Shërbesa e leximeve

Java e Nëntë e Kohës së rëndomtë

 

Java I e Psalterit

 

E enjte

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Ejani, o popuj, ta adhurojmë Zotin, Hyjin e vetëm dhe të vërtetë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Nata e zezë mbulon ngjyrat

   e çdo sendi të tokës:

   duke u rrëfyer të lypim,

   gjyqtar i drejtë i zemrave,

 

   që të na shlyesh fajet

   të na lash ndyrësinë e mendjes,

   e të japësh, o Krisht, hirin

   e të na shporren krimet.

 

   Nga prapësitë mpihet mendja,

   që e bren faji i dëmshëm;

   lakmon të çrrënjosë t’errtat,

   të kërkojë ty, Shëlbues.

 

   Dëbo tymin e mjegullën

   nga brenda sa më tepër,

   të gëzohet duke u vendosur

   në dritën e uruar.

 

   Ty, o Krisht, mbret gjithë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Krisht, jepu shenjën, lutemi

   shërbëtorëve të tu që luten,

   kjo mbrapshti e shekullit

   të mos na robërojë fenë.

 

   Të mos mendojmë pa mëshirë,

   të mos kemi smirë askënd,

   të fyer të mos marrim hak,

   me të mirë ta mundim të keqen.

 

   Qoftë larg nga zemrat tona

   mëri, mashtrim, kreni;

   të marrë fund koprracia,

   rrënja e gjithë të këqijave.

 

   Të ruajë lidhjet e paqes

   dashuria pa mashtrime;

   pa njolla qoftë pastria

   që vuan nga mizoria.

 

   Ty, o Krisht, mbret tërë i shenjtë,

   dhe Atit i qoftë lavdia,

   me Shpirtin Ngushëllimtar,

   në shekujt e përjetshëm. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty.

 

   Psalmi 18 /17/ IV (31-35) Falënderim Hyjit shpëtimtar

 

   Nëse Hyji na përkrah, kush do të jetë kundër nesh? (Rom 8, 31).

 

Udha e Perëndisë është krejtësisht e pastër, †

   fjala e Zotit është e sprovuar me zjarr: *

   Ai është Mbrojtësi i të gjithë atyre që shpresojnë në të.

 

Sepse kush tjetër është Hyj përveç Zotit? *

   Kush tjetër Qetë shpëtimi përveç Hyjit tonë?

Hyji që më ngjesh me fuqi, *

   që e bën udhën time të pastër.

 

Ai m’i dha këmbët e shpejta si të drerëve, *

   ai më vendosi mbi bjeshkët e larta.

Ai m’i ushtron duart për luftim *

   e krahët e mi për të përdorur harkun e bronztë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Fjala jote, o Zot, është mburojë për të gjithë ata që shpresojnë në ty

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot.

 

   Psalmi 18 /17/ V (36-46)

 

Ti ma dhe mburojën e shpëtimit tënd, †

   e djathta jote më ndihmoi, *

   mirësia jote më rriti.

 

Ti i zgjeron hapat e mi nën mua *

   e këmbët e mia më nuk më merren.

 

I ndiqja armiqtë e mi e i zija, *

   prapazi nuk u ktheja derisa i shfarosja.

I dërrmoja e në këmbë s’mund të qëndronin, *

   rrëzoheshin përnën këmbët e mia.

 

Ti më ngjeshe me fuqi për luftë, *

   kurse armiqtë e mi i vure nën mua.

 

Armiqtë e mi i bëre të më kthejnë shpinën, *

   kurse ata që më urrejnë i shpërndave.

Dhanë kushtrimin, por askush s’i shpëtoi, *

   thirrën edhe Zotin - por ai s’u përgjigj.

I grimcova porsi pluhurin para erës, *

   i shkela porsi baltën e rrugës.

 

Ti më shpëtove nga kundërshtimi i popullit tim, †

   kryeparë më bëre ndër popuj paganë: *

   më shërbeu populli që as nuk e njihja!

