Shërbesa e leximeve

5 qershor, Shën Bonifaci, ipeshkëv dhe martir

 

Përkujtim

 

      Lindi në Angli rreth vitit 673. U bë murg e në 719 u nis për në Gjermani për ta shpallur fenë. Predikimi i tij korri fryte të bollshme. Pasi u shugurua ipeshkëv, e udhëhoqi kishën e Magonzës, zgjodhi disa shokë e bashkë me ta themeloi dhe ripërtëriu kisha në Bavierë, Turingjë e Frankoni, duke mbajtur edhe koncile e duke shpallur ligje. Ndërsa i ungjillëzonte Frisonët, qe vrarë prej paganëve në 754 e trupi i tij qe varrosur në manastirin e Fuldës.

 

                                Nga Përbashkorja e një martiri ose e barinjve (fq. ???) me psalmet e ditës në psalter.

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

      Psalmi 95 /94/

 

     Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

      Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

      t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

      t'i këndojmë këngë hareje!

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

      Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

      të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

      duart e tija e formuan tokën.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

      të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

      ne jemi populli i kullosës së tij, *

      grigja që ai ruan.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

      “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

      kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

      më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

      e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

      që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

      'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Lavdi Atit e Birit *

      e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

      ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. Ejani ta adhurojmë mbretin e martirëve, Krishtin Zot.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

      Himni

 

      O Martir, bëje t’lumtur

      ditën tënde t’ngadhënjimit,

      që ty fitues të jepet

      shpërblim kurora e gjakut.

 

      Me këtë nga errësira e shekullit

      xhelat mposhte e gjykatës,

      ky t’ ngriti n’ qiell e ditët

      triumfues n’ Krishtin t’i bëri.

 

      Tashti pjesëtar me engjëjt

      shkëlqen me rrobë të shquar,

      që dëshmues i pamposhtur

      në përrenj gjaku e lave.

 

      Tash më rri pranë e lutu,

      që Krishti i qetë ndaj t’vetve

      ta kthejë veshin mëshirues,

      mos t’i njehë gjitha fajet.

 

      Paksa këtu depërton

      nga Krishti lyp mbështetje,

      që shqiset e rënduara

      të ndiejnë lehtësinë e faljes.

 

      Atit dhe Birit nderi

      bashkë me Shpirtin jetëdhënës,

      ty kurorë t’përjetshme

      të vënë n’ treme t’ lumturisë. Amen.

 

      Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

   Psalmi 35 /34/ 1-2. 3c. 9-19. 22-23. 27-28 Hyji shpëton prej salvimit

 

   Bënë mbledhje... dhe morën vendimin ta zënë Jezusin me tradhti dhe ta vrasin (Mt 26, 3. 4).

 

   I (1-2. 3c. 9-12)

 

Dënoji, o Zot, ata që më padisin, *

   luftoji ata që më luftojnë!

 

Merri armët e shqytin e çohu të më ndihmosh, *

   thuaji shpirtit tim: »Unë jam shëlbimi yt!«

 

Kurse shpirti im do të galdojë me Zotin, *

   do ta gëzojë shpëtimin e tij.

 

Të gjithë eshtrat e mi do të thonë:

   »E kush është, o Zot, si ti †

   që e shpëton të varfrin prej dhunëtarit, *

   prej cubave të mjerin e skamnorin.«

 

U ngritën dëshmitarë të pashpirt, *

   më pyesin për gjëra që s’i di,

të mirat m’i kthejnë me të këqija: *

   vetmi për shpirtin tim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Çohu, o Zot, të më ndihmosh.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd.

 

   II (13-16)

 

E pra, unë, kur ata ishin të sëmurë,

   ngjishesha me grathore, †

   me agjërim e mundoja shpirtin tim, *

   lutesha për ta me gjithë afsh të zemrës.

 

Sikur ta kisha të afërm, sikur për vëllain *

   kërrusesha i trishtuar porsi ai që mban zi për nënën.

