Shërbesa e leximeve

3 qershor, Shën Karl Luanga dhe shokët, martirë

 

Përkujtim

 

      Në vitet 1885-1887 shumë të krishterë të Ugandës u dënuan me vdekje nga mbreti Mwanga për shkak të urrejtjes ndaj fesë. Disa prej tyre kishin detyra në gjykatë, madje i shërbenin edhe vetë mbretit.

      Ndër to dallohen Karl Luanga dhe njëzet e një shokët e tij që, mbajtës besnikë të fesë katolike, disa prej tyre u vranë me shpatë, disa të tjerë u dogjën të gjallë, meqë nuk kishin dashur t’i plotësonin kërkesat e mbretit.

 

    Nga Përbashkorja e shumë martirëve me psalmet e ditës në psalter.

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

      Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      O Martir, bëje t’lumtur

      ditën tënde t’ngadhënjimit,

      që ty fitues të jepet

      shpërblim kurora e gjakut.

 

      Me këtë nga errësira e shekullit

      xhelat mposhte e gjykatës,

      ky t’ ngriti n’ qiell e ditët

      triumfues n’ Krishtin t’i bëri.

 

      Tashti pjesëtar me engjëjt

      shkëlqen me rrobë të shquar,

      që dëshmues i pamposhtur

      në përrenj gjaku e lave.

 

      Tash më rri pranë e lutu,

      që Krishti i qetë ndaj t’vetve

      ta kthejë veshin mëshirues,

      mos t’i njehë gjitha fajet.

 

      Paksa këtu depërton

      nga Krishti lyp mbështetje,

      që shqiset e rënduara

      të ndiejnë lehtësinë e faljes.

 

      Atit dhe Birit nderi

      bashkë me Shpirtin jetëdhënës,

      ty kurorë t’përjetshme

      të vënë n’ treme t’ lumturisë. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

   Psalmi 18 /17/ I (2-7) Këngë falënderimi për shëlbimin dhe fitoren

 

   Trupat qiellorë do të lëkunden e atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi re me fuqi të madhe e me madhëri. Kur të fillojnë të ndodhin këto, drejtohuni dhe çojeni kryet lart dhe dijeni se është afër çlirimi juaj (Lk 21, 26b-28).

 

Të dua, o Zot, fuqia ime! *

   Ti, o Zot, je Qeta ime, Kështjella ime,

   Streha ime, Shpëtimtari im!

 

Hyji im, Ndihmëtari im, në Të shpresoj! *

   Ai është Mbrojtësi im, fuqia e shpëtimit tim, ndorja ime!

 

Në ndihmë do ta thërras Zotin tejet të lavdishëm, *

   dhe do të shpëtoj nga armiqtë e mi.

 

Më rrethuan valët e vdekjes, *

   më tmerruan përrenjtë e Belialit,

më lidhën leqet e Nëntokës, *

   po më shtrëngonin prangat e vdekjes:

 

atëherë në ngushtimin tim, ndore i rashë Zotit, *

   kushtrim i lëshova Hyjit tim:

nga Tempulli i vet dëgjoi zërin tim, *

   britma ime i mbërriti përpara në veshët e tij!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Të dua, o Zot, fuqia ime.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

   II (8-20)

 

Toka u trand edhe u tund, †

   u lëkundën themelet e maleve, *

   vendit u shkundën, sepse Ai u zemërua!

 

Nëpër vrima të hundës tym gufoi, †

   prej gojës zjarr e flakë buçiti, *

   prush i gjallë prej tij flakëroi!

 

I uli qiejt, poshtë zbriti, *

   nën këmbë re të murrme!

Kaluar mbi kerubin fluturoi, *

   lundroi mbi krahët e erërave!

 

Si me vel me errësirë u mbështoll, *

   ujëra të errëta dhe re të dendura e mbulonin,

para fytyrës së tij zhdukeshin retë *

   me breshër e prush të gjallë!

 

zoti gjëmoi nga qielli: †

   i Tejetlarti bëri t’i dëgjohej zëri: *

   breshër e prush zjarri!

 

I lëshoi shigjetat dhe i shpërndau ata, *

   i lëshoi rrufetë dhe i tmerroi ata.

 

Atëherë u dukën burimet e ujërave, *

   u zbuluan themelet e rruzullit

prej qortimit tënd, o Zot, *

   prej erës së frymës të hidhërimit tënd.

