Shërbesa e leximeve
E kremtja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit
FTESA
D O Zot, hapi buzët e mia.
C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Psalmi 95 /94/
Grishje për të lavdëruar Hyjin
Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).
Ejani t'i këndojmë Zotit, *
t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T'i dalim para me falënderje, *
t'i këndojmë këngë hareje!
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *
Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!
Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *
të tijat janë edhe majat e maleve,
i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *
duart e tija e formuan tokën. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë,
ne jemi populli i kullosës së tij, *
grigja që ai ruan. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *
“Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë, †
kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia. !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Dyzet vjet më mërziti ajo brezni †
e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *
që s'i njeh udhët e mia.'
Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *
'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'” !
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. Ta adhurojmë Krishtin Zot, bukën e jetës.
E kremtja e Korpit dhe e Gjakut të Krishtit
Shërbesa e leximeve
V. Hyj, më eja në ndihmë!
P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!
V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,
P. si ka qenë në fillim,
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).
Himni
Me fli të shenjta qofshin bashkë gëzimet,
e thellë nga shpirti t’ushtojnë lëvdatat;
të zhduken të vjetrat, të gjitha u bëfshin të reja,
zemrat, zërat e veprat
Përtërihet darka e natës më të fundit
ku feja thotë se Krishti u dha vëllezërve
qengjin dhe bukën me ligje të lejuara
sipas etërve të vjetër.
U dha të brishtëve për t’ushqyer trupin,
kupën e gjakut të zymtëve ua dha
“Merrni, ju jap këtë kupë të vogël,
të gjithë nga ajo të pini”, - u tha.
Kështu këtë fli Ai e themeloi,
dhe këtë detyrë t’ua besonte deshi
vetëm meshtarëve, pse i pëlqeu që ata
ta merrnin e të tjerëve t’ua jepnin
Buka engjëllore bëhet buka e njerëzve;
buka qiellore u jep cak figurave.
O gjë e mahnitshme shujtën merr nga Zoti,
shërbyesi i thjeshtë e i varfër
Ty, Hy një i vetëm në tre Vetë, të lusim,
sikur të nderojmë ashtu vjen
të na shohësh:
nëpër shtigjet e tua na ço ku synojmë
në dritën ku banon ti. Amen.
Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.
Ant. 1 Thoni të ftuarve: Ja , e përgatita gostinë time, ejani në dasmë, aleluja.
Psalmi 23 /22/ (1-6)
Zoti është bariu im, *
asgjë nuk më mungon.
Më mballon kullotave të gjelbra,
më prin në ujëra të qeta, *
shpirtin ma përtërin.
Ai më prin shtigjeve të drejta *
në saje të dashurisë së Emrit të vet.
Po edhe në kalofsha nëpër luginën e hijes së vdekjes, †
s’trembem nga e keqja *
sepse ti je me mua:
thupra jote dhe kërraba *
për mua janë ngushëllim.
Ti ma shtron tryezën përpara *
ndër sy të armiqve të mi,
me vaj erëmirë kryet ma lyen, *
gotën ma mbush plot e përplot.
Hiri dhe mirësia do të më përcjellin *
në të gjitha ditët e jetës sime,
do të banoj në shtëpinë e Zotit *
derisa të jem gjallë.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 1 Thoni të ftuarve: Ja , e përgatita gostinë time, ejani në dasmë, aleluja.
Ant. 2 Kush ka etje le të vijë tek unë dhe le ta shuajë etjen në burimin e jetës.
Psalmi 42 /41/ (2-12)
Sikurse dreri i dëshiron *
burimet e ujërave të gjalla,
po ashtu shpirti im *
të dëshiron ty, o Hyj!
Shpirti im ka etje për Hyjin, për Hyjin e gjallë: *
oh, e kur do të shkoj e do të dal para fytyrës së Hyjit?!
Lotët e mi janë buka ime ditë e natë, *
ndërsa më thonë për çdo ditë: »Ku është Hyji yt?«
Mallëngjehet shpirti im kur më bie ndërmend †
si shtegtoja në krye të turmës, *
- si prijës - drejt banesës së Hyjit
me brohori e këngë lavdi *
në procesion kremtues!
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Shpirti im është në pikëllim, †
prandaj ty të kujtoj *
nga dheu i Jordanit, i Hermonit, nga mali Misar.
Humnera thërret humnerën *
me ushtimën e ujërave të tua,
të gjitha vorbullat e valët e tua *
kaluan përmbi mua.
Ditën Zoti ma dërgon hirin e vet, †
natën kënga e tij me mua: *
uratë Hyjit të jetës sime.
Do t’i them Hyjit: *
»Qeta ime, pse më harron?
Përse endem i trishtuar, *
prej armiqsh i rrethuar?«
Edhe eshtrat më thërrmohen prej trishtimit †
për shkak të armiqve të mi *
që më thonë përditë: »Ku është Hyji yt?«
Përse, o shpirti im, lëngon në trishtim? *
Përse gjëmon në mua?
Shpreso në Hyjin, prapë do ta lëvdoj, *
Shëlbuesin tim, Hyjin tim.
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 2 Kush ka etje le të vijë tek unë dhe le ta shuajë etjen në burimin e jetës.
Ant. 3 Ti, o Zot, na ushqen me palcën e grurit, na ngin me mjaltë nga shkëmbi.
Psalmi 81 /80/ (2-17)
Duartrokitini Hyjit, ndihmëtarit tonë, *
brohoritini Hyjit të Jakobit!
Le të tingëllojë cetra, të ushtojë tupani, *
harpa e këndshme e cetra të jehojnë!
Le të ushtojë boria e hënës së re, *
në hënën e plotë, ditën e së kremtes sonë!
Sepse ky është ligj për Izraelin, *
urdhëresë e dhënë prej Hyjit të Jakobit,
urdhër që iu dha Jozefit, *
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që s’e njihja: †
»Nga barra krahët ia çlirova, *
nga duart ia hoqa shportën.
Në ditë të vështirë më thirre e unë të shpëtova, †
të jam përgjigjur i fshehur në stuhi, *
të vura në provë tek uji i Meribës.
Dëgjo, populli im, dua të të qortoj: *
oh sikur të më dëgjoje, ti, o Izrael!
Pranë teje tjetër zot të mos kesh, *
zot të huaj mos adhuro!
Sepse unë Zoti jam Hyji yt, †
unë që të nxora nga dheu i Egjiptit, *
hape gojën tënde se dua ta mbush!
Por populli im s’e dëgjoi zërin tim, *
Izraeli nuk pati kujdes për mua.
Prandaj i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre, *
le të jetojnë si u pëlqen atyre.
Po, sikur të më dëgjonte mua populli im, *
sikur të ecte Izraeli udhëve të mia,
po, atëherë shpejt do t’i përulja armiqtë e tij, *
do ta rëndoja dorën mbi kundërshtarët e tij.
Armiqtë e Zotit do ta përkëdhelnin atë, *
fati i tyre do të ishte i vulosur për amshim.
Unë do t’i ushqeja me më të mirin grurë, *
do t’i ngopja me mjaltë të nxjerrë nga shkëmbi.«
Lavdi Atit e Birit *
e Shpirtit Shenjt,
si ka qenë në fillim, *
ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.
Ant. 3 Ti, o Zot, na ushqen me palcën e grurit, na ngin me mjaltë nga shkëmbi.
D Urtia e ndërtoi shtëpinë e vet, aleluja.
C E përgatiti verën dhe gostinë, aleluja.
Leximi i parë
Prej librit të Daljes 24, 1-11
E panë Hyjin dhe hëngrën e pinë
Një ditë Zoti i tha Moisiut: »Ngjitu te Zoti ti e Aroni, Nadabi e Abihui dhe shtatëdhjetë pleq prej Izraelit e adhuroni prej së largu. Vetëm Moisiu le të ngjitet te Zoti, por këta të mos afrohen, dhe as populli të mos ngjitet me të.«
Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: »Do t'i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.«
Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes mëkoi dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gurngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit viça në nder të Zotit. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter.
Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli u përgjigj: »Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.«
Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: »Ky është gjaku i Besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.«
Atëherë Moisiu u ngjit me Aronin, Nadabin e Abihuin dhe me shtatëdhjetë pleqtë e Izraelit. Dhe e panë Hyjin e Izraelit: nën këmbët e tija thuajse shtroja prej gurëve të paçmueshëm të safirit e shkëlqyeshme pothuajse si vetë qielli kur është i kthjellët. As dorën e vet nuk e ngriti mbi të zgjedhurit e Izraelit: mundën ta shikojnë Hyjin. Hëngrën e pinë.
Përgjigjja Krh. Gjn 6, 48. 49. 50. 51. 52
C Unë jam buka e jetës. Etërit tuaj hëngrën manën në shkreti dhe vdiqën. * Kjo është buka që zbret nga qielli, që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.
D Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
C Kjo është buka që zbret nga qielli, që, kush ta hajë atë, të mos vdesë askurrë.
Leximi i dytë
Nga “veprat” e shën Tomë Akuinit, Mësues i Kishës
(Opusc. 57, në festën e Korpit të Zotit, lect. 1-4)
O gosti e paçmueshme dhe e mrekullueshme
I Njëlinduri Biri i Hyjit, pasi na deshi pjesëtarë të hyjnisë së tij, mori mbi vete natyrën tonë dhe u bë njeri që të na shndërronte prej njerëzve në hyj.
Çdo gjëje që ai e mori mbi vete, i dha vlerë për shëlbimin tonë. I dhuroi Hyjit Atë trupin e vet si fli përmbi lter të kryqit për pajtimin tonë. E derdhi gjakun e vet duke e bërë të vlefshëm si çmim dhe si pastrim, kështu që të shpëtuar prej robërimit poshtërues, të pastroheshim prej çdo mëkati.
E që, së fundi, të mbetej në ne një kujtim i vazhdueshëm i një bamirësie kaq të madhe, u la besimtarëve të tij trupin e vet për ushqim dhe gjakun e vet për pije, nën trajtë të bukës dhe të verës.
O gosti e paçmueshme dhe e shkëlqyer, që të ftuarve u jep shëlbim dhe gëzim të pakufi! Çka mund të ketë më me vlerë? Nuk na shtrohen mishrat e viçave dhe të cjepve, si në ligjin e vjetër, por për ushqim na dhurohet vetë Krishti, Hyj i vërtetë. Çka mund të ketë më të madhërueshme se ky sakrament?
Në realitet, asnjë sakrament nuk është më i shëndetshëm se ky: me anë të tij shlyhen mëkatet, rriten gatishmëritë e mira, ndërsa mendja pasurohet me të gjitha karizmat shpirtërore. Në Kishë Eukaristia kushtohet për të gjallë dhe për të vdekur, në mënyrë që të jetë në dobi të të gjithëve, meqë është themeluar për shëlbimin e të gjithëve.
Dhe askush nuk arrin ta shprehë ëmbëlsinë e këtij sakramenti. Nëpërmjet tij shijohet ëmbëlsia shpirtërore në vetë burimin e tij dhe përkujtohet ajo dashuri e madhërueshme, që vetë Krishti e tregoi në kryqin e tij.
Ai e themeloi Eukaristinë në darkën e fundit, kur, pasi e kremtoi Pashkën me nxënësit e tij, ishte duke kaluar prej botës tek Ati.
Eukaristia është përkujtimi i vuajtjes, përmbushje e figurave të Besëlidhjes së Vjetër, më e madhja ndër të gjitha mrekullitë që bëri Krishti, dokumenti i mahnitshëm i dashurisë së tij të pamasë për njerëzit.
Përgjigjja
C Njiheni në këtë bukë, atë që u kryqëzua; e në këtë kelk, gjakun që rrodhi prej kraharorit të tij. Merrni e hani korpin e Krishtit, pijeni gjakun e tij: * sepse tani jeni gjymtyrë të Krishtit.
D Që të mos përçaheni, hajeni këtë lidhje të bashkësisë; që të mos përçmoheni, pijeni çmimin e shpërblimit tuaj:
C sepse tani jeni gjymtyrë të Krishtit.
Himni: Te Deum
Ty, o Hyj, të lavdërojmë, * ty, o Zot, të dëshmojmë.
Ty, Atin e amshueshëm * bota mbarë të adhuron.
Ty të gjithë engjëjt, * ty qielli e fuqitë të gjitha,
ty kerubinët e serafinët, * pa ndërprerë po të këndojnë:
Shenjt, Shenjt, Shenjt, * Zoti, Hyji Sabaot!
Plot qielli e toka janë, * me madhërinë të lumturisë sate.
Ty i apostujve * kori i lavdishëm,
ty i profetëve, * numri i nderueshëm,
ty e martirëve * të lëvdon ushtria.
E për rrethin e tokës, * të dëshmon Shenjta Nënë Kishë:
ty, o Atë, * i madhërisë së pamasë,
dhe të nderueshmin e të vërtetin, * të vetmin tëndin Bir,
edhe Shenjtin, * Ngushëllues Shpirt.
Ti, o Krisht, * Mbreti i lavdisë.
Ti që je i Atit, * Bir i amshueshëm.
Ti që, për të marrë mbi vete çlirimin e njeriut, *
nuk e pate n’iri kraharorin e Virgjërës.
Ti që, pasi e theve thimthin e vdekjes, *
ua çile besimtarëve Mbretërinë e qiellit.
Ti që rri në të djathtën e Zotit, * në lavdinë e Atit.
Besojmë se do të vish * porsi Gjykatës
Ty, pra, po të lutemi që t’u ndihmosh shërbëtorëve të tu, *
të cilët i shpërbleve me gjakun tënd të paçmueshëm.
Bëj që në lumturinë e amshueshme, *
të numërohemi ndër shenjtër të tu.
Shpëtoje popullin tënd, o Zot, *
e bekoje trashëgimin tënd!
Ti ata sundoji * e lartësoji deri në amshim.
Për gjithë ditë të lume, * ne ty të bekojmë.
Dhe emrin tënd e lavdërojmë për jetë, * e jetë të jetës.
Denjohu, o Zot, në këtë ditë * të na ruash pa mëkat.
Ki dhimbë për ne, o Zot, * ki dhimbë për ne!
Dhembshuria jote qoftë mbi ne, o Zot, *
sikurse po shpresojmë në ty.
Në ty, o Hyj, shpresova, *
e kurrë nuk do të turpërohem.
Lutja
O Zot Jezu Krishtit, që në sakramentin e mrekullueshëm të Eukaristisë na e le përkujtimin e Pashkës sate, bëj që ta adhurojmë me fe të gjallë misterin e shenjtë të Trupit dhe të Gjakut tënd, që përherë t’i sprovojmë të mirat e Shëlbimit. Ti që jeton.
Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.