Shërbesa e leximeve

Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E hënë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. T’i brohorasim Zotit me këngë gëzimi!

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Tani është për ne ajo koha

   ku nga zëri ungjillor

   besohet do vijë dhëndri,

   Autori i mbretërisë qiellore.

 

   Rendin virgjëreshat shenjte

   kur t’vijë me i dalë përpara,

   duke mbajtë llamba t’ndritshme,

   me gëzim t’madh t’hareshme.

 

   T’marrat që s’luajnë nga vendi,

   të shuara i kanë llambat,

   pa dobi n’derë trokasin

   është mbyllë pallati i mbretit.

 

   Tani me urti t’rrijmë zgjuar

   duke i mbajtë mendtë të qarta,

   që kur të vijë Zotynë

   të denjë t’i dalim para.

 

   Na bëj të denjë, mbret i madhrueshëm,

   lavdia e mbretërisë s’ardhshme,

   që t’meritojmë me lavde

   ty të këndojmë t’amshueshme. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Jeta e shenjtorëve, rruga, shpresa e shpëtimi,

   o Krisht, dhuruesi i mirësisë e i paqes

   autori i madh, ne ty me zëra e ndjenja

   himnim të qesim.

 

   Që ke virtytin tërësisht të dukshëm (njohur)

   që t’drejtët munden, kanë, e që me zemër

   me gojë e vepra i lakmojnë, të ndezur

   nga zjarri i dashurisë.

 

   Paqen e kohrave, e ruajtjen e besës,

   kujdes, përkrahje ndër shkarje të dobëta,

   jepu të gjithëve krahas me dhuratat

   e jetës s’lumtur.

 

   Lavdi e njëjtë lartësoftë Prindin e Epërm

   dhe ty, Shëlbues, mbret i drejtë n’përjetësi,

   e të buqasë lumnia e Shpirtit Shenjt

   nëpër gjithë botën. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

   Psalmi 31 /30/ Lutja në ditë vështirësie

 

   O Atë: në duart e tua po e dorëzoj shpirtin tim (Lk 23, 46).

 

   I (2-9)

 

Në ty, o Zot, shpresoj: †

   mos lejo të turpërohem për amshim, *

   më liro me drejtësinë tënde.

Prire drejt meje veshin tënd, *

   nxito të më shpëtosh!

Ji për mua qetë shpëtimi, *

   kështjellë mbrojtjeje!

 

Sepse forca ime e strehimi im ti je: *

   pashë Emrin tënd më pri e më sundo.

Më nxirr nga rrjeta që fshehtazi ma vunë, *

   sepse ti je fuqia ime.

 

Në duar të tua po e porosis shpirtin tim, *

   më shpërble, o Zot, Hyji besnik.

Ti i urren shërbëtorët e idhujve të rrejshëm, *

   ndërsa unë shpresën e kam në Zotin.

 

Me gëzim do t’i brohoras mirësisë sate †

   se ti këqyre me dhimbje mbi mjerimin tim, *

   ti i ndihmove shpirtit tim në ditë të ngushtë;

 

nuk më dorëzove në thonj të armiqve të mi, *

   hapave të mi u prive rrugës së shpëtimit.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Sille nga unë veshin tënd, o Zot, dhe nxito të më shpëtosh.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

   II (10-17)

 

Ki mëshirë për mua, o Zot, *

   se ndodhem në ngushtim të madh!

Vuajtjet m’i ligështuan sytë e mi, *

   shpirtin edhe trupin.

 

Jeta më sharroi në dhembje *

   e vjetët më kaluan në dënesë,

fuqia më mbaroi nga mundi *

   e eshtrat m’u thanë.

 

Në sy të armiqve të mi u bëra tallje, †

   për fqinjë i mërzitshëm e për të njohur tmerr *

   Ata që më shohin përjashta, ikin prej meje.

Më harruan njerëzit porsi të kisha vdekur, *

   u bëra porsi enë e thyer.

 

Dëgjo pëshpëritjet e të shumëve: tmerr në çdo anë: †

   bëjnë mbledhje kundër meje, *

   pleqërojnë si të ma marrin jetën.

 

E pra, o Zot, unë në ty jam i sigurt, †

   unë them: »Ti je Hyji im, *

   në duart e tua fati im!«

 

Më shpëto prej duarve të armiqve të mi *

   dhe prej atyre që më salvojnë.

Kthjelle fytyrën tënde ndaj shërbëtorit tënd: *

   më shpëto me mëshirën tënde.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Bëj që të shndrisë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd, o Zot.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   III (20-25)

 

Oh, sa e madhe është mirësia jote, o Zot, *

   të cilën e ruan për ata që të druajnë,

e ke përgatitur për ata që shpresojnë në ty *

   në sy të bijve të Adamit.

 

Ti i fsheh në strehën e fytyrës sate *

   larg nga ngatërresat e njerëzve,

i strehon në Tendën tënde *

   larg nga gjuhët ngatërrestare.

 

Qoftë bekuar Zoti që më pajisi *

   me mirësi të mrekullueshme në qytet të fortë!

 

Ndërsa në vështirësinë time mendoja: *

   »I përjashtuar jam prej syve të tu!«,

por ti e dëgjove zërin e lutjes sime *

   kur drejt teje lëshova kushtrimin.

 

Duani Zotin, të gjithë shenjtërit e tij: *

   ai i ruan besimtarët e vet,

por edhe atë që vepron me madhështi *

   Zoti e shpaguan sipas meritave.

 

Merrni zemër e kini guxim të gjithë ju *

   që shpresoni në Zotin.

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Qoftë bekuar Zoti: dashuria e tij për mua ka bërë mrekulli.

 

   D Më drejto në të vërtetën tënde dhe më mëso:

   C Hyji im, ti je shëlbimi im.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jozuehut 1, 1-18

 

   Jozuehu, i thirrur nga Hyji, e nxit popullin në njësi.

 

   Pas vdekjes së Moisiut, shërbëtorit të Zotit, Zoti foli me Jozuehin, birin e Nunit e shërbëtorin e Moisiut, dhe i tha: “Moisiu, shërbëtori im, vdiq. Çohu, pra, e kaloje tani Jordanin, ti e mbarë populli me ty, për në tokën që unë do t'ua jap bijve të Izraelit. Çdo vend që do ta shkelë shputa e këmbës suaj, jua dorëzova sikurse i kam thënë Moisiut. Prej shkretëtirës e prej Libanit e deri në lumin e madh, Eufratin, mbarë toka e hetenjve deri te deti i Madh ku perëndon dielli, do të jetë toka juaj. Askush s'do të mund të të qëndrojë përballë në të gjitha ditët e jetës sate: sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty; s'do të të lë e askurrë nuk do të të braktis.”

   “Ji burrë i fortë dhe ki guxim, sepse ti do t'ia ndash me short këtij populli tokën, për të cilën iu përbetova etërve të tij se do t'ua jap. Veçse ji burrë i fortë e ki shumë guxim që të ruash e të bësh gjithçka sipas ligjit që të urdhëroi shërbëtori im Moisiu. Mos iu shmang as djathtas as majtas që të shkojë për së mbari gjithçka që të ndërmarrësh. Libri i këtij Ligji të mos hiqet kurrë prej gojës sate, por kujtoje me mendje ditë e natë, që të zbatosh e të kryesh pikë për pikë gjithçka është shkruar në të: vetëm atëherë do të marrin fund me nder udhët e tua e do të kesh sukses. Pse a nuk të kam urdhëruar: 'Ti vetëm ji burrë i fortë e ki guxim! Mos u tremb as mos ki frikë, sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua?'“

   Atëherë Jozuehu u dha urdhër krerëve të popullit e tha: “Përshkojeni tëbanishtën e urdhëroni popullit e thoni: Bëni gati për vete ushqime, sepse pas tri ditësh do ta kaloni Jordanin për ta marrë për pronë tokën që Zoti, Hyji juaj, do t'jua japë.”

   Kurse rubenasve, gadasve dhe gjysmës së fisit të Manaseut u tha: “Mos e qitni në harresë urdhrin që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, kur ju tha: 'Zoti, Hyji juaj, ju dha pushim e jua dorëzoi këtë vend'. Gratë tuaja, fëmijët e bagëtitë le të qëndrojnë në tokën përtej Jordanit, që jua dha Moisiu. Kurse ju, të gjithë sa janë të aftë për armë, të armatosur, duhet të kaloni para vëllezërve tuaj për t'u ndihmuar, derisa Zoti t'u japë të pushojnë edhe vëllezërit tuaj sikurse ju dha juve e derisa ta marrin për pronë edhe ata tokën që Zoti, Hyji juaj, do t'ua japë. Atëherë do të mund të ktheheni në tokën e trashëgimit tuaj e do të banoni në të, në tokën që jua dha Moisiu, shërbëtori i Zotit, përtej Jordanit, në lindje të diellit.”

   Ata iu përgjigjën Jozuehut e thanë: “Do të bëjmë gjithçka na ke urdhëruar e do të shkojmë kudo të na dërgosh. Sikurse e dëgjuam për gjithçka Moisiun, ashtu do të të dëgjojmë edhe ty. Porse, e paç Zotin, Hyjin tënd, me ty sikurse e pati Moisiu. Kushdo që të mos dëgjojë urdhrin tënd e t'i përbuzë fjalët e tua e të mos i dëgjojë urdhrat, le të vritet! Ti veç, ji burrë i fortë e guximtar!”

 

   Përgjigjja Krh. Joz 1, 5. 6; Lp 31, 20; Joz 1, 9

 

   C Sikurse qeshë me Moisiun, po ashtu do të jem edhe me ty, thotë Zoti. * Mos u tremb as mos ki frikë sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua.

   D Ki zëmër e merr guxim; sepse ti do ta shtiesh Izraelin në tokën që i kam premtuar.

   C Mos u tremb as mos ki frikë sepse me ty së bashku është Zoti, Hyji yt, në të gjitha ndërmarrjet e tua.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra drejtuar Romakëve” e shën Injacit prej Antiokisë, ipeshkëv dhe martir

   (3, 1 – 5, 3; Funk 1, 215-219)

 

   Nuk dëshiroj që vetëm të quhem i krishterë, por të jem me të vërtetë i tillë.

 

   Nuk e keni pasur kurrë askënd zili, madje i keni mësuar të tjerët. Kam dëshirë që ato gjëra që ju i porositni dhe ua mësoni të tjerëve, të ruajnë tërë forcën e tyre.

   Për mua kërkojeni vetëm fuqinë e jashtme dhe të brendshme në mënyrë që unë të mos jem i vendosur vetëm në fjalë, por edhe në dëshirë, kështu që të mos jem i krishterë vetëm me emër, por të jem i tillë përnjëmend. Nëse do të gjendem i tillë, do të mund të quhem i krishterë e kur bota nuk do të më shohë më, atëherë do të jem një besimtar i vërtetë. Asnjëra prej gjërave që shihen nuk ka vlerë. Hyji ynë Jezu Krishti, tash që është kthyer tek Ati, shfaqet më shumë. Para përndjekjeve të botës krishterimi nuk mbrohet me fjalë të urtisë njerëzore por me fuqinë e Hyjit.

   U shkruaj të gjitha kishave, dhe të gjithëve u kumtoj se do të vdes me gjithë qejf për Hyjin, nëse ju nuk do të më pengoni. Ju përbej që të mos më shfaqni një mirëdashje që do të ishte e pavend. Lini që unë të jem ushqim i bishave, nëpërmjet të cilave më është dhënë ta arrij Hyjin. Unë jam grurë i Hyjit, dhe do të bluhem prej dhëmbëve të shtazëve të egra për t’u bërë bukë e pastër e Krishtit. Përkundrazi, nxitni bishat që të bëhen varri im dhe të mos lënë asgjë prej trupit tim, kështu që në gjumin tim të fundit të mos i jem askujt barrë. Kur bota nuk do ta shohë më trupin tim, atëherë do të jem nxënës i vërtetë i Jezu Krishtit. Luteni me këmbëngulje Krishtin për mua, që nëpërmjet këtyre bishave unë të bëhem hoste për Hyjin.

   Unë nuk ju jap urdhra, porsi Pjetri e Pali. Ata ishin apostuj, ndërsa unë jam një i dënuar; ata ishin të lirë, ndërsa unë deri tash nuk jam veçse një skllav. Por nëse do ta vuaj martirizimin, do të bëhem një i liruar i Jezu Krishtit dhe në të do të ringjallem i lirë. Tash, në pranga, po mësoj t’i bie mohit çdo dëshire.

   Që nga Siria e deri në Romë, nëpër tokë e nëpër dete, natë e ditë, luftoj me bisha, i lidhur me dhjetë leopardë, d.m.th. me qetën e ushtarëve përcjellës. Sa më shumë u bëj atyre mirë, aq më keq më trajtojnë. Porse me fyerjet e tyre unë nxjerr gjithnjë e më shumë përfitim në shkollën e Krishtit, por ata nuk i arsyeton kjo gjë. Oh, e kur do ta kem gëzimin të gjendem përballë bishave të përgatitura për mua! Shpresoj se do të jenë të gatshme të hidhen mbi trupin tim. Unë do t’i nxis që të më gëlltisin në një çast e të mos bëjnë sikurse bënë me disa të tjerë, të cilët patën frikë t’i prekin. E nëse ato do të këmbëngulin në përtimin e tyre, do t’i detyroj me forcë.

   Më falni, por unë e di mirë ç’është e mira për mua. Tash po filloj të jem një nxënës i vërtetë. Asnjë gjë, as prej atyre që shihen as prej atyre që nuk shihen, të mos më pengojë ta arrij Jezu Krishtin. Zjarr e kryq, turmë bishash, shqyerje, copëtime, ndrydhje eshtrash, këputje gjymtyrësh, dërrmim i tërë trupit, torturat më të pashpirtshme të djallit qofshin të mirëseardhura përmbi mua, veçse të mund ta arrij Jezu Krishtin.

 

   Përgjigjja Krh. Gal 2, 19. 20

 

   C Vdiqa për Ligjin që të jetoj për Hyjin; këtë jetë e jetoj në fenë e Birit të Hyjit * i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.

   D U kryqëzova bashkë me Krishtin; jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti,

   C i cili më deshi dhe e flijoi vetveten për mua.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burimi i çdo të mire, po të lutemi me përvujtëri: frymëzo në ne mendime të drejta dhe na ndihmo t’i shtimë në veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.