 

Shtriu dorën prej majës e më mori, *

   më nxori nga ujërat e shumta,

 

më shpëtoi nga armiku i fortë, †

   prej atyre që më urrenin, *

   që ishin më të fortë se unë.

 

Më sulmuan në ditën më të keqen, *

   por Zotin e pata krah,

Ai më qiti në vend të shpëtimit, *

   më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Zoti më shpëtoi sepse më kishte për zemër.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   III (21-30)

 

Zoti më shpagoi sipas drejtësisë sime, *

   më shpërbleu sipas pastrisë së duarve të mia,

sepse unë i mbajta udhët e Zotit, *

   nuk u largova prej Hyjit tim.

 

Të gjitha gjyqet e tija i kam para sysh, *

   dhe urdhërimet e tija nuk i largova prej meje.

Jam i pastër para syve të tij, *

   sepse ruhem vazhdimisht prej mëkatit.

 

Zoti më shpërbleu sipas drejtësisë sime, *

   sepse e pa pastrinë e duarve të mia.

 

Ti je i mirë me njeriun e mirë, †

   me të pafajshmin je i pafajshëm, *

   me të mbrapshtin ti je i squet.

 

Ti e shpëton popullin e përvujtë, *

   e krenarët i bën t’i ulin sytë.

 

O Zot, ti e ndez dritëzën time, *

   ti, o Hyj, e ndriçon terrin tim.

Me ty do t’i sulmoj turmat e armiqve, *

   me ndihmën e Hyjit tim do t’i kapërcej muret.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Ti, o Zot, e ndez dritëzën time, ti e ndriçon errësirën time.

 

   D Të gjithë mrekulloheshin për fjalët e bukura

   C që dilnin prej gojës së Krishtit.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jobit 32, 1-6; 33, 1-22

 

   Eliuhi flet për misterin e Hyjit.

 

   Kur Jobi u dha fund fjalëve të veta, ata tre njerëz pushuan t'i përgjigjeshin, sepse Jobi e mbante veten të drejtë. Por atëherë u hidhërua dhe u zemërua Eliuhi, biri i Barakelit të Buzit, i fisit Ramaj. E u hidhërua në Jobin sepse thoshte për vete se ishte i drejtë para Hyjit. Gjithashtu u zemërua edhe në miqtë e vet, sepse nuk ditën të gjejnë përgjigje, por vetëm e dënuan Jobin. Këndej edhe Eliuhi priti deri sa foli Jobi, sepse ata që flisnin ishin më të moçëm. Por, si pa Eliuhi se ata tre nuk mundën t'i përgjigjeshin, u hidhërua shumë.

   Atëherë e mori fjalën Eliuhi, biri i Barakelit Buzit, dhe tha:

   “Për kah mosha i ri unë jam, kurse ju e arritët pleqërinë, prandaj edhe frikë kisha dhe droja t'jua tregoj mendimin tim.

   “Dëgjo, Job, çfarë dua të të them, vëru veshin fjalëve të mia!

   Ja, e çela gojën time, le të më flasë gjuha në grykën time!

   Biseda ime rrjedh nga zemra e drejtë, gjyq të pastër do të thonë buzët e mia.

   Shpirti i Hyjit më ka krijuar, Fryma e të Lumit jetë më dha.

   Nëse mundesh, deh, më përgjigj, bëhu gati e ktheu nga unë!

   Qe, si ti jam para Hyjit, nxjerrë nga e njëjta baltë si ti,

   prandaj frikë s'dua të kesh prej meje, as të të rëndoj në mend s'e kam.

   Pra, ti the ‑ me veshë të dëgjova ‑ mirë i ndjeva fjalët që fole:

   'Jam i pastër, faj nuk kam, i patëmetë e pa farë mëkati.

   Halë në përpeq i jam unë atij, prandaj më mban për armik të vetin.

   Këmbët e mia në pranga i futi dhe e përcjell çdo hap timin.'

   Këtu është faji, unë të them se njeriu më Hyj'n s'mund të matet!

   Si, me Të ti do të pleqërohesh, pse në fjalë të tua gjegje s'jep?

   Sepse Hyji flet një herë, të njëjtën gjë nuk e përsërit.

   Në ëndërr, në vegime nate mbi vdekatarë kur gjumi bie, kur mbi shtroja ëmbël flenë,

   ua hap veshët vdekatarëve dhe i tremb në vegime nate

   për ta shmangur vdekatarin prej punësh të liga, prej krenisë për ta çliruar.

   E shpirtin ia ruan nga gropa, jetën prej udhës në Nëntokë.

