Shërbesa e leximeve

Java e dhjetë e Kohës së rëndomtë

 

Java II e Psalterit

 

E mërkurë

 

Shërbesa e leximeve

 

Ftesa

 

D O Zot, hapi buzët e mia.

C Dhe goja ime do të kumtojë lavdet e tua.

 

Në shërbesën e së dielave dhe të ditëve të javës:

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

   Psalmi 95 /94/ Grishje për të lavdëruar Hyjin

 

   Nxitni njëri-tjetrin dita-ditës deri sa të zgjasë kjo “Sot” (Heb 3, 13).

 

Ejani t'i këndojmë Zotit, *

   t'i brohorasim Hyjit, Shëlbuesit tonë.

T'i dalim para me falënderje, *

   t'i këndojmë këngë hareje!

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Sepse Hyj i madhërishëm është Zoti, *

   Mbret i madhërueshëm mbi të gjithë zotat!

Sepse në dorën e tij janë thellësitë e tokës, *

   të tijat janë edhe majat e maleve,

i tiji është deti ‑ ai e krijoi, *

   duart e tija e formuan tokën.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Ejani ta adhurojmë, të biem përmbys para tij, *

   të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!

Sepse ai është Hyji ynë,

   ne jemi populli i kullosës së tij, *

   grigja që ai ruan.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij: *

   “Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,

porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,

   kur etërit tuaj më vunë në sprovë: *

   më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Dyzet vjet më mërziti ajo brezni

   e thashë: 'Popull zemërluhatshëm është ky, *

   që s'i njeh udhët e mia.'

Prandaj u përbetova në hidhërimin tim: *

   'Askurrë s'do të hyjnë në prehjen time!'”

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

   Ant. Toka mbarë le t’i brohorasë Zotit, le t’i shërbejë atij me gëzim.

 

Shërbesa e leximeve

 

V. Hyj, më eja në ndihmë!

P. O Zot, shpejto të më ndihmosh!

 

V. Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt,

P. si ka qenë në fillim,

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen. (K. P. aleluja).

 

   Kjo hyrje nuk përdoret kur Shërbesa e lutjes fillon me Ftesë.

 

   Himni

 

   Krijues i sendeve, ripërtëritës jete,

   Krisht, mbreti i mbretërve, gjyqtar i rreptë,

   ti lutjet tona e lavdërimet baras

   pranoji i ëmbël.

 

   Ja ty gjatë natës po t’përmbushim kushtet

   me lavde, e bëji për ty të pëlqyeshme

   e ne ringjall me harmoni t’përjetshme

   o autor i dritës.

 

   Na jep ne ditë me mirësi të mbara

   duke dhënë jetën që nuk e njeh vdekjen,

   që t’jetë përherë paprerë me vepra tona

   lavdia jote.

 

   Zemrën tonë ndize, dhe i drejtë na i ngroh kryqet

   me zjarr hyjnor edhe na bëj syhapët,

   që në çdo kohë të mbajmë ndër duart tona

   llambat e ndezura.

 

   Lavdërim i madh kremtoftë Prindin e Epërm,

   dhe Ty, Shëlbues, mbret i drejtë, n’amshim,

   e në mbarë botën të ushtojë lavdia

   e Shpirtit Shenjt, Amen.

 

   Kur Shërbesa e leximeve bëhet gjatë ditës:

 

   O Krisht, drita e vërtetë, mirësia e jeta,

   gëzimi i botës, mëshira pa mbarim,

   që me gjak tënd plot jetë neve nga vdekja

   na ke shëlbuar.

 

   Dashurinë tënde, shtjere, po të lutemi

   ndër mendje tona, dhe besimit ktheji

   ndriçim t’amshuar, dhe dashurisë vëllazërore

   kënaqësinë shtoja.

 

   Dhe larg nga ne qoftë Djalli i pabesë,

   që u thye e u dërrmua nga fuqitë e tua,

   na qëndroftë pranë Shpirt Shenjt dërguar

   prej Selisë tënde.

 

   Lavdi i qoftë Hyjit Atit të amshuar,

   dhe ty gjithmonë, o Bir nga Ati i lindur,

   me t’cilin Shpirti Hyj i barabartë

   sundon ndër shekuj. Amen.

 

   Ose një himn tjetër, apo një këngë e miratuar nga autoritetet kishtare.

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.

 

   Psalmi 39 /38/ Urata në sëmundje

 

   Krijesa, në të vërtetë, është e nënshtruar kotësisë porse njëmend në shpresë. Sepse, edhe vetë krijesa do të lirohet nga skllavërimi i shkatërrimit për të pasur pjesë në lirinë dhe lumturinë e bijve të Hyjit... por, gjithashtu edhe ne gjëmojmë në vetvete, duke pritur bijësimin ‑ shpërblimin e trupit tonë (Krh. Rom 8, 20-23).

 

   I (2-7)

 

Thashë: »Do t’ia vë mendjen sjelljes sime *

   që të mos mëkatoj me gjuhën time,

fre do t’i vë gojës sime *

   sa të jetë para meje bakeqi.«

 

Heshta, nuk fola, zë me gojë nuk bëra, *

   por më kot dhembja ime u përtërit.

Flakë u ndez në mua zemra, *

   posa më shkonte mendja në të - flakë ndizesha,

 

fola me gjuhën time: *

   »Ma zbulo, o Zot, mbarimin tim,

cili është numri i ditëve të mia, *

   që ta di sa e shkurtër është jeta ime!«

 

Qe, në gishta mund të njehen ditët e jetës sime, *

   jeta ime është asgjë para teje,

 

vetëm avull është çdo njeri. *

   Porsi hije kalon jeta e njeriut,

e kotë është krejt puna e tij: *

   ai mbledh visare e s’di kush i gëzon.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 1 Në brendësi vuajmë duke pritur shëlbimin e trupit tonë.

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.

 

   II (8-14)

 

E tani çka mund të pres, o Zot? *

   Shpresa ime është në ty!

Më pastro prej të gjitha fajeve të mia, *

   mos lejo të bëhem loja e të patenzonit!

 

S’bëj zë, gojën nuk e çel *

   sepse je ti ai që vepron.

Largoji, deh, prej meje ndëshkimet e tua, *

   se më doli shpirti nën peshën e dorës sate!

 

Ti njëmend me ndëshkim e përmirëson njeriun, †

   porsi tenja e bren dëshirën e tij. *

   Vërtet tytësi është çdo njeri!

 

Dëgjoje, o Zot, lutjen time, *

   vështro klithmat e mia!

 

Mos u bëj i shurdhët ndaj lotëve të mi! †

   Para teje unë jam i huaj, *

   endacak porsi etërit e mi.

 

Më lër njëherë të lirë të marr frymë, *

   para se të shkoj e të mos jem më!

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 2 Dëgjoje lutjen time, o Zot, mos i mbyll veshët para vajit tim.

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.

 

   Psalmi 52 /51/ (3-11) Ndëshkimi i keqbërësve

 

   Kush mburret, le të mburret në Zotin (1Kor 1, 31).

 

Pse krenohesh me vepra të këqija *

   ti që je i madh për nga paudhësia?

 

Gjithë ditën djerron tradhti! †

   Gjuha jote brisk i mprehtë, *

   o mjeshtër fitmesh!

 

Ti e do të keqen më tepër se të mirën, *

   rrenën se të flasësh të vërtetën,

të pëlqejnë fjalët ngatërrestare, *

   o gjuhë fitmesh!

 

Prandaj Hyji krejtësisht do të të zhbijë, *

   do të të zhdukë përgjithmonë,

do të të çrrënjosë prej tendës, *

   do të të çrrënjosë nga toka e të gjallëve.

 

Të tmerruar do të shohin të drejtët *

   e do të qeshin mbi të:

 

»Ja, njeriu që nuk e mori Hyjin për mbrojtës, †

   por shpresoi në kamjen e vet të madhe *

   dhe krenohej me tradhtitë e veta.«

E unë porsi ulliri i gjelbër në Shtëpinë e Hyjit, †

   shpresoj në mirësinë e Hyjit *

   për amshim e në shekuj të shekujve.

 

Do të të lavdëroj përherë që veprove ashtu, †

   shpresën do ta vë në Emrin tënd sepse është i mirë *

   në sy të besimtarëve të tu.

 

Lavdi Atit e Birit *

   e Shpirtit Shenjt,

si ka qenë në fillim, *

   ashtu tash e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Ant. 3 I lulëzueshëm si ulliri, ai që lëshohet në duart e Zotit.

 

   D Shpirti im shpreson në Zotin,

   C dhe me padurim e pret fjalën e tij.

 

   Leximi i parë

 

   Prej librit të Jozuehut 3, 1-17; 4, 14-19; 5, 10-12

 

   Populli e kalon Jordanin dhe i kremton Pashkët.

 

   Në ato ditë Jozuehu u ngrit herët në mëngjes dhe e lëshoi tëbanishtën. E lëshuan Setimin e arritën tek Jordani, ai e të gjithë bijtë e Izraelit. Zunë vend aty para se të kalojnë. Si kaluan tri ditë, krerët ranë përmidis tëbanishtës e i urdhëruan popullit: “Kur ta shihni Arkën e Besëlidhjes së Zotit, Hyjit tuaj, dhe priftërinjtë levitë duke e mbartur, ngrihuni edhe ju dhe shkoni pas saj ‑ndërmjet saj dhe jush le të jetë një largësi afërsisht rreth dy mijë kute dhe ruaj se i afroheni ‑ që të dini cilës rrugë u duhet të shkoni, sepse asaj rruge nuk keni kaluar askurrë.” Edhe Jozuehu i tha popullit: “Shenjtërohuni, sepse nesër Zoti do të bëjë në mesin tuaj mrekulli.” Kurse priftërinjve u tha: “Merreni Arkën e Besëlidhjes e prini popullit!” Ata e morën Arkën dhe u nisën para popullit.

   Zoti i tha Jozuehut: “Sot po filloj të të lartësoj para syve të mbarë Izraelit që ta dinë se, sikurse isha me Moisiun, ashtu jam edhe me ty. Ti urdhëroju priftërinjve që mbartin Arkën e Besëlidhjes dhe thuaju: 'Kur të arrini në buzë të ujit të Jordanit, zini vend në Jordan.'“

   Atëherë Jozuehu u tha izraelitëve: “Afrohuni këtu e dëgjoni fjalët e Zotit, Hyjit tuaj.” Pastaj vazhdoi: “Me këtë do ta dini se Hyji i gjallë është në mesin tuaj, se do ta shpërndajë para syve tuaj Kananeun, Heteun, Heveun, Ferezeun, Gergezeun e me të edhe Amorreun dhe Jebuzeun! Ja, Arka e Zotëruesit të mbarë tokës, do t'ju prijë përmidis Jordanit. Bëni gati dymbëdhjetë burra prej fiseve të Izraelit, nga një prej secilit fis. Kur t'i shtien në ujë këmbët e veta priftërinjtë që mbartin Arkën e Zotit, Hyjit të mbarë dheut, në ujin e Jordanit, ujërat që janë më poshtë do të rrjedhin, kurse ujërat që rrjedhin prej lart, do të ndalen si pritë.”

   U nis, pra, populli prej çadrave të veta për të kaluar Jordanin e priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes, ecnin para tij. Arritën deri te Jordani dhe, posa i lagën këmbët në ujin e buzës së tij ‑ ishte koha e të korrave kur Jordani prej ujit të madh gati i vërshon brigjet e veta ‑ u ndalën ujërat që rridhnin prej së larti e që larg u bënë si pritë, qysh prej qytetit të Adamit që është afër Sartanit, kurse ato të poshtmet rrodhën në Detin e Arabës, që është Deti i Vdekur, derisa shteruan krejtësisht. Populli vazhdonte drejt Jerikut, kurse priftërinjtë që e mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, qëndronin në këmbë mbi truallin e terur në midis të Jordanit, përderisa nuk e kaloi mbarë Izraeli Jordanin nëpër shtrat të thatë të lumit.

   Në këtë ditë Zoti e madhëroi Jozuehun në sy të izraelitëve, që ta nderonin atë ashtu si e nderuan Moisiun gjatë gjithë jetës së tyre.

   E Zoti i tha: “Urdhëroju priftërinjve që e mbartin Arkën e Dëshmisë, të dalin nga Jordani.” E Jozuehu u urdhëroi: “Dilni prej Jordanit!” Dhe, posa priftërinjtë, që mbartnin Arkën e Besëlidhjes së Zotit, dolën nga Jordani, dhe posa zunë të shkelin me këmbë tokën e terur, ujërat u kthyen në shtratin e vet të lumit dhe rrodhën si më parë përmbi brigjet e tija.

   Populli doli prej Jordanit ditën e dhjetë të muajit të parë dhe e nguli tëbanishtën në Galgalë, në krahun e lindjes të Jerikut.

   Bijtë e Izraelit zunë vend në Galgalë, në rrafshin e Jerikut dhe të katërmbëdhjetën ditë të muajit në mbrëmje i kremtuan Pashkët. Prej së nesërmes filluan të ushqehen me prodhimet e atij vendi, me bukë të pabrumë e përvëlak kokrrash elbi të përzhitur po atë ditë. Të nesërmen, pasi hëngrën prej prodhimeve të vendit, edhe mana pushoi të bjerë. Bijtë e Izraelit nuk e përdorën më atë ushqim, por atë vit u ushqyen me prodhimet e tokës së Kanaanit.

 

   Përgjigjja Krh. Joz 4, 22-25; Ps 114 /113A/, 5

 

   C Izraeli e ka kaluar Jordanin terikut, sepse Zoti i thau ujërat e tij para jush derisa e kaluat, sikurse pati bërë më parë në Detin e Kuq: * popujt e mbarë tokës le ta njohin dorën e fuqishme të Zotit.

   D Ç’pate, o det, që ike? E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi?

   C Popujt e mbarë tokës le ta njohin dorën e fuqishme të Zotit.

 

   Leximi i dytë

 

   Nga “Predikimet mbi librin e Jozuehit” të Origjenit, meshtar

   (Pred. 4, 1; PG 12, 842-843)

 

   Kalimi i Jordanit.

 

   Në Jordan arka e besëlidhjes e udhëhiqte popullin e Hyjit. Ndalet radha e meshtarëve dhe e levitëve e ujërat, porsi prej nderimit të thellë ndaj mbarështuesve të Hyjit, e ndalin ecjen e tyre dhe mblidhen në një grumbull të ngurtë, duke i dhuruar popullit të Hyjit një kalim të padëmshëm. Mos u befaso, o i krishterë, kur të tregohen këto ndodhí në lidhje me popullin hebre, sepse, pasi që dole nga Jordani nëpërmjet sakramentit të pagëzimit, fjala hyjnore ty të premton gjëra shumë më të mëdha dhe më të larta, e të dhuron një udhëtim dhe një kalim drejt qiellit, nëpër eterin. “Kemi për të qenë marrë në re, në takim me Zotin, në ajër. Kështu do të jemi gjithmonë me Zotin” (1 Sel 4, 17). Nuk ka absolutisht asgjë që i drejti duhet të druajë. Vërtet, çdo krijesë i është nënshtruar.

   Dëgjo, së fundi, se si Hyji i jep sigurinë nëpërmjet profetit: Nëpër zjarr kur të kalosh, nuk do të digjesh, flaka ty nuk do të të djegë, sepse unë jam Zoti Hyji yt (krh. Is 43, 2). Për këtë arsye, çdo vend e pranon të drejtin dhe çdo krijesë i bën shërbimin që i përket. E mos mendo se këto gjëra kanë ndodhur vetëm për njerëzit që të kanë paraprirë; mos mendo se për ty që tani je duke dëgjuar nuk mund të ndodhë asgjë e ngjashme: gjithçka do të përmbushet në ty sipas një plani të mistershëm.

   Tani të drejtohem ty, që, pasi i ke braktisur errësirat e idhujtarisë, dëshiron t’i nënshtrohesh ligjit hyjnor dhe ke filluar të dalësh nga Egjipti.

   Që kur ke hyrë në numrin e katekumenëve dhe ke filluar t’u nënshtrohesh urdhrave të Kishës, je larguar nga Deti i Kuq, dhe duke u ndalur në etapat e ndryshme të shkretëtirës, ke vendosur që çdo ditë ta dëgjosh fjalën e Hyjit dhe ta vëresh fytyrën e Moisiut, që shkëlqen prej lavdisë së Zotit. Do të arrish tek burimi i mistershëm i pagëzimit dhe, kur radhët e priftave dhe të levitëve do të zënë vendin e tyre, do të fillosh t’i njohësh ato sakramente të përnderuara dhe të shkëlqyeshme, që njihen prej atyre të cilëve u është lejuar t’i njohin. Atëherë, përmes Jordanit nëpërmjet shërbesës së priftave, do të hysh në tokën e premtuar, në të cilën pas Moisiut të pranon Krishti.

   Vetë ai do të jetë udhëheqësi yt në udhëtimin tënd të ri.

   Atëherë, duke kujtuar mrekullitë e shumta dhe kaq të mëdha të Hyjit, do të kuptosh se për ty u nda deti dhe u ndal uji i lumit. Atëherë do t’u drejtohesh këtyre elementeve dhe do të thuash: Ç’pate, o det, që ike? E ti, o Jordan, që u ktheve prapazi? Ju, o male, pse kërcyet si desh, e ju, o kodra porsi qengja delesh? Do të përgjigjet fjala hyjnore dhe do të thotë: U dridh toka para fytyrës së Zotit, para fytyrës së Hyjit të Jakobit, që e shndërron shkëmbin në liqen ujërash edhe qetën në burim uji të gjallë! (krh. Ps 114 /113 A/, 5-8).

 

   Përgjigjja Krh. Urt 17, 1; 19, 22; Ps 77/76/, 20

 

   C Të madhërueshme janë gjyqet e tua e të patregueshme; * e madhërove dhe e nderove popullin tënd.

   D Nëpër det udha jote, shtigjet e tua nëpër ujëra të mëdha,

   C e madhërove dhe e nderove popullin tënd.

 

   Lutja

 

   O Hyj, burimi i çdo të mire, po të lutemi me përvujtëri: frymëzo në ne mendime të drejta dhe na ndihmo t’i shtimë në veprim. Nëpër Zotin tonë Jezu Krishtin, Birin tënd, që me ty jeton e mbretëron në bashkim me Shpirtin Shenjt, Hyj, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen.

 

Përfundimi i Orës sikurse në Shërbesën e rëndomtë.