Shërbesa e leximeve
Java e Nëntë e Kohës së rëndomtë
Java I e Psalterit
Shërbesa e leximeve
Ftesa
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Zotin, sepse e tija është toka dhe çdo krijesë që gjendet përmbi të.
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.
Hy i mëshirës s’epër
krijuesi i makinës së botës,
një i vetëm me pushtet,
tri veta në persona,
prano me këngë të përshpirtshme
mirësisht vajtimet tona,
në mjerim me zemër të pastër
të gëzojmë ty më tepër.
Me zjarr të hijshëm dashurie
ti na i ngroh mirë këllqet
që të jenë gjithnjë të përveshur
dhe gati n’ardhjet e tua.
Që, disa orë të netëve
ne tash me këngë i thyejmë,
me dhunti t’atmes shenjte
gjerësisht të gjithë të pasurohemi.
Bëj, o Atë krejt i shenjti,
dhe o Bir baras me Atin,
me Shpirtin Ngushëllimtar,
sundues në gjithë shekujt. Amen.
Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:
O Autori i lavdisë së përjetshme,
që besimtarëve Shpirtin
u jep me hir shtatë formash,
i butë qëndroju pranë të gjithëve.
Dëbo sëmundjet prej trupave,
hiqja pengesat mendjes,
dërrmo fuqitë e krimeve,
largo dhembjet e zemrave.
Bëji mendjet të kthjellta
kryeje veprën e ndershme,
prano lutjet e lutësve,
jepu jetën e amshuar.
Në rrjedhat e shtatë ditëve
tash çdo kohë shtjellohet,
e teta ajo e fundit,
do të jetë dita e gjyqit.
Në të cilën Shëlbues, të lutemi,
mos na padit me mllef,
por na liro nga e majta,
vendosna në të djathtën.
Që kur shpirtmirë Ti lutjet
t’ia pranosh turmës tënde,
të gjithë lavdi t’i thurim
për amshim Trinisë Shenjte. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Psalmi 131 /130/ (1-3) Shpirti i fëmijërisë
Pranoni t'ju mësoj unë që jam zemërbutë e i përvujtë (Mt 11, 29).
O Zot, nuk krenohet zemra ime *
as s’madhështohen sytë e mi,
as nuk jepem pas punëve të mëdha, *
as pas sendeve që janë mbi fuqi të mia.
Vërtet shpirtin e kam të qetë e të kthjellët, †
si foshnja e mëkuar në parzmën e nënës, *
si kërthi është shpirti im në mua.
Le të shpresojë Izraeli në Zotin *
tani e për gjithmonë e jetë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Kush bëhet i vogël si një fëmijë, do të jetë më i madhi në mbretërinë qiellore.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Psalmi 132 /131/ Premtimet hyjnore që iu bënë Davidit
Zoti Hyj do t'ia japë fronin e Davidit, atit të tij (Lk 1, 32).
I (1-10)
Të të bjerë në mend, o Zot, Davidi *
e gjithë mirësia e tij,
si iu përbetua Zotit, *
si iu kushtua të Pushtetshmit të Jakobit:
»Nuk do të hyj nën pullazin e banesës sime, *
nuk do të bie në shtrojën e shtratit tim,
nuk do t’u jap gjumë syve të mi, *
s’do t’i lë të koten qepallat e mia,
pa e pasë gjetur një vend për Zotin, *
një banesë për të Pushtetshmin e Jakobit.«
Ja, dëgjuam se është në Efratë, *
e kemi gjetur në Fushat e Jaarit!
Le të hyjmë në tendën e tij, *
të adhurojmë te shtroja e këmbëve të tij!
Ngrihu, o Zot, eja në vendin e pushimit tënd, *
ti dhe arka e Pushtetit tënd!
Priftërinjtë e tu le të vishen me drejtësi, *
shenjtërit e tu le të brohoritin me galdim.
Për dashuri të shërbëtorit tënd Davidit, *
mos e përbuz fytyrën e Mesisë tënd!
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Me zemër të sinqertë e me gëzim, po t’i kushtoj të gjitha dhuratat e tua, o Zoti im.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
II (11-18) Zgjedhja e Davidit dhe e Sionit
Tashti këto premtime i janë bërë Abrahamit e Pasardhësit të tij... që do të thotë Krishtit (Gal 3, 16).
