Shërbesa e leximeve

Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E martë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. I madh është Zoti: ejani ta adhurojmë.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Duke u ngritë natën, të gjithë të rrimë zgjuar,

   përherë në psalme thellë le të mendohemi

   me tërë fuqitë ne le t’i thurim Zotit

   ëmbëlsisht himnet.

 

   Mbretit të drejtë baras duke i kënduar,

   me shenjtorë të tij të meritojmë të futemi

   n’tremen e qiellit, të kalojmë së bashku

   jetën e lume.

 

   E këtë na e dhëntë neve Hyjnia e lume

   e Atit, e Birit, baras dhe e Shpirtit

   të Shenjtë, lavdia e t’cilëve lart ushton

   nëpër mbarë botën. Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   Lutjeve tona veshët e hyjnueshëm,

   o Zot, drejtoji, vetëm nga mëshira;

   prano premtimet e shërbëtorëve tu

   të përgjërohemi.

 

   Qetësisht kujdesu nga Selia e Shenjtë

   me fytyrë t’ëmbël, dhe ndriçoji llambat

   e vajit tonë, dhe errësitë të gjitha

   dëbo nga zemrat.

 

   Me shumë mëshirë çlirona ne nga krimet,

   këputi prangat, laj papastërtitë,

   ki ndjesë për mëkate, me të djathtën tënde

   ngre të rrëzuarit.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atë të amshuar,

   dhe ty përherë, o Bir lindur prej Atit,

   me t’cilin baras sundon Shpirti i Shenjt

   nëpër gjithë shekujt. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

   Psalmi 37 /36/ Fati i të drejtit dhe i bakeqit

 

   Lum ata që janë të butë sepse do ta trashëgojnë tokën (Mt 5, 5).

 

   I (1-11)

 

Mos u zemëro kundër keqbërësve *

   as mos ua ki lakmi atyre që bëjnë keq.

Sepse do të thahen me të shpejt si kashta *

   e do të kalben si bari i njomë.

 

Shpreso në Zotin e bëj mirë: *

   kështu do të banosh Tokën e premtuar

   e do të jetosh në paqe.

Vëre gëzimin tënd në Zotin *

   e ai do t’i plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Lëshoje në dorë të Zotit fatin tënd, *

   shpreso në të dhe ai do të kryejë gjithçka.

Do ta bëjë të shndritë si drita drejtësia jote, *

   të drejtën tënde porsi mesdita.

 

Hesht para Zotit e shpreso në të †

   e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, *

   për njeriun që djerron tradhti.

 

Hiqu zemërimit e largoje hidhërimin, *

   mos u shqetëso se vetëm prish punë,

sepse ata që bëjnë keq do të shuhen, *

   kurse ata që shpresojnë në Zotin do ta trashëgojnë tokën.

 

Edhe pak kohë e bakeqi do të sharrojë, *

   tani ia kërkon vendin e s’do t’ia gjesh,

kurse të butët do ta trashëgojnë tokën *

   e do të kënaqen në paqe me një mijë të mirat.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Besoja Zotit udhën tënde, dhe ai do të kryejë veprën e vet.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

   II (12-29)

 

Bakeqi i vë prita të drejtit, *

   kundër tij kërcëllon dhëmbët,

por Zoti e përqesh atë, *

   sepse e sheh se do t’i vijë dita.

 

Mëkatarët vringëlluan shpatën *

   dhe ngrehën harkun

për ta shtruar përdhe nevojtarin e skamnorin, *

   për t’i vrarë ata që ecin udhës së drejtë.

 

Shpata e tyre do të shpojë zemrat e tyre, *

   harku i tyre copë e grimë do të bëhet.

 

Më mirë pakica e të drejtit *

   sesa pasuria e madhe e bakeqit,

sepse krahët e keqbërësve do të thyhen, *

   ndërsa të drejtët i mban në fuqi Zoti.

 

Vetë Zoti mendon për jetën e të mirëve, *

   trashëgimi i tyre do të qëndrojë për amshim.

Nuk do të turpërohen në ditë të keqe, *

   s’do t’u mungojë buka në kohë zie.

 

Kurse keqbërësit - armiqtë e Zotit, do të sharrojnë, †

   porsi stolia e fushave do të vyshken, *

   do të zhduken porsi tymi.

 

I paudhi merr hua e nuk kthen, *

   ndërsa i drejti ka dhembje e dhuron.

 

Ata që Zoti i bekon, do ta trashëgojnë tokën, *

   ndërsa ata që i Lumi i mallkon, do të shuhen.

 

Zoti i forcon hapat e njeriut *

   dhe përcjell me dashuri udhën e tij.

Kur rrëzohet nuk thërrmohet, *

   sepse Zoti e mban për dore.

 

I ri qesh edhe u plaka, †

   por nuk e pashë të drejtin të lënë pas dore *

   as fëmijët e tij duke lypur bukë.

 

Gjithmonë ka mëshirë dhe huazon, *

   prandaj edhe pasardhësit e tij janë të bekuar.

 

Hiqu së keqes e bëj të mirën *

   e s’do të jesh i paplang e i pashtëpi për amshim,

sepse Zoti e do të drejtën *

   dhe nuk i lëshon dore miqtë e vet.

 

Keqbërësit me siguri do të shfarosen, *

   breznia e tyre do të shuhet.

Tokën do ta trashëgojnë të drejtët *

   dhe në të do të banojnë për amshim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Hiqu së keqes e bëje të mirën: sepse Zoti i përkrah të drejtët.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

   III (30-40)

 

Goja e të drejtit e shkoqit dijen, *

   gjuha e tij shpall të drejtën.

Ligji i Hyjit të tij është në zemrën e tij: *

   nuk shqepojnë hapat e tij.

 

I paudhi e përgjon të drejtin: *

   këqyr si ta vrasë.

Porse Zoti s’do ta lëshojë në duar të tij *

   nëse gjykohet s’lejon ta dënojnë.

 

Prite me duresë Zotin dhe ec udhës së tij, †

   ai do të të bëjë të madh e do ta trashëgosh Tokën *

   dhe do ta shikosh shfarosjen e të paudhëve.

 

E pashë të paudhin tepër të lartësuar, *

   të lartë porsi cedrin e kërthndezët;

kalova dhe, ja, nuk ishte, *

   e kërkova e nuk e gjeta.

 

Ruaje pafajësinë e zbatoje të drejtën: *

   njeriu i paqes pas vetes lë djalin.

Të paudhët së bashku të gjithë do të shuhen, *

   bir as bijë keqbërësit nuk do të lënë.

 

Shpëtimi i të drejtëve vjen prej Zotit, *

   ai është strehimi i tyre në ditë të ngushtë.

 

Vetë Zoti u ndihmon, ai i ruan, †

   do t’i lirojë prej keqbërësve *

   sepse shpresuan në të.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 Shpreso në Zotin dhe ndiqe udhën e tij.

 

D Ma mëso urtinë dhe njohurinë:

   C sepse kam besim në fjalët e tua.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jozuehut 2, 1-24

 

   Në saje të fesë Rahaba i mirëpret hetuesit izraelit dhe i shpëton.

 

   Në ato ditë Jozuehu, biri i Nunit, i dërgoi fshehtazi prej Setimit dy hetues dhe u tha: “Shkoni dhe vëreni mirë tokën dhe qytetin Jerik.” Këta shkuan e hynë në shtëpinë e një lavireje që quhej Rahabë dhe aty bujtën. E lajmëruan mbretin e Jerikut e thanë: “Ja, arritën mbrëmë disa njerëz prej bijve të Izraelit për të marrë hetime mbi vendin.” Atëherë mbreti i Jerikut dërgoi t'i thonë Rahabës: “Qiti jashtë njerëzit që erdhën te ti dhe hynë në shtëpinë tënde; sepse janë spiunë dhe erdhën të marrin hetime mbi vendin.”

   Gruaja atëherë mori e i fshehu njerëzit. Atyre iu përgjigj: “Është e vërtetë se erdhën tek unë, por unë nuk dija se nga ishin. Kur në mug të natës po mbylleshin dyert e qytetit, njerëzit dolën e nuk di nga ia mbajtën. Ndiqni me nxitim se do t'i zini.” Por ajo i ngjiti njerëzit lart në tarracën e shtëpisë së vet, i mbuloi me kashtë liri që ishte aty. Të dërguarit e mbretit u vunë t'i kërkonin udhës që shpie në vaun e Jordanit. Kur dolën ndjekësit jashtë qytetit dera e qytetit u ndry.

   Ende pa i zënë gjumi hetuesit, kur qe, u ngjit gruaja tek ata dhe u tha: “E di se Zoti jua ka dorëzuar vendin, sepse frika juaj na ka hyrë të gjithë banorëve në eshtra dhe të gjithë banorët e këtij vendi i ka lëshuar zemra prej frikës suaj. Sepse kemi dëgjuar që Zoti e ka tharë Detin e Kuq posa keni hyrë brenda, kur patët dalë prej Egjiptit. Dëgjuam edhe çfarë u bëtë dy mbretërve të amorrenjve që ishin përtej Jordanit: Sehonit e Ogut, të cilët i vratë. Kur i dëgjuam të gjitha këto, u trembëm për së tepërmi, na lëshoi zemra dhe askush s'guxon as të marrë frymë para jush, sepse Zoti, Hyji juaj, është Hyj atje lart në qiell dhe këtu poshtë në tokë. Tash, pra, m'u betoni për Zotin se edhe ju do të dëftoni dhembje për shtëpinë e tim ati, sikurse u dëftova edhe vetë e mëshirshme me ju dhe ma jepni besën e fortë se do të m'i lini gjallë babën, nënën, vëllezërit e motrat e të gjithë të tyret dhe se do të na e shpëtoni jetën prej vdekjes.” Ata iu përgjigjën: “Peng le të jetë jeta jonë për ju, vetëm mos na tradhto. Kur të na e dorëzojë Zoti vendin, do të dëftojmë dhembje për ty e do ta mbajmë besën.”

   Ajo atëherë me anë të litarit i lëshoi për dritareje. Shtëpia e saj ishte ngjitur për muri dhe jetonte kapur për murin rrethues. Ajo edhe u tha: “Mësyni malet që të mos ndesheni në ndjekës, dhe atje fshihuni për tri ditë derisa ata të kthehen në qytet. Ju atëherë ndiqni rrugën tuaj.” Hetuesit i thanë: “Ne do të jemi të lirë prej këtij përbetimi që kërkove ta bëjmë, nëse nuk do të plotësohet ky kusht: nëse, kur të hyjmë ne në vend, shenjë do të jetë ky litar ngjyrë gjaku: lidhe në dritare nëpër të cilën na lëshove dhe babë, nënë, vëllezër e mbarë farefisin tënd bashkoji në Shtëpinë tënde. Kush të dalë jashtë derës sate, gjaku i tij le të bjerë mbi krye të tij, ne do të jemi të pafajshëm, kurse gjaku i secilit që të jetë me ty në shtëpi, nëse i prek kush, le të bjerë mbi krye tonë. Por nëse ti do të zbulosh punën tonë, ne do të jemi të lirë nga kjo besë që kërkove prej nesh.” Ajo iu përgjigj: “Na qoftë sikurse thatë!” Atëherë i la të shkojnë dhe e vari litarin e kuq në dritare.

   Ata çanë e shkuan në malësi dhe qëndruan atje tri ditë, derisa të ktheheshin ata që u kishin vënë ndjekjen. Ata i kërkuan udhës gjithkund, por nuk i gjetën. Këta të dy u kthyen: zbritën prej maleve dhe, si e kaluan Jordanin, arritën te Jozuehu, biri i Nunit, dhe i treguan gjithçka u kishte ndodhur. Pastaj shtuan: “Mbarë tokën na e lëshoi Zoti në dorë; mbarë banorët e atij vendi i ka pushtuar frika jonë.”

 

   Përgjigjja Krh. Jak 2, 24-26; Heb 11, 31

 

   C Njeriu shfajësohet me vepra e jo vetëm me fe. Gjithashtu a nuk u shfajësua edhe Rahaba kur u bëri mikpritje të dërguarve dhe i përcolli një udhe tjetër. * Sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur.

   D Me anë të fesë Rahaba lavire nuk u vra bashkë me kryengritësit, sepse i priti vëzhguesit paqësisht.

   C Sikurse trupi pa shpirt është i vdekur, kështu edhe feja pa vepra është e vdekur.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Letra drejtuar Romakëve” e shën Injacit prej Antiokisë, ipeshkëv dhe martir

   (6, 1 – 9, 3; Funk 1, 219-223)

 

   Një ujë i gjallë gurgullon brenda meje dhe më thotë: Eja tek Ati.

 

   Asgjë nuk do të më vlejnë joshësit e botës as mbretëritë e kësaj toke. Është më mirë për mua të vdes për Jezu Krishtin se sa ta zgjeroj mbretërinë time gjer në skaj të botës. Unë e kërkoj atë që vdiq për ne; e dëshiroj atë që u ringjall për ne. Është afër çasti i lindjes sime.

   Kini dhimb për mua, o vëllezërit e mi: mos më pengoni të jetoj, mos dëshironi që unë të vdes. Mos e braktisni në duar të botës dhe të ngashënjimit të materies atë që dëshiron të jetë i Hyjit. Lejoni që unë të arrij dritën e pastër; e kur ta arrij atje do të jem vërtet njeri. Më lejoni ta ndjekë mundimin e Hyjit tim. Nëse ndokush e ka Atë në vetvete, le të kuptojë se çka dëshiroj dhe le të ketë dhimb për mua, duke menduar për ankthin që më mundon.

   Prijësi i kësaj bote dëshiron të më marrë me vete dhe t’ia zërë frymën synimit tim drejt Hyjit. Mos t’i ndihmojë askush prej atyre që do të gjendet në atë vend; por, më mirë ndihmojini çështjes sime, do të thotë çështjes së Hyjit. Mos u bëni prej atyre që shpallin Jezu Krishtin dhe duan botën. Të mos gjejë vend në ju zilia. Edhe nëse do t’ju përbej kur të jem në mesin tuaj, ju mos ma vini veshin. Por, më mirë besojuni fjalëve që po ju shkruaj tani që jam në zotësi të plotë të jetës sime. Po ju shkruaj se dëshiroj të vdes.

   Çdo dëshirë e imja tokësore është e kryqëzuar dhe nuk ka në mua asnjë flakë për materien, por një ujë i gjallë gurgullon brenda meje dhe më thotë: Eja tek Ati. Nuk i gëzohem më një ushqimi të shkatërrueshëm, as kënaqësive të kësaj bote. Por, dëshiroj bukën e Hyjit, që është trupi i Jezu Krishtit, prej fisit të Davidit, dhe për pije dëshiroj gjakun e tij që është dashuria e pashkatërrueshme.

   Nuk dëshiroj ta jetoj më jetën e kësaj toke. Po të doni, dëshira ime do të plotësohet. Ju lus, pra, ta doni këtë gjë, që edhe ju një ditë të gjeni mirëdashje. Po jua kërkoj me krejt thjeshtësi, më besoni. Jezu Krishti do t’ju ndihmojë të kuptoni se ju them të vërtetën. Ai është goja që thotë të vërtetën nëpërmjet së cilës Ati foli në të vërtetë. Kërkoni për mua që unë ta arrij atë. Nuk po ju shkruaj me qëllime njerëzore, por sipas vullnetit të Hyjit. Nëse do të vuaj, atëherë do të thotë se më keni dashur. Por, nëse do të lirohem, do të jetë shenjë se ju më keni urryer.

   Le t’ju bjerë ndër mend në lutjet tuaja për kishën e Sirisë, që në vendin tim ka Hyjin për bari. Vetëm Jezu Krishti do ta sundojë atë si ipeshkëv, dhe dashuria juaj. Më vjen turp ta quaj veten pjesëtar të asaj bashkësie. Nuk jam i denjë, sepse jam i fundit prej të gjithëve dhe jam porsi një dështim. Por, me anë të mëshirës së Hyjit do të arrij të bëhem dikush nëse do të arrij Hyjin.

   Ju përshëndet shpirti im dhe dashuria e kishave të cilat më pranuan jo si një shtegtar të thjeshtë, por në emër të Jezu Krishtit. Ju përshëndesin edhe ato kisha, të cilat edhe pse jashtë rrugëkalimit tim, më paraprinin në qytetet nëpër të cilat kaloja vetëm e vetëm me qëllim që të më shohin.

 

   Përgjigjja Kol 1, 24. 29

 

   C Tani vetë ju gëzohem vuajtjeve të mia për të mirën tuaj dhe plotësoj në trupin tim çka u mungon mundimeve të Krishtit * në dobi të Trupit të tij – Kishës.

   D Mundohem dhe luftoj me ndihmën e fuqisë së Krishtit i cili me plot fuqi vepron në mua,

   C në dobi të Trupit të tij – Kishës.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burimi i çdo të mire, po të lutemi me përvujtëri: frymëzo në ne mendime të drejta dhe na ndihmo t’i shtimë në veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.