 

Fjalën time e dëgjojnë me poni, *

   bijve të huaj u duhet të më përkëdhelin,

para meje të huajve ora u liget, *

   u drodhën në strehimet e veta.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 E djathta jote më ndihmoi, o Zot

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   Psalmi 18 /17/ VI (47-51)

 

Është Zoti! Qoftë bekuar Qeta e strehimit tim! *

   Qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

Hyji që ma bën të mundshme të shpaguhem! †

   Ti i shtron popujt nën mua, *

   ti që më liron prej armiqve të mi të hidhur,

 

ti më lartëson përmbi kundërshtarët e mi, *

   ti më shpëton prej njeriut mujshar.

 

Prandaj, o Zot, do të të lavdëroj ndër paganë, *

   himne gëzimi do t’i këndoj Emrit tënd!

 

Zoti ia shumon fitoret mbretit të vet, †

   e përkrah të shuguruarin e vet, *

   Davidin e pasardhësit e tij deri në amshim!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti, qoftë madhëruar Hyji, Shpëtimtari im!

 

   D Largoje velin prej syve të mi, o Zot:

   C dhe unë do t’i shqyrtoj mrekullitë e ligjit tënd.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jobit 38, 1-30

 

   Hyji përgjigjet Jobit.

 

   Nga stuhia Zoti iu përgjigj Jobit e i tha:

   “Kush është ai që e errëson Provaninë me ca fjalë që kripë nuk kanë?

   Ngjeshu, pra, siç ngjeshën trimat: unë dua të pyes e ti më mëso!

   Kur themelet tokës ia vura ti ku ishe?

   Më trego nëse njëmend e di.

   A e di: kush përmasat ia caktoi? Me konop kush e ka matur?

   Përmbi çka i pushojnë themelet? Të këndit gurin kush ia vuri

   ndërsa k'ndonin yjet e mëngjesit, brohorisnin të gjithë bijtë e Hyjit?

   Kush e mbylli brenda dyerve detin, kur po dilte nga krah'rori i nënës?

   Kur e vesha me re si me petka, me errësirë si më shpërgënj e mbështolla?

   Kur unë caqet atij ia vura, e kyça me dyer e shula

   dhe i thashë: 'Deri këtu! Më tej mos shko! Këtu le të thehen valët tua krenare!'

   Gjatë jetës sate mëngjesit i urdhërove? Po agimit vendin ia caktove?

   Kur ia kape skajet tokës a u shkundën prej saj mëkatarët?

   A do të shndërrohet në deltinë për vula, do të ngjyroset porsi petku?

   Mëkatarëve drita u merret, u thërrmohet grushti i ngritur.

   A mos mbërrite në burimet e detit, a mos ece fundit të pështjerrave?

   A t'u hapën dyert e vdekjes dhe i pe hymjet e errëta?

   A i vrojtove përmasat e tokës? Fol, pra, ti, nëse i di këto të gjitha!

   Në cilin kënd drita banon? Vendbanimin ku e kanë errësirat?

   Për t'u prirë në caqet e tyre o për t'i kthyer në banesë të tyre?

   Po si! Ti atëherë ishe i lindur, vjetët e tua janë tepër të shumta!

   A ke hyrë në qilarët e borës? A i ke parë depot e breshërit,

   që i përgatita për ditë të ngushtë, ditë përleshje, lufte të tmerrshme?

   Cilës udhë shpërndahet drita, nëpër cilën shiroku djeg tokën?

   Kush shiut të rëndë udhën ia dha edhe rrugën rrufesë vetuese,

   që të bjerë shi në vend të pabanuar, në shkretëtirë ku askush s'banon,

   për t'i ngirë të papërshkueshmet djerre, që të qesë bar toka e thatë?

   A ka vallë shiu baba? Kush i lind pikat e vesës?

   Gjirit të kujt do të ketë dalë akulli? Kush prej qiellit e lindi brymën?

   Kur si gur ujërat forcohen, sipërfaqja e humnerës kur ngurret?

 

   Përgjigjja Krh. Jb 38, 3; Rom 9, 20

 

   C Ngjeshu siç ngjeshën trimat: unë dua të pyes e ti më mëso. * O Njeri, e kush je ti që do të hysh në rragatje me Hyjin?

   D A thua se ena ka të drejtë t’i thotë mjeshtrit: Përse më bëre të tillë?

   C O Njeri, e kush je ti që do të hysh në rragatje me Hyjin?

 

   Leximi i dytë

 

Nga “Komentimi librit të Jobit” i shën Gregorit të Madh, papë

(Lib. 29, 2-4; PL 76, 478-480)

 

Kisha përparon porsi zbardhëllimi i agimit.

 

   I pari zbardhëllim ose agimi na përcjell prej errësirës në dritë; për këtë arsye, me të drejtë, me emrin 'zbardhëllim' ose 'agim' tregohet e gjithë Kisha e të zgjedhurve. Kjo kalon prej natës së mosbesimit në dritën e fesë, në përngjasim me agimin, e pas territ i hapet ditës me shkëlqimin e dritës hyjnore.

   Pra, edhe lexohet në Këngën e Këngëve: “Kush është kjo që ecën hijshëm si agimi kur nis të zbardhë?” (Kk 6, 10). Kisha shenjte, që priret kah të mirat e jetës së amshuar, quhet agim sepse ndërsa largohet prej territ të mëkatit, shkëlqen me dritën e shenjtërisë.

   Por duhet vërejtur diçka më në thellësi në figurën e agimit e të zbardhëllimit. Zbardhëllimi dhe agu i parë shpallin se u sos nata, megjithëse nuk tregojnë akoma gjithë shkëlqimin e ditës; por ndërsa e dëbojnë natën dhe e pranojnë ditën, dritën e mbajnë të përzier me terr.

   Pra, çka jemi në këtë jetë, të gjithë ne që e ndjekim të vërtetën, në mos zbardhëllim ose agim? Sepse disa vepra të dritës i kryejmë, por në do të tjera jemi ende të ngatërruar në atë çka mbetet prej territ.

   Për këtë arsye, profeti i thotë Hyjit: “Asnjë i gjallë nuk mund të dalë i drejtë përpara teje” (Ps 143 /142/, 2). Edhe është shkruar: “Për të vërtetë, të gjithë gabojmë shumë” (Jak 3, 2). Pra, Pali, pasi tha: “Nata ka shkuar në të sosur", nuk shtoi: Erdhi dita, por: “Dita është afruar” (Rom 13, 12). Kush dëshmon se nata u sos e dita ende nuk erdhi tregon qartë se gjendet akoma në agim, d. m. th. pas territ e para diellit.

   Kisha e shenjtë e të zgjedhurve do të jetë në mes të ditës kur hija e mëkatit nuk do të përzihet më me të. Do të jetë plotësisht ditë kur do të shkëlqejë nga dashuria e përsosur e nga drita e brendshme.

   Pra, agimi paraqitet edhe si fazë kalimtare, kur thuhet: “Agimit vendin ia caktove” (Job 38, 12). Kush është thirrur të zërë një vend të ri kalon prej një vendi në tjetër. Por ç'është vendi i agimit, në mos qartësia e përsosur e pamjes së amshuar? Kur do të përcillet në këtë vend, agimi nuk do të ketë më asgjë prej territ të natës së kaluar.

   Vendi kah i cili priret dashuria tregohet nga psalmisti kur thotë: “Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë; kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?” (Ps 42 /41/, 2).

   Drejt këtij vendi të njohur vrapon agimi; Pali e pohonte kur thoshte se dëshironte të zgjidhej prej trupit për të qenë me Krishtin: Edhe shtonte: “Për mua Krishti është jetë dhe vdekja fitesë” (Fil 1, 21).

 

   Përgjigjja Krh. Fil 1, 3. 6. 9

 

   C Ai që në ju e filloi veprën e mirë do ta kryejë * deri në ditën e Krishtit Jezus.

   D Lutem që dashuria juaj të shkojë duke u rritur përherë e më fort në njohuri e në kuptim të plotë,

   C deri në ditën e Krishtit Jezus.

 

   Lutja

 

   O Hyj, provania e të cilit sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, na largo çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.