Zoti iu përbetua Davidit për të vërtetën, *
assesi s’do ta shkelë fjalën e dhënë:
»Bamin e kraharorit tënd *
do ta vë mbi fronin tënd!
Nëse bijtë e tu do ta ruajnë Besëlidhjen time *
dhe dëshmitë e mia që do t’ua mësoj,
po edhe bijtë e tyre përgjithmonë *
do të rrinë përmbi fronin tënd.«
Sepse Zoti e zgjodhi Sionin, *
e pëlqeu për banesë të veten:
»Ky do të jetë vendi i pushimit tim përjetë, *
këtu do të banoj sepse vetë e dëshirove.
Do t’i bekoj e do t’i ribekoj prodhimet e tij, *
skamnorët e tij do t’i ngij me bukë.
Priftërinjtë e tij do t’i vesh me shëlbim, *
shenjtërit e tij do të brohoritin me galdim.
Atje do të bëj t’i ngallitë Pinjolli Davidit, *
do ta përgatis dritëzën për të shuguruarin tim.
Armiqtë e tij do t’i vesh me turp, *
kurse mbi kokën e tij do të shkëlqejë kurora e tij!«
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Zoti i dha Krishtit fronin e Davidit, mbretëria e tij nuk do të ketë mbarim.
D Ejani dhe soditni veprat e Zotit:
C ai bëri vepra të mrekullueshme përmbi tokë.
Leximi i parë
Prej librit të Jobit 42, 7-16
Hyji e njeh drejtësinë e Jobit dhe e shpërblen atë para shokëve të tij.
Pra, pasi Zoti ia tha këto fjalë Jobit, i tha Elifaz Temanitit: “Hidhërimi më ka marrë zjarr kundër teje e kundër dy miqve të tu, sepse para meje nuk e keni folur të drejtën si shërbëtori im Jobi. Prandaj, merrni për vete shtatë dema e shtatë desh dhe shkoni te shërbëtori im Jobi, kushtoni fli shkrumbimi për vete, kurse Jobi, shërbëtori im, do të lutet për ju, kështu që unë, për dashuri të tij, nuk do t'ju ndëshkoj për marrëzirën tuaj, sepse nuk keni thënë për mua fjalë të drejta si shërbëtori im, Jobi.”
Shkuan, pra, Elifaz Temaniti, Baldad Suhiti e Sofar Naamatiti dhe bënë ashtu si u kishte urdhëruar Zoti. Zoti pati nderim ndaj Jobit.
Pasi Jobi u lut për miqtë e vet, Zoti e ktheu në gjendjen e mëparshme, madje ia dha dyfishin e gjithçkajës që kishte pasur. Atëherë u kthyen te Jobi të gjithë vëllezërit e tij, të gjitha motrat e tija dhe të gjithë ata që e kishin njohur më parë. Hëngrën me të bukë në shtëpinë e tij, e ankuan dhe e ngushëlluan për të gjitha të këqijat që ia kishte pas çuar Zoti. Secili i dhuroi nga një pare argjendi e nga një unazë ari.
Zoti e bekoi gjendjen e tanishme të Jobit më tepër se gjendjen e mëparshme. Kishte katërmbëdhjetë mijë dele, gjashtë mijë gamile, një mijë pendë qe dhe një mijë gomarica. Pati edhe shtatë djem e tri vajza. Të parën e quajti Pëllumbeshë, të dytën Lulekallame e të tretën Luleqepalle.
Në mbarë vendin nuk kishte gra më të bukura se bijat e Jobit. Baba i tyre u dha trashëgim si vëllezërve të tyre.
Pas këtyre ngjarjeve Jobi jetoi njëqind e dyzet vjet dhe i pa bijtë dhe bijtë e bijve të vet deri në të katërtin brez. Atëherë Jobi vdiq plot vjet dhe i kënaqur me jetë të gjatë.
Përgjigjja Krh. Jb 42, 7. 8
C Zoti i tha Elifazit: Ti e dy miqtë e tu nuk e keni folur të drejtën para meje si shërbëtori im Jobi; * Jobi do të lutet për ju.
D Për dashuri të tij nuk do t’ju ndëshkoj për marrëzinë tuaj.
C Jobi do të lutet për ju.
Leximi i dytë
Nga “Shtjellimi mbi Gjonin” i shën Tomë Akuinit, mësues i Kishës
(Kap. 14, lex. 2)
Udha që shpie në jetën e vërtetë.
