin të varfrit, në qoftë se të qajnë i bëra sytë e të vejës,
në qoftë se vetëm hëngra bukën time e prej saj s'dhashë të hajë edhe jetimi.
Qysh rinie si babë i kam qenë, e kam mësuar që në krah'ror të s'ëmës!
Nëse e përbuza të gjorin që petk s'kishte, të vobektin që ishte pa mbulojë,
nëse ijët e tij mua s'ma çuan bekimin, pse prej bashkave të dhenve të mia u ngroh,
nëse dorë ngrita kundër ndoj bonjaku, duke e ditur se e kam Mbrojtësin në gjyq:
oh m'u shkoqtë prej shpatullës krahu, dora ime në bërryl u theftë!
Sepse të Hyjit e druaj ndëshkimin, madhërisë së Tij s'mund t'i qëndroj!
Sikur të kisha dikënd që të më dëgjonte! Ja, nënshkrimi! I Lumi le të më përgjigjet! Ja libri që e shkroi armiku!
Përmbi supa do ta mbartja, rizë rreth kokës do ta lidhja,
përgjegjësi do të jepja për çdo hap, para Tij ballëlart si princ do të dilja”.
Përgjigjja Jb 31, 3; Fu 15, 3; Jb 31, 4
C E keqja i takon të paudhit e të padrejtëve u takon ndëshkimi. * Sytë e Zotit janë në çdo vend: i vrojtojnë të marrët e të urtët.
D A thua sogje ai s’më rri në udhë e s’m’i njeh hapat e mi?
C Sytë e Zotit janë në çdo vend: i vrojtojnë të marrët e të urtët.
Leximi i dytë
Nga “Bisedat shpirtërore” të shën Doroteut, abat
(Doktr. 13, De accusatione sui ipsius, 2-3; PG 88, 1699)
Paqja e rrejshme e shpirtit.
Kush ia vë fajin vetvetes pranon gjithçka me qetësi kur e takon çfarëdo vështirësie, dëmi, prozhmimi, fyerja, ose tjetër shkak mërzie: ai kujton se i meriton të gjitha, as nuk mund në asnjë mënyrë të shqetësohet. A ka gjë më të qetë se ky njeri?
Por ndoshta dikush mund të thotë: “Nëse një vëlla më mërzit, e duke shqyrtuar veten nuk gjej se ia dhashë ndonjë shkas, përse më duhet t'ia vë fajin vetvetes?” Me siguri, po ta shqyrtonte me kujdes vetveten dikush me frikën e Hyjit, kurrë s'do të gjendej krejtësisht i pafaj e do të zbulonte se ose me vepra, ose me fjalë, ose me qëndrim, ndonjë shkas e dha. E nëse në asnjërin prej këtyre rasteve nuk e gjen fajin e vet, me siguri ndonjë herë tjetër është treguar i vrazhdë kundrejt atij vëllai, në ndonjë çështje të vjetër ose të re, ose ndoshta i ka bërë dëm ndonjë vëllai tjetër. Pra, për këtë arsye vuan siç meriton, ose vuan për mëkate të tjera të panumërta që i kreu në kohë të ndryshme.
Tjetërkush pyet përse do t'i duhej t'i vërë fajin vetes kur, ndërsa po rri krejt i qetë e në paqe, fyhet nga vëllai që i afrohet me ndonjë fjalë therëse e çnderuese dhe, pasi nuk mund ta durojë, kujton se ka të drejtë të zemërohet e t'i kundërshtojë. Sepse, po të mos kishte ardhur tjetri e të mos kishte folur e të mos e kishte trazuar, ai nuk do të kishte mëkatuar.
Ky shfajësim është qesharak e nuk mbështetet në një themel të arsyeshëm. Sigurisht, nuk është sepse iu tha një fjalë që vloi në të pasioni i inatit, por ato fjalë e zbuluan pasionin që mbante brenda vetes. Pra, nëse ka vullnet të mirë, do të ketë arsye shumë të vlefshme për të bërë pendesë. Ai është i ngjashëm me thekrën e bardhë dhe e shndritshme, e cila tregon papastërtitë e veta vetëm atëherë kur të bluhet. Kështu, kush pushon në qetësi e në paqe, sikurse mendon ai vetë, e mban në vete një pasion e nuk e sheh. Vjen vëllai, thotë ndonjë fjalë therëse, e menjëherë i gjithë llumi, që po fshihej brenda, villet përjashta. Pra, nëse dëshiron të gjejë mëshirë, le të bëjë pendesë, të pastrohet, të mundohet të përmirësohet, e do të shohë se atij vëllai, në vend të një fyerjeje, do t'i ishte duhur t'i drejtonte një falënderim, pasi me anë të tij u vu në një rast përmirësimi shpirtëror. Po të kishte bërë kështu, pastaj nuk do ta kishte provuar më atë prekshmëri. Sidoqoftë, është e qartë se sa më shumë do të përparojë, aq më lehtë do t'i përballojë prova të tilla.
Vërtet, sa më shumë shpirti përparon në virtyt, aq më tepër bëhet i fortë e i fuqishëm në durimin e çfarëdo gjëje të rëndë që mund t'i ndodhë.
Përgjigjja Krh. Job 2. 14; 15, 15
C Vërtet, para Hyjit asnjë njeri s'mund të ketë të drejtë. * Kush jam unë që t'i përgjigj, e me ç'fjalë t'i kundërshtoj?
D Ja, ndër shenjtër të vet, ai s'ka besim, para tij as qielli s'është i pastër.
C Kush jam unë që t'i përgjigj, e me ç'fjalë t'i kundërshtoj?
Lutja
O Hyj, provania e të cilit sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, na largo çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.