   E qorton në shtrat me dhimba, me dridhje eshtrash të papushim,

   që der buka në jetë i ndyhet, më e shijshmja haje shpirtit të tij,

   kur ndër sy i shkrihet mishi, kur kockat nën lëkurë i shihen,

   kur i afrohet gropës së shkatërrimit, jeta e tij shtëpisë së vdekatarëve.

 

   Përgjigjja Krh. Rom 11, 33-34

 

   C O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e dijes së Hyjit! * Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija!

   D E njëmend, kush e njohu mendimin e Zotit? Kush iu bë Atij këshilltar?

   C Sa të pavëzhgueshme janë gjyqet e tija, sa të pashqyrtueshme janë udhët e tija!

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Homelitë për kanonizimin e martirëve të Ugandës” i Palit VI, papë

      (AAS 56, 1964, 905-906)

 

      Lavdia e martirëve, shenjë e rilindjes

 

      Këta martirë Afrikanë i shtojnë regjistrit të fitimtarëve, siç është Martirologu, një faqe tragjike dhe të madhërishme, vërtet të denjë t’i bashkëngjitet atij regjistri të Afrikës së lashtë, për të cilën ne njerëzit modern, njerëz të fesë së pakët, kemi menduar se nuk do të kishte më kurrë vazhdimësi. Kush do t’mund të supozonte, për shembull, se historive mallëngjyese të Martirëve Shilitan, të Martirëve të Kartagës, të Martirëve të “Morisë së dlirë” uticens, për të cilët shën Augustini dhe Prudenci na kanë lënë kujtimin e tyre, të Martirëve të Egjiptit, lavdërimin e të cilëve na e ka lënë shën Gjon Gojarti, të Martirëve të përndjekjes vandale, do t’i shtoheshin histori të reja jo më pak heroike, jo më pak të shkëlqyera, në kohët tona? Kush do t’mund ta parashikonte se figurave të mëdha historike të Shenjtërve Martirë dhe Dëshmitarëve Afrikan, siç janë Çipriani, Feliçita dhe Perpetua dhe Augustini i madhërishëm, do t’ua bashkëngjisnim një ditë emrat e dashur të Karl Luanga, të Matia Mulumba Kalemba, bashkë me njëzetë shokët e tyre? Dhe nuk dëshirojmë t’i harrojmë as të tjerët që, pjesëtarë të kishës anglikane, e kanë përballuar vdekjen për shkak të emrit të Krishtit.

      Këta martirë Afrikanë e hapin një periudhë të re: oh! nuk duam të mendojmë një periudhë përndjekjesh dhe kundërshtimesh fetare, por një periudhë rilindjeje të krishterë dhe civile. Afrika, e lagur nga gjaku i këtyre Martirëve, të parët e erës së re (oh, dhashtë Zoti që të jenë edhe të fundit, aq i madh dhe i çmueshëm është flijimi i tyre!), ringjallet e lirë dhe e shëlbuar. Tragjedia që i ka përpirë, është aq e padëgjuar dhe shprehëse, saqë dhuron elemente përfaqësuese të mjaftueshme për formimin moral të një populli të ri, për themelimin e një traditë të re shpirtërore, për të simbolizuar dhe për të nxitur kalimin nga një shoqëri primitive, të cilës nuk i mungonin vlerat shumë të mira njerëzore, por e cila ishte e ndotur, e sëmurë dhe pothuajse skllave e saj, në një shoqëri të hapur ndaj shprehjeve më të larta të shpirtit dhe formave më të larta të bashkëjetesës në shoqëri.

 

      Përgjigjja

 

      C Ndërsa luftojmë për fe, Hyji na sheh, Krishti dhe engjëjt e tij na qëndrojnë pranë: * është nderë dhe guxim për ne të luftojmë nën shikimin e Hyjit, dhe të marrim shpërblimin e Krishtit gjykatës, aleluja.

      D T’i mbledhim fuqitë tona, të përgatitemi për luftë me shpirt të pastër, me fe dhe me guxim, me përkushtim të plotë:

      C është nderë dhe guxim për ne të luftojmë nën shikimin e Hyjit, dhe të marrim shpërblimin e Krishtit gjykatës, aleluja.

 

      Lutja

 

      O Hyj, ti bën që gjaku i martirëve të jetë farë për të krishterë të rinj: bëj që ara e Kishës sate, e vaditur me gjakun e shën Karlit dhe shokëve të tij, martirë, të japë të korra përherë më të begatshme. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.