Udha është Krishti, që thotë: “Unë jam udha” (Gjn 14, 6). E kjo është plotësisht e drejtë, pasi “me anë të tij mund të dalim para Atit” (krh. Ef 2, 18). E meqë kjo udhë na çon në vendin e caktuar, shton: “Jam e vërteta dhe jeta"; e kështu ai është njëkohësisht edhe udhë edhe cak. Udhë sipas natyrës njerëzore, cak sipas natyrës hyjnore. Pra, si njeri thotë: “Unë jam udha"; si Hyj shton: “E vërteta dhe jeta". Me këto dy fjalë tregohet qartas caku i kësaj udhe.
Pikëmbërritja e kësaj udhe është përfundimi i dëshirës njerëzore. Tash, kryesisht, njeriu dëshiron dy gjëra: më së pari ta njohë të vërtetën, siç i përket natyrës së tij; pastaj të vazhdojë të ekzistojë, e kjo është veti e përbashkët me të gjitha sendet. Në Krishtin gjenden njëra e tjetra. Ai është udha që çon tek e vërteta, madje është vetë e vërteta: Ma mëso, o Zot, të vërtetën tënde e do të eci udhës sate (krh. Ps 86 /85/, 11). Po ashtu ai është udha që shpie në jetë; madje ai vetë është jeta: Ti ma mëson udhën e jetës (krh. Ps 16 /15/, 11).
Pra, cakun e kësaj udhe e quajti të vërtetë dhe jetë. Më sipër, këta dy emra iu ngjitën Krishtit. Më së pari ai është jeta: pra, thuhet se “në të ishte jeta”, pastaj se ai është e vërteta, pasi “ishte drita e njerëzve” (Gjn 1, 4). E drita është e vërteta. Nëse, pra, kërkon kah t'i bjerësh, pranoje Krishtin sepse ai është udha: “Kjo është udha, asaj bini” (Is 30, 21). Thotë Augustini: “Ec nëpër njeriun e do ta arrish Hyjin". Është më mirë të çalojmë udhës së drejtë se sa të ecim shpejt jashtë rrugës. Kush çalon udhës, edhe pse nuk përparon shumë, prapëseprapë i afrohet cakut. Ndërsa, kush ecën jashtë rrugës, sa më shpejt vrapon , aq më tepër largohet prej cakut.
Nëse kërkon kah të shkosh, ndiqe Krishtin, sepse ai është e vërteta tek e cila dëshirojmë të mbërrijmë: “Goja ime shpall të vërtetën” (Fu 8, 7). Nëse kërkon ku të ndalesh, qëndro me Krishtin, sepse ai është jeta: “Kush më gjen mua, gjen jetën dhe nxjerr hir prej Zotit” (Fu 8, 35).
Pra, ndiqe Krishtin nëse do siguri. Nuk do të mund të birresh, sepse ai është udha. Për këtë arsye, ata që e ndjekin atë nuk ecin nëpër vende të papërshkueshme, por nëpër rrugën e drejtë. Po ashtu, nuk mund të ketë gabim, sepse ai është e vërteta dhe tregon të vërtetën. Ai thotë: “Unë linda dhe erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën” (Gjn 18, 37). Më në fund, nuk mund të ketë ngatërrim, sepse ai është jeta dhe jep jetë. Ai thotë: “Unë erdha që ta kenë jetën e ta kenë me plotësi” (Gjn 10, 20).
Përgjigjja Krh. Job 42, 10-12; 1 Kor 10, 13
C Zoti ia dha Jobit dyfishin e gjithçkajës që kishte pasur, e vëllezërit e tij e ngushëlluan. * Zoti e bekoi Jobin më tepër se më parë.
D Hyji është besnik. Ai nuk do të lejojë t'u shtroheni provave që i tejkalojnë fuqitë tuaja e, bashkë me prova do t'ju japë rrugëdalje e forcë për t'u qëndruar.
C Zoti e bekoi Jobin më tepër se më parë.
Lutja
O Hyj, provania e të cilit sundon mbi gjithçka, me përvujtëri po të lutemi, na largo çdo gjë që na dëmton dhe na dhuro çka na vlen për të mirë. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.
Përfundimi i Orës, sikurse në Shërbesën e rëndomtë.