 

E tani që vetë rrëshqita, ata po gëzohen, *

   u bashkuan për të më salvuar papritmas,

 

vazhdimisht më shqyejnë e nuk pushojnë, †

   më përqeshin duke më shpotitur, *

   kundër meje dhëmbët i kërcëllijnë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Gjykoje, o Zot, çështjen time, më mbro me fuqinë e krahut tënd

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë.

 

   III (17-19. 22-23. 27-28)

 

O Zot, deri kur ti vetëm do të shikosh? †

   Liroje shpirtin tim nga sulmet e tyre, *

   prej luanëve të vetmen të mirë timen.

 

Do të të falënderoj në kuvendin e dheut, *

   do të të lavdëroj midis popullit të shumtë.

 

Mos lejo të gëzohen mbi mua armiqtë e mi rrenacakë, *

   që të mos bëjnë me sy ata që më urrejnë pa arsye.

 

Ti po sheh, o Zot, tani mos hesht, *

   o Zot, mos më rri larg!

Zgjohu, ngrihu për të më mbrojtur, *

   o Zot, Hyji im, mbroje ti çështjen time!

 

U kënaqshin dhe u gëzofshin, *

   ata që e kanë për zemër drejtësinë time!

Thënçin përherë: »Qoftë madhëruar Zoti *

   që e do paqen e shërbëtorit të vet.«

 

Gjuha ime do ta shpallë drejtësinë tënde, *

   ditë për ditë lavdin tënd.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Do ta shpall drejtësinë tënde, o Zot, do t’i këndoj lavdisë tënde përgjithmonë

 

   D Një herë fola: s’e përsëris dot! Dy herë fola: s’vazhdoj dot! Me dorë gojën po e kyç.

   C Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur.

 

Leximi i parë

 

    Prej librit të Jobit  39, 31 – 40, 9; 42, 1-6

 

     Jobi i nënshtrohet madhështisë së Hyjit

 

    Zoti Jobin e theki e tha:

     “Prozhmuesi s'do të ndeshet me të Lumin? Kritikuesi Hyjit t'i përgjigjet!”

     Jobi Zotit iu përgjigj:

     “Heu! Pa mend fola! Si të përgjigj? Me dorë gojën po e kyç!

     Një herë fola: s'e përsëris dot! Dy herë fola: s'vazhdoj dot!”

     Atëherë Hyji iu përgjigj Jobit nga stuhia e i tha:

     “Porsi trimi ngjeshi ijët: dua të pyes e ti më mëso.

     Gjyqin tim poshtë do ta hedhësh, të më dënosh mua ta shfajësosh veten?

     Krahu yt a është si i Hyjit, zëri yt gjëmon si i tij?

     Ngjeshu, pra, me stoli e madhëri, vishu, pra, me shkëlqim e me nder!

     Zbraz stuhinë e felgrimit tënd, me shikim përul krenarët!

     Vëre krenarin, për tokë përplase, zhbij keqbërësin kudo të ndodhë!

     Të gjithë së bashku në dhe mbuloji, të gjithë kyçi në gropë të errët!

     Atëherë unë do të bëj dëshmi se të shpëton e djathta jote.”

     Jobi mori fjalën dhe iu përgjigj Zotit:

     “Mirë e di se je i gjithëpushtetshëm, çka sheston, në gjendje je ta bësh!

     Kush është ai që me fjalë të marra provaninë hyjnore e errëson? Prandaj fola si i pamend për mrekullitë që s'i kuptoj.

     Por më dëgjo, më jep leje të flas: unë do të pyes e ti më përgjigj.

     Nuk të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë!

     Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur.”

 

    Përgjigjja        Krh. Jb 42, 5-6; 40, 5. 4

 

     C Nuk të njihja veç me të dëgjuar, e tani me sy të mi të pashë. * Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur.

     D Një herë fola: s’e përsëris dot! Dy herë fola: s’vazhdoj dot! Me dorë gojën po e kyç.

     C Prandaj veten e qortoj, bëj pendesë në hi dhe në pluhur.

 

      Leximi i dytë

 

      Nga “Letrat” e shën Bonifacit, ipeshkëv e martir.

      (Let.78; MGH, Epistolae, 3, 352.354)

 

    Bari i kujdesshëm që e ruan grigjën e Krishtit

 

      Kisha është porsi një anije e madhe që e çan detin e botës. Kur dallgët e vështirësive të ndryshme e përplasin, nuk duhet të braktiset por të udhëhiqet.

      Timonierë të mëdhenj qenë etërit e parë, si Klementi e Korneli e shumë të tjerë në Romë; Çipriani në Kartagjenë e Atanazi në Aleksandri. Ata, në kohë të perandorëve paganë, e drejtuan anijen e Krishtit, madje Nusen e tij fort të dashur. Mësuan, luftuan, vepruan dhe vuajtën deri në derdhjen e gjakut të vet.

      Duke menduar për këto gjëra dhe për tjera të ngjashme me këto, u mbusha me frikë e tmerr e gati më mbuloi terri i mëkateve të mia (krh. Ps 55 /54/, 6). Prandaj, do të kisha dashur të largohesha krejtësisht prej timonit të Kishës, po ta kisha gjetur një gjë të tillë në të kaluarën: në Etërit ose në Shkrimin e Shenjtë. Por pasi nuk mund ta bëj, shpirti im i lodhur i drejtohet atij i cili nëpër Salomonin thotë: “Kije shpresën në Zotin me gjithë zemrën tënde dhe mos u mbështet në mençurinë tënde. Kije mendjen në Të në të gjitha udhët e tua dhe Ai do t'i drejtojë hapat e tu” (Fu 3, 5-6). E tjetërkund: “Pirg i fortë është Emri i Zotit. Në të strehohet i drejti e do të shëlbohet” (krh. Fu 18, 10).

      Të qëndrojmë me ngulm në drejtësi dhe t'i bëjmë gati shpirtrat tanë për provën, që ta fitojmë mbështetjen e Hyjit, dhe t'i themi: “O Zot, ti u bëre strehimi ynë, nga breznia në brezni” (Ps 89, 1).

      Të kemi besim në atë i cili na ngarkoi me këtë barrë. Atë çka ne nuk mund ta mbartim vetë, le ta mbartim me ndihmën e tij. Ai është i gjithëpushtetshëm dhe thotë: “Zgjedha ime është e ëmbël dhe barra ime e lehtë” (Mt 11, 30).

      Të qëndrojmë në luftë deri në ditën e Zotit, sepse erdhën mbi ne ditë ngushtice dhe mundi. Të vdesim, në dashtë Zoti, për ligjet e shenjta të etërve tanë, që ta fitojmë, bashkë me ta, trashëgimin e amshuar.

      Nuk jemi qen të pazë, nuk jemi spektatorë të pafjalë, nuk jemi rrogëtarë që ikin para ujkut, por barinj të zellshëm dhe të kujdesshëm për grigjën e Krishtit. Të mëdhenjve dhe të vegjëlve, të pasurve dhe të varfërve, ua shpallim planin e Hyjit. Ua shpallim të gjitha shtresave shoqërore dhe të gjitha moshave, derisa Zoti do të na japë forcë, në kohë të volitshme dhe të pavolitshme, po ashtu siç shkroi shën Gregori në “Rregullën baritore”.

 

      Përgjigjja Krh. 1 Sel 2, 8; Gal 4, 19

 

      C Prej dashurisë që kam për ju, isha i gatshëm jo vetëm t'jua shpall Ungjillin, por edhe t'jua jap jetën time: * jeni bërë për mua bij fort të dashur, aleluja.

      D Unë ju rilind me dhimbje deri që Krishti të formohet në ju;

      C jeni bërë për mua bij fort të dashur, aleluja.

 

      Lutja

 

      Ndërmjetësoftë për ne, o Zot, shën Bonifaci martir që ta ruajmë me mburrje e ta dëshmojë me guxim fenë që ai mësoi me fjalë dhe dëshmoi me gjak. Nëpër Zotin.

